Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sinan Gashi: Etyde për F.A.

| E shtune, 27.06.2020, 09:25 AM |


ETYDE  PËR  F. A.

-tregim-

Nga Sinan Gashi

Ai u ngrit si përmendore mes tërë asaj mase të strukur njerëzish, të ulur dhunisht nga diktati i sunduesit.

Treni që hungëronte pranë si një gjarpër i dëmtuar nga koka, sikur hezitonte tërë atë pamje rrëqethëse. Ofshamat e shumta krijonin një zukamë që të ngjizte mishtë.

Ai qëndroi pip më këmbë, edhe pse e shoqja që i qëndronte fare pranë, e tërhiqte për dore sikur ndonjë fëmijë kryeneç që, me çdo kusht, do ta kapërcejë rrugën, duke rrezikuar veten. Unë jam ai, - tha me të madhe, sa kriminelet me veshje ushtarake që iu kishin vërsulur katër të rinjve, duke i kërcënuar mes masës, sa për t’ua shtirë mnerën, aq edhe për të nxjerrë të dhëna për disa personalitete. Ata janë të rinj dhe nuk dinë asgjë për ato që pyesni, e përmbylli. Ç’bënë, o zot?, - belbëzoi e shoqja me shqetësimin e thellë, që i vizatohej në fushën e ballit fshehur pas blejve të flokut të dalë pa leje nga radha. Po, ata të vrasin, o i nderuar, të asgjësojnë, kupton! - sikur fliste me vete, nga se e dinte se ai kur merrte një vendim, nuk e kthente më prapa edhe sikur toka të rrotullohej. Ashtu ishte sot e shtatëdhjetë vjet që e kishte njohur e mësuar nga e vjehrra për karakterin e tij.

Të rinjtë e zverdhur, të zënë ngushtë nga pyetjet, që nuk duhej dhënë përgjigje, se konsideroheshin tradhti ndaj ideologëve të tyre aktivistë, sot e dhjetë vjet të shkuara, shikonin sho-shokun me sy të zgurdulluar, sikur kërkonin harmonizimin e mendimeve mes vete. Madje edhe në ato çaste kur i larguan nga banesat e tyre këta studentë, së bashku me shumë familjarë, që në platenë e stacionit të trenit dukeshin det i paanë njerëzish, kishin kornizuar këtë mendim të sakrificës me vetëdije, se kontrollet e milicisë e paramilitarëve ishin të pamundshme dhe se të rinjtë, e në veçanti studentët, ishin halë në sy për ta. Na duhet të jemi si trup i vetëm, - tha ai zgjatani me një mjekër të rrallë në të dalë, kurse shkurtalaqi, që mezi tërhiqte një valixhe me rrotëza, me zor nxori gazin e zbehtë, “Pa u provua nuk dihet trimi!”

Studentët tanë nuk përzihen në politikë, tha F. A. duke ecur me hap të rënduar nga mosha kah sykuqët.

Këtyre çasteve çuditërisht të pamenduara, dhe kjo skenë mahniti të gjithë, sa hutoi edhe paramilitarët, të cilën pas mundjes së habisë, u nisën në drejtim të trupit të vogël e pak të kërrusur të F. A. –s. Në çast ata harruan studentët që prisnin në këmbë, masën e madhe që strukavej pranë trenit që turfullonte dhimbshëm, si shpirtrat e këtyre qenieve të pambrojtura. Një fitil gëzimi i përshkoj që të shtatët, që nuk mund të fshihej në fytyrat e parruara dhe ngërdheshjen sadiste. Kishte kohë që kishin menduar si t’i zënë e t’i masakrojnë ata që e nisën këtë lojë, ata që kundërshtojnë këtë shtet autoritativ që kishte bërë shumë për ta. Do kënaqim veten dhe do dekorohemi nga eprorët tanë, mendonin të gjithë sykuqët njësoj. Gjarprit kokën duhet ndrydhur, iu kujtua kjo sentencë shqiptare një të rekrutuarit nga këto anë.

Ecë pas meje!, - tha ai që mbahej si komandues, ndërsa të tjerët ecnin për anësh e prapa, për siguri. Kahja e tyre çonte në kundërshti me nismën e trenit, kurse habia mbytëse, që zhduku të gjitha brengat personale të udhëtarëve, kishte krijuar nja heshtim mortal te të gjithë. Madje edhe fëmijët e strukur nën sqetullat e më të mëdhenjve, kishin zbuluar shikimin për të parë këtë skenë makabre e trimërore njëkohësisht.

Vetëm kështu duhet të veproja, meditoi F. A. deri sa ecte rëndë mes frymëmarrjeve kërrhatëse të përcjellësve, që si duket e kishin nga pija e shumtë. Gjithçka e parashikueshme duhej të ishte. Nuk ishte nismë e lehtë kjo, e kemi thënë shpesh edhe mes shokësh, në mbledhje apo ndeja, që kishin marrë karakter diskutimesh vetëm politike. Madje gruaja njëherë më pat qortuar se si nuk pushoj pak trurin me diçka tjetër, pos me këto rrjedha politike. Eh, si është jeta?! Përcaktimet e forta e madhështojnë atë, sa të bëjnë edhe qesharak e gati të marrë. Iu kujtua pastaj kur kishte ardhur në shtëpi për vizitë një shoqe pune e gruas, e ky, në vend që ta pyeste për fëmijët, burrin, vajtjen në punë, i tha se si po shkojnë punët me partinë, a po ndalohi nga milicia rrugës. Ajo pastaj kishte shikuar paksa e habitur, deri sa kishte ndërhyrë e shoqja me fjalëgaz, se duhej lënë herë pas herë këto ngarkesa, or burrë. U pat krijuar një atmosferë mjaft e këndshme, sa jo vetëm që u bë qeshje e gjatë, por u përhap edhe si anekdotë në kuluaret e qytetit... Këta studentë duhej të shpëtonin patjetër, mendoi bindshëm. Unë tashti kam dhënë aq sa kam mundur e ditur. Ky rast kaq tragjik mendoj se është fundi i të këqijave të këtij populli të pambrojtur. Mjafton ta dijë bota dhe të bindet përgjithmonë se cili është dhunuesi i shekujve në historinë e njerëzimit. Maskat e propagandave po bijën përgjithmonë. E, në këso kthesash të mëdha, patjetër duhet sakrifica…

Më shpejt, or mbrapshtak, ec! Urdhri u përcoll me të qeshura skizofrene. Njëri edhe ia nisi një këngë ku lartësohej shteti i tij, që ishte i madh e dikush paska pas thënë se është i vogël. Ai shtet dhe ai popull madje konsiderohej më i forti në rajon dhe më gjerë! Edhe armatimin e konfiskuar edhe nga republikat e tjera e kishin krenuar për të pathyeshëm, që nuk ka shtet që i del përpara. Tashti do ta pastrojmë tërë këtë tokë shenjte për ne, djepin tonë, dhe do ta popullojmë me banorë të farës sonë nga trevat e tjera. Pasuri nëntokësore të shumta do të kemi këtu, hambarin e drithit e kemi në veri, e na të mesit do bëjmë pallën e sefasë. Zoti është me ne, kishte kënaq veten me gjysmë fjalë e gjysmë mendime, deri sa ecte gëzueshëm pas trupit të pakt të F. A.

Liderët duhet të sakrifikojnë të parët, iu kishte kujtuar ky mendim nga një ndej në një odë fshati, kur kishin nisë bisedat për forma të armatosura të kundërvënies. Ai lider që iu prinë të tjerëve nuk i lejohet të fshihej pas tjetrit, për ndryshe nuk e meriton atë epitet… Unë kësaj toke tashti fare pak i duhem, tashti... U krijua vetëdija, u kurorëzua mundi ynë. Kthimi prapa, në të kaluarën, është i pamundshëm. Kjo më trimëron dhe më gëzon për të ardhmen e vendit tonë. Të tjerat vijnë radhazi, sipas një dinamike të natyrshmërisë së duhur. Do dalin në sheh të gjitha të larat e të palarat e njerëzimit, të këtyre të huajve e të tanëve, nëse kanë vepruar nën rrogoz kundër së drejtës, në kundërshti me qëndrimet e përbashkëta. Historia moderne nuk ka kohë të presë me dekada për ta kuptuar një të vërtetë apo një tradhti. Ajo ka dinamikën si gjithçka tashti: aty ndodhë, pas dy - tri dite ngre kokë e vërteta që largon hijesimin e fakteve. Atëherë të gjithë do jenë të qetë e e shëmtuara do ulë kokën përdhe. Këtu edhe nis e mira e këtij populli dhe e mbarë njerëzimit…

Nga larg u dëgjua fishkëllima e trenit që  u kthye mbrapsht nga kishte ardhur me pasagjerët më të çuditshëm që kishte bartë ndonjëherë. Shpirtra të thyer, sy të përlotur, zemra të shtrydhura ishin palosur si tallë e zhvoshkur stivë-stivë, si mall nëpër kupetë e korridoret e vagonëve të vjetër, madje edhe asish për ngarkimin e kafshëve. Ata ecnin sërish, që F. A. iu mërzit. E parandiente fatin e vet të lig, andaj dëshironte që sa më shpejt ta përfundonte. Ashtu edhe u tha. Për ku me shpini?, tha prerazi si kurrë ndonjëherë më rreptë. Madje kështu nuk e kishte zakon të thërriste as kur ishte në qejfin më të madh a në nervozen më të theksuar. Nuk e dinte as ai se nga i erdhi ajo forcë e çastit. Ata i hutoi ai zë i fortë nga një plakush, dhe, pasi u shikuan sy më sy, ngritën armët në gjendje gatishmërie. Mosni, tha kryesori, duhet ta shpijmë të gjallë. Ç’të gjallë, more, - thirri njëri që kishte një vizhgë anë e kënd faqes së djathtë. Ky duhet të përfundoj sa më parë. Idioti. Edhe çirret, sikur të ishim ne nën komandën e tij.

Një krismë rafali e gjatë shurdhoi shkurret rrëzë një bregu nga një i tretë heshtak, që vazhdimisht e shikonte kokën zbardhoshe të F. A. -s , duke mos mund ta frenojë urrejtjen.

Një trup i shtrirë, më sy hapur kah qielli dhe duar sikur përqafonte dikë, ishte gjetur pas tri ditësh, pranë disa shkurreve, diku larg nga qyteti, larg shikimit të gjallërisë.