E enjte, 01.10.2020, 02:52 AM (GMT+1)

Komente

Prend Buzhala: Turma kundër turmës

E premte, 26.06.2020, 02:12 PM


LLAJKOMANIA E TV-PROFILEVE DHE E PROFILEVE TË POLITIKANËVE: TURMA KUNDËR TURMËS

Fenomen paradoksal: janë vetë fansat e një partie që e defaktorizojnë partinë e kryetarin e tyre, me sharje e sulme antinjerëore ndaj të tjerëve.

Nga Prend BUZHALA

1.

Kur njëri-tjetrin e defaktorizojnë, atëherë vetvetiu defaktorizohet edhe shteti.

Të yshtur nga diskursi sulmues, me fakte e pa fakte, aty sigurisht që frymëzohen nga I Pari i tyre e nga partia e tyre... Nuk po i përmendi faktet (bizare), se si ndonjë forcë politike me vlerë e Kosovës (që ka ndihmuar Kosovën në Evropë e jashtë saj) është defaktorizuar. Nga i defaktorizuari e i pafuqishmi kot kërkon ndihmë... dhe ndodh kjo që ndodh...

Vetëm shikoni se si turmat e fansave të një partie (kur përcjellin një emision televiziv, debat etj), se çfarë gjuhe primitive, antinjerëzore e pafundësisht antikombëtare përdorin! Një TV-je i duhet "të mbledhë" sa më shumë PËLQIME e klikime të këtyre turmave, për të mbetur gjallë me thërrimet e këtyre të mjerëve! TV-të janë shndërruar në vatra të infektimit konfliktuoz: të njeriut kundër njeriut, të turmës kundër turmës, të një kryetari kundër një kryetari tjetër e të një partie kundër një partie tjetër. Madje, edhe të një rajoni kundër tjetrit! Sa më shumë të krijohen këso dramash LIVE televizive, aq më shumë këto turma tërhiqen si pre e dhuratë lufte, në kurthin mediale.

2.

Ngjashëm veprojnë edhe profilet facebook-iane të liderëve partiakë, ku njësoj, si turmat pa tru, si kriminelët, si njerëzit pa ndërgjegje, komentojnë dhe denigrojnë fjalën e një akademiku, profesori a njeriu të urtë. Nuk është e habitshme përse kjo “metodë mediatike e profilizuiese2, i dëboi në një qoshe njerëzit e urtë e të mençur: s’ka se si të dëgjohet fjala e tyre “e pavlerë”, sepse urtia nuk merr LIKE, por merr budallallëku.

Interesant: KARAKTEROLOGJIA (postmoderne) nxori në shesh edhe karakterin e llajkomanit a të llajkomanisë (like-o-mania)... në rrjetet sociale, si kjo e facebook-ut, apo në klikimet që përfundojnë në kliko-llurbë... (Besoj që e kuptoni fjalës shqipe LLURBË). Llajkisti (ai që bën LIKE) ka dëshirë të identifikohet me bindjet, ideologjitë, po edhe me llumpen-tekstet e facebook-ut. (LLUMPEN-i shënon mendësinë e përulësisë, është sinonim i ndyrësisë, i vartësisë, i njeriut të degraduar, të pagdhendur, mendjetrashë, të paemancipuar nga pikëpamja intelektuale, ... me një fjalë, është tregues për llumin e një shtrese shoqërore, fundërrinën etike të një mjedisi social).

3.

Natyrisht, po qe se do të regjistrohej gjithçka çka ato turma komentojnë, do të dilnin në sipërfaqe linçimet, kërcënimet për heqje koke, shpifjet e sëmura që ia kalojnë secilës imagjinatë të prishtë e kriminale dhe do të duheshin të ndërtoheshin edhe disa burgje... Mirë, thuhet se kështu po u vepruaka në krejt botën se njerëzit paskan nevojë të shfryhen, të shajnë...

Mbase, ashtu qenka, mbasi TË ZHVILLUARIT nuk kanë model më të mirë as teknologjik e as mediatik që do ta ndalonte këtë shfrenim të egër e mizor mediatik, sidomos në rrjetet sociale mediatike... njësoj, si në ata filmat apokaliptikë, ku histeria shfarosëse (e humbjes së vetëdijes dhe ndërgjegjes), i shtyn njerëzit që ta therin pambarimisht njëri-tjetrin deri te i fundit...

Porse asnjëherë as këto TV e as profilet e lidero-llurbës sonë nuk iu shkon ndërmend si ta edukojnë këtë turmë dhe si ta ndalojnë të keqen që ka vërshuar, meqë janë vetë frymëzues të së keqes?!

(Prend N. Buzhala, 26 qershor 2020)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora