Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enciklopedi Kadareane

| E enjte, 25.06.2020, 01:20 PM |


Në hulumtimet kadareane, sa herë kemi hyrë në një linjë të caktuar, për të gjetur të dhëna të reja për përhapjen dhe vlerësimin e krijimtarisë, kemi gjetur një e disa linja, të lidhura në një sistem të pandërprerë, që zbulon vetveten. Prandaj, drejtimin tonë e ka prirë vetë vepra e metavepra kadareane. Zanafilla e këtij libri ka qenë një ide-projekt më e thjeshtë: bibliografi e kriterit titullor-kronologjik, e shoqëruar me ballinat e disa prej romaneve më të botuara të Ismail Kadaresë, një origjinalizëm, thuajse i panjohur, i konkretizimit të tyre në artet figurative pamore. Në rrethana më të përshtatshme, pas dy–tre vjetësh, lënda e përgatitur u rimor për t’u botuar. Atëherë nisëm kërkimin për të arritur në një këndvështrim të ri, sintetizues, prej nga të shpërfaqej në mënyrë tërësore e sa më të plotë, gjendja e tyre e tanishme, që është në një shkallare të lakmueshme. Përpara syve kishim disa fakte themelore, të pakundërshtueshme. Vepra e Kadaresë, në letërsinë shqipe, është më e pasura, njëherësh, dhe më e larmishmja e shekullit XX, emblemë e identitetit dhe e origjinalizmit të saj në botë. Edhe kritikat e studimet në gjuhët e tjera, prej kohësh dhe në vazhdim, e cilësojnë ndër të mëdhatë, parësore, një nga përfaqësueset e letërsisë europiane të shekullit XX, mbështetur nga qindrat e botimeve dhe të ribotimeve, 1462, në 47 gjuhë, si dhe të rreth 3 mijë recensioneve dhe studimeve për të. Ne këto i dinim dhe një pjesë të madhe të thesarit të tyre i kishim në dorë. Kështu, hulumtimet dhe studimi na drejtuan vetiu në përftimin dhe sendërtimin e enciklopedisë së parë kadareane dhe, për më tepër, të enciklopedisë së parë shqiptare të këtij lloji, kushtuar një shkrimtari.

https://www.facebook.com/OnufriBooks/