E enjte, 28.03.2024, 03:59 PM (GMT)

Faleminderit

Fran Gjoka: Origjinaliteti i shkrimtarit Viron Kona

E merkure, 24.06.2020, 06:00 PM


Origjinaliteti i shkrimtarit Viron Kona

(Profil me rastin e 70-vjetorit të lindjes)

Shkruar nga:  Fran Gjoka

Për shkrimtarin Viron Kona, tashmë me një korpus të gjerë të krijimesh letrare -artistike për të rritur e fëmijë, është folur dhe shkruar shpesh. Janë me dhjetëra artikujt e shkruar për të nga studiues, shkrimtarë, gazetarë, dashamirës dhe lexues të pasionuar të librave të tij. Dhe, të gjithë ata që shkruajnë, bashkohen veçanërisht në  një pikë: Viron Kona është origjinal, i thjeshtë dhe i sinqertë në krijimtari. Vepra e tij dallon sapo nis leximin, dallon nga natyrshmëria sesi ai e zhvillon idenë dhe përmbajtjen, dallon në stilin e thjeshtë e të drejtpërdrejtë që ai përdor, në ndjeshmërinë dhe në ritmin e tregimit, novelës apo kapitujve të romaneve që shkruan. Ai nuk stis, nuk sajon, por krijon mbi bazën e një realiteti që njeh dhe përjeton. Duket sikur me krijimin e tij, ai i ofron lexuesit një tufë lulesh të këputur në një lëndinë apo në një shkëmb që rrihet nga era dhe jo një buqetë artificiale të zbukuruar me kujdes dhe hijeshi por pa aroma dhe ngjyra natyrale. Mbase, edhe këto veçori artistike bëjnë që librat e këtij shkrimtari janë tërheqës dhe të kërkuar, ata zënë vend në biblioteka, për ta diskutohet e flitet në takime të llojllojshme, shkruhet dhe botohet jo vetëm brenda kufirit të Republikës së Shqipërisë, por edhe jashtë saj, e veçanërisht në diasporën shqiptare si për shembull në Suedi, ku shkrimtari Kona është i pranishëm me disa libra të përkthyer.

1. Profili i këtij shkrimtari, modest dhe punëtorë, është shprehur me realizëm nga shumë studiues, shkrimtarë e gazetarë, duke filluar  me emra të njohur si, profesorët: Koço Bihiku, Shefik Osmani, Gjovalin Shkurtaj, Pajtim Bejtja, Hektor Veshi, Murat Gecaj, Qazim Dushku; nga doktorët e shkencave: Pandora Dedja, Fatmir Terziu, Nuri Dragoj, Bajram Mejdiaj; nga studiuesit dhe përkthyesit Ullmar Qvick(Kvik), Sokol Demaku, Qibrije Hoxha, Sadulla Zendeli-Daja, Hysen Ibrahimi; nga studiuesit e letërsisë Harallamb Fandi, Xheladin Mjeku, Sejdo Harka, Gëzim Tushi, Fatmr Minguli, Lule Shameti; nga artistët: Pjetër Gjoka e Kristaq Paspali; nga shkrimtarët: Dalan Shapllo, Agim Cerga, Gaqo Bushaka, Ndoc Gjetja, Koco Kosta, Bashkim Kozeli, Ferdinant Hysi, Faruk Myrtaj, Andon Andoni, Çelik Petriti; nga gazetarët: Erik Jullander (Suedi), Csaba Balkus (Hungari); Hyskë Borobojka, Vjollca Spaho, Kadri Tarelli, Faik Xhani, Veledin Dyrmishi, Fran Gjoka, Kristo Mërtiri, Zenel Sina, Merita Thartori (Kuçi), Muharrem Dardha, Gentiana Zagoridha, Zabit Rexhepi, Dhimitër Xhoga, Zhani Canco, Namik Selmani, Mehmet Deliu, Petrit Malushi, Ndue Dragusha, Bashkim Saliasi, Merita Hoxha, Jola Hitaj, Alqiviadh Dede, Ibrahim Hajdarmataj, Agim Qoku, Josif Devole, Bashkim Minga, Mentor Hoxha, Bujar Poçari, Eduart Hoxholli, Kleo Lati, Murat Drita, Sulejman Velaj, Bardhyl Dake, Josif Devole, Përparim Kalemi, Rexhep Cullhaj, Adnan Laha, Myftar Veliu, Mato Kollozi, Ali Xhelili, Krenar Merolli, Lulzim Hoxha, Qemal Vrioni, Luan Çipi, Isa Ferizaj etj;

2. Në korpusin e më shumë se 40 librave të botuara (romane, novela, vëllime me tregime, poezi, epigrame, fabula, rrëfenja), por dhe në qindra artikujt studimorë, kritikë e letrarë, Viron Kona shfaqet i plotë: me pamjen, mendimin dhe botëkuptimin e tij realist e përparimtar. Ai shfaq kurdoherë opinionin dhe qëndrimin e tij  të përparuar, shkruan me një stil të thjeshtë dhe konciz, pa zbukurime dhe forma të stërholluara, përdor një figuracion të pasur artistik, ku figurat letrare, shprehjet frazeologjike, fjalët e urta dhe pikante rrjedhin natyrshëm; gjuha e Viron Konës është korrekte, një shqipe e pastër dhe  e kuptueshme nga cilido lexues. Madje, ne lexuesit e rregullt të librave të tij, kur lexojmë krijimet artistike të Vironit, na duket sikur e kemi pranë dhe dëgjojmë me endje rrëfimin e tij të sinqertë, ndjejmë stilin dhe tipin e tij të shtruar e të ngrohtë, bashkëbisedues dhe tërheqës. Viron Kona është një shkrimtar bashkëkohor, që pasqyron në letërsi kohën e tij. Veprat letrare, si ato për të rritur dhe për fëmijë, mbajnë vulën e një individualiteti krijues, tashmë të konsoliduar dhe të plotë; krijimet e tij janë pasqyrime të thella e realiste, të shprehura me guxim dhe pa paragjykime, ato shfaqin erërat, flladet por dhe stuhitë  e klimës social-kulturore të kohës që jetojmë. Romanet rrokin temën e luftës për mbijetesë të shqiptarëve, temën e rëndë e tronditëse të emigracionit dhe pasojat e saj në shoqërinë shqiptare, duke nënvizuar optimizmin dhe besimin në të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Ndërkaq, në letërsinë e z. Kona shpalosen natyrshëm pamje dhe zhvillime nga bota e shkencës, kulturës, artit dhe letërsisë, si asaj shqiptare dhe botërore. Nëse te veprat për të rritur ai trajton me forcë dhe me zë të fuqishëm kritikë problemet dhe dallgët që njerëzit janë të detyruar të përballojnë e kapërcejnë, në letërsinë për fëmijët ai shfaqet tepër i ndjeshëm dhe optimistë, u ngjallë lexuesve të vegjël ndjenja të bukura, shpresë dhe besim për një të ardhme më të bukur, nxit tek ata dëshirat për dije dhe kulturë, i drejton tek e ardhmja, te zhvillimet social-ekonomike e, sidomos te kultura, krijimtaria dhe shkenca, te dashuria për njeriun. Viron Kona nuk shkruan pa e njohur episodin, ngjarjen, realitetin e gjërave që bën objekt të krijimtarisë. Mund të themi se në librat e këtij shkrimtari është jeta e tij, e pasqyruar artistikisht dhe  e përpunuar në imagjinatën krijuese. T`i lexosh librat apo të bisedosh me këtë njeri të urtë, modest dhe të ditur, sikur shfleton faqet e një enciklopedie të pasur dhe tërheqëse, që të mban ndezur interesimin e kureshtjen, të ngjallë e të ndezë dëshira dhe imagjinata të bukura për jetën.

3. Duke qenë një shkrimtar aktiv, që ka jetuar harkun e dy sistemeve, atë të diktaturës dhe të demokracisë, Viron Kona është i vërtet dhe bindës në letërsinë që shkruan, por edhe i ekuilibruar në nxjerrjen e  përfundimeve dhe të vlerësimeve: përshëndet demokracinë dhe të  ardhmen e saj  të sigurt në Shqipëri, perspektivat që ajo hap në të gjitha fushat, duke nënvizuar  mundësitë që i krijohen njeriut të lirë për të shpërthyer dijet, kulturën, aftësitë individuale praktike dhe teorike për të ndërtuar një jetë gjithnjë e më të mirë për veten, për familjen, por dhe duke kontribuar për atdheun...Ai nuk e mohon faktin që, edhe në periudhën e  “diktaturës së proletariati”, ky popull ka punuar dhe kontribuar me mish e me shpirt për vendin e  tij: edhe për ta zhvilluar atë në fushat ekonomike, të ndërtimit, të prodhimit e të  mbrojtjes, ashtu dhe në fushën e kulturës, të arsimit dhe të emancipimit të shoqërisë. Disa arritje të rëndësishme të asaj kohe, shkrimtari Kona nuk i shikon si meritë të partisë në pushtet apo të individëve politikë e partiakë, por si vepra që u ngritën me sakrifica të mëdha popullore (ndërtimi i hidrocentraleve, tarracimi i kodrave të bregdetit, rrugët automobilistike dhe ato hekurudhore, lufta kundër analfabetizmit, elektrifikimi i vendit etj.). Ndërkaq, ai mban qëndrim dhe dënon mungesën e lirisë së shqiptarëve në kohën e  diktaturës, shfaqjen dhe veprimin e luftës së klasave, varfërinë e skajshme, bunkerizimin e vendit, mbylljen dhe izolimin e Shqipërisë nga bota me një perde të hekurt.

4. Në librat e Viron Konës spikat jeta dhe 49 vitet e punëve që ai ka kryer deri sa doli në pension në vitin 2015. Ai thotë se e ka ndihmuar shumë për krijimtarinë e tij vecanërisht punët e vështira që ka kryer sidomos në rininë e tij: në Uzinën Mekanike të Vlorës, puna për dy vjet resht në aksionet për ndërtimin e  hekurudhave Librazhd-Përrenjas dhe Fier-Ballsh; kryerja e deyrës ushtarake në disa reparte speciale të ushtrisë në Tiranë, Kërrabë, Skrapar, Gjadër, Palermo; arsimi i Lartë në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë – Letërsi; puna si drejtues i rinisë i rrethit të Vlorës, puna në administratën partiake e shtetërore për probleme të arsimit, artit, kulturës, shkencës, organizatave të masave; profesioni i mësuesit, duke filluar nga fshati Ibë e Sipërme Tiranë e, më pas, drejtor në shkollat: 9-vjecare ”4 Dëshmorët”, e Mesme e Gjuhëve të Huaja ”Asim Vokshi”, gjimnazi “Ismail Qemali”; detyra redaktor  i gazetës “Mësuesi”, e më pas  inspektor në Ministrinë e Arsimit, derisa doli në pension. Ka ndikuar në krijimtarinë e tij kryerja e një kursi relativisht ushtarak në Shkollën Ushtarake të Bashkuar,Tiranë; shkuarja në emigracion, ku provoi punë të vështira, raskapitëse e përcmuese (“Në Tiranë shkruaja libra, në Athinë ngrija thasë “ Ose: ”Kur pronari grek mori vesh se refugjati që kishte në makinë ishte shqiptar, ndali makinën dhe i tha refugjatit të hipte në karroceri të makinës në atë të ftohtë dimri, kurse qenin që ishte në karroceri e mori në kabinë”); Dhënia e Çmimit të Parë për librin “Eh, more Bubulino!” nga UNICEF: Organizata Botërore e Fëmijëve, dega në  Tiranë; përkthimi i librit të tij për fëmijë “Bubulino” (“Men kara Bubulino!”) në gjuhën suedeze; ftesat, disa herë, për pjesëmarrje në veprimtari përuruese për librat e tij në Suedi; turneu në krye të një ansambli të këngëve dhe valleve për rreth një muaj në Turqi; qëndrimi prej 3 muajsh për një operacion të rëndë në klinikat e Budapestit etj. “Një shkrimtar, është interesant, kur, krahas talentit, pasionit dhe këmbënguljes për ta çuar punën e nisur deri në fund, ka edhe një jetë personale interesante”, - shkruan ai.

5. Personazhet dhe heronjtë në veprat e Viron Konës, lëvizin dhe zhvillojnë jetën e  tyre në terrene e mjedise gjeografike e historike reale, të vërteta dhe interesante të cilat dhe vet autori i ka njohur mirë: kështjellat e lashta shqiptare, veçanërisht ato të zonës së Vlorës, që është dhe vendlindja e shkrimtarit ku ai ka jetuar e punuar deri në moshën 35 vjeç. Në veprat e tij, lexuesi ka rastin të mësoj saktësisht dhe të përshkruara me bukuri të veçantë artistike ngjarje pikante historike, që kanë ndodhur në kalatë shqiptare të Kaninës, Amantias, Skelës, Himarës, Lumit të Vlorës; Krujës, Albanopulit, Petralbës, Lisit dhe Akrolisit, Butrintit, Klodianës, Petrelës, Prezës, Rozafës, Beratit, Elbasanit; në ato vepra lexuesi ndjen vlerat dhe pasuritë e mëdha kulturore e artistike që bartin vendbanimet historike dhe qendrat arkeologjike në Shqipëri si: Butrinti, Antigonea, Orikumi, Amantia, Aulona, Bylysi, Apolonia, Lini, Komani, Grazhdani, Tepelena...; ndërkohë që, lexuesi, i rritur dhe ai i vogël, merr në mënyrë artistike informacion të panjohur më parë për mjedise, zona dhe  vende që ngjallin kërshëri të veçantë, si: Gjiri i Vlorës dhe  i  Dhramës; gadishulli i Karaburunit, ishulli i Sazanit; emocionohet nga bukuria dhe misteret e bregdetit të Adriatikut dhe të Jonit, nga historitë në malet dhe luginat e Tiranës, Vlorës, Krujës, Matit, Bulqizës, Dibrës, Kurbinit; lagunat e Karavastasë, Nartës, Patokut, Kune Vainit; vendet e bukura e turistike si: liqenet e Lurës, parku kombëtar i Llogorasë, Pisha Flamur, Rrugët e Bardha të Palasës - Dhërmiu, Himara, bukuritë e Zvërnecit, Valbonës, Qafështamës...

-Kafshët dhe shpendët, mbrojtja e tyre, ekologjia dhe lufta kundër ngrohjes globale, fokusojnë episode dhe ngjarje të veçanta dhe tërheqëse në librat e këtij shkrimtari. Ato përshkruhen në mënyrë të gjallë, krijojnë emocion dhe vizione të reja e të gjera. Viron Kona i paraqet kafshët dhe shpendët si personazhe që flasin dhe bisedojnë, kryejnë aventura, por edhe shfaqin luftën e tyre për mbijetesë. Te këto krijime, zbërthehet bukur dhe me realizëm fjala e popullit kur shprehet: ”Ujku qimen e ndërron, por zakonin se harron!”. Ndërkaq, fabulat, idetë dhe mendimi artistik i autorit, i shprehur edhe me “gjuhën e Ezopit”, nxit dhe zgjon te lexuesi mprehtësinë, inteligjencën, por edhe nxit imagjinata, dëshira dhe ëndrra të bukura për ta dashuruar dhe për ta mbrojtur natyrën, për të mbrojtur gjallesat, kafshët dhe shpendët, sikurse, me kolor artistikë, ai paraqet përpara lexuesit edhe bukuritë magjepse të mjedisit shqiptar, ato arkeologjike dhe natyrore, vendet turistike-perla të rralla të këtij vendi evropian me bukuri të pakrahasueshme. Veçanërisht shfaqen këto në vepra si: “Dardi” apo “Dardi në gadishullin e vetëtimave”, ku paraqitet një udhëtim me anije, turistik  shkencor dhe me aventura, rreth e përqark gadishullit të Karaburunit; “Pulëbardhat përbindëshe”,(ku tregohet për fatin e hidhur të disa refugjatëve, që i besuan jetën e tyre disa skafistëve me gomone për t`i çuar ata në Itali,por që...”; “Delfini i dy deteve drejt aventurave të reja”(ku tregohet për një udhëtim me anije të një grupi fëmijësh nga ishulli i Sazanit deri në Shëngjin e ku përshkruhet me bukuri dhe në mënyrë tërheqëse bregdeti i Adriatikut; “Nëndetësja”(libër me tregime,kryesisht për ngjarje të ndodhura në det), “Dielli është i imi”9me tregime kryesisht me subjekt nga jeta në ushtri apo dhe që mbështeten në mençurinë dhe filozofinë popullore etj.

I veçantë është fakti se, ky shkrimtar, para se të shkruaj librin, e përshkon vet mjedisin për të cilin shkruan. Ai shkon vet më parë, e vëzhgon me kujdes e vëmendje mjedisin apo “teatrin e ngjarjeve”, siç shprehet ai, por edhe e fotografon në mendje dhe me aparatin fotografik që nuk e largon  asnjëherë nga vetja. Në arkivin e tij ai ka qindra fotografi nga kalatë e Kaninë, të Amantia, të Lezhës, të Beratit etj., deri edhe të kështjellës tetëkëndëshe të Skelës, të zbuluar dhe mbuluar disa herë. Viron Kona është tipi i njeriut që flet pak dhe  dëgjon shumë, dhe, vetëm pasi mbledh informacionin e nevojshëm, ai ulet e shkruan, duke e përpunuar gjithçka në imagjinatën e pasur e krijuese. Për këto shkaqe dhe arsye ai ka shëtitur në këmbë skaje e gjire të gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, ka lundruar me disa lloje anijesh në gjirin e  Vlorës, gjirin e Dhramës në Karaburun dhe disa gjire të tjerë të gadishullit; është futur në shpellën e Haxhi Alisë me katër silurues, sikurse është nga civilët e rrallë shqiptarë që ka arritur të lundrojë deri edhe me nëndetëse në gjirin e  Pasha Limanit. Për të parë mjediset dhe skenat ku do të zhvillojë ngjarjet, ai ka shkuar posaçërisht në Gur të Bardhë (Petralbë) dhe në Klos të Matit, në mjediset dhe fshatrat rreth Dajtit (me makinë, në këmbë por dhe me helikopter), në Zall Dajt, Zall Bastar, Shën Gjergj, Shemëri, Surrel...; në  Shën Ndou të Kurbinit, në Sari Salltëk, Albanopol, Qafështamë e Shkëmbin e Vajës të Krujës, në Velipojë e Shirokë të Shkodrës, në ishullin e Maligradit në Prespë, në Borovë, Barmash e Gjonc të Kolonjës, në Pukë te muzeu i Migjenit dhe në Dardhë; në Koman, në aeroport dhe muzeun e Kukësit, në Valbonë e bjeshkët e  Tropojës, në Frashër, Bënjë, Malshovë të Përmetit, në Lurë e Grazhdan të Dibrës, në vend-betejat e Skënderbeut në  Bulqizë, në Malësinë e Madhe; në Shalës, Papër, Shushicë, Dumre, Byshek të Elbasanit, në Skrapar për të parë Guakun, Kanionet e Osumit e Gradecit dhe urën e Kasabashit, ... Nuk ka qytet, krahinë dhe çdo vend të rrallë të Shqipërisë, që nuk e ka shëtitur me këmbë ky shkrimtar, sikurse ka shkuar edhe në Janinë, Prizren, Gjakovë, Prishtinë, Mitrovicë, Ulqin, Gostivar...

6. Është shkruar edhe më parë, por do të theksoja edhe një herë se Viron Kona, sa herë që del jashtë vendit, i kushton libra shteteve që viziton, duke sjellë në Shqipëri risi origjinale, kënd shikime realiste dhe pikante, të cilat i vlejnë lexuesit, e tërheqin atë me informacionin e dobishëm, ngjallin kërshëri, por dhe transmetojnë vlera estetike dhe edukative. Janë të përmendur nga kritika libra si “Dëgjoma zemrën Budapest!”, ku autori përshkruan artistikisht dhe në mënyrë tërheqëse periudhën tremujore të  qëndrimit të  tij në disa klinika universitare mjekësore të Budapestit; romani “Drithërimat e yjeve”, që është  një nga librat më të pëlqyer të këtij autori e për të cilin artikujt e shkruar për të, ia kalojnë faqeve të romanit. Është një libër që, shumë nga ata që  e kanë lexuar, kanë shprehur e shfaqur mendimet, opinionet, emocionet që u ka ngjallur ai me episodet, ngjarjet, batutat, dialogët, stili tërheqës e të sinqertë apo me  figuracionin e pasur artistik. Kurse, studiuesit, nuk kanë nguruar ta rrokin atë libër në penën e tyre dhe ta analizojnë si një vepër që do t`i rezistojë kohës dhe do t`u tregojë brezave sesi shqiptarët, në periudhën pas përmbysjes së diktaturës komuniste, nisën një kalavar të gjatë vuajtjesh, aventurash dhe peripecish deri rrëqethëse,  për t`u integruar me zhvillimin dhe qytetërimin evropian. Në këtë atmosferë, do të përmendja edhe librin “Yje mbi Bosfor”, të cilin Viron Kona e shkroi pasi u kthye në Shqipëri pas një turneu një mujor me një ansambël të këngëve dhe valleve, i cili dha shfaqje në dy festivale ndërkombëtare në Turqi e ku Viron Kona kryente detyrën e kryetarit të atij Ansambli.

7. Për t`u përmendur është edhe fakti tjetër që, Viron Kona i ka kushtuar  disa libra Suedisë, e konkretisht librat “Bukuri suedeze”, ku shfaq përshtypjet  e tij pas një vizite disa ditore në qytetin Boras dhe Vimmberb; librin “Për Ju miqtë e mi”, ku shkrimtari ynë përshkruan miqësinë me popullin suedez, duke u ndalur në disa figura të mëdha të këtij populli August Strindberg, Selma Lagerlof, Astrid Lindgren, si dhe shkruan më gjerë për albanologun e shquar suedez Ullmar Qvick (Kvik), “Mik i Madh i shqiptarëve”. Origjinaliteti i këtij shkrimtari shfaqet veçanërisht në librin me motive shqiptare - suedeze “Zonja nga Borasi”, ku Viron Kona na sjellë tregime të freskëta, me ngjarje pikante e  të shkruara mjeshtërisht. Krahas të tjerave, shkrimtari paraqet në këtë libër tregime që u dedikohen disa figurave  të mëdha suedeze si botanistit të madh Karl Vonn Line, astronomit Anders Celsius (i cili zbuloi dhe aplikoi gradacionin e termometrit) etj. Interesant është jo vetëm fakti që këta libra janë përuruar në Suedi, ku autori ka qenë i ftuar, por se pjesëmarrja dhe interesimi i suedezëve dhe shqiptaro - suedezëve për ata libra ka qenë i dukshëm. Në vazhdim të librave të tjerë kushtuar Suedisë, Viron Kona ka shkruar në bashkëpunim me Sokol Demakun, librin “Poleni viking”, të cilin albanologu Ullmar Qvick e cilëson si “një enciklopedi të vogël” të Suedisë dhe Shqipërisë. Ndërkohë që janë interesante edhe librat monografi ”Ju dua më shuam se veten!” kushtuar leksikografit, poetit dhe atdhetarit Sadulla Zedeli-Daja me banim në ujdhesën suedeze Ëland dhe libri:  ”Kur vjen Sokoli”, monografi kushtuar poetit, përkthyesit dhe gazetarit Sokol Demaku,  me banim në qytetin Boras të Suedisë. Duke qenë i zgjedhur Anëtar Nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Suedisë, Viron Kona është i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme me artikujt e tij në veprën madhore dhe me jehonë të kësaj shoqate “Thesari Kombëtar”, si dhe në revistën shqiptare-suedeze “Dituria”. Për veprat e shkruara me subjekt Suedinë dhe që i shërbejnë miqësisë midis dy vendeve tona, Viron Kona është ftuar në një audiencë  të veçantë në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve  dhe Artistëve të Suedisë (Rajoni Perëndimor) në qytetin Goteborg, por edhe në Ambasadën e  Mbretërisë Suedeze në Tiranë, ku prej vitesh është ndër miqtë e saj. Ndërkaq, ai ka marrë pjesë i ftuar si shkrimtar në dhjetëra takime në disa qytete suedeze si Goteborg, Boras, Ëland, Ferjestaden, Borgholm, Vimmerby etj,e ku në disa prej atyre veprimtarive, ai është nderuar me Vlerësime nderi e Mirënjohje.

8. Në letërsinë për fëmijë, Viron Kona është i njohur veçanërisht me librat që kanë personazh vogëlushin Bubulino (libër i përkthyer edhe në gjuhën suedeze), i cili ka fituar çmimin e parë nga UNICEF. Por, edhe me librat që kanë personazh vogëlushin Dardi dhe Erlindi, apo kapiten Likun, Fluturushen, Lisianën, Shkencëtarin e Madh Këmbëgjatë dhe Mjekërverdhin etj. Në  letërsinë për fëmijë të këtij shkrimtari  janë të njohura dhe personazhet kafshë e shpendë, sidomos papagalli Çate(“Erlindi dhe papagalli i çuditshëm”,”Shpëtoni papagallin Çate!”, ”Dëgjoni se ç`thotë ky papagall”); Janë tërheqës për fëmijët edhe librat: “Një udhëtim i çuditshëm” dhe “Të fshehtat e një mrekullie”, ku autori paraqet një grup fëmijësh që përshkojnë me helikopter rrugën e re të Arbrit, kryesisht mbi degëzimin e rrugës së vjetër “Egnatia”, por edhe librat: “Bubulinoja dhe Dardi në kryeqytetin e amantëve të lashtë”,  “Pëllumbat”,”Etje që shuhej”, “Mos m`i zbukuroni plagët!”,“Të çuditshmit”, “E fshehta e pyllit”, ”Shitësi i vogël i kekëve”,”Kolipoçi, ngrënësi  qershive”, si dhe mjaft libra të tjerë të vlerësuar nga lexuesit e vegjël, por dhe nga kritika e studiuesit  e letërsisë. Duke qenë me profesion mësues, mjaft nga librat e z. Kona kanë në qendër shkollën, mësuesit dhe nxënësit, të cilët në librat e këtij shkrimtari kanë qenë dhe janë personazhe të dashur për lexuesin, siç ka ndodhur me librat: “Kontrolli  befasishëm i një inspektor”,”Pëllumbat”,”Mësues pse  e ke hequr kollaren?”,”Etje që shuhej”,”Rruga Mis Durham” etj.

Viron Kona në një takim me lexues të vegjël të shkollës së Kuqe Tiranë, 16 Nëntor 2018

E veçantë në këta libra është gjuha e bukur dhe tërheqëse, fabulat origjinale dhe interesante, mjediset reale ku ato zhvillohen, humori që i përshkon dhe që fëmijët e dëshirojnë shumë. Për këta libra Viron Kona është i gjithë kërkuar nga fëmijët, veçanërisht nga fëmijët e ciklit të ulët të shkollave 9-vjeçare, por edhe ata të arsimit të mesëm apo studentët e universiteteve. Takimet e tij me lexues e kalojnë shifrën 300, ndërkohë që janë pafund opinionet, mendimet, diskutimet e shprehura nga lexuesit e vegjël, rreth krijimtarisë së këtij autori, teksa, ai, gjithnjë kokulur, vijon të punojë sikur gjithçka po e nis nga fillimi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora