E premte, 19.04.2024, 09:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Anton Nikë Berisha: Disa veçanti të veprës letrare për fëmijë të Rifat Kukajt

E merkure, 24.06.2020, 11:27 AM


MBI DISA VEÇANTI TË VEPRËS LETRARE PËR FËMIJË TË RIFAT KUKAJT

Me rastin e botimit të librit “VEÇANTI TË VEPRËS LETRARE PËR FËMIJË TË RIFAT KUKAJT” nga Argeta LMG, Tiranë 2020

Nga Anton Nikë Berisha

Letërsia për fëmijë mund të mos përfillet me kusht që të mos përfillet as bota, në të cilën një shpirt nacional formohet dhe ruhet[1]. PAUL HAZARD

1. Krijimtari e pasur dhe e bërë me përkushtim

Për ta krijuar veprën e vet letrare, Rifat Kukajt iu deshën, të thuash, mbi 50 vjet pune krijuese, që e dëshmojnë rreth njëqind vepra të botuara llojesh të ndryshme, të dala nga mendja dhe nga dora e tij, të cilat e pasuruan traditën tonë letrare në fushën e letërsisë për fëmijë, po edhe krijuan një traditë. Pak shkrimtarë shqiptarë deri më sot nxorën në dritë një numër kaq të madh veprash letrare (për fëmijë e për të rritur), duke ruajtur një rrafsh të lartë të shprehësisë poetike e kuptimore.

Pra, të merresh mirëfilli me këtë vepër dhe ta interpretosh atë në mënyrë meritore, nëse nuk lypset aq kohë sa iu desh autorit të saj ta përftojë atë, atëherë disa vjet janë të domosdoshëm. Për këtë arsye, këtu po kufizohem t’i përmend vetëm disa vlera e veçanti, të cilat i kam vërejtur gjatë leximit të një numri të mirë të veprave të tij. Për disa prej tyre, edhe sa qe gjallë autori, kam shkruar e për disa të tjera kam qenë recensent ose m’i ka dhënë t’i lexoj në dorëshkrim dhe t’ia them mendimin tim.

2. Rifati jetoi me letërsinë dhe jetoi për letërsinë

Vepra letrare për fëmijë e Rifat Kukajt është e rëndësishme dhe me vlera të mëdha e të pamohueshme (me këtë nuk dua ta zvogëloj ndihmesën që dha ai edhe në letërsinë për të rritur). Me romane, me përmbledhje tregimesh, me përmbledhje me poezi dhe me pjesë teatrale, që i krijoi, ai e pasuroi dhe e ngriti letërsinë tonë për fëmijë në rrafshin më të lartë, që ajo e mbërriti deri më sot. Së këndejmi, vetë cilësia e veprave poetike të tij e radhiti atë për së gjalli në rrethin më të ngushtë të shkrimtarëve tanë më të mirë për fëmijë të të gjitha kohëve. Është tjetër gjë që kritika jonë letrare, përkatësisht studiuesit tanë të letërsisë, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, nuk e theksuan këtë në mënyrë të qartë e meritore.

Ky veprim, natyrisht, nuk është mungesë, as e Rifatit si krijues, as e veprave të tij. Është mungesë e jona

dhe e atyre që janë marrë e merren me letërsinë tonë dhe me studimin e veprave të shkrimtarëve tanë

për fëmijë që nuk i kushtuan vëmendje të mirëfilltë veprimtarisë së tij letrare për fëmijë dhe nuk i ndriçuan vlerat e njëmendta dhe qenësore të saj. Ç’është e vërteta, në disa punime janë theksuar vlerat e veprës së Rifatit, por në krahasim me veprat e shkrimtarëve të tjerë, që janë më pak të rëndësishëm, është bërë njëmend pak për ndriçimin e mirëfilltë të cilësive dhe të vlerave të vërteta të veprës së tij.

Nuk i them këto fjalë dhe nuk e bëj këtë cilësim duke u nisur nga rrethana konkrete, kur vdekja e poetit,

përkatësisht dhembja dhe pikëllimi më tundin dhe më rëndojnë ashpër në shpirt. Rëndësinë dhe vlerën e veprës së Rifatit i kam theksuar shumë vjet më parë.

Për ta dëshmuar këtë po sjell vetëm dy mendime.

Rifat Kukaj

Duke interpretuar romanin e tij “Dita e xhufkave” (1972), pata shkruar: “Me cilësitë që i zumë në gojë më sipër […] romani ‘Dita e xhufkave’, që në mënyrë të denjë dëshmon për rritjen dhe cilësinë e prozës romaneske për fëmijë në gjuhën shqipe, është një vepër artistike, të cilën do ta dëshironin edhe letërsitë për fëmijë të traditave edhe më të mëdha shkrimi e kulture sesa kjo jona[2]”. Për përmbledhjen me tregime “Ujku me kamerë” (1988) të Rifatit, theksoja: “Niveli i lartë i arritur pikërisht në mënyrën e perceptimit dhe të transponimit të çështjeve e të dukurive të ndryshme nga jeta e fëmijës dhe e njeriut në përgjithësi si dhe e shtjellimit të tekstit letrar si strukturë gjuhësore, si mesazh poetik, e bëjnë këtë vepër për shumëçka të vlefshme, përkatësisht na bën të nxjerrim përfundimin se kjo është ndër përmbledhjet më të rëndësishme të prozës tregimtare shqipe për fëmijë[3]”.

Vlera e veprës letrare të Kukajt lidhet me dukurinë e qenësishme: një gjysmë qindvjetshi jete ky autor ia kushtoi letërsisë. Pra, ai hyn në rrethin e ngushtë të shkrimtarëve tanë që jetoi me letërsinë dhe jetoi për letërsinë. Thënë ndryshe: ai e lexoi letërsinë dhe e krijoi letërsinë. Leximi ia përsosi dhe ia pasuroi prirjet dhe aftësitë natyrore; i ndihmoi në përcaktimin e qasjes së dukurive, mënyrën e trajtimit dhe sidomos krijimin e sistemit të të shprehurit poetik.

Dinte pse shkruante, si dhe çka shkruante, që në një mënyrë ose tjetër del dhe nga kjo pjesë e poezisë “Duartrokitje” dhe nga poezia “Mes vargjeve”:

Perëndi!

Ti që talentin m’dhurove,

frymëzimet më të thella,

më të reja, më të ndritura

m’i hedh këndej…

Këta engjëj ëndërrimtarë

Kurrë të mos i zhgënjej![4]

(Duartrokitje)

2

Mes vargjeve të mia

Mund t’u futen në gji

Ndonjë kokërr e qershisë

Pak gugatje të kumrisë,

Dhe cicërimat

E mijëra zogjve të tjerë,

Mund të ndehen shumë ylberë:

Britha kërmijsh,

Buzëqeshje fëmijësh,

Gjëegjëza, shpresa, ëndërralla

Legjenda edhe përralla…

Lule si nëpër fushë e pyje,

Rreze dielli dhe yje…

Po sot e mot e kanë kot

Vargjet e mia s’pranojnë dot

ASNJË

L

O

T[5]. (Mes vargjeve)

Këtë dukuri e përligj edhe ajo që thuhet në romanin “Zogu i bardhë”:

Për poezinë, Zonjë e Rëndë, nuk keni ç’mendoni. Ajo lind vetë dhe shijohet vetë. Po s’patët dridhje në shpirt, thellë në vete, ajo nuk mund të ekzistojë askund. Ja, e shihni dritën e qiriut? Sapo ndizet qiriu, terri ia nis e këlthet me zërin e mnershëm për t’u mbrojtur, kurse drita, duke shtrirë pushtetin e vet, qeshet. Këtu zhvillohet një betejë e hatash­me mu në zemër të heshtjes. Këtë luftë, nëse nuk e ndien njeriu, vetëm shtiret se e ndien poezinë. Edhe kjo poezi, po nuk u shtri si një brez drite agi­mi në natyrë edhe në pikturë, atëherë as kemi pik­turë, as poezi[6].

Sa herë që e kam takuar më fliste për dy gjëra: për atë që lexonte dhe për atë që shkruante – dy veprime pa të cilat asnjë shkrimtar nuk bëhet i madh. Këtë fakt të rëndësishëm: leximin e veprave letrare dhe hartimin e tyre më së miri e përligjin veprat që i botoi dhe vlerat që i cilësojnë ato.

Rifati krijoi në vetmi dhe në mënyrë të mëvetësishme; i njohu grupet e ndryshme të krijuesve dhe interesat e tyre, por nuk i takoi asnjërit nga ata. Njihte vetëm një grup: atë të njerëzve që i përkushtohen punës dhe krijimit. As nuk i pëlqente fjalët e mëdha, as nuk ua thoshte të tjerëve. “Le të flasë puna vetë”, thoshte dhe kësaj i përmbahej me këmbëngulësi.

Krijimi i veprës letrare për të kishte më shumë se një kuptim, kishte më shumë se një vlerë. Ajo që në punën e tij krijuese ngrihet mbi të gjitha është nevoja e shqiptimit poetik të dukurive të botës e të jetës së fëmijëve dhe të njeriut, përkatësisht e komunikimit me to.

Krijimi dhe nevoja e komunikimit artistik për të ishin përherë të përshkuara dhe të shoqëruara nga

kënaqësia; kënaqësia që e ndiente gjatë hartimit të veprës letrare dhe kënaqësia që me atë vepër mund t’i shkaktonte tjetrit, njeriut të vet. Si e këtillë kjo kënaqësi shndërrohej në prehje shpirtërore dhe në argëtim – për vete e për marrësin (receptorin) e saj. Të dyja shndërroheshin në lojë, ashtu siç është lojë jeta vetë: aq sa njeriu është i vetvetes dhe ka nevojë të jetë i vetvetes, aq është i lidhur me tjetrin, me mesin ku jeton dhe me kulturën që i përket.

Me vetëdije, nëpërmjet tekstit poetik, qoftë si njohje, qoftë si pasurim shpirtëror, Rifati ia përcolli kënaqësinë e vet tjetrit. Mirëpo, letërsia për Rifatin, siç ndodh dhe me të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, ishte edhe vuajtje, ishte edhe pësim. Kjo gjë dëshmohet nga fakti se shkrimtari nuk mund të krijojë diçka të madhe, të vlefshme, pa mund, pa vuajtje dhe pa flijim. E kur mundi dhe flijim i tillë shndërrohet në vlerë, bëhet e mirë edhe e të tjerëve, merr kuptim tjetër, shndërrohen në ngushëllim të madh shpirtëror.

Këto veçori e cilësuan Rifatin shkrimtar dhe punën e tij krijuese, që njohësi i artit letrar nuk e ka vështirë t’i vërejë në veprat e ndryshme që i shkroi ai.

3. Romansier i rrafshit të lartë

Në fushën e zhvillimit dhe të pasurit të romanit tonë për fëmijë, edhe si cilësi, edhe si sasi, Rifati dha një ndihmesë madhore dhe me vlerat që përftoi zë kryet e vendit.

Romanet e tij nuk i nënshtrohen një modeli (siç ndodh edhe me llojet e tjera letrare që i përftoi); ai, sa i ndërtoi, i pasuroi modelet, konvencionet, po aq edhe i rrënoi.

Duke i pasur parasysh disa tipare kryesore, romanet e tij mund të grupohen në tri rrafshe. Në të parin hyn lloji i romanit “Kokërrmeli e pilivesa”, në të dytin “Dita e xhufkave” dhe në të tretin “Zogu i bardhë” (dy të fundit janë romanet më artistike që dolën nga pena e tij).

Në rrafshin e parë përfshihen romanet që ndërtohen mbi botën e përrallës e të sistemit të saj shtjellues e shprehës; në të dytin romanet e aksionit që trajtojnë dukuritë e jetës së përditshme, po përherë të gërshetuara nga imagjinata e autorit. Rrafshin e tretë e bëjnë romanet që trajtojnë një spektër dukurish, ku, të them me shprehjen poetike, “ujëvara” e ideve shndërrohet në një tërësi, që heqin peshë për jetën, për fatin e njeriut e për veprimin e tij jetësor, që dëshmohet me romanin “Zogu i bardhë”. Edhe romanet e dy grupeve të fundit i cilëson arketipi i i rrëfimit letrar gojor, si ripërtëritje dhe si pasurim.

Në shumicën e romaneve të Rifatit dëshmohet uniteti kuptimor, formësor dhe poetik, që jo vetëm e përcaktojnë vlerën e tyre, por e kushtëzojnë edhe ndikimin estetik në marrësin. Në to autori nuk e kopjoi jetën, por e krijoi atë nëpërmjet strukturës gjuhësore shprehëse. Pra, në romanet e tij jeta ndërtohet dhe projektohet. Nuk shqiptohet e vërteta e jetës dhe e dukurive të saj si fakt, por gjakohet zbulimi, shpalimi dhe njohja e saj, krijimi i saj. Aksionet dhe veprimet gërshetohen me episode, që zgjojnë kureshtjen e fëmijëve, duke krijuar dramatiken e rrëfimit. Shqiptimi bëhet në mënyrë të natyrshme; dukuritë ndërlidhen dhe shqiptohen në forma të ndryshme dhe të veçanta. Nuk këmbëngul dhe nuk i sforcon dukuritë dhe idetë që i merr në vështrim, por qenësia e tyre del nga mënyrat e natyrshme e rrëfimit.

Rrëfimi i Rifatit është i menduar dhe i përftuar me mjeshtëri dhe kujdesin kryesor autori ia kushton të shprehurit. Ai i kërkon fjalët dhe shprehjet dhe me to i krijon tablotë poetikisht sa më të plota. Kjo vërehet në përshkrimin e cilësive të botës së personazheve, në përshkrimet e natyrës, të veprimeve e të ngjarjeve që ndodhin në të.

Dialogu gjallërik, plot dinamizëm dhe dramatik, është një përbërës i qenësishëm i romaneve të tij, siç janë shumë funksionalë tipizimi i personazheve dhe përshkrimet, qofshin ato që kanë të bëjnë me botën e brendshme të personazheve, qofshin ato me fatet e me veprimet e tyre. Fjalia e tij ka natyrshmëri dhe drejtpeshim.

Për të përligjur atë që thashë më lart, po përmend, fjala vjen, romanin “Zogu i bardhë”, ku autori i gërsheton dhe i shkrin botën reale dhe botën fiktive dhe përfton një botë të veçantë e të pasur, botën e romanit, që ekziston si e tillë vetëm brenda strukturës gjuhësore shprehëse të veprës. Jo rastësisht, edhe në këtë roman, autori niset nga përralla, gjë që i mundëson t’i qaset e ta vështrojë në mënyrë të gjerë e të thellë jetën në oborrin mbretëror, por edhe të theksojë çështje të tjera, siç janë vetmia ose tëhuajësimi i njeriut të sotëm, flijimi dhe qëndresa para vështirësive. Kukaj niset nga bota e përrallës, për ta shqiptuar më plotnisht realitetin; niset nga e pabesueshmja për ta bërë atë të devotshme e të besueshme, që del si rrjedhojë e rrëfimit dhe e strukturës së tekstit artistik; niset nga jeta e mbyllur e pallatit mbretëror dhe sjell shembuj për përparësitë dhe madhështinë e jetës së lirë, të veprimit dhe të menduarit të lirë; niset nga forca egoiste e njeriut, për t’i dhënë krah zemërgjerësisë, mirësjelljes, dinjitetit, që dëshmohen me veprim; niset mbi bazën e kolektivitetit për të treguar madhështinë e jetës së qetë individuale larg rrëmujës së jetës në pallate mbretërore e në qytete; kritikon pa ngurrim veset e njerëzve brenda e jashtë Mbretërisë Larg, që ishin kredhur në jetën luksoze dhe si sundimtarë ishin liruar nga cilësitë njerëzore.

Çështjet që shqiptohen e ndërthuren në forma të ndryshme në vepër qesin në shesh botën dhe natyrën e ndërliqshme të njeriut; me një anë gjithë madhështinë për ideal të denjë jetësor e njerëzor, ndërsa në anën tjetër, gjithë vogëlsinë dhe ultësinë e tij. Princi dëshiron të bëjë rrugën e jetës së tij të lirë e të natyrshme, krejt tjetër në krahasim me prindërit sundimtarë të mbretërisë Larg; ai nuk dëshiron ta vrasë jetën e vet në oborrin mbretëror, të bëjë një jetë larg kënaqësive të jetës së lirë e të natyrshme.

Ju kështu m’i shuani të gjitha gëzimet e mia

Hareja në zemrën time nuk hyn kur dëshironi ju. Zogu i ëndrrës nuk m’u shfaq sipas dëshirës suaj, por

kur desh ëndrra ime! Gjokun atje te shtegu ma tregoi Zogu im i bardhë…

Jeta në këtë pallat nuk mund të shndrisë edhe pse ka shumë flori, sepse ka ikur gazi prej këtu siç ikën rrezja nga dritarja ime me të perënduar dielli tej malit.

4. Mjeshtër i tregimit të shkurtër

Rëndësia dhe vlera e madhe e veprës letrare të Rifatit dëshmohet edhe në fushën e tregimit të shkurtër për fëmijë. S’do mend se edhe këtë lloj poetik në letërsinë tonë ai e ngriti në majat e tij. Pa dashur të sjell këtu tituj përmbledhjesh me tregime dhe tituj tregimesh, po përmend, si dëshmi përmbledhjen “Ujku me kamerë”, ku nga 119 tregimet 100 janë të shkurta. Mjafton vetëm kjo përmbledhje për t’i dhënë autorit të saj, siç thuhet me gjuhën poetike, kurorën e dafinës.

Tregimi i tij veçohet me ngjeshësinë (sintetizimin) dhe njësimin e rrëfimit, të shtjellimit dhe të sistemit shprehës, ku përkushtimi krijues dëshmohet në rrafshe të ndryshme. Temat nga realiteti i përditshëm ose të krijuara nga shkrimtari, dalin në një funksion të ri, vihen në një kontekst kompleks dhe marrin kuptimësi të ndryshme dhe në këtë mënyrë për lexuesin bëhen pjesë e realitetit dhe e botës. Pra, ato bëhen një realitet më i pasur së ai i jetës.

Të shprehurit e Rifatit në këto tregime është i ngjeshur, konciz. Çdo objekt i trajtuar del barabar i rëndësishëm dhe e ka vlerën e vet të pamohueshme. Pra, në to rrënohet përparësia e çdo veprimi dhe e gjallimit të fëmijës në krahasim me të tjerët.

Brenda një modeli të përgjithshëm të tekstit të tregimit të shkurtër, Rifati krijoi një botë të nduarnduarshme (variante) formash e realizimesh të ndryshme. Në to veçantia e arketipit të rrëfimit letrar gojor është shpirtëzuar me mjeshtëri. Çdo tregim është pjellë e pasurisë shpirtërore dhe e aftësisë mendore të shkrimtarit. Qenësia e objektit të trajtuar preket me fjalinë e parë, pa hyrje e pa zgjatje. Ky parim zbatohet edhe në shtjellimin e tekstit. Për këtë arsye mund të thuhet se tekstet e këtilla mundësojnë përsiatje më të pasura dhe natyrisht mundësi më të mëdha komunikimi dhe ndikimi estetik.

Për t’i parë disa nga këto veçori po sjell tregimin “Ç’bisedojnë ninëzat[7]”, si krijesë e papërsëritshme të mjeshtrit të madh.

Çdo gjë po lëviz para shtëpisë sonë.

Puhiza po ledhaton petalet e trëndafilave. Një flutur e verdhë po qëndis diçka rreth tyre. Poshtë, në barin e butë – kadife, po lëviz koka e macjes së përhitur. Herë në të djathtë, herë në të majtë!

Ti vogëlushe po hapëron. Ke dëshirë ta zësh Macjen, ajo ka dëshirë ka kapë fluturën. Flutura ka dëshirë ta zërë Petalen e lules. Petalja ka dëshirë ta zërë Puhizën.

Puhiza nuk po shihet.

Ti vrapove drejt macjes, macja drejt lules, lulja drejt puhizës. U ndale. Edhe macja u ndal. Ti e macja ende nuk po e dini ç’është flutura? Po ju shëmbëllen në petale, si një bijë lazdrake që ka ikur pa leje nga kurora. Pse po mbani vesh? Mos po e thërret kurora të kthehet?

Flutura vallëzon ajrit. Edhe kokat tuaja vallëzojnë. Gishtat e paparë të puhizës po shpleksin me dashuri

flokët tuaja, po ledhatojnë edhe qimet e përhitura të macjes.

Bishti i saj po vizaton një rreth në ajër. Mbase po mendon se nëpër të do të kalojë flutura – ajo petale e padëgjueshme.

Ti e macja po shikoheni sy me sy! Kushedi çka po bisedojnë ninëzat tuaja?

Para shtëpisë çdo gjë po lëviz.

Flutura iku drejt resë së bardhë.

Edhe ajo po lëviz.

5. Poezia si art, si argëtim e si lojë

Edhe në fushën e poezisë për fëmijë Rifati e pasuroi traditën edhe e krijoi traditën; i vazhdoi shtigjet e nisura nga paraardhësit, por edhe hapi shtigje të reja. Edhe në këtë lloj letrar ai i rrënoi modelet. Pra, në poezinë e tij ai e krijoi modelin poetik, por edhe e rrënoi atë. Ky rrënim nënkupton përpjekjen, hulumtimin për krijimin e diçkaje të re, të veçantë, të pasur. Me një fjalë, pasurim nëpërmjet shqiptimit dhe shtjellimit të formave të ndryshme.

Kush i ka lexuar me vëmendje, fjala vjen, përmbledhjet me poezi “Kështjella e dritës” (1967), “Princi i Krujës” (1969), dhe “Pëshurrani i gjyshit” (1989)[8] nuk e ka vështirë të vërejë se sa forma të ndryshme poetike janë përftuar nga autori; çfarë shumësie trajtimi e shqiptimi poetik zbatohet në to. Vargje llojesh të ndryshme, edhe brenda një përmbledhje, edhe brenda një vjershe. Në to përdoret një ritëm sa i natyrshëm, aq edhe i ndryshëm, i shumënduarshëm; herë – herë të pushton me ngadalësimin e tij, herë me atë të shpejtë e herë shumë më të shpejtë, si vetë rrjedha e jetës së fëmijës, e mendimit dhe e veprimit të tij.

Tekstet e poezive të tij nuk janë asgjë tjetër pos një lojë e vijueshme vargjesh të ndryshme, që shprehin mendimet për dukuri e veprime, që e cilësojnë përditshmërinë e njeriut; variante sa argëtuese, aq edhe nxitëse, motivuese, jo vetëm për lexuesit e moshës që i kushtohen. Poezia e tij e përligj në mënyrë të mirëfilltë “lojën” e artit dhe si e tillë, si “lojë” edhe vetë bëhet art. Art, që i qëndron kohës dhe e përligj vlerën e një letërsie të tërë, edhe pse në qenësi i kushtohet një shtrese të caktuar të lexuesve. Vlerat letrare të mirëfillta nuk dinë për shtresa e shtresime lexuesish, për kultura të vogla e të mëdha. Ato janë vlera arti dhe i mjaftojnë vetvetes dhe atij që i bën pjesë të veprimit dhe të mendimit jetësor. Është gjë tjetër që ato kushtëzohen, për të mos thënë imponohen, nga format dhe mundësitë e ndryshme të përhapjen, të komunikimit. Po këto nuk hyjnë në vlera, edhe pse gjerësia e komunikimit shpesh merret si vlerë!

6. Humor i natyrshëm ose qesh e ngjesh

Përbërës të rëndësishëm të veprave për fëmijë të Rifatit janë humori dhe thumbimi, që shpesh autori i lë në rrafshin thellësor, po herë –herë marrin përmasë më të dukshme e janë më të pandërmjemë. Këta përdorën në forma e në raste të ndryshme: i ndeshim në veprat e tij në poezi, në romane, në tregime dhe në pjesë teatrale. Në ndonjërën prej veprave bëjnë boshtin e objektit të trajtuar artistik, ndërsa në ndonjë tjetër përbërës mjaft të rëndësishëm të mënyrës së shqiptimit e të komunikimit artistik me lexuesin.

Humori i Rifatit është i natyrshëm, ashtu çfarë ai e përdorte edhe në komunikimin e përditshëm me shokë ose me bashkëbisedues të rastit. Humorin e kishte, si thuhet, të lindur. I mjaftonte edhe rasti më i zakonshëm për ta dëshmuar e përdorur. Për këtë gjë pati ndikuar, pa pikën e dyshimit, anekdota gojore, të cilën e dinte mirëfilli, por edhe dinte ta tregonte në çastin e duhur.

Ndonjëherë humori i tij merr një përmasë më të ndjeshme dhe mbërrin në rrafshin: qesh e ngjesh.

Pa dashur të zgjatem rreth kësaj dukurie, po kujtoj këtu vetëm humorin e qëlluar, që e përshkon, në raste të ndryshme, romanin “Zogu i bardhë”, sidomos kur bëhet fjalë për veprimet e Palaços ose të Mbretit. Mirëpo, për këtë gjë bindemi edhe nga titujt e disa veprave të tij: “Çka fshin dhelpra me bisht”, Dy zagarë – kumbarë”, “Deti u baft kos”, “Një xanxare, lozonjare”, “Pëshurrani i gjyshit”, “Një gaforre defatore”, “Lepuri me pesë këmbë” etj.

Me një fjalë: një vepër me vlerë të madhe poetike, gjë që dëshmohet nga shumësia e qasjeve dhe e shqiptimit të objekteve poetike të trajtuara, nga mënyra e të shprehurit artistik, që nuk u nënshtrohet modeleve si dhe të natyrshmërisë së komunikimit që ajo vë me lexuesin.

Vepra letrare e Rifat Kukajt tashmë është bërë pjesë e artit tonë të fjalës, e pasurisë sonë shpirtërore, sidomos e asaj për fëmijë dhe me kohë do të bëhet edhe më shumë. Një gjë të këtillë e përcaktojnë dhe e përligjin vlerat e mëdha që i cilësojnë veprat e tij.

R E F E R E N C Ë:

[1] Pual Hazard, Uomini, ragazzi e libri. Letteratura infantile. Seconda edizione. Armando Editore, Roma 1969, f. 95.

[2] Shih librin tim Teksti poetik, Rilindja, Prishtinë 1985, f. 127.

[3] Shih librin tim Shumësia kuptimore, Rilindja, Prishtinë 1990, f. 142.

[4] Rifat Kukaj, Ma jep gishtin e vogël. Poezi. Botues OJQ Pranë fëmijëve. Prishtinë 2005, f. 24.

[5] Rifat Kukaj, Ma jep gishtin e vogël, vep. e përm. f. 30.

[6] Rifat Kukaj, Zogu i bardhë. Roman për fëmijë. Botimi i tretë. Parathënien Anton Nikë Berisha, Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2019, f. 290.

[7] Rifat Kukaj, Gjiri i delfinit. Tregime për fëmijë. Libri shkollor, Prishtinë, 2002, f. 16 – 17.

[8] Shih dhe përmbledhjen e tij “Vjersha të zgjedhura për fëmijë”, Prishtinë 1976.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora