Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Gjurmë të Xehetarisë në Ulpianë

| E merkure, 24.06.2020, 10:22 AM |


GJURMË TË XEHETARISË NË RAJONIN E ULPIANËS

Nga Dr. Qazim Namani

a. Karakteristikat Gjeo-minerare në rajonin e Ulpianës

Vendbanimi i Ulpianës u zhvillua rrënzë kodrinave të pasura me minerale të Malësisë së Gallapit dhe tokës pjellore të fushës së Kosovës.

Kodrinat xehetare pranë Ulpianës u formuan si rezultat i erupsioneve vullkanike në kohë shumë të hershme. Si rezultat i ftohjes së masës së vullkaneve  në këtë rajon u formuan muret masive të shkëmbinjve të llojit të Serpentinës dhe Andezitit.

Sasia e madhe e xeheve është masë e derdhur e llavës së Vullkanëve. Muret masive nëntokësore të shkëmbinjve në këtë rajon janë të llojit Serpentin dhe Andezit. Janjeva shtrihet në afërsi të këtyre mureve vullkanike. Masa vullkanike vazhdon shtrirjen në veri ku në disa vende janë hasur xehe të Andezitit dhe Serpentinës.[1]

Rajoni vullkanik-xehetar i Ulpianës ndërlidhet me rajonin hapësinor vullkanik përreth si: Rajonin xehetar të Artanës, Vendenisit, Bervenikut, Justiniana Primës (Caricingradit), Vranjës, Kurshumlisë, Bollasicës, Trepçës, Soçanicës, Goleshit, dhe Malit të Zi të Shkupit.

Si rezultat i erupsioneve të reja në rajonin vullkanor-xehetar në hapësirat e cekura edhe sot lehtë mund të vërehen majat e kodrinave vullkanëike si: Veletini, Kika, Mërkoja, Suka në Prapashticë, Quka e Brainës, Quka e Drazhnjës në malësinë e Gallapit, Musinca dhe Maja e Mprehtë pranë minierave të Bollasicës, Zveçani, Sokolica pranë Soçanicës, Visoca në mes të Cërrnicës dhe Zhitisë pranë Gjilanit, Ostrovica dhe Kodra e Tupanit në Malin e Zi të Shkupit etj., Kodra këto të cilat kanë forma karakteristike të vullkaneve.

b. Gjurmët e para të punimeve minerare në rajonin e Ulpianës

Gjurmët e para të veprimtarisë xehtare në rajonin e Ulpianës, Prishtinës dhe të Janjevës  na çojnë në mileniumin e tretë para erës sonë në brigjet e lumit të Graçanicës me rrethinë.

Formacionet e shkëmbinjve silicor (të quajtur gurëgacë) që kanë veti të copëtohen për ti përdorur si vegla të punës dhe për gjueti ishin mjaftë të kërkuar në periudha të hershme historike.

Kur këto formacione të shkëmbinjve njeriu i epokës së gurit nuk i gjente në sipërfaqe filloi ti kërkoi nën tokë. Pikërisht këto depërtime në thellësi të tokës përfaqësojnë zanafillën e punimeve minerare. Shfrytëzimet e para të xeheve të Gurëgacës, Bakërit dhe Hekurit janë të epokës parahistorike.[2]

Pranë këtyre kodrinave me shkëmbinj të serpentinit dhe tokës pjellore bazuar në gjetjet arkeologjike mund të pohojmë se jeta filloi që në shekullin V para erës së re në periudhën e epokës së re të gurit ku u gjetën dhe gjurmë të vendbanimeve.

Në gërmadhat e themeleve të shtëpive të vjetra në Badoc dhe rrjedhën e lumit të Graçanicës janë gjetur sopata dhe vegla tjera prej Serpentinit të lëmuar dhe prej Ahatit. Po ashtu në këtë vendbanim janë gjetur edhe copa amorfe të galenitit të cilat dëshmojnë gjurmë të zanafillës së eksploatimit të mineraleve dhe xeheve në këtë rajon.[3]

Edhe pse këto janë dëshmitë e para primitive të eksploatimit të xehetarisë, fillet e para të eksploatimit të hovshëm të kësaj veprimtarie duhet kërkuar në lokalitetet e para të vendbanimeve në shëkullin e V para erës së re në rrjedhën e lumit të Graçanicës dhe në rrethinën e Janjevës.[4]

c. Banjot e vjetra dhe ujërat termale

Ky rajon vullkanik edhe në ditët e sotme përveç pasurisë minerare  është i njohur për ujëra të nxehta termale dhe  lëvizje tektonike që shpesh herë kanë shkaktuar edhe tërmete të fuqishme me pasoja fatale të njohura edhe përmes burimeve historike.

Harta reliefi i Kosovës nga                            Hartë e ujërave termale,

Komisioni i pavarur për miniera                      Komision i pavarur për

dhe minerale,                                                   Miniera dhe minerale

Në këto anë janë edhe sot të njohura disa burime sipërfaqësore të ujërave termale pranë të cilave që nga periudhat e hershme iliro-romake u ndërtuan banjo për kurimin e sëmundjeve të ndryshme. Si banjo të hershme mund të cekim Roma-banjën e cila pushoi së ekzistuari pas tërmetit të njohur në Dardani në vitin 518 të erës së re, kur gejzeri me ujëra termale u zhvendos në një distancë prej rreth 15 km në Siarinën e sotme. Përveç kësaj banje sot në këtë rajon janë të njohura edhe disa banjo tjera si: Banja e Kllokotit, Kushumlisë, Dobërçanit, Lluzhanit, Siarinës etj., si dhe banja e Pejës në territorin e Kosovës së sotme. Vlen për të cekur se hulumtimet e mëvonshme zbuluan në fshatin Prapashticë, në rrethinë të Ferizajit dhe në fshatin Burrnik ka elemente të Bitumen-asfaltit që kanë dalur në sipërfaqe te tokës.[5]

Hammeuma (Kurshumlia e sotme), ka gjurmë të lashta qytetërimi, që nga periudha romake. Në rrethinën e qytetit ekzistojnë tri banjo: Prolom, banja e Kurshumlisë dhe banja e Lukavës.[6]

Për ekzistimin e një banje të vjetër që nga koha romake në mes të Kushumlisë dhe Prepellacit shkruan edhe Mil. J. Nikollajeviq.[7]

ç. Xehetaria në Mbretërinë e Dardanisë

Koha e zhvillimit intensiv të jetës në kështjella dardane në këto anë dhe ndërtimeve të hershme të fortifikimeve sigurisht se duhet kërkuar  kah fundi i shekullit të V dhe shekullit të IV para erës sonë, pra në kohën e lulëzimit të mbretërisë Dardane. Në këtë periudhë metalet fisnike si ari dhe argjendi përdoreshin për përpunimin e stolive të ndryshme. Këto stoli shërbenin edhe si mjet shkëmbimi me qytetet e zhvilluara në Greqi dhe qytetet tjera të Gadishullit Ilirik. Sipas studiuesit rumun Nicolae Densusianu fjala për plumb të bardh Chassiteros sipas Herodotit erdhi nga pjesët ekstreme barbare, andaj ky autor shkruan se terminologjia e lashtë metalurgjike është me origjinë barbare.[8] Duke e ditur se grekët e vjetër i quanin barbarë fiset ilire dhe trakët mund të pohojmë se përpunimi i metaleve kishte zanafillën te proto-ilirët, shumë kohë para se të formohet shteti grek. Edi Shukriu shkruan se E. Çershkovi kishte vënë re lidhje më të shpeshtuara dardane me botën helene në shekullin e VI para erës së re. Në bazë të të dhënave të pakta dhe gjetjeve në shpatijet e kalasë së Tenezhdollit dhe në Gumnishtë të Artanës (NovoBërdës), Çershkovi ka konsideruar se këto lidhje kanë qenë të imponuara nga eksploatimi i pasurisë së bollshme xehetare. Kjo dëshmohet edhe me gjetjet arkeologjike në rrënojat e vendbanimit pranë zgafelleve xehetare të Artanës.[9]

Nga të dhënat që dihen deri më tani për dardanët mund të pohojmë se edhe dardanët i kanë farkuar monedhat e veta. Madje duket se në Dardani janë farkuar tipet më të hershme të monedhave të emituara e të ashtuquajtura monedha “barbare”.[10]

Shkrimtari antik Plini shkruan se meshkujt mbanin mbi llërë (rrathë ari) që vinin nga Dardania, andaj edhe quheshin  dardane.[11]

Ndonëse sipas përshkrimit gjetjet nga Artana i përkasin periudhës helenistike mund të flitet për një kontinuitet të eksploatimit të xeheve që në faza të hershme në Artanë dhe në Veletin.[12]

Gërmimet arkeologjike mundësuan që të njihemi me veglat e punës si: dalta, kazma, qyskia, enë, kopça, varëse, stoli etj., si dhe me varreza që u zbuluan në lokalitete dhe vendbanime xehetare që dëshmojnë rolin e xehetarisë në zhvillimin ekonomikë të këtyre vendbanimeve.

Nga shekulli IV para erës së re qyteti Damastion farkoi monedhat  e veta që zgjati deri më 320 para erës së re, që dëshmojnë për përdorimin e hershëm të monedhave si shkëmbim në këto troje.[13]

Në Dardani shfrytëzimi dhe përpunimi i metaleve ka pasur një zhvillim të madh në kohën e lulëzimit ekonomik dhe kulturor të Ilirëve. Për këtë dëshmojnë monedhat e shumta të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike të qytetit xehetar Damastion, për të cilin thuhet se ka pasur si simbolikë të mineraleve dhe qytetit xehetar Çekiçin dhe Qyskinë.[14]

Damastioni ishte njëri ndër qytetet e hershme i cili u ngritë në shekullin V para erës së re afër minierave të argjendit, por ende nuk është e sigurtë vendndodhja e tij në Kosovë.[15]

Në rrethinën e Janjevës dhe Prishtinës janë gjetur monedha të qytetit xehetar Damastionit.[16]

Zbulimi i këtyre monedhave në pellgun xehetar të Kishnicës, Badovcit, Shashkocit, Janjevës dhe në rrethinën e Prishtinës mund të na shtyjnë të mendojmë se qytetin ilir Damastion duhet kërkuar në këtë rajon.

Nëse bazohemi në mendimet e studiuesve tanë si: Zef Mirdita, Edi Shukriut, Jahja Drançollit etj., dhe atyre të huaj si: Emil Çershkov, Fanulla Papazoglu, Dusanic etj mund të pohojmë se qytetin ilir Demastionin duhet kërkuar në Dardani, e pikërisht në lokalitetet xehetare në rrethinën e Prishtinës, Janjevës dhe Artanës si dhe mund të konstatohet se kjo trevë pa tjetër duhet të ketë qenë në mos kryeqendra (sipas mendimit tim) gjithsesi qendër primare për ekonominë dardane. Rëndësia e këtij territori të Dardanisë dëshmohet edhe nga ekzistimi i shumë qyteteve të zhvilluara të cilat te studiuesit e ndryshëm na paraqiten gjithnjë në lidhje me eksploatimet xehetare.

Me gjithë mendimet e kundërta rrethë ubikimit të këti qyteti duke ndjekur metodën e rrahur deri më tani, Zef Mirëdita mendonë se Demastionin duhet ta kërkojmë në trevën qendrore të Dardanisë, respektivisht në trevën e sotme të Kosovës. Në vitin 1961 në jugperëndim të Janjevës në vendin e quajtur “toka e bardhë” janë zbuluar mbeturinat e një vendbanimi antik. Kjo trevë bashkë me Artanën dhe minierat e Kishnicës janë të njohura si vende xehetare, dhe duhet theksuar se në këtë trevë janë gjetur më së shumti monedha të Demastionit, pastaj edhe Straboni si edhe Palimpsesti i Vatikanit i përmendin xeheroret e argjendit të cilat gjindeshin në afërsi të Demastionit. Pikërisht këto të dhëna na bëjnë ta kërkojmë atë në afërsi të Kishnicës respektivisht Janjevës apo të Prishtinës.[17]

Mendoj se mendimi i dr. Zef Mirditës për ubikimin e Demastionit në pjesën qendrore të Kosovës, e pikërisht në Gallap është i qëlluar duke u bazuar te gjurmët xehetare të cekura më lartë në rrethinën e Janjevës, Artanës dhe të Prishtinës, por kësaj duhet ti shtohet edhe fakti se pjesa verilindore e Artanës është shumë e pasur me lokalitete xehetare dhe gjurmë të lashta antikiteti për të cilat nuk është shkruar nga autorët bashkëkohor, pasi nuk janë bërë hulumtime të duhura në këtë trevë.

Duke pasur për bazë gjurmët e xehetarisë në anën përendimore të Artanës, por edhe vendet e cekura më lartë në anën verilindore si dhe gjetjen e monedhave të Demastionit në rrethinën e Artanës, por dhe afër Leskocit, kemi arsye të plotë që këtë qytet Ilir ta kërkojmë në Gallap e pikërisht në rrethinën e Artanës. Rëndësia e rajonit xehetar të Ulpianës, Vendenisit (Gllamnikut), Soçanicës, Bollasicës, Artanës, Shkupit, Vranjës, Leçes, Rogoznës dhe minierave tjara në Dardani u shtua në periudhën e eksploatimit të mineraleve dhe ndërtimit të kështjellave të para në territoret dardane. Mendoj se Ulpiana si qendër e rëndësishme urbane dhe ekonomike ishte e lidhur drejtpërsëdrejti me minierat e rajoneve përreth vendbanimeve xehetare si: Artana, Vendenisi, Bërveniku, Vushtrria, Vërbani etj. Pasuria minerare e këtyre rajoneve dëshmohet edhe me rrënojat e kështjellave ilire e më vonë romake të këtyre anëve. Rrënojat e kështjellave në anën Juglindore si: Janjevë, Veletin, Vogoçincë, Gadime, Vrellë, Kishnopole, Terpezë Gërnçarit, Binçës, Vërbocit, Surçinës, Cërrnicë etj., si dhe rrënojat e kështjellave në anën verilindore si Grashtica, Siçeva, Rimanishta, Tenezhdolli, Vendenisi, Keqekolla, Hertic Herticë, Prapashticë, Hajkobillë, Strezoc, Bugjenicë, Busevatë, Koliqi, Batllava, Baraina, Braina, Gradishta në fshatin Marec, Artana, Gllama, Tupallë, Gradishta Siarinë, etj., tregojnë për rolin që e kishte xehetaria në zhvillimin ekonomik dhe rëndësinë  e nxjerrjes së xehes së arit, argjendit, dhe hekurit  në rrethinën e këtyre lokaliteteve.

Duhet theksuar se xeheroret e Kosovës janë shfrytëzuar që nga periudhat e para të shfrytëzimit të metaleve, dhe si duket në antikë meqë xehetaria në tërë viset veriore dhe lindore të Kosovës dhe rrafshit të Dukagjinit ishte degë mbisunduese e ekonomisë, ato ndikuan edhe në zhvillimin e qyteteve në këto anë gjatë fazave të mëvonshme  historike.

Nga këto të dhëna mund të supozojmë se në galeritë e xeheroreve ilire do të kenë vazhduar veprimtarinë e tyre xehetare edhe romakët, ku galerit e eksploatimit të xeheve që nga kjo periudhë janë ruajur deri në ditën e sotme

d. Shfrytëzimi i minierave në Dardani në periudhën romake

Pasi që dardanët e pranuan sovranitetin dhe e ndanë pushtetin me romakët u shtua intensiteti i punëve në minierat e Dardanisë.

Rezervat e mëdha të xeheroreve në rrethinën e Ulpianës dhe rajoneve tjera të mbretërisë së Dardanisë ishin një nga shkaqet kryesore të lakmisë nga romakët për  këto anë.

Bazuar në zbulimin e zgjyrave në shumë lokalitete në rrethinën e Ulpianës, mund të pohojmë se banorët e këtyre rajoneve që nga parahistoria janë marr me veprimtari xehetarie.

Ulpiana është themeluar në qendër të trevës   më të pasur me minerale. Kur është fjala për Ulpianën mundë të supozohet edhe fakti se ka mundur të trashëgohet bërthama e një vendbanim,i të vjetër i themeluar nga vendasit, themelimi i të cilit mundë të ketë lidhje me fillet e veprimtarisë xehetarie të këtyre anëve.[18]

Ulpiana ishte qyteti më i rëndësishëm i kohës antike. Si qendër administrative dhe e menaxhimit xehetar, Ulpiana u ngrit nga një qendër pararomake dardane.[19]

Me ardhjen e Perandorisë Romake së bashku me ta erdhën edhe disa familje te pasura senatoriale të cilat kishin për synim përfitimin nga minierat e Dardanisë, këtu mund t’i përmendim familjet Pontie dhe Furie. Këto dy familje, pra Pontie dhe Furie, i gjejmë edhe në Mezinë e Epërme, të pasur e të rrethuar me skllevër aktivë të liruar në Maqedoni dhe Dardani (posaçërisht në Thesalonik, Stob, Skupit, Ulpianës etj). Ulpiana ishte  zemra e latifondeve të Pontijve dhe Furijve. Duke u bazuar në të dhënat gjeografike, epigrafike, historike, arkeologjike farefisi i Furive dhe Pontëve ka  qenë i angazhuar në miniera, dhe çështja kryesore e Pontijeve ishte në eksploatimin e minierave te hekurit. [20]

Xehetaria dardane  në tërë pjesën lindore të territorit të  saj ishte degë dominuese e ekonomisë, krahas me përtëritjen e xeheroreve na shfaqen zejtarët e mjeshtrive të ndryshme. Zhvillimin ekonomik nga kjo fushë e dëshmojnë edhe vendbanimet e qendrave më të mëdha, ato u ndërtuan më afër burimëve të lëndëve të para minerare. Ky proces potencohet edhe në aktet juridike, të cilat i lidhnin për qendrat e xeheroreve. Bazuar në gjetjet arkeologjike është vështirë të flasim se cilat degë të zejtarisë kanë qenë të përfaqësuara nëpër vendbanimet romake në territorin dardan, arsyeja është se një numër i vogël eksponatesh të importuara është vështirë të dallohen prej atyre vendëse. [21]

Midis materialit të Ulpianës, gjejmë eksponate të plastikës metalike dekorative, stoli, kopça dhe prodhime tjera nga metalet, të cilat ndoshta mund të jenë punuar nëpër ato vise ku bëhej eksploatini i xeheve.[22]

Sipas dëshmive të shqiptarëve autoktonë që me shekuj jetuan në rrethinën e Prishtinës, Ulpiana si vendbanim i rëndësishëm u zbulua pas kolonizimit të Kosovës me kolonë serbë. Pas Luftës së Parë Botërore tokat e shqiptarëve që u konfiskuan u ndanë për kolonë të sjellë nga rajonet tjera të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe serb nga diaspora. Pas vendosjes së kolonëve edhe në Ulpianë që nga viti 1919, filluan edhe ndërtimet e shtëpive të tyre. Pjesa dërmuese e ndërtimeve që u bënë për kolonë përreth këtij lokaliteti, u bënë me gurë që u morën nga kështjellat e vendbanimit të Ulpianës. Deri në këtë kohë shumë mure të objekteve të Ulpianës ishin mbi sipërfaqe të tokës. Kolonët përveç gurëve që i morën hasën edhe në shumë objekte lëvizëse me vlerë si: enë të ndryshme, stoli, lugë, shandan, varëse, kopça dhe artefakte tjera nga metalet e ndryshme, stella dhe gjetje tjera që e tërhoqën vëmendjen e arkeologëve për të hulumtuar këtë lokalitet.

Gjatë kohës së sundimit të perandorit Trajan ishte periudha e zhvillimit të madh të xehetarisë në mbarë Gadishullin Ilirik. Këtë e pohon edhe Emil Çershkov, kur shkruan se Gjurmë të sigurta të eksploatimit të xeheve në periudhën romake janë që nga fillimi i shekullit të II të erës së re, në kohën e perandorit Trajan.[23]

Perandori romak Trajani (98-117) kishte parë rëndësinë e këtyre viseve të pasura me metale fisnike, dhe për këtë arsye mori masa të reja për zgjerimin e veprimtarisë xehetarie të cilën e kishin filluar më parë vendasit.[24]

Ndërtimet dhe zhvillimi i vendbanimeve më të mëdha gjatë sundimit romak është bërë në rajonet e pasura me xeherore siç janë: Nishi, Justiniana Prima, Shkupi, Ulpiana, Soçanica etj. Lokalitetet e rëndësishme dhe vendbanimet tjera në pellgun xehetar të Albanikut, Rogoznës, Dukagjinit, Artanës, Vranjës, Karadakut etj., ishin të lidhura me pasurinë minerare të këtyre anëve.

Minir Dushi shkruan se në miniera punimet profesionale i kanë udhëhequr procuratores metallorum kurse “Comes metallorum per Illyrium”, ka qenë njëfarë byroje mbikëqyrëse që ka udhëhequr me të gjitha minierat, selia e së cilës si duket ka qenë Ulpiana.[25]

Romakët në xeheroret e rajonit të Ulpianës nxirrnin kryesisht ar, argjend, hekur dhe plumb. Gjatë gërmimeve arkeologjike në lokalitetin e Ulpianës janë gjetur sarkofogë të plumbit dhe sende të imëta të punuara prej argjendi e plumbi çka dëshmojnë se njëri nga faktorët kryesor për zhvillimin ekonomik të këtij qyteti ishte pa dyshim xehetaria.[26]

Supozohet se edhe në këtë qytet është farkuar edhe një monedhë e moçme “Metallum Ulpianum”, kushtuar punëtorëve të këtyre minierave. Gjatë gërmimeve në këtë lokalitet deri më tani janë gjetë disa ekzemplarë të kësaj monedhe.[27]

Romakët e vjetër pas depërtimit në tokat ilire u mahnitën me teknikën që e përdorte popullata ilire në shfrytëzimin e mineraleve të bakrit, hekurit, argjendit dhe arit.[28]

Dihet se hekuri për herë të parë u prodhua në Azi të Vogël, dhe sigurisht që Ilirët ishin të parët në Evropë që e prodhuan hekurin sepse nga fjala në gjuhën ilirishte „Isarnon“, ka prejardhen edhe fjala „Iron“ në gjuhën angleze, dhe „Eisen“ në gjuhën gjermane për hekurin.[29]

Në Ulpianë gjatë gërmimeve arkeologjike në vitin 1959 janë zbuluar fragmente të një furre të montuar në tokë.[30] Furra e zbuluar, Sarkofogët e plumbit, pllakat katërkëndëshe të plumbit të zbukuruara me ornamente figurative të cilat ju ngjitëshin orendive të drurit, gjetja e një gjysmë shablloni prej Steatitit për përpunimin e këtyre pllakave, kopça të argjendta të cilat tash gjenden në Muzeun popullor të Beogradit. Të gjitha këto gjetje tregojnë për rolin e xehetarisë në jetën dhe zhvillimin e qytetërimit të Ulpianës.[31]

Duke i pasur për bazë faktet e cekura më lartë Zef Mirëdita shkruan se Ulpiana dhe Soçanica janë vendbanime urbane të karakterit xehetar, me të gjitha karakteristikat e arkitekturës antike, por me organizim municipial.[32]

Galeri të minierës në kodrinën Grab të Janjevës

dh. Gjurmë të zgjyrës dhe galerive në rajonin e Ulpianës

Gjurmët e zgjyrës së metaleve janë të shumta në luginën e lumit të Kishnicës, në liqenin e Badovcit, Suteskë, në përroin e Butocit, Busi, Slivovë, Llabian etj. Edhe në anën e rrjedhës së lumit të Prishtinës zgjyrë të metaleve dhe galeri hasen edhe në lokalitetin “Ugria” në fshatin Grashticë (Gjytet), Siçevë pranë lumit nën kështjellë të këtij fshati, në të dya këto lokalitet ka vendbanime të periudhës antike dhe kështjella.

Mbi Janjevë te Guri i Bardhë, Dheu i Bardhë, në fshatin Bukovicë, Shesharkë, Hanroc, Brus,  ka gjurmë të galerive. Në kodrinën e Gradinës së  Janjevës vërehen tri hyrje të galerive dhe mbetje nga shkrirja e metaleve. Zgjyrë ka edhe në lumin Pranja të Janjevës, në Gradishtë, Shashkoc, Veletin e vende tjera përreth.

Hyrje të galerive në Gradishtë të Janjevës

Në rajonin e Brusit, në lumin e Androcit në vendin Uji i Kuq ka shumë zgjyrë, te Prroni i Deqit në Badoc, në kodrën Gvozdenik të fshatit Shashkoc, në rrethinën e Janjevës sidomos te vreshtat dhe në potesin “Toka e Bardhë” dhe po thuaj gati në të gjitha përroskat e Malësisë së Gallapit. Në rrethinën e Ulpianës, në Zhegoc, në fshatin Mirash, në Gadime të Poshtme, në Akllap, Sllovi, Vogoçicë në lokalitetin Selishta nën kala dhe vazhdon deri në fshatin Akllap në lokalitetin Trohallë ku janë gjetur tulla dhe tjegulla që dëshmojnë se ka ekzistuar një vendbanim i lashtë. Zgjyrë vërehet se ka edhe mbi kala te Vogocincës që nga lagjja e Ismajlajve, Qukollëve e deri në Verbicë e Bilincë. Në lokalitetin mes Cërrnicës dhe Gumnishtës ka zgjyrë, andaj lokaliteti afër Gumnishtës dhe kalasë quhet Shlaken e që emri rrjedhë nga gjuha saksone për zgjyrën. Të dhënat nga terreni dëshmojnë se nga lokalitetet me zgjyrë të këtyre anëve në vitet 60 të shekullit XX është bartur zgjyra nga fshatarët dhe është grumbulluar në fshatin Babush, prej nga është dërguar në shkritoren e Trepçës.

Në Gvozdenik  zgjyra është e zezë në të gjelbërt dhe e përzier me mbetje të argjendit. Në Veletin hasen mbetje të vjetra të zgjyrës në ngjyrë të gjelbërt. Në Gvozdenik për nga përbërja më së shumti ka xehe Siderit, Piroluzit, Sfalerit dhe Galenit të argjendit. Në vendin e quajtur Shkrijim dhe Vapnenc te lokaliteti i quajtur Ceove janë katër vende me zgjyrë të tubuar deri në madhësi prej 2,5m. Zgjyra e këtij lokaliteti përmban galenit dhe grimca të arit dhe argjendit.[33] Në hyrje të Janjevës kodrina në të djathtë quhet GRAB, për ekzistimin e xehes në këtë kodër banorët kanë ditur që nga Ilirët.[34]

Në verilindje të Janjevës në mes të Kuretishtës dhe Strazhes në një shtrirje sipërfaqësore të madhe ka mjaftë mbetje të zgjyrës. Në fshatin Llabian gjenden themelet e objektit të vjetër të doganës.[35]Zgjyrë ka edhe në Pozhoran dhe fshatra tjera të kësaj ane.

Këto të dhëna në këtë rajon dëshmojnë për zhvillimin e xehetarisë në këto anë si dhe rëndësinë që e kishte kjo fushë në zhvillimin ekonomik të qytetit dardano-romak të Ulpianës.

Në miniera punonin kryesisht xehetarët nga popullata autoktone ilire dhe skllavë. Zhvillimi i xehetarisë ndikoi edhe në zhvillimin e zejtarisë. Në bazë të rezultateve nga zbulimet arkeologjike mund të supozojmë se në vendin e Ulpianës do të ketë ekzistuar më parë ndonjë lokalitet i mëhershëm ilirë apo edhe më i lashtë nga kohën e gurit.[36]

e. Gjurmë të lashta të xehetarisë në rajonin e Artanës

Kur është fjala për xeheroret e Kosovës atëherë në vend të parë vihet territori xehetar i Artanës, si një zonë xehetare shumë e rëndësishme për kohën.[37]

Në lagjen e sotme të Plaviqve të fshatit Bostan në komunën e Artanës në malin e vogël dhe të madh, nën kodrën e Vajdenices në rrethinën e para-lagjes së këtij fshati edhe sot vërehen zgafellet e galerive me rreth 10 m thellësi. Gjatë gërmimeve në afërsi të zgafelleve në thellësi rreth 8m janë vërejtur përforcues sigurie të drurit. Në mes të Ravnishtes dhe Grozniqecit në vendin e quajtur te Birat, kodra ka gropa të thella.[38]

Qarje e tokës pranë hyrjeve në galeritë e Artanës

Përveç gjurmëve të shumta të zgjyrës në përroin e thartë pranë fshatit Boston dhe rreth lumit të këtij fshati, në vendin e quajtur Birat, prej ku shtrihet varoshi i Artanës, në rrethinën e Grozniqevcit gjurmë të shumta të zgjyrës hasim edhe në shumë lokalitete të kësaj ane. Në Tërniqevc, në lumin e fshatit Krilevë, Kremenatë, Pirevë, Tygjec, Bolec, nën fshatin Leshtar ka zgjyrë metalesh ndërsa në fshatin Rahovicë mendohet se ka qenë punëtoria kryesore. Në fshatin Leshtar gjinden themelet e kullës që janë ruajtur në gjatësi prej 8 m dhe gjerësi 6.5 m në të cilën mendohet se qëndronte roja e xeheve. Kulla të tilla kishte edhe në disa vende tjera në rrethinën e Artanës, dy prej tyre janë në fshatin Krilevë.

Faktet e pamohueshme tregojnë se në rajonin e Artanës janë ruajtur shumë toponime të kohës iliro-shqiptare, që janë trashëguar me shekuj si: Kodra e kishës, Lugu i camit, Gropat binake, Bullaj etj. Nga burimet e mëvonëshme mesjetare është vertëtuar se pjesa dërmuese e punëtorëve që punuan në miniera të Artanës kishin emëra shqiptar si: Gjon, Progon, Tanush, Gjin, Lekë etj. Llukë Bogdani ishte një poet  i dalë  nga shkolla shqipe e Janjevës dhe Trepçës i cili qe vrarë nga osmanët në vitin 1687. Të gjitha këto flasin për vazhdimësinë e shqiptarëve në këto troje.[39]

Edhe toponimet shkrijim dhe Vapnicë në rrethinën e Janjevës, si dhe toponimi Birat pranë Artanës janë dëshmi që argumentojnë se minatorë Iliro-shqipëtar punuan në këtoi miniera edhe gjatë mesjetës.

Zgjyrë e regjistruar në rrethinën e Artanës

Përveç Llukë Bogdanit të cekur më lartë, nga Artana shquheshin Martin Segoni, Valerian Novobërdasi dhe Gjon Vaji, Gjon Progoni etj.[40]

Në bazë të burimeve të mbledhura nga terreni del se ana veriore dhe lindore e Artanës nuk ka qenë mbrapa për nga zhvillimi i xehetarisë krahasuar me anën perëndimore dhe jug-lindore, ku mund ti cekim gjurmët xehetare në fshatrat Grashticë, Keqekollë, Koliq, Ballaban, Bervenik, Brainë, Herticë, Prapashticë, Dabishec, Hajkobillë, Grexhenikë, Rahavicë, Krilevë, Marec, Kremenatë, Strezoc, Meshinë, Bolec, Leshtar, etj.

Në fshatin Krilevë janë evidentuar pesë lokalitete me zgjyrë metalesh. Në mes të fshatit një arë është quajtur ara e Samakovës, banorët lokalë dëshmojnë se në këtë arë kishte sasi të madhe të zgjyrës. Zgjyra nga kjo arë deri në kohët e vonshme është përdorur si çakëll për shtruarjen e rrugës Krilevë-Strezoc. Në lokalitetin e quajtur Rapuha, dhe te mulliri i Maliqit në Krilevë ka mbetje zgjyre. Në hyrje të Rapuhës nga ana lindore në largësi rrethë 2km, afër rrafshëlartës së Barës gjendet zgjyrë e lokalitetit xehetarë, kurse në hyrje të Rapuhës nga ky drejtim edhe sot nga banorët e fshatit Krilevë ruhet mikrotoponimi te vorret e Ilirëve, ndërsa në Rapuhë është vertetuar se ka themele të objekteve të banimit dhe keramikë.

Në anën perëndimore të Rapuhës gjendet një vend shkrirje xehesh në vendin e quajtur Bulaj në fshatin Marec, rrethë 3 km largësi prej Rapuhe.

Rapuha dhe gjyteti i Marecit në anën e Asoit, Gllogovicë      Hyrje e galerisë në kodrën veriore të Artanës

Në anën veriore në pikën kufitare të fshatrave Prapashticë-Marec-Gllogovicë dhe Krilevë po ashtu gjendet zgjyrë në vendin e quajtur Roga e verdhë në distancë prej Rapuhe afër 2 km, kurse në rrugën Rapuhë-Roga e verdhë për gjatë rrjedhës së ujit janë ruajtur mikrotoponimet, stanet e rimit dhe varret e gjytetit.

Nga Roga e verdhë, kodra që ngritet në anën lindore quhet gjyteti i Gllogovicës, kurse në anën perëndimore gjyteti i Marecit. Nga Roga e verdhë në anën veriore ngritet Quka ose Kodra e madhe, nën këtë kodër në anën lindore gjenden themele te vjetra të objekteve dhe të një kishe të lokalitetit të quajtur Selishtë. Në gjytetin e Gllogovicës jane gjetur monedha, themele dhe një statujë e mermerit e papërpunuar. Në këtë lokalitet mbi kishën dhe burimin e quajtur Vrella, në vendin e quajtur Asoi ekziston një galeri e minierës që popullata e fshatit e quan Bira e Asoit. Kjo zgafelle e galerisë deri vonë kishte qenë e thellë disa metra.

Zgjyra e gjetur ne Rapuhë është vërtetuar se në përmbajtje të saj ka përqindje të arit dhe argjendit.

Minir Dushi shkruan se burime tjera me përmbajtje të arit gjenden në rajonin e Artanës, në sendimentet aluviale të lumit të Marecit, afër Prekocit, te përroi i Bostanit etj.[41]

Ukshin Zajmi shkruan se në oborrin e Hysni Haxhollit në lagjen Bullaj të Marecit ka themele të vjetra. Hysniu gjatë ndërtimit të shtepisë së re ka hasë në një vrimë të thellë. Në livadhet e kësaj lagjeje ka mbetje të grumbulluara nga shkritoret e moçme që popullata lokale lokalitetin e quan Samakova.[42] Si pas banorëve lokal është bartur brez pas brezi thinja se xehet janë nxjerr tek Arat Hazirit në Lugun e Kanjushës dhe tek Lugu i Kumpulsë në largësi prej 200 m nga zgjyra e grumbulluar. Zgjyrë metalesh në lagjen e Bullajve ka edhe mbi shkollën e fshatit pran toponimit kisha që popullata e quan Samakova e Muratit. Nga ky lokalitet në largësi vi ajrore 1000 m në anën veri-lindore shtrihet Gjyteti i Marecitsi dhe Kulina e Krileves.[43]

Dihet se pas shkatërrimit të Ulpianës nga dyndjet e barbarëve rëndësia e xehetarisë gjatë mesjetës kaloi në Artanë dhe qytetet përreth Artane.

Duke i pasur parasyshë gjurmët e xehetarisë në përrojet e Marecit dhe fshatrave tjera përreth si dhe gërmadhat e vendbanimeve dhe gjytetet në anën veriore të Artanës mendoj se edhe Prizrencin qytet mesjetar duhet kërkuar në Gjytetin e Marecit.

Nga lagjja e Bullajve, rrjedha e ujit në të djathtë pikërisht te Përroi i madh nën Gradishtë dhe nën Qukën e Qelnasit ka zgjyrë metalesh. Zgjyrë ka edhe në lagjen e Haxhajve, Metajve, dhe Hajdarajve. Në fund të Përroit të madh nën Gradishtë ka themele që dëshmojnë për një vendbanim shumë të vjetër. Mendohet se fillet e qytetërimit në rrethinën e Artanës janë pikërisht në këtë hapësirë. Zgjyrë të metaleve në këtë fshatë ka pothuaj në të gjitha lagjet dhe përrockat; ajo vërehet në sipërfaqe përgjatë gjithë rrjedhës së lumit që nga lagjja e Kllokoqëve e deri ne Krilevë, pastaj në lagjen e Pacollëve, Makollëve, te Përroi i Zi dhe lokalitete tjera.

Në Kodrinën e Bërskovicës që gjendet në lagjen e Balajve të Prapashticës në kufi të fshatit Marec, që shtrihet në mes të lokaliteteve të shumta xehetare dhe në distancë prej rreth 5 km nga gjyteti i Marecit, Keqekollës dhe 3 km prej kodrës së Gomurit, mendojë se ndodhej Bërskova mesjetare. Kjo e dhënë vërtetohet edhe nga burimet raguzane ku Jahja Drançolli shkruan se kontaktet e para raguzane me Prishtinën i gjejmë të shënuara në fund të viteve të shtatëdhjeta të shekullit XIII. Në këtë kohë bujari raguzan me origjinë ilire Gregorius Marini de Petrana emërohet konsull në Bërskovë. Për të arritur në Bërskovë, Gregorius kalon mes vendesh tjera edhe nëpër Prishtinë.[44] Bërskova ishte një vendbanim i shpërndarë pranë minierave të pasura me argjend ku për herë të parë u vendosën raguzanët si minatorë të njohur të kohës në këto anë. Po ashtu në anën jugore të Bërskovës në kufijtë e fshatit Marec dhe Prapashticë një kodrinë e quajtur Lutesh (vend i lutjeve), bri rrugës së antikitetit që vinte nga Nishi nëpër Justiniana Prima afër Medvegjës së sotme për në Ulpianë, dëshmon për pranin e arbërorëve në këto anë.

Nga Roga e verdhë në anën veriore, mali në fshatin Prapashticë sot quhet mali i Strakës, në fund të këtij mali ka zgjyrë metalesh dhe themele te vjetra. Në këtë fshat mbetje të zgjyrës së metaleve gjenden edhe në përroin përgjatë rrugës së vjetër nën xhaminë e fshatit në drejtim të fshatit Keqekollë.

Gjurmë të eksploatimit te xeheve vërehen edhe në kodrën e quajtur Gomuri në fshatin Prapashticë. Në këtë kodër vërehet se ka pasur galeri xehesh. Në anën jugore nën këtë kodër ka gjurmë banimi të një lokaliteti të vjetër të quajtur Nekshur ku vërehen copa zgjyre, tjegulla dhe keramikë. Prej shkollës në lagjen Balaj në fshatin Prapashtic, Nekshuri për gjatë rrjedhës së lumit që qon në fshatrat Dabishec, Hajkobillë, Rahovicë, Gregjenik, Rahavicë, Kremenat, Meshinë, Krilevë, Strezoc e vende tjera ka zgjyrë metalesh.

Nga hulumtimet e vonshme gjeologjike është vërtetuar se rezervat e mineraleve Strezoc-Guri i keq në fshatin Hajkobillë dhe shkëmbinjtë kuarcor-silicor te vendbanimi “te Guri i keq” i kanë të gjitha karakteristikat e një vendbanimi metamoforo sedimentar të përmasave të mëdha dhe me cilësi të njëtrajtshme. Këto veçori kanë ndikuar që ky vendbanim të renditet në grupin e parë, në pajtim me rregulloren për klasifikimin dhe kategorizimin e rezervave të shkëmbinjve silicit të ish Jugosllavisë. Sipas analizave kimike kuarcitet e vendbanimit “Guri i Keq” shquhen për nga cilësia e lartë.[45]

Gropat e mbetura nga galeria e minierave në fshatin Hajkobillë

Edhe në rrjedhën e lumit të fshatit Kremenatë ka sasi të mbetjeve nga shkrirja e metaleve, zgjyrë metalesh hasen edhe në Meshinë dhe Tugjec.

Zgjyrë të mbetura nga përpunimi i metaleve në fshatin Dabishec dhe Hajkobillë

Lokalitetet me gjurmë të xehetarisë vazhdojnë edhe në fshatrat tjera që lidhen me rajonin e Bujanocit si: Desivojcë në lagjen e Bunjakëve te rrafshi i lumit të dhive ka galeri, ndërsa te mulliri i Rrahman Bunjakut ekziston toponimi Samakova (zgjyra), pastaj në Gjyrishec, Zhujë, Poliqkë, Lisockë, Kranidell, Qarr, Sedllarë, Rogocicë etj.

Zgjyrë të metaleve në këto anë ka edhe andej kufirit të sotëm të Kosovës në rrjedhën e lumit Jabllanica si: Petrilë, Vrapcë, Tullarë, Gërbac lokaliteti Samakova dhe stanet, në Siarinë lokaliteti Gradina dhe Bunari i Rimit, Sfircë e fshatra tjera ne drejtim te Vranjës.

Nga hulumtimet e terrenit është vërejtur se në të gjitha fshatrat dhe përrockat në anën veri-lindore të Artanës ka gjurmë të përpunimit të xeheve, që dëshmojnë për një trevë mjaftë të zhvilluar gjatë antikitetit dhe mesjetës. Kjo dëshmohet edhe me numrin e madh të fortifikimeve në këto anë.

f. Gjurmë të zgjyrës dhe galerive në rajonin e Gjilanit të sotëm

Rrethina e Gjilanit është shumë e pasur me xehe. Në viset e Karadakut ekzistojnë rezerva të mëdha të xehes së hekurit, e cila është eksploatuar qysh nga periudha e mesjetës[46]. Është me rëndësi të theksohet se masivi malor i Karadakut (Mal i Zi i Shkupit) ishte i pasur me minerale dhe u shfrytëzua edhe në kohë më të herëshme se mesjeta.

Sipas hulumtimeve të vitit 1979, ishte konstatuar kjo gjendje; zona Pidiq – Çelik  ishte e pasur me bakër, plumb dhe zink; zona e Pogragjës, e pasur me bakër dhe kallaj; zona e Seferit, e pasur me bakër, plumb dhe zink; zona e Strazhës, me bakër, plumb dhe zink; zona e Poneshit, e pasur me bakër, plumb dhe antimon[47].

Në këto vise edhe sot i kemi dëshmitë e eksploatimit dhe përpunimit të xeheve që nga periudha e antikitetit e sidomos nga ajo mesjetare. Mbeturina të materialeve të shkrira (popullata e kësaj ane i njeh si shnakla) dhe hasen kudo rreth vendbanimeve: kalasë së Pogragjës, në Çelik- rreth vendbanimit të vjetër dhe kalasë së Resulës (vendësit e njohin edhe si “Kalaja e Rimit”), në Gllamë përgjatë vendit të quajtur “Udha e mbretit”, në Nasalë, në Zhegër, në Shpal (Kishnapole), e sidomos në Zhegoc. Prej metaloideve në zonat e lartpërmendura hasim; kaolin, magnez, shkëmbinj të leucitit, (në rajonin mes Pogragjës dhe Llofcës) etj. Nga banorët e malësisë së Karadakut përmendet posaçërisht fshati Çelik në pjesën perëndimore të fshatit Zhegër. Ky vendbanim antik, pos me kalanë dhe varrezat e vjetra, ishte i njohur edhe për nxjerrjen e metalit të hekurit deri më 1912.[48]

Zgjyrë të mbetura nga përpunimi i metaleve në fshatin Pogragjë, komuna e Gjilanit

Rrëzë kodrave mbi vendbanimin e Vërbocit mundë të dallohen me dhjetëra gropa xehesh, ndërsa në luginën e lumit të Letnicës përveqmbeturinave të ndryshkura të gropave, gjenden edhe gjurmët e objekteve metalurgjike antike të ndërtuara buzë lumit. Gjurmë të gropave gjenden edhe në afërsi të fortesës së fshatit Terpezë dhe Cerrnicë. Gjurmë të shumta hasen edhe në jug-lindje të Gjilanit në Lololeq, te fortesa e Koprivnicës, Hogoshit, Malishevës së Gjilanit etj.[49]

Zgjyrë metalesh vërehen edhe ne fshatin Uglar, në Pogragjë, Llovcë dhe lokalitete tjera përgjatë rrjedhës së Moravës së Bincës.

Në Malin e Zi të Shkupit dhe fshatrat në komunën e Vitisë, zgjyrë metalesh ka edhe përgjatë rrjedhës së lumit Gërncar-Letnicë, në Dubëlde, Bincë mbi lagjen e Shushve, në Gashicë gjatë rrjedhës së lumit, Pozhoran e fshatra tjera.

Në zonën tjetër me vendbanime të vjetra dhe të pasura me minerale dhe monumente të shumta në malet e Zhegocit, dallohet edhe lugina në fshatin Gadime, ku bëhej shkrirja e xehes[50]. Mund të pohojmë se eksploatimi i xehes në këto anë kishte filluar që nga periudha iliro-romake për të vazhduar gjatë tërë mesjetës e këtej. Në aspektin ekonomik përmendet edhe fshati Shpal (Kishnapole), i cili pos Gradinës dhe kishës së Shën Palit, ka edhe vise të pasura me xehe, të cilat po ashtu janë eksploatuar që nga periudha e hershme historike.

Gjurmë xehetarie në fshatin Shpal, komuna e Gjilanit

Se territori mes Gjilanit dhe Bujanocit ishte vend i pasur me xehe, janë dëshmi gropat dhe galeritë të cilat janë shembur që moti dhe mezi shihen, mirëpo ato janë dëshmi se që nga periudha antike e mesjetare, këto vise ushtronin një veprimtari të tillë[51].

g. Gjurmë të xehetarisë në rrethinën e Vendenisit dhe Bërvenikut

Në rrethinën e Vendenisit (Gllamnikut) dhe qytetit mesjetar Bërvenikut ka gjurmë të shumta për të dëshmuar eksploatimin e mineraleve që në kohë shumë të vjetra.

Edhe në distancë prej rreth 30 km në anën veriore të Ulpianës, pikërisht në rrjedhat e lumit Llap ka mbetje të zgjyrës së metaleve dhe galeri.

Mbetje të zgjyrës që nga kohët iliro-romake në këto anë vërehen duke filluar që nga lagjja e Gexajve (Shpella e Argjajtë-Argjendit) në fshatin Prapashticë.  Ky lokalitet xehetar shtrihet mes Gradishtes së Marecit në rrjedhën e lumit të lakuar (Kriva rekës) dhe Gjytetit të Rimit Keqekoll-Prapashticë, që shtrihet në rrjedhën e lumit Llap.

Vlenë për ta cekur se edhe në pjesën perëndimore të fshatit Velegllavë të komunës së Dardanës ekzistojnë toponimet Gropat e Argjanit dhe Roga e Argjanit që kanë të bëjnë me minierat e argjendit. Zgafella të mineraleve ka te Bjeshka e madhe në kufi me fshatin Marocë.[52] Në distancë të vogël nga Shpella e Argjendit në Prapashticë, pikërisht mbi lagjen e Kaçotëve të fshatit Keqekollë ka zgjyrë metalesh, zgjyrë metalesh kishte edhe në këtë lagje shumë afër Kroit të Kikollit që ndryshe nga banorët lokal njihet edhe si Kroi i gjytetit. Në Sukën e Prapashticës në kufi me fshatin Nishec po ashtu është një shpellë që mendohet se dikur moti ishte galeri për nxjerrjen e metaleve. Mbetje zgjyre janë hasur edhe te përroi nën xhaminë e fshatit Prapashticë dhe në përroin e fshatit Nishec.

Zgjyra e metaleve e regjistruar gjatë viteve të pesëdhjeta në Keqekollë

Gjatë përnjohjes së terrenit në fillim të viteve 50 të shekullit XX, vetëm në fshatin Keqekollë u regjistruan gjashtë pika të grumbullimit me zgjyrë të metaleve. Në Ballaban po ashtu kishte sasi të madhe zgjyre përgjatë shtrirjes së shtratit të lumit, pastaj te Përroi i Gomurit në Ballaban dhe në të djathtë në mes të fshatit vërehen edhe galeritë e nxerrjes së xeheve. Edhe përgjatë përroit të Glacit në fshatin Koliq ka zgjyrë.

Zgjyrë e metaleve në fshatin Ballaban

Zgjyra nga pikat e grumbullimit të Keqekollës, Ballabanit dhe të Hajkobillës ne vitet 50 të shekullit XX u bartë dhe u dërgua në shkritoren e Trepçës.

Zgjyrë në këto anë hasen edhe në Batllavë, Bërvenik, Brainë, Kalaticë, Metërgoc, Turuçicë, Nasoc, Herticë te Kullat dhe në Bjeshkën e Halilit dhe fshatra tjera. Në anën e djathtë të fshatit Herticë vërehen shumë galeri dhe puse të vjetra minerare, që dëshmojnë shfrytëzim intenziv dhe të fuqishëm në këtë lokalitet që në kohën iliro-romake.[53] Zgjyrë të shumtë është vertetuar se ka edhe në fshatin Merdare, Matarovë dhe fshatëra tjera tej kufirit të sotëm të Kosovës të cilat lidhen me minierën e Lecës dhe Justiniana Primës (Caricingradi). Zgjyra e Matarovës, Merdarës dhe e Herticës pas analizave të bëra është vertetuar se përmbanë përqindje të konsiderueshme të metaleve fisnike të argjendit dhe arit.

Edhe në fshatërat rreth Vendenisit është vertëtuar se ka pasur eksploatim të mineraleve si në: Tenezhdoll, Rimanishtë ku është vërtetuar se ka pasë galeri dhe vendbanim të vjetër në lagjen e Musliajve, pastaj në Sharban dhe fshatëra tjera të kësaj ane.

h. Gjurmë të xehetarisë në rajonin lindor të Trepçës

Gërmimet arkeologjike dëshmuan se edhe në luginën e lumit Ibër, Soçanica ishte qendër urbane xehetaro-metalurgjike për eksploatimin dhe përpunimin e xeheve.[54] Rajoni minerar i Trepçës bënë pjesë në grupin e rajoneve më të pasura me minerale në Evropën juglindore. Ne po veçojmë të dhënat për gjurmë të xehetarisë në lokalitetet e komunës së Vushtrrisë dhe malet e Shalës të kësaj komune, e të cilat mund të ishin të lidhura në aspektin ekonomik dhe administrativ edhe me qytetin e Ulpianës.

Në rajonin e sotëm të Trepçës, ka mjaftë shumë gjurmë të eksploatimit të mineraleve. Në fshatin Mazhiç, në lokalitetin Lugu i birave dhe te Lugu i Rudarit, vërehen hyrje të galerive dhe zgjyrë. Gjurmë hasen edhe në gjytetin e Rashanit, Duboc, në fshatin Bare, Tërstenë, Gumnishtë, Skromë dhe fshatra tjera të komunës së Vushtrrisë. Në fshatin Gumnishtë, pikërisht në lokalitetin e quajtur Katunishta ka zgjyrë metalesh dhe themele të vendbanimit të lashtë. Në Qukën e këtij fshati janë gropat e mineraleve, Bira e Kasejt, Birat e pëllumbave, Kodra e gropave, Lugu i Hyjnicës që dëshmojnë ekzistimin e galerive të xeheroreve. Në kodrinën Boka të këtij fshati, rreth 200 m në juglindje të kishës së vjetër është një sondë vertikale e minierës.

Sondë galerie vertikale në fshatin Gumnishtë, komuna e Vushtrrisë

Edhe në fshatin Majac të komunës së Podujevës ka gjurmë xehetarie. Në kodrinën e këtij fshati, në lokalitetin te arat e Rrahit ekzistojnë gropat që popullata e fshatit i quanë Gropat e Majdenit. Në arat e Rrahit janë gjetur tulla dhe tjegulla të ndryshme si dhe tuba të ujësjellësit të vjetër. Gjurmë të vendbanimit ka edhe në luginën e Klisyrës dhe në lagjen e Berishajve. Në oborrin e Daut Berishës në vitin 1974 gjatë hapjes së pusit në thellësi prej 3 m janë hasur gjurmë të një vendbanimi të djegur, kurse gjatë hapjes së themeleve për të ndërtuar shtepinë në thellësi prej 1.5 m janë hasur themele të vjetra me gurë të mëdhenj që dëshmojnë për një vendbanim të lashtë.

i. Gjurmë të zgjyrës në Bollasicë dhe në rrjedhën e burimit të lumit Llap.

Gjurmë të shumta të eksploatimit të xeheve ka edhe në Bollasicë, në lokalitetetet pranë burimit të lumit Llap. Në anën lindore të Bollasicës në kodrinën Quka e rovinave ka gropa të galerive, në anën veriore në qukën e gropave po ashtu ka gropa që dëshmojnë për nxjerrjen e mineraleve por vërehen edhe themelet e një kulle. Në lokalitetin Prollutnik por edhe në fshatin Shtitaricë ka zgjyrë metalesh dhe galeri.

Zgjyrë të metaleve në fshatinë Bollasicë, komuna e Besianës

Zgjyrë vërehet se ka edhe në livadhin e Dedisë dhe te lugu i Kullës së Bollasicës, pastaj në vendin ku bashkohen rrjedhat e ujit nga lugu i Kullës dhe Vrellës së Bollasicës dhe vazhdon teposhtë përgjatë rrjedhës së lumit në Marincë, Bollostenë, Tërnavuicë, Murgullë, Prepellaz, Pollatë e fshatra tjera të kësaj ane. Mbetje të zgjyrës janë dëshmuar edhe në fshatrat  në veri të Bollasicës tej kufirit të sotëm të Kosovës si: në Shtavë, Merrqi, Trebinje e fshatra tjera që vazhdojnë më tutje dhe lidhen me minierën e njohur të Rogoznës mes Mitrovicës dhe Tregut të Ri (Novi Pazarit). Edhe pse xehetaria në trevën e Kosovës nuk është hulumtuar, kjo nuk e mohon mundsinë e eksploatimit të mëhershëm të arit, hekurit e të argjendit në rajonet Albanik-Artanë.[55]

Burime tjera me përmbajtje të arit gjenden në rajonin e Artanës, në sendimentet aluviale të lumit të Marecit, afër Prekocit, përroi i Bostanit etj.[56]

Po thuaj në të gjitha këto lokalitete edhe sot mund të ndeshen mbetje punimesh minerare në formë hendeqesh, pusesh, galerish, pastaj produkte të shkrirjes së xehes, zgjyrë dhe gjurmë të vendbanimeve rreth minierave.



[1] Nikola ?olak, Ive Mazuran, “Janjevo”, Zagreb, 2000, fq. 13

[2] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999, fq. 84

[3] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq. 75

[4] Po aty fq.75

[5] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999, fq.92

[6]  Gazeta, “Danas”, Beograd 01.07.03.

[7] Mil. J. Nikolajevi?, Severna stara Serbija, Beograd,  1892, fq.61

[8] Nicolae Densusianu, Historia life and Work, Part 7-ChclI.10, the Pelasgian Empire (the pelasgian

  language) XlI.10.II. Elements of barbarum Latin language, (libër elektronik).

[9] Edi Shukriu, “Dardania Paraurbane”, Studime arkeologjike të Kosovës e Dukagjinit, Pejë 1997, fq.49

[10] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë, 2004, fq.82.

[11] Edi Shukriu, Dardania Paraurbane, Studime arkeologjike të Kosovës e Dukagjinit, Pejë 1997, fq..106

[12] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë, 2004, fq.49

[13] Po aty fq.82.

[14] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999,

   fq.92

[15] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.82

[16] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.76

[17] Zef Mirdita: “Studime Dardane” Prishtinë 1979, fq. 104

[18] Emil ?ershkov, “Romakët në Kosovë dhe Municipiumi DD Soçanica”, Prishtinë, 1973, fq.

   32-33

[19] Edi Shukriu, “Kosova antike”, Prishtinë, 2004, fq.108

[20] S.Dušani?, “Starinar”,Nr. 56, Beograd, 2006, fq.92.

[21] Emil ?ershkov, “Romakët në Kosovë dhe Municipiumi D.D te Soçanica”, Muzeu i

   Kosovës, 1973,

  Prishtinë, 54

[22] Po aty, 54

[23] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.76

[24] Jahja Drançolli: “Raguzanët në Kosovë”, Prishtinë 1986, fq 205

[25] Minir Dushi, “Dardania Sakra 1”, Prishtinë, 1999, fq.88

[26] Emil ?ershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq. 77

[27] Po aty, fq. 77,78

[28] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999,

   fq.85

[29] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999,

   fq.85

[30] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999,

   fq.78

[31] Po aty, fq. 78

[32] Zef Mirëdita, Studime Dardane, Rilindja, Prishtinë, 1979, fq. 115

[33] Nikola ?olak, Ive Mazuran, “Janjevo”, Zagreb, 2000, fq Po aty fq. 13

[34] Po aty fq. 13

[35] Nikola ?olak, Ive Mazuran, “Janjevo”, Zagreb, 2000, fq Po aty fq.18

[36] Emil ?ershkov, “Revista kulturore Përparimi””, nr.1-2, Prishtinë 1964 fq.76,77

[37] Prof.dr Skender Rizaj “Kosova gjatë shekujve” XV-XVI-XVII fq.114 Prishtinë 1982

[38] Vojisllav Jovanovi?, Sima ?irkjovi?, Emina Ze?evi?, Vujadin Ivanishevi?, Vesna Radio,

   “Novo Brdo”, Beograd, 2004, fq.18

[39] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Sacra 1, Prishtinë, 1999,

  fq.85

[40] Jahja Drançolli  fejton “Kontributi shqiptar në humanizmin e Rilindjes Evropiane”

  Revista javore, “KOHA “, 06. Korrik 1994.

[41] Minir Dushi, A.SH.A.K., “Mineralet e Kosovës”, Vëllimi i II, Prishtinë, 2009, fq. 66

[44] Jahja Drancolli, Raguzanët në Prishtinë gjatë shekujve XIV-XV, Vjetari nr. XVIII_XIX,

   Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1984, fq.10

[45] Minir Dushi, A.SH.A.K., “Mineralet e Kosovës”, vëllimi i II, Prishtinë, 2009, fq.141,142

[46]  Kosova dikurë e Sot, Beograd, 1973, fq.. 674.

[47]  Rasim Rexhepi, Seferi ndër shekuj – monografi, Gjilan 2005, pp. 13-14.

[48] Faik Sahiti, “Dorëshkrim”, “Monografia e Gjilanit”, Gjilan, 2011

[49] Emil ?ershkov, ‘Romakët në Kosovë dhe Monicipiumi D.D. Soçanicë”, Prishtinë, 1973,

    fq. 31

[50]  Tefik Zymberi,“Dielli nuk vritet“, Gjilan 2002, fq. 35. J. Osmani, Vendbanimet... op cit fq.

   176.

[51]  Emilj ?erškov, “Romakët në Kosovë dhe municipiumi D.D. te Soçanica”, Prishtinë

    1978, pp. 51-52.

[52] Hysen Këqiku, “Velia Glaua” , Gjilan, 2001, fq.46-52

[53] Minir Dushi, “Pasuritë minerare të Kosovës, Vëllimi I”, Prishtinë, 2009, fq. 251

[54] Qazim Lleshi, “Revista Kulturore Përparimi”, nr. 11-12, Prishtinë, 1964, fq. 715,716

[55] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë, 2004, fq.49

[56] Minir Dushi, A.SH.A.K., “Mineralet e Kosovës”, Vëllimi II, Prishtinë, 2009, fq.66