E diele, 09.08.2020, 03:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Bota e magjishme e përrallave

E marte, 23.06.2020, 12:49 PM


BOTA E MAGJISHME E PËRRALLAVE

Nga Resmi Osmani

E kush nuk është rritur me përrallat?

Ato janë të lashta dhe të përcjella gojarisht brez pas brezi, që në ato kohë kur nuk ishte drita elektrike, as radio, kinema e televizor. Ishin pjesë e shkollës së jetës, që mbushnin boshllëqet. Përcillnin te brezat dituri, mënçuri, guxim e trimëri, vyrtytet më të mira njerzore që fisnikëronin dhe zbukuronin shpirtërat. Shekujt shkuan, vitet ikën, bota ndryshoi, por përrallat mbetën, po aq të pëlqyera e të dëshiruara si qëmoti.

Janë përjetime dhe pjesë e jetës fëmijërore. Njjë fëmijëri pa dëgjimin dhe shijimin e përrallave, do të ishte si një fëmijëri e pajetuar.

Na ishte mos na ishte. Kështu e niste rrëfimin përralltari, pranë vatrës në netet e dimrit, apo nën qiellin plot yje netëve të verës, dhe dëgjuesit prisnim me gojëhapur, tërë sy e veshë. Kush do të ishte vallë? E Bukura e Dheut, Hirushja, Princi i Kaltër, Shtriga, Mamadhija, dhelpra dinake, Ujku gjaksor dhe qëngji i pafaj? Pastaj përralltari apo përralltarja, që mund të ishte edhe gjyshi dhe gjyshja, apo dikush tjetër që i dinte dhe i tregonte bukur ato, niste rrëfimin. Dhe ne zhyteshim në atë botë të magjishme dhe fantastike, ku çuditë, njerëzit dhe kafshët, gurët e drurët, zogjtë apo qënie të çuditshme e të jashtzakonshme, e të papajtueshme,me njëra tjetrën, silleshin dhe flisnin me gjuhë njerëzore, duke bërë veprime, sjellje e duke kaluar ngjarje të papritura e të pangjara në jetë, të pamundurat që bëheshin të mundura, dredhitë, pabesia dhe hiletë e të ligjve, ndesheshin me zgjuarsinë, dashurinë dhe trimërinë, ku e mira ndeshej me të keqen dhe fitonte edhe atëhere kur dukej e pamundur.

Por përrallat, nuk i kanë pëlqyer dhe pëlqejnë vetëm të vegjlit. Pas tyre janë të dhënë edhe të rriturit, ngaqë gjejnë në ‘to, përveç bukurisë së rrëfimit dhe thurjes, të papriturave dhe fantastikes edhe  vlera morale njerzore, për të qënë më të mirë, më të dashur, më të drejtë e më të dobishëm. Është kjo arsyeja që “Një mijë e një net”, përrallat e Andersenit, “Pinoku””Tregimet e moçme Shqiptare” të Kutelit etj. etj. kanë mbetur në fondin e librave të artë dhe vijojnë të lexohen brez pas brezi.

Çdo shkrimtari i vjen një moshë, ca më tepër kur bëhet gjysh, kur i lind dëshira për të shkruar edhe përralla. Por këtë se bën dot kushdo. Është arti për të qënë gjysh, që jo vetëm t’i duash e të përgjërohesh për vogëlushët, por t’a njohësh dhe të dish të depërtosh në jetën e tyre, në dëshirën për të njohur botën që i rrethon, etjen për të mësuar dhe ditur më shumë.

Shkrimtari Skënder Braka, vendosi t’u bëjë një dhuratë fëmijëve:të shkruajë mjë libër me përralla. Dhe ja doli. Tashmë libri është i përfunduar dhe  lexuesit do ta kenë në bibliotekën e tyre. Janë dhjetë përralla, njëra më e bukur se tjetra, të shkruara thjesht, me gjuhën e kuptueshme për të vegjlit,  që lexohen me ëndje dhe mbajnë  të gjallë kërshërinë për të ndjekur ecurinë e ngjarjeve me të papriturat dhe befasitë e tyre.

Personazhet e përrallave janë marrë kryesisht nga bota e kafshëve , janë të njohura e disa të dashura për fëmijët: qukapiku, dreri, delja, elefanti,arushi, keci etj. që përfshihen në ngjarje në të cilat ata duhet të tregohen të mençur, të shkathët dhe të fitojnë mbi të keqen. Ngjarjet zhvillohen në pyll, mes natyrës, në mal apo në det, dimër e verë. Është për të vënë në dukje, se secila nga prrallat, nëpërmjet rrëfimit, mbart mësime dhe domethënie, të cilat shërbejnë si mësime për jetën, për sjelljen, për mardhëniet në shoqëri, që janë pjesë e edukimit të përditshëm. Aty mësojmë sesi qukapiku që u tregua I pabindur dhe u shkëput nga gjiri I familjes, përfundoi në një bandë keqbërsish, te”Arushi I vogël që kërkonte shok” sesi bashkimi bën fuqinë,nga “Dreri brihollë dhe ujqërit e pabesë” se e drejta fiton mbi ligësinë dhe të keqen, nga”Tregtari dhe lypsi” se gjithmonë ka një zgjidhje dhe rrugdalje nga fatkeqësitë me besim e vullnet e se bujaria  dhe e mira një ditë të shpërblehet, te”Gregu” shpaloset njohja e botës rrethuese dhe nevoja për të mësuar; te “Fshatari dhe delja” se lakmia e tepërt dhe dëshira për fitim të shpejtë të le pa gjë(Tahmaja e madhe të len pa gja) etj. Nuk dëshiroj të rrëfej secilën përralë se dua t’ia le lexuesit, që krahas shijimit të ngjarjeve dhe bukurisë së rrëfimit,  të nxjerrë vetë përfundimet, të cilat do  të jenë një vlerë e shtuar për diturinë e secilit lexues të vogël.

Libri është i ilustruar me vizatime, të cilat e bëjnë edhe më interesant, dhe lexuesi gjen në ‘to të materializuara ato që ai i përfytyron dhe fantazon, nga leximi, me fuqinë e imagjinatës.

Uroj lexim të këndshëm dhe gjej rastin të përgëzoj  shkrimtarin Skënder Braka, për këtë libër të ri, në këtë gjini për fëmijë, që është sa e vështirë por edhe aq fisnike, që i shtohet krijimtarisë së tij, jo të pakët në fushën e letërsisë.

Tiranë, qershor 2020



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora