E enjte, 06.08.2020, 05:08 PM (GMT+1)

Komente

Mero Baze: Vjosa Osmani si “Vetvetja” ose si “Vetvendosja” në LDK

E hene, 22.06.2020, 09:44 AM


Vjosa Osmani si “Vetvetja” ose si “Vetvendosja” në LDK

Nga Mero BAZE

Ka një lexim jorealist të asaj që ka ndodhur me shkarkimin e Vjosa Osmanit nga postet drejtuese në LDK. Dhe leximi jorealist nuk vjen aq shumë nga dashuria për Vjosa Osmanin e idhtarëve të partive të tjera, por nga urrejtja që kanë për LDK ose më mirë të themi, nga rasti që kanë për të hedhur një gur më shumë mbi LDK.

Së pari është rezultati i votave që e shkarkuan. Rezultati 70 me 53 për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga postet drejtuese është rezultati më demokratik që unë kam ndeshur këtu e 30 vjet në çdo parti shqiptare, andej e këtej kufirit.

Në Shqipëri dhe Kosovë kur shkarkohet një drejtues politik që bie ndesh me vijën politike të partisë, rezultati është zakonisht 99 për qind. Kur është shkarkuar Eduard Selami nga Sali Berisha vetëm dy vetë ngritën dorën pro tij, Mustafa Nano dhe Edi Paloka. Pastaj Edi Paloka e mohoi dhe tha se “po kruaja veshin”.

Mos të shkojmë pastaj në Kosovë tek partia e Albin Kurtit, e cila pas një gjyqi enverist ndaj kundërshtarëve në parti dhe ndaj ish kryetarit të partisë, i linçoi ata si armiq historik të Vetvendosjes, Kosovës dhe çështjes shqiptare dhe vazhdon t’i linçojë akoma. Dhe paradoksi është se këta që po vajtojnë për Vjosën janë shumica anëtarë të Vetvendosjes që sapo lavërojnë Vjosën, nuk harrojnë të shajnë ata që linçuan në partinë e tyre se i bën hije “liderit suprem”.

Fakti që LDK arriti të krijojë këtë rezultat, tregon se Vjosa Osmani ka rrënjë në LDK, dhe duhet të forcojë rrënjët e saj dhe jo të shkulet prej andej, siç ëndërrojnë këta që e duartrokasin si viktimë. Ajo nuk ka dalë viktimë nga votimi, por e fituar. Dhe e fituar falë kulturës politike të LDK-së.

Ata thjesht e duan LDK edhe pa Vjosa Osmanin që ta kenë më të lehtë në të ardhmen.

Së dyti është debati i pjekur politik i LDK rreth këtij zhvillimi. Përveç rivalëve të saj që kanë lëshuar herë pas here deklarata politike, dhe asaj shëmtisë për babain e saj si ish polic i Kosovës nën Serbi, nuk shikoj ndonjë përbalje apo gjuhë urrejtje siç ndodh me armiqtë e Vetvendosjes, të cilëve Albin Kurti u përndjek edhe familjarët. Kujto rastin e Gent Cakajt e Besa Shahinit për të cilët erdhi deri në Shqipëri të bënte protestë kundër tyre, vetëm pse njëra e ka pasur burrin kundërshtar politik të tij e tjetri e kishte motrën në Gjykatën Kushtetuese që kishte dosjen e tij.

Kjo është një tjetër maturi e LDK dhe identitet i kulturës demokratike të saj.

Së treti çka është dhe më e rëndësishme nga ana politike, unë nuk shikoj ndonjë dramë pse LDK e shkarkon Vjosën nga kryesia për shkak të qasjes së saj krejt të kundërt me vendimet politike të LDK. Në këtë rast do të ishte normale që Vjosa të jepje dorëheqje nga postet drejtuese të LDK dhe të ishte anëtare e saj në pritje të kohës së saj.

Vjosa bëri betejë kundër LDK. E drejtë apo jo, kjo është çështje strategjie politike, por LDK, nuk ishte dakord me Vjosën dhe bëri mirë që nuk ishte, që Albin Kurti ta poshtëronte atë si parti dhe ajo ta duartrokiste në emër të LDK. Ajo duhet të jepte dorëheqje dhe t’i hapte rrugë vendimeve politike të shumicës së LDK.

Nuk e bëri për aryset e saj, po do të ishte shumë e fuqishme brenda LDK po ta bënte. Tani që i vuri në provë ta shkarkonin, sërish ka treguar se është e rëndësishme për LDK.

Në asnjë parti tjetër nuk kam parë që një drejtuese politike të jetë haptazi kundër qëndrimeve politike të partisë dhe pastaj të kërkojë të qëndrojë në krye të saj.

Beteja reale e Vjoses duhet të ishte kandidimi për kryetare të LDK, dhe jo lejimi i rizgjedhjes së Isa Mustafës pa garë me duartrokitje. Kur e ka pranuar atë standard nuk ka pse të mos pranojë këtë vendim.

Për më tepër që ky vendim edhe ky rezultat, e nderon dhe nuk e turpëron.

Do ta kishte turpëruar sikur të kishte dalë 99 për qind kundër saj, siç dalin “armiqtë” në partinë e Albin Kurtit.

Vjosa Osmanin e ka respektuar më shumë LDK duke e shkarkuar me atë rezultat, se sa përpiqën ta “respektojnë” idhtarët e linçimeve partiake në Kosovë dhe Shqipëri duke e marrë në mbrojtje. Ky votim ka treguar se ajo ka rrënjë në LDK, dhe se LDK ka hapësirë për mendimin ndryshe. Nga aftësia që ajo ka për ta lexuar realisht këtë situatë do të varet dhe e ardhmja e saj politike, nëse ajo do të jetë “Vetvetja” apo “Vetvendosja” në LDK!

Marrë nga  gazetatema.net



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora