E enjte, 06.08.2020, 05:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Haxhi Mehmetaj: Stela e antroponimisë ilire nga Kosova

E diele, 21.06.2020, 06:08 PM


Stela e antroponimisë ilire nga Kosova

Nga mbishkrimi kuptojmë që monumentin të bijës së shtrenjtë  Ulpia Mata  e cila jetoi 15 vjet ia ngriti e ëma Aelia Andia. Te dy emrat e femrave, Mata dhe Andia janë emra të antroponimisë ilire dhe dëshmi që dardanët nuk u asimiluan nën sundimin romak. Stela i takon gjysmës së dytë të shek. II apo fillimit të shek. III pas Krishtit.

Nga Haxhi MEHMETAJ

Në fshatin Peqan i Vogël të komunës së Suharekës në korrik të vitit 2019, gjatë hapjes së themeleve për ndërtimin e një shtëpie, në vendin e quajtur “ Të Kisha” u gjete një monument epigrafik mbivarrorë - stelë e tipit dardan. Stela është e punuar nga guri gëlqerorë dhe lëmuar  vetëm ana e përparme. Ka këto përmasa: lartësia 177cm, gjerësia 64cm dhe trashësia 28.5cm.  Në të dyja anët në pjesën sipërme dhe në mesin e anës së poshtme të saj vërehen gjurmët e vrimave të hapura , në mënyrë që stela të përforcohet për bazë dhe për ndonjë objekt tjetër statik të kompleksit të varrezës.

Stela përbehen prej dy pjesëve, edikulës më mbaresë harkore, përkatësisht fushës relievore dhe fushës mbishkrimore. Në  nishën e fushën relievore dimensionesh 66.5 x.65cm më mjeshtri të rrallë  në reliev të ulet janë skalitur dy portrete - buste të femrave, siç kuptohet nga mbishkrimi, janë paraqitur nëna dhe në barkun e saj e bija.

Gruaja ka të veshur një fustan autokton tradicional më mëngë të gjata, jake me tegel, të prerë në formë gjysmërrethi, pala të ngushta e të drejta vertikale. Më mjeshtri të veçantë sidomos është skalitur portreti i gruas, ku spikasin fytyra e rrumbullaket, sytë e mëdhenjtë në formë bademi, hunda e drejtë, buzët e plota e senzuale, koka e zbuluar më flokë të gjata, të ndare në mes, që bien poshtë në formë të gërshetave. Kjo mënyrë e të krehurit ti kujton frizurat e perandoreshave romake, të cilat ishin në modë gjatë gjysmës së dytë të shek. II pas Krishtit. Qafa e gruas është stolisur më një gjerdan rruazash të rrumbullakëta , çfarë hasen si stoli e femrave edhe në stelat tjera dardane të Kosovës. Thuajse me tipare të ngjashme është trajtuar edhe portreti i fëmijës, fytyra, frizura dhe veshja, sado që për shkak të përmasave të vogla nuk hetohen mirë imtësitë sikurse të portreti i gruas. Fusha  mbishkrimore është profilizuar dhe zbukuruar në katër anë më një kornizë e cila e ndanë edikulën nga fusha mbishkrimore. Në qendër të anës së poshtme të stelës është skalitur ena e verës  e tipit kantar, nga e cila dalin dy kërcej të hardhisë së stilizuar më fleta urthi të cilat ngjiten anash dhe rrethojnë kornizën. Në vend të vegjëve të enës janë paraqitur në profil figurat e dy luanëve , të cilët në pozicionin e vegjëve shfaqen për herë të parë në trevën e Dardanisë Në fushën e profilizuar mbishkrimore në formë drejtkëndore dimensionesh 58 x 34.5cm më shkronja të mëdha e të bukura, të larta  4.6 – 5cm,  është skalitur epitafi prej 8 rreshtash, me gabime gjuhësore:

D M /  VLP MATA/ QVE VIXIT/ANN XV/AEL ANDIA/ FILIE MEAE / PIISIME PO/ SVI.

Lexohet :  Dis Manibus, Ulpia Mata quae vixit annis quindecim, Aeila Andia,filiae meae pissimae posui.

Nga mbishkrimi kuptojmë që monumentin të bijës së  dashur e të shtrenjtë,  Ulpia Mata,  e cila jetoi 15 vjet ia ngriti e ëma Aelia Andia. Te dyja femrat, nëna dhe e bija janë qytetare të lira. Ato sipas skemës tre gjymtyrësh ( praenomen, nomen dhe cognomen),  mbajnë emra t ilir, përkatësisht dardan dhe gentilice romake. Pra emrat Mata dhe Andia janë emra tipik të antroponimisë ilire dhe dëshmi që dardanët nuk u asimiluan nën sundimin romak.  Stela i takon gjysmës së dytë të shek. II apo fillimit të shek. III pas Krishtit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora