Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Konfuzioni

| E diele, 21.06.2020, 10:09 AM |


Konfuzioni

Shkruan: Blerim Latifi

Në vitin 2004 filozofi gjerman Jurgen Habermas kishte botuar një libër me titull “Perëndimi i përçarë”. Në atë libër Habermas ekzaminonte hendekun që sa vinte e zgjerohej midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth çështjeve të politikës globale. Shkëndija e përçarjes së madhe midis tyre ishte ndezur me rastin e pushtimit amerikan të Irakut. Shtetet e europiane, kush hapur e kush në mënyrë të heshtur, kishin shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij pushtimi.

Kështu farët e mosbesimit reciprok kishin hedhur rrënjë. Për fatin tonë të mirë kjo përçarje nuk u reflektua në procesin e negociatave të Vjenës, të cilat çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Shumica e shteteve të Bashkimit Europian ishin dakord me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që Kosova duhej të bëhej shtet i pavarur. Pesë vende të BE-së refuzuan të jenë pjesë e këtij konsensusi dhe sot ende vazhdojnë të përbëjnë njërën nga barrierat kryesore në rrugën e Kosovës për të përmbyllur subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Nën presidencën e Barak Obamës u duk se përçarja habermasiane e Perëndimit do të hynte në binarët e një procesi të menaxhueshëm. Në pjesën dërmuese të saj retorika diplomatike e Obamës më shumë i shkonte për shtat kozmpolitizmit liberal të Bashkimit Europian se sa realizmit politik të shtetit të cilin e drejtonte ai. Me gjithë dallimet që dilnin në sipërfaqe, Obama shprehte hapur besimin e tij tek aleatët europianë. Edhe ata kishin besim tek Obama. E tërë kjo mori fund me ardhjen në pushtet të Donald Trumpit.

Qysh në fillim Trump e bëri të qartë se nuk do të respektonte rregullat e kurtoazisë tradicionale me aleatët. Sulmet e tij verbale mbi aleatët europianë u bënë pjesë konstante e diskursit të tij diplomatik. Ai vuri në pikëpyetje të gjitha marrëveshjet e SHBA-së me këta aleatë, përshirë edhe vetë ekzistencën e NATO-s. Në këtë mënyrë hendeku midis aleatëve të Atlantikut Verior morri përmasa edhe më dramatike. Gjatë gjithë mandatit të Trumpit, SHBA-të dhe BE-ja kanë vazhduar mospajtimet rreth secilës çështje. Së fundi, edhe rreth çështjes së raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Derisa emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, njeriu i besuar i Trumpit, Richard Grenell, po bën përgatitjet e fundit për takimin e  madh të krerëve të këtyre dy shteteve në Shtëpinë e Bardhë, emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka filluar turneun e tij në Prishtinë e Beograd me qëllim të hartimit të një plani të rifillimit të dialogut, i ndërprerë pothuajse dy vite më parë. Shihet qartë se të dy emisarët nuk janë të kordinuar me njëri tjetrin.

Pra, kemi dy gjuhë të ndryshme, dy qasje të ndryshme, dy plane të ndryshme perëndimore që janë vënë në veprim. Shihet qartë se këto dy plane reflektojnë përçarjen habermasiane të Perëndimit. Derisa Brukseli thotë se dialogu Kosovë – Serbi duhet të zhvillohet nën udhëheqjen e Bashkimit Europian, duket se Trump ka vendosur ta marrë nën menaxhim këtë dialog pa e pyetur fare Brukselin.

Derisa Brukseli flet në termat e rifillimit të dialogut, në Uashington po flasin në termat e përmbylljes së tij historike. Derisa Brukseli marrëveshjen Kosovë- Serbi e shikon si një fitore të Bashkimit Europian, me gjasë në Uashington kërkohet një marrëveshje përmes të cilës Trumpi do t’u japë një leksion fuqie si Bashkimit Europian, ashtu edhe Rusisë dhe atë pikërisht në një zonë që duan ta kenë nën influencën e tyre si Bashkimi Europian ashtu edhe Rusia.

E tërë kjo situatë nuk mund të quhet ndryshe përveçse konfuzion, madje konfuzion me përmasa të rrezikshme.

Si duhet të sillet Kosova në kontekstin e këtij konfuzioni? Nga duhet t’ia mbaj ajo? Kujt duhet t’i thotë po, e kujt jo? A jemi në situatë kur duhet vendosur se cilën anë të mbajmë? A mund të jetësohet një marrëveshje Kosovë- Serbi e arritur në Uashington nëse me përmbajtjen e saj nuk pajtohet Bashkimi Europian?

Këto janë pyetje tepër të vështira.

Përgjigjja në to kërkon mençuri të madhe dhe këtë mençuri të madhe nuk mund ta kemi derisa partitë politike nuk lënë prapa derës grindjet e tyre rreth pushtetit, dhe të ulen për t’u pajtuar rreth një formule të bashkëveprimit.

Veprimi i bazuar vetëm në konstatimin e dyshimit mbi efektivitetin e ndërmjetësimit europian dhe besimit të palëkundur që kemi tek përkrahja tradicionale amerikane, nuk është i mjaftueshëm. Duhet më shumë se kaq! Duhet sepse situata e tanishme është më e komplikuar se ajo në Rambuje dhe ajo në Vjenë, për vetë faktin se atëherë Perëndimi ishte unik për Kosovën, ndërsa sot nuk është i tillë. Edhe konsensusi ynë i brendshëm nuk është në nivelin që e kishim atëherë.

“Forumi i liderëve” i propozuar nga kryeministri Hoti duket ide e mirë, por dyshimet janë se kjo ide më shumë është e motivuar nga dëshira e tij për të demonstruar se ai është bajraktari i palës kosovare në dialog, e jo Thaçi, e më pak e motivuar nga nevoja për bashkëveprim në raport me paqartësitë rreth dialogut, të cilat janë pasojë e mosmarrëveshjeve midis Brukselit dhe Uashingtonit. Hoti, Thaçi, dhe gjithë të tjerët, duhet ta kuptojnë se nuk është koha për protagonizëm personal. Është koha vetëm për bashkëveprim politik dhe institucional. E tërë kjo duket moralizim, por në kohë të vështira idealizmi është i domosdoshëm. Askund nuk është e parashkruar se rastësitë fatlume të historisë do të jenë gjithmonë në anën tonë.

Marrë nga www.gazetaexpress.com