Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Erdha, Pashë, Dashurova, nga Mesdheu me dashuri

| E shtune, 20.06.2020, 05:04 PM |


ERDHA, PASHË, DASHUROVA,

nga Mesdheu me dashuri

Erdha, Pashë, Dashurova, është romani i tretë i shkrimtarit dhe përkthyesit letrar Elvi Sidheri, që vjen për lexuesin në këtë fillim të stinës së verës, si një kontribut letrar, për t’i dhënë këtyre ditëve të pazakonta që jetuam përgjatë disa muajve, një tis normaliteti të paqtë, diçka që ngaherë veç letërsia di të na falë, qëkur njeriu pati vendosur një ditë prej ditësh që mendimet e tij më të thella, t’i shpërfaqte nëpërmjet shkrimit.

Ringjallja si dukuri, e prekur dhe shtjelluar vazhdimisht në gojëdhëna, mite, skalitje të lashta në gur, legjenda e përsiatje të shkruara apo të trashëguara brez pas brezi veç gojarisht, përbën pikërisht edhe njërën ndër shtyllat e këtij romani, duke u përvijuar përmes përvojave të personazhit kryesor (femëror) të këtij romani, ndërthurur sakaq me rrezatime të pamungueshme epike të lashta, ku fryma e shenjtë ndërthuret dhe përçohet me trajta sensuale profane, dhe labirintet kohorë, tokësorë, detarë e mendorë, shpien gjithnjë në të njëjtin vend: në botën e dashurisë.

Dashuria është stacioni përfundimtar, në të cilin arrihet përmes plot peripecish pafund, duke shkelur nëpër vise të panjohura, fizikisht, shpirtërisht, njëtrajtshmërisht; duke përshkuar periudha, të gjata herë sa një rrahje zemre, herë të befta porsi një ndryshim epokal, që ngjizet, ndodh e jetësohet, duke përfshirë në valën e tij shndërruese, gjithçka përreth.

E tëra, faqe pas faqeje, ngjarje pas ngjarjeje dhe kapitull pas kapitulli, gjersa flaka e pashuar e dashurisë, vetëmohimit dhe forcës së paepur të vullnetit të shndërrohet në vrull të pandalshëm, që pluskon nëpër ujërat e kaltra të Mesdheut, simbolit të këtij romani, e ujdhesave, gadishujve, shkëmbinjve, majave të thepisura e luginave të brigjeve të tij, aty ku shqiptarët, si edhe protagonistja e këtij romani, gjithmonë janë gjendur në zemrën e këtij pellgu të përjetshëm, të vyer më shumë se krejt oqeanet e rruzullit tokësor.

Erdha, Pashë, Dashurova, është një blatim për jetën, një shpagim për ndjenjat e mohuara, një çlirim për qenësinë shqiptare të mishëruar në suazat e saj burimore, në Mesdheun e lashtësisë, por edhe të sotmes së saj, që shtjellohet përmes jetës, rrëzimeve, ringritjeve, dashurisë, ngulmimit dhe fronëzimit të një gruaje shqiptare, që gjen vetveten në flatrat e pasionit, që arrin shëlbimin falë artit, që mposht makthet e të shkuarës duke çarë kaltërsitë e këtij deti dhe që nëpër shtigjet e rendjeve pas fatit të saj, na ofron soditje të mahnitshme të universit mesdhetar, me tërë larminë shumëngjyrëshe ku kridhen mrekullisht njerëzit, kombet, eposet, mitologjia dhe trashëgimia unike mesdhetare.

Ky libër është një rrugëtim shpirtëror, jetësor, pakëz ezoterik e fort këmbëngulës, ashtu siç vetëm mesdhetarët dinë të bëjnë (shqiptarët gjithashtu, si mesdhetarë të mirëfilltë, ndonëse shpesh qëllon ta harrojmë këtë, rastësisht apo jo).

Mesdheu, fanitjet e tij mitike, lashtësia e ngërthyer në tiparet psikologjike dhe mendësore të njerëzve që gjallojnë të joshur dhe të frymëzuar ditë pas dite nga jodi, valët, afshi dhe përjetësia e këtij deti, që për shqiptarët, siç dëshmon edhe historia e kësaj shqiptareje që shtjellohet në këtë roman, është gjithaq ipatjetërsueshëm në qenësinë tonë kombëtare si popull, qoftë në ditët e sotme apo në të shkruarën tonë të largët.