E premte, 29.03.2024, 01:44 PM (GMT)

Kulturë

Sinan Gashi: Floknajë

E shtune, 20.06.2020, 03:11 PM


FLOKNAJË

Nga Sinan GASHI

Tragjiken e bënte e vërteta se dashuronte njëkohësisht në dy drejtime: në njërën anë një zonjë që kishte përmasat e një bukuria mahnitëse, gjatoshe me vijëzime simetrike, të cilave po t’ia shtosh edhe lëvizjet me takt e timbrin melodik të fjalës, të mahniste. Madje kjo të bënte të tillë edhe për një respekt, duke e ditur një historik të rrugës së mundimshme jetësore të saj, dhe të një atdhetarie të theksuar, që nga gjysh - stërgjyshi; tjera ishte më e re, me një trup më të imtë, por me një karakter tejet të fortë, deri në kokëfortësi, dhe që kishte synime të hetueshme për t’u dukur e madhe, më mirë për të thënë madhështore po si e para, në mënyrë që e njihte  në përmasa më të gjëra rajonale, ashtu si e para. Ç’është më e rëndësishmja, këtë e kishin rrëmbyer që të dyja, se kishin emra thelbësor të njëjtë dhe mjaft karakteristika të ngjasimeve mosdalluese, me përjashtim të timbrit, që kjo e reja e kishte ende të shpërfillur dramatikisht. Thëniet i shprehnin njësoj dhe madje, thua ti se kanë bërë marrëveshje para se të takoheshin, pavarësisht se ato reflektonin ngjashmërinë vetëm nga gjeni trashëgimor. Ai sillej brenda një rrethi të domosdoshmërisë ndjenjore të pakapërcyeshme, jashtë të cilit nuk shihte asgjë dhe nuk mund të vërente as farë vlerash jetësore të jetësimit. Lente takime me të dytën me orë të caktuar dhe, fshehurazi nga syri i botës, se ju ruhej shumë përgojimeve, të cilat në raste të kthesave të mëdha lulëzojnë së tepërmi dhe nuk të vete, mendoja se do të dilte ndonjëherë nga ajo, apo do të pushojë qetësisht trurin e stërngarkuar, i cili atë forcë që ia fali zoti dhuratë të arsyes, do ti duhej për ndriçimin  e rrugës së re të synuar. Me të dytën nuk kishte nevoja të tilla, se ajo dilte sheshit, madje shoqërohej më shumë, sa nuk dihej shpesh kufiri mes asaj që ishte ndjenjore dhe asaj që ishte teatralitet shpëtues nga zallahia që e kaplonte shpesh. Përvoja jetësore dhe përcjelljet e shumta, së fundi edhe me shikime zhbiriluese, e kishin regjur në ato veprime, sa në disa raste të vete mendja se të gjitha ato ndjenja trashëgimore janë shpërlarë, e di vetëm të thotë, madje qetë e me një ngadalësi që krijon valëzim shprehës me melodizitet tërheqës, mbase vetëm për joshësi. Kjo, e reja, dhe më e vogla nga trupi, mërdhezej nga tensionimi emocional dhe dëshira rrëfyese, sa shpesh edhe fjalët e mendimet i ngatërroheshin që në grykë, duke mbetur të përgjysmuara, që krijonin hije mbi vërtetësitë e madha, që i kishte ndrydhur me vite brenda gjoksit të freskët. Ndoshta këtë përshtypje ta jepte edhe sinqeriteti deri në naivitet, i cili nuk i mbulohej edhe sikur të donte. Dua kështu, edhe sikur nuk jam më, aq më bën, që shprehur një herë kur i dha vërejtje për këto veprime, që nuk e kishin kohën të bëheshin publike në një kohë të pakohë, kur përcjellja është shumë e madhe dhe spiunimi e ka pagesën e majme.

Në paratakimet ai ndjente një kënaqësi, madje ajo i zgjaste edhe gjatë prezencës me to qoftë vetëm me përkufizime të fantazisë së tepruar apo edhe ajo që krijohej si atmosferë pas ndarjes. Gjithçka ishte ne një natyrë të njëjtë, me synime po të njëjta, vetëm se kjo nuk ishte gjithmonë kështu. Madje veç që ishin përhapur fjalë se Zonja e Madhe kishte flirtuar dhe atë po e bënte vazhdimisht, kur njëherë ky e kishte parë edhe vetë. Me të parin, thoshte se është jugosllav, miqësinë si duket e kishte vetëm të interesit, por mjeshtria e atij tjetrit ishte shndërruar edhe në diçka më shumë se kaq. Bënin vizita, madje në pikë të dritës, këshilloheshin për gjithçka, e u pat krijuar imazhi se janë dashnorë të përjetshëm, ngase ishin edhe fqinjë. Ai pispillani i huaj që kishte gjenetikisht një butësi të jashtme, shumë vështirë hetohej qëllimi shkatërrues, se ia zinte sytë një bukuri përrallore, që fjala nuk ishte e zonja të shprehje përkufizimin estetik të gjithçkahes së saj. Ai shfrynte. E shihte, por assesi nuk mund t’i ndahej. Krejt çka mund të bënte, ishte shtimi i urrejtjes ndaj atij qen bir qeni, që hapte kthetrat padiktueshëm për asgjësim. Kjo i krijonte një gjendje tejet të rëndë shpirtërore, sa kishte net që e zbardhte qyqe vetëm, me taketuken përplot bishta cigareje e me vargun e filxhanëve të kafesë, për të zhdukur pagjumësinë. Mendonte andej e këndej, maste e çmaste, se s’mund ta shkoqte nga ai apo t’ia shpjegonte bindshëm asaj se kjo dashuri ishte deshtake, pavarësisht jashtësinë romantike e delikatesën respektuese. Njëherë madje ju pat mbushur mendja që të hakmerrej keq, le të dalë ku të dalë. Kjo ide fikse e mendimit i pati ardhur një të hëne, pak para agut, kur qepallat nisen  t’ia lëbyrin shikimin e lodhja t’ia errësonte arsyen. Por, pas një gjumi lapurak dy orësh, kishte ndërruar mendje. Kjo ishte rrjedhojë e matjeçmatjes së gjithë atyre mendimeve: po sikur ai ..., po sikur unë ..., po pas gjithë asaj ... , po rezultati i fundit ..., dhe pasi piu dy aspirina u rrotullua në krahun tjetër dhe, mbuloi kokën me fillin e jorganit të bardhë. Ditët kalonin, e fatmirësisht u panë fijet e prishjes. Ajo madje ndodhi me një arrogancë shpërfillëse, sa u habitën të gjithë. Nisi me të madhe përfolja. Jo e ka lënë ai, jo e ka lënë ajo, jo u ka munguar takti, jo gjithçka ishte e interesit dhe ajo mbaroi, jo i doli kllapia asaj dhe e pa se nuk ishte ashtu siç shitej në fillim, madje e përsëriste shpesh,  se i humbi tërë sinqeriteti, e çka jo. Por, nuk vonoi shumë e nisi flirtin tjetër. Tashti me një tip të ftohtë si gjarpri, edhe më dredhaxhi. Kjo për çudi ishte edhe më pompoze, thoshin, e tëra për inat të të parit. Shëtisnin pandërprerë bulevardeve, duke shikuar rrethit se a po i lakmon kush, duke harruar krejt atë që i gdhinte netët po si përpara, me një përkushtim tejnjerëzor. Filluan të trashën miqësitë; asaj i dhuronin veshje të bukura, të cilat i ndërronte përditë, për tu dukur e bukura e dheut, ngase i shkonin  shtatit të hedhur e ecjes së lindur teatrale. Këto bukuri të jashtme linin përshtypje mjaft të mëdha, sa krijuan një tis bindjeje e kjo ishte madhështia. Ai nuk mund të duronte më në vete. Shpërtheu keqas, sa iu përsëritën pasojat e herës së parë. Së pari, kur foli shkoqur, por më zë të ulët sa nuk e dëgjuan shumë njerëz, e dënuan me të holla për gabimin e bërë, e vërejtje se më nuk falet, i thanë. Kot mundohej t’i bindte ai se ajo ishte e tij, e shpirtit të tij, ngase natyra ia dhuroi, e tjerët i përdhosin për inat që të mos i shihnin të lumtur. Kësaj radhe, si gjysmë i mpitë, se kishte nisur të mos duronte më vrazhdësinë e shpirtit, i dhanë edhe burg të qelive të ftohta. Xhelozinë e shprehe më but, ose mbaje në vete, i tha prokurori. Nuk lejohet në shoqërinë tonë humanitare socialiste të prishet miqësia e njerëzve, që bashkohen vullnetarisht. Atje ishte jetë ferri, se cilës ia shtuan edhe shpifjet e tjera, kinse ka tentuar t’i ndajë ata me dhunë, kinse i ka përgjuar dhe u ka zënë pritë me një mauzer të stërgjyshit, në shteg të lamës, kishte ajo as që qarë kokën për të dhe, rrallë ia lëshon ndonjë shikim, dhe atë tepër të ftohte, duke u frikësuar mos po ia kthen shpinën dashnori i madh me trup, që i bënte hije duke e siguruar nga sulmet e të tjerëve ... Kur u lirua kishte tridhjetë kilogram peshë, me do sy futur zgavrave si pangjyrë dhe me një fytyrë të rrudhosur, që,  kështu ndoshta do t’i vinte ndot asaj ta ofronte pranë. Me këtë të dytën, naiven e sinqertë e të re, fliste vesh e më vesh, me qu - qu e me qa - qa, në qoshet e errëta apo pas hijeve të ferrave, sa për të mos u dukur nga syri i keq. Nuk flirtonte kjo, por vështirë e kish të ruante fshehtësinë për kohë të gjatë, sepse shenjat veç kishin qitur kokë. Madje një mbrëmje, aty para se të errohej trualli, ia kishte shprehur sinqeritetin, se e kishte edhe një dashuri më të hershme. Ajo mund të mos e dojë sinqerisht, por sikur është krejt si ti, me të gjitha tiparet kryesore, pos pamja u dallon pak, ishte rrëfyer duke e ndjerë veten të lehtësuar për sekretin e nxjerrë. Për çudi vajzusha nuk shprehi habi. Njëherë ndaloi shikimin mbi ballin e madh të tij për ta vërtetuar bindjen, pastaj aprovoi më kokë. Ti nuk heq dorë nga ajo, megjithë këto peripeci, i tha. A e di more i dashur se ajo sërish është prishur me atë ftofcakun e stepës, armikun e poshtër, dhe ka nisur, thonë, me një imcak buzëtrashë përtej deteve. Nga belaja po shkon në bela. Prishet me njërin dhe për mbrojtje e gjen tjetrin. S’di ku do t’i jetë fundi. Nuk e besoj, tha ai qetas. Përvoja e dreqit ndoshta nuk e lë të trulloset më. Çka nuk bëhet, por me këtë ndoshta e ka formalitet, apo janë fjalë rrugësh. Ani, ani, i tha njomëzakja e pasherr. Unë nuk të ndahem asnjëherë, por ngase të dua me gjithë mend e me tërë qenien, më dhimbsesh. Madje çfarë kam menduar një ditë: të shkoj drejt e te ajo dhe të bëhemi shoqe, për ta ditur se si është në të vërtetë, që aq shumë të ka përvetësuar dhe aq shumë po të shkatërron. Heshti për pak dhe pasi shpupurisi flokët e gjata, ajo mbuloi me to kokën, sikur ia siguroi edhe mendimet nga prekja e territ të natës verore. Pak çaste më pas ajo u shtri sa gjere e gjatë, me kryet që e kishte vënë në shpatullën gjysmë të zbuluar nga kindi i fustanit bezhë, dhe u shpreh fund e krye. Dëgjo, i tha. Do ta them botërisht se edhe ty të dua, e sa për atë Zonjën e dinë të gjithë, për çka janë dëshmitë zyrtare. Le të dal ku të dal. Më nuk e mbaj fshehtësinë. Pavarësisht çrregullimet qç mund të ndodhin, nuk duroj më. Këto takime gjithnjë të fshehta më krijojnë një frikë dhe dyshim. Po sikur edhe për këtë të kërcënojnë, maltretojnë, vrasin ndoshta. Çka nuk mund të ndodhë këtu, në këtë mes. E shëmtuara është mbjellë herët e në vazhdimësi këtu, shprehi dyshim ajo me buzën qershi, që nga emocioni i dridhej frikshëm, por me një bukuri mahnitëse. Po vazhdojmë edhe kështu. Edhe pak, se  s’mund të mendoj të jem pa ty. E, unë çfarë bëj, mrroli vetullat ai. Gjithçka timen e kam lidhur me ty, me atë, me ju, dreqi le ta hajë! Sa duhet bërë e sa duhet folur për tu bindur njëherë e mirë! Një zallahi e shtrishme u dëgjua një moment, pastaj një pauzë vëzhguese e pastaj sërish zhurmëri zjarrëse. Pastaj krisma, kondak, grushte, skurrila gjaku, alivanosje. Një si rizgjim, dhe serish mbretëria e territ. O zot, pse, sa, kur, si ... Nuk më lejohet të dua sërish. Nuk guxohet të marrësh frymë lirisht prapa, a?! S’duhet dashur zonjën e përvojës së hershme, nuk lejohet afria me vajzushën e ndjenjave freskuese. Çka duhet bërë. Për ku synojmë të vemi? E tashti kështu, që ndoshta përthekohet fundi, s’mund të mos e pranoj këtu mes këtyre çubajave që u ngjyrosën me gjakun e vakët; i dua e i kam dashur gjithmonë këto të dyja, dëgjo fuuushëëë... maaalll ... heeeejjj...!!!

Zëri që i përfundoi në shtërrje e bëri njësh me të dashurën e përjetshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora