E marte, 14.07.2020, 12:14 PM (GMT+1)

Kulturë » Libra

Ndue Dedaj: Ndue Gega - Gjeografia e Mirditës

E shtune, 20.06.2020, 07:46 AM


Nga Ndue Dedaj

“Gjeografia e Mirditës” është një sprovë studimore e autorit Ndue Gega, mësues i pasionuar i gjeografisë, prej dyzet e pesë vitesh, në gjimanzin e Rrëshenit, shkollën e mesme Industriale të Rubikut etj. Fillesat e tij për dukuri gjeografike të trevës së Mirditës i hasim në publikimin, në almanakun “Mirdita” 3, 1975, e një studimi mbi popullsinë e Mirditës, pjesë nga punimi i tij i diplomës, i nxitur dhe nga studiuesi i njohur mirditas në Tiranë, Dr. Pal Doçi.

Ndue Gega, në vitet e shkuara ka shkruar rrallë, por të mbetet në kujtesë një artikull i tij në gazetën “Mirdita” mbi Teknikumin e Rubikut, në vitin 1989, më rastin e 20-vjetorit të krijimit, më pas një shkrim mbi “Maturën e parë” të gjimnazit të Rrëshenit, që do të pasoheshin nga disa libra monografikë kushtuar qytetit të Rrëshenit, Mirditës administrative, arsimit të mesëm në Mirditë etj. Një kontribut të dukshëm do të jepte ky autor dhe sa i përket librit “Rrugëtimi i Diturisë”, botuar me nismën e Zyrës Arsimore Mirditë, në vitin 2017. Interesant në prurjen dhe shpalimin e tij është dhe libri “Gjeografi për të gjithë”, që ky gjeograf ka botuar para ca vitesh, fryt i skedimeve të bëra kohës pas kohe.

Por puna studimore më e plotë e tij, deri në këtë botim të ri, mbetet monografia “Mirdita Gjeografike”, botuar në vitin 2006, që u mirëprit nga nxënësit, studentët dhe mësuesit e Mirditës. Ajo u shfrytëzua si literaturë ndihmëse për lëndën e gjeografisë, atë të vendlindjes, punën me projekte të gjimnazistëve dhe punimet e diplomës së studentëve etj.

Ishin shkruar libra të natyrave të ndryshme për Mirditën, pas 90-s, në këto vite të tranzicionit, por nuk kishte pasur një manual të mirëfilltë gjeografie, çka e kishte shtyrë Ndue Gegën t’ia hynte punës për një të tillë. Mirëpo, me kalimin e viteve, ai kishte parë se monografia e tij e parë kushtuar gjeografisë së Mirditës kishte nevojë të thellohej e pasurohej, ndaj e rikonceptoi e strukturoi atë, duke mbërritur te ky botim i dytë, që është dhe nuk është i pari. Një ndihmesë për autorin kanë qenë vrojtimet e vëzhgimet e tij të drejtpërdrejta në terren, guidat e ndryshme të botuara vitet e fundit, si ajo për Munellën, si dhe koleksioni i pasur i atlasëve të ndryshëm gjeografikë, që autori i ka siguruar kryesisht gjatë vizitave jashtë vendit, në Amerikë dhe Europë.

Kështu, lexuesi merr sot në dorë një punim gjoegrafik dinjitoz, që e kundron Mirditën në të gjitha rrafshet, që nga pozita gjeografike e relievi, mineralet dhe burimet ujore, bimësia dhe fauna, toka dhe ekonomia, popullsia dhe demografia, zhvillimet rurale e urbane në të kaluarën dhe kohën e sotme. Në libër gjejnë pasqyrim dhe monumentet e kulturës dhe ato natyrore, në funksion të trashëgimisë dhe turizmit, nga piktogramet e njohura të Rubikut gjer te petroglifet e Xhuxhës (Fan), zbuluar vetëm pak kohë më parë.

Në këtë qasje, “Gjeografia e Mirditës” është dhe një guidë për turistët për njohjen e kësaj krahine etnologjike, që shtrihet brenda dhe jashtë bashkisë së Mirditës. Tashmë ky botim iu shtohet atyre për historinë, etnologjinë, traditën kishtare, kuvendet, kanunin, bimësinë, gjeologjinë në trevën e Mirditës, duke e përmbushur me tej korpusin studimor të saj.

Ndue Gega, jo vetëm ka shkruar për Mirditën dhe sidomos për vendin e tij të lindjes, që nga fshat me emrin Fusha e Lumthit u bë qytet - qendër administrative e rrethit të Mirditës, por dhe kontribuoi dukshëm për mirëqenien, gjelbërimin, mjedisin, estetikën dhe qytetarinë e Rrëshenit, gjatë katër viteve që ishte në drejtimin e bashkisë së tij.

Autori i këtij libri gjeografik, student i shkëlqyer në auditoret universitare të Shkodrës dhe Tiranës, në gjysmën e parë të viteve ’70 dhe më pas mësues i përkushtuar dhe drejtues shkollash në Mirditë, por dhe funksionar i pushtetit vendor e qendror, përkatësisht në Berat e Tiranë, është i biri i edukatorit unik të pas Luftës së Dytë Botërore në Mirditë, të ndritshmit Gegë Bardhoku, të cilin shkollarët mirditorë të ardhur në Konviktin e Rrëshenit nga “gjeografia” e largët e Velës, Munellës e Selitës e kishin quajtur “Babë Gega”, si rrallë ndonjë edukator tjetër në këtë vend.

Një traditë familjare shekullore në lëmin e arsimit, nga ati te biri, që pasurohet nga koha në kohë, nga ora e gjeografisë në oborrin e shkollës - duke treguar me dorë malet përreth dhe katër anët e horizontit - te librat e gjeografisë, që rrokin Shqipërinë dhe gjithë botën.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora