Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jusuf Buxhovi: Me Covidit-19 duhet të jetohet dhe jo të bëhet politikë!

| E premte, 19.06.2020, 05:37 PM |


ME COVID-19 DUHET TË JETOHET DHE JO TË BËHET POLITIKË!

Nga Jusuf Buxhovi

Shfaqja e Covidit-19 dhe ballafaqimi me të prej katër-pesë muajsh botën e solli para një sfide të re shëndetësore, po edhe shoqërore dhe politike, të përmasave globale. E shpallur nga Organizata e Shëndetësisë Botërore (OSHB) si pandemi botërore, ka imponuar sjelljen në përputhje me disa nga masat (mbylljet, karantenimet e deri te gjendjet e jashshtëzakonshme), me të cilat, në mungesë të njoftimeve elementare për natyrën e virusit si dhe zhvillimet e tij, synohej blerja e kohës, në mënyrë që të pengohej kolapsi i sistemeve shëndetësore, por njëherësh edhe të shtoheshin kapacitetet për t’u bërë ballë pasojave të saj të paparashikuara.

Natyrisht se këtë ndërkohë, institutet shkencore-hulumtuese me renome botërore e kanë shfrytëzuar për ta para sa më afër Covidin-19 në aspektin pandemik dhe atë klinik, prej nga tashmë kemi disa njoftime të rëndësishme, ndër të cilat gjithsesi janë ato rreth fuqisë përhapëse te kategoritë e caktuara (mosha, gjinia e të tjera) si dhe të shkallës së fatalitetit, që për fat të mirë, është më e vogël se e një gripi sezonal.

Këto njoftime në shkallë botërore, ndonëse nuk e kanë hequr faktorin kryesor, atë të përballimit me anën e vaksinës, (që pritet të gjendet brenda një apo dy vitesh), si dhe të ilaçit të përshtatshëm për shërimin e të prekurve - për ç’gjë po punohet me të madhe nga të gjitha anët dhe, megjithëqë shoqërinë e kanë liruar nga ankthi fillestar i një kataklizmi, bëjnë me dije se sfida e virusit edhe më tutje vazhdon , dhe se bota do të jetojë me të edhe për një kohë të mirë dhe madje t’u nënshtrohet disa ndryshimeve të mëdha shoqërore, politik dhe socio-kulturore.

Në të vërtetë, këtu dhe te kjo çështje, gjendet formula e sjelljes sonë shoqërore, politike dhe njerëzore, si një realitet me të cilin duhet të jetohet për aq sa do të gjendet vaksina, ndoshta edhe më gjatë, që do të thotë se ngarkon me përgjegjësi secilin prej nesh t’u përmbahet udhëzimeve të OBSH-së për distancë sociale, maska, higjienë e të tjera, ndërsa politikën e ngarkon me sjellje të përgjegjshme të marrjes së masave mbrojtëse që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit publik dhe atij personal, e mbi të gjitha të menaxhimit të infrastrukturës institucionale shëndetësore (spitaleve dhe shërbimeve të tjera të domosdoshme për ndihmë mjekësore) dhe jo të politizimit të çështjes për nevojat e politikës ditore, siç ndodhi kohëve të fundit dhe siç mund të ndodhë edhe në të ardhmen.

Në këtë aspekt, qeveria aktuale dhe të gjithë segmentet shoqërore duhet që valën e tanishme të pandemisë, e pritshme në rrethanat e heqjes së kufizimeve dhe ndalesave gjatë kohës së mbylljes, të mos e kthejnë në një fushatë për përfitime politike, ku kthimi i kufizimeve dhe masat e deridjeshme të mbylljes konsiderohen "të domosdoshme" në luftë kundër përhapjes së Covidit-19 paçka se e gjithë bota po i nënshtrohet logjikës së hapjes dhe asaj të kthimit të jetës në binarët normal. Andaj, qeveritarët tanë, duhet t'i nënshtrhen kësaj ecurie, pra të përqendrohen te menaxhimi i ripërtëritjes ekonomike në përputhje me rrethanat e reja, ku refreni i deritanishme “shëndeti mbi të gjitha” (shpesh herë i keqpërdorur) duhet të bëhet pjesë e pragmatizmit jetësor. Ngaqë shëndeti varet nga mënyra e jetës dhe faktorët e gjithëmbarshëm, që atë e mbajnë në raport me të dhe determinojnë dhe jo të shihet i shkëputur prej tyre.

Pra, në këto rrethana, që do të sfidohemi të gjithë, përderisa nuk do të gjendet vaksina, nuk duhet të ketë vend për panik e kërcënime politike dhe as për propagandë iluzore për parandalim mekanik të përhapjes ose të frenimit të Covidit-19, pra të atyre çështjeve që i takojnë natyrës virale të organizmit dhe të imunitetit të përgjithshëm. Përkundrazi, politika e përgjegjshme duhet ta pranojë realitetin e të jetuarit me Covidin-19, siç jetohet edhe me kancerin, leukiminë dhe sëmundjet tjera me fatalitet shumë herë më të lartë nga Covidi-19, duke krijuar mundësi institucionale (spitale shtesë dhe shërbime mjekësore) për t’u dalë në ndihmë të sëmurëve pa u ndalë aktivitetet ekonomike, kulturore, sportive dhe të tjera, që i duhen normalitetit jetësor dhe relaksimit mental dhe social. Natyrisht se kjo sjellje nënkupton edhe vetëdisciplinimin e secilit, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së dhe të institucioneve shëndetësore, si pjesë e një përgjegjësie që i duhet ndergjegjësimit të përgjithshëm.