Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Sami Frashëri, marksisti i parë shqiptar

| E enjte, 18.06.2020, 06:02 PM |


Sami Frashëri, marksisti i parë shqiptar

Nga Blerim Latifi

Me 18 qershor të vitit 1904, në Stamboll, vdiq Sami Frashëri, njëri nga ideologët më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kemi lexuar shumë mbi kontributin e tij në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, e më pak për kontributin e tij, poashtu të madh, në zhvillimin e mendimit iluminist në shoqërinë e atëhershme osmane, e cila për shkak të refuzimit për një kohë të gjatë të modernizimit, kishte mbetur shumë prapa shteteve moderne europiane.

Një fakt tjetër interesant, që fare pak njihet, është fakti se Sami Frashëri është shqiptari i parë që ka shkruar mbi socializmin, madje në një mënyrë të tillë që na jep të kuptojmë se ai i kishte përvetësuar idetë socialiste, madje variantin marksist të tyre.

Në qershorin e vitit 1878, pikërisht në ato ditë që vëllau i tij i madh, Abdyli, po merrej me organizimin e Lidhjes së Prizrenit, Sami Frashëri do të botoj në Stamboll artikullin me titull “Socializmi dhe sistemi i pronës së përbashkët”. Fryma dhe përmbajtja e artikullit të krijon përshtypjen se Samiu duhet të ketë lexuar Marksin, së paku “Manifestin e Partisë Komuniste”. Kjo shihet që në definicionin të cilin Samiu e jep për socializmin : “Socializmi është një lëvizje e madhe shpirtërore e qytetërimit, e cila do ta tronditë Europën dhe ndoshta një ditë edhe të gjithë rruzullin tokësor dhe do t’ia ndryshoj fytyrën shoqërisë njerëzore. Është një rrugë e madhe që e çon njerëzimin në stacionin e begatisë dhe të lumturisë”.

Ky është toni profetik i “Manifestit Komunist” të Marksit dhe Engelsit. Madje, edhe terminologjia që përdorë Samiu në artikullin e tij duket të jetë marrë nga fjalori marksist. Kështu ai e dallon ideologjinë socialiste nga ideologjitë e tjera duke e quajtur atë “ideologji shkencore”. Njëjtë siç e quan vetë Engelsi “socializëm shkencor”. Influenca marksiste te Sami Frashëri hetohet edhe në konceptimin prej tij të shoqërisë si një rend i ndarë në dy klasa, në sundues dhe të sunduar. Ky konceptimin, siç dihet, qëndron në thelb të Manifestit Komunist. Edhe paralajmërimi i Marksit se nuk është e largët dita kur proletariati do të ngrihet në revolucion kundër borgjezisë, me të njëjtin ton shfaqet edhe në tekstin e Samiut : “I shtypuri një ditë do të shpërthej dhe ky shpërthim i tij do të jetë vdekjeprurës për shtypësin”. Artikulli i Samiut i tronditi zyrtarët osmanë, të cilët i kërkuan atij që të botonte një artikull tjetër për të hedhur poshtë idetë e artikullit të parë. Nëse nuk do ta bënte këtë, e priste burgu menjëherë. Në mes burgut dhe përgënjeshtrimit të vetes, Samiu zgjodhi këtë të dytin. Ai hoqi dorë publikisht nga idetë socialiste, në mënyrë që të ruante lirinë personale, të cilën, në vitet në vazhdim, do ta përdorte për lirinë e popullit të tij. Në atë kohë shqiptarët kishin nevojë për nacionalizëm, e jo për socializëm.