E premte, 29.03.2024, 11:05 AM (GMT)

Kulturë

Sinan Gashi: Kërkesa për Short Story

E enjte, 18.06.2020, 05:26 PM


KËRKESA PËR SHORT STORY

Nga Sinan GASHI

Kërkesa e sotme është që tregimi si dhe llojet e tjera të letërsisë të largohen nga tradicionalizmi, pra të synohet kah modernia. E di ti se çfarë freskie sjell proza moderne? –I pëshpëriste duke ecur, një zonjë e madhe, siç e thërriste ai, se i ngjante me një pamje të Mona Lizës së Mikelangjelos. Vërtetë zoti i kishte dhuruar një hijeshi të rrallë e që ia kishte bashkangjitur edhe mendjemprehtësinë që dëshmonte në çdo çast dhe  me gjithkënd. Ajo madje edhe lexonte më shumë se një student letërsie, ani pse profesioni i saj kishte të bënte me inxhinierinë.

Kontaktonte më shpesh me Stresin e letërsisë, ku flitej gjithmonë për letërsinë, romanet, prozën si formë përgjithësisht e madhe e shkrimit, që mundësonte, përmes formave shprehëse letrare, të thuhet diçka më intime që ua kushtëzonte ndjenja e simpatisë, e cila ishte bërë për bisedë koluarësh primitive. Kërkesa për të shkruar tashti tregim modern, short story, të shkurtër e me subjekt po ashtu të hollë, e kishin diskutuar edhe me mjaft shokë të tjerë e dashamirë të artit letrar. Atij, në çaste e tilla, i rrapëllonin disa mendime nëpër mend, sa ia krijonin një ngulçim emocional deri në hetim frymëmarrjeje me ngarkesë e pushime. Si mund të thuhet me aq pak vrasja pa gjyq në Tauk Bahce të |Prishtinës e malësorit musteqosh, Isuf Fana nga Arllati, pushkatuar më 1945, ne vendin e quajtur ‘Strelishte’. Ai gjak i atyre që ishin bashkë me të, që përbënin një numër jo të vogël, e kishin rimë me gjak të kuq shpirti atë tokë të zezë. Më pastaj, kur aty dashen të ndërtojnë trafon kryesore të elektrikut për tërë qytetin, me kamionë u bartën dhe eshtra njerëzish diku në periferi të qytetit…Ja si nisi tradhtia e asaj jete, proklamuar si më e drejta në faqen e dheut, e cila zgjati më së gjysmë shekulli. Ja si e dëshmuan kombëtaren e njerëzoren kuqaloshet e dekadave të më vona…

Bënte pak pushim sa për t’u ngi frymë. Çapitej dy-tri herë, lëpinte buzët e thara dhe sërish mendjen e shpinte rragëzimave të fatit njerëzor. Si mund ta zërë ajo hapësirë moderne e rrëfimit vrasjen mizore të mësuesit e poetit Fazli Greiçevci, i cili, pasi përshëndetet me motrat e shumta, i thotë së madhes, martuar te Helshanët e Korroticës së Poshtme, se më nuk do t’më shohësh të gjallë, se UDB-a ka metoda të rënda për të nxjerrë fjalë për shokët, e unë tradhtinë nuk mund ta durojë. Duo të vdes sa më shpejt, që mos të jetojë me turpin e përditshëm lakmitar! Motrat ia dinin kokëfortësinë që e kishte manifestuar që fëmijë, për çka cilësohej i veçantë dhe krijonte një simpati ndër mocanikët. Ai mbeti flamur i sakrificës së pastër dhe simbol i formës së prerë ...

Luante kokën djathtas e majtas, sikur shkundte mendimet e pavlershme për t’i lëshuar rrugë disave që i kishte skajuar, besa edhe mëshef në skutat e trurit. I bëhej se kujtesa e ruante mirë faktet sa mos të zhdukën asnjëherë...

E, ai nxënësi që i erdhi i përgjakur pas shtrëngimit me forcë të dëftesës së gjimnazit me vilën e republikës së Kosovës, që milicët e kishin zhdëpur me dru. Si mos të kenë hapësirë më të madhe  profesorët e  maltretuar me radhë, madje publikisht mes nxënësve të tyre, me qëllim të uljes së autoritetit profesional... Profesorë, thoshte një syrrush, kah të shkoj, kur shtëpinë dhe fshatin e kam të rrethuar, e besa edhe të holla për rrugë nuk kam...?

Të gjithë shkrimtarët e sotëm po e lakmojnë këtë formë të re, të freskët që i përgjigjet dinamikës së jetës së njeriut bashkëkohor, - më shumë i doli fjala asaj si pëshpërimë sesa mendim i guximshëm. Me fjalët mikluese ia shtrëngoi krahun me reflektim të ndjenjës së adhurimit dhe dashurisë. Po ashtu, me bisht të syrit, mundohej t’ia vërej fytyrën e lëmuar, që ia përshkonin dy fitila të flokut të zi sterrë. E njihte tepër mirë shpirtin e saj, se sa trupin, andaj mu për këtë i krijohej simpatia me një vello dhembjeje.

Ai ecte dhe, së bashku me ritmin e ecjes, lëshonte edhe fjalët e vargëzuara. As erëkëndja femërore që frymonte fare afër, as fjalët e thëna me një timbër të shqueshëm emocional, nuk ia largonin rastet  e përjetimeve të kohëpaskohshme.

A e njeh ti Ramadanin, jo më thuaj se nuk e njeh. Ramadani e Emin Turrecit, që dha jetën heroikisht në Grykën e Llapushnikut, e fare nuk pa  e përmendin. Po i ati ishte roman më vete, hej. Punëtor krahu, deri sa ishte gjallë. Madje punoi edhe në mullirin e Liman Likës në Banjë... I briri, kryekëput i jati: i dashur, i padjallëzuar dhe i sakrificës... Jo, jo, pak janë fare pak tri - katër fjali a periudha për ta thënë tërë atë që është brenda meje, brenda nesh!

Hapërimi i shoqëruar me fjalë i kishte sjell në tavernën e një lokali karshi rrugës kryesore të qytezës. Stresi ndezi cigan me t’u ulur, kurse Zonja e Madhe porositi pijet për të dy. Atij ia njihte shijet.

Edhe ne një ditë do të vijmë të short storit, por më vonë. Hajde më thuaj çka ke me marrë ne krahas të tjerëve? Asgjë. Gjithçka kemi përjetuar me vonesë, atëherë kur gjithkund ka mbaruar ajo si vlerë nismëtare. E thithi tymnajën  e çibukut, duke kërkuar më shikim aprovimin e personit që e i bënte shoqëri që paradite, kur një hije gazi të përçudshëm në fytyrën e asaj pikturë, sikur ia kuptoi hilenë. Ajo kërkonte tema të tjera. Asosh që i shkonin më shumë ndjenjës së saj, jetës së vet ...

Mirë, - i tha, - si do e kishte thënë sakrificën e asaj vajzës së re, që për dashurinë kishte bërë sakrifica, deri në mohim të të vetëve. Mbase është temë e shtjerr, por mos harro se njeriu është njeri, në çfarëdo kohe e sistemi jeton. Madje kërkesat intime e njerëzore përcillen vazhdimisht... – sërish thithi tym të helmtë dhe vendosi që mos të thoshtë më asgjë. Ja mori mendja se e kishte lodhur Zonjës e Madhe pa ndonjë shkas, apo vetëm nga “sëmundja e tij profesionale”, siç i thoshin disa.

Miklime me dorën e freskët të saj Stresin e larguan nga bota e fjalëve. Vetëm pas disa çastesh, të dy si një, hapëruan kah makina ngjyrë blu, që së bashku me uturimën e motorit, la pas edhe një shenjë në ajër të mbrëmjes së çiltër.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora