E premte, 19.04.2024, 01:37 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Në kujtim të patriotit Emin Fazlija

E merkure, 17.06.2020, 03:56 PM


NË KUJTIM TË PATRIOTIT EMIN FAZLIJA - I QUAJTUR NDRYSHE EMIL KASTRIOTI –

Me rastin e 5-vjetorit të vdekjes

Nga Frank Shkreli

16 Qershori shënoi 5-vjetorin e vdekjes së Emin Fazlisë, ose siç njihej dikur me pseudonimin, Emil Kastrioti.  Unë nuk e kam njohur personalisht Emin Fazlinë, por kam komunikuar duke çkëmbyer disa letra me të në fillim të 1970-ave.  Për më shumë të dhëna se kush ishte Emin Fazlija dhe cila ishte veprimtaria e tij, mund të shikoni filmin dokumentar (2018) të cilit po e sjellim më poshtë, për ta që mund të jenë të mësojmë më shumë për këtë patriot të dalluar të Kombit, me rastin e 5-vjetorit të vdekjes :https://www.ballikombetar.info/dokumentari-per-emil-kastriotin/

Unë po e kujtoj, Emin Fazlinë ashtu siç përpiqem të kujtoj disa prej atyre shqiptarëve të brezit më të vjetër se unë, të cilët i kam njohur ose kam pasur kontakte, e për të cilët gjatë viteve, kam zhvilluar një respekt të veçantë për jetën dhe veprimtarinë e tyre në mbështetje të drejtave të njeriut, të identitetit dhe të interesave kombëtare, mbi të gjitha, për punën e tyre për bashkimin e trojeve etnike, si mision i jetës së atij brezi. Njëri prej këtyre personaliteteve të mërgimit gjatë 50-viteve të fundit të shekullit të kaluar ishte edhe Emin Fazlia-- për mua sipas komunikimit me të, i njohur në atë kohë si Emil Kastrioti -- e për të cilin mësova më shumë pas shembjes së Murit të Berlinit.  Më në fund,zbulova se Emil Kastrioti me të cilin kisha shkëmbyer letra në fillim të 1970-ave, ishte në të vërtetë Emin Fazlija, i cili ndërroi jetë 5-vjetë më parë.

Pasi nuk e kam njohur drejt për drejti të ndjerin Fazlia, por për të cilin sa më shumë mësoj për aktivitetin e tij dhe të familjes, kam shumë respekt, nga komunikimi që kam pasur me ’të në fillim të 1970-ave dhe bazuar në të dhënat që mësova më vonë se kush ishte ai dhe cila kishte qenë veprimtaria e tij në ish-Jugosllavi dhe më vonë në mërgim në Gjermani.  Ai ka zhvilluar veprimtarinë e tij patriotike në “ilegalitet” dhe me disa pseudonime – më i njohuri pseudonim ishte emri Emil Kastrioti -- gjatë një periudhe të luftës së ftohtë që nuk ishte e lehtë për tu marrë me punë patriotike, as brenda Kosovës dhe as jashtë Atdheut.  UDB-ja famëkeqe jugosllave ishte shumë aktive dhe i zhdukte kollaj shqiptarët aktivistë të çeshtjes kombëtare, jo vetëm në Kosovë dhe në trojet shqiptare në përgjithësi në ish-Jugosllavi, por e shtrinte dorën e saj të zezë edhe në komunitetet shqiptare në botën perëndimore, sidomos në Gjermaninë Perëndimore të asaj kohe por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fillim të 1970-ave, me entuziazmin e një të riu dhe duke përfituar nga liria që më ofronte Amerika, kisha filluar botimin e një fletoreje tepër modeste, titulluar, “Rinija Shqyptare në Mërgim”,në New York, si një mjet, me qëllim për të grumbulluar ata pak të rinjë e të reja rreth një ideje të përbashkët për një organizim sado modest në atë kohë.  Sidoqoftë, Emin Fazlisë, ndryshe “Emil Kastrioti”, i kishte ra në dorë në Gjermani “Rinija Shqyptare në Mërgim”, e cila siç duketi kishte pëlqyer sepse reragimi i tij ishte pothuaj i menjëhershëm ndërsa më dërgoi menjëherë një letër (e para prej tij, për tu pasuar me dy-3 tjera më vonë), të cilën e botova në një numër të radhës të kësaj fletorjeje tepër modeste për nga fillimi i saj, për arsye të mungesës së bashkpuntorëve të përgatitur por edhe për mungesë fondesh, që të botohej vërtetë diçka si i kishte hije, ndonëse vullneti i mirë nuk mungonte, megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballeshim menjëherë pas arritjes tonë në Amerikë.

Në letrën e parë që më dërgoi,kopjen e plotë të cilës mund ta lexoni më poshtë ashtu siç ishte botuar në “RinijaShqyptare në Mërgim”, “Emil Kastrioti” ka përshëndetur fillimin e botimit të këtij organi të rinisë shqiptare-amerikane,duke shkruar: “Ju uroj nga thelbi izembrës sime të përvuejtun për iniciativën e mirë që keni marrë dhe Zoti i Plotfuqishëm dhashtë e u udhzoftë në rrugë të mbarë që të korrni sukses sa ma të plotë dhe të delni faqebardhë në misionin e filluem dhe që botimet e jueja të lozin rolin e caktuem në bashkimin e dhe arsimin e rinisë shqytare në mërgim, e cila për kob të zi të rracëssonë shumë të përvuejtun arbnore qe e detyrueme me i lanë trojet e lame me gjak t’Atdheut për pamvarsi dhe me marrë  rrugën e mërgimit për t’i shpëtue furisë jo njerëzore të zymtyrës kuqe aziatike që don me shkulë me rrajë traditat t’ona jetike, mijavjeçare të Arbërit kryelart.”

Më tutje, “Emil Kastrioti” alias Emin Fazlija, me frymën e vërtetë prej patrioti, në letrën që më dërgonte, bënte thirrje – për nevojën e madhe të bashkimit të shqiptarëve atëherë --por edhe një nevojë gjithnjë aktuale edhe sot – duke thekësuar domosdoshmërinë për, “bashkimin e të gjitha forcave kombtare të diasporës shqiptare”, duke thënë se, “Lus Perendinë që ti qendroni deri në fund idealit  të nisun dhe askurrë të mos vini në sprovë për të shmangë rrugën e drejtë të bashkimit të plotë të gjitha forcave kombtare të diasporës shqiptare në nji front të përbashkët për nji qellim dhe për nji ideal tëprokllamuem para 60-vjetësh prej plakut bujar e fisnik, Babës Ismajl Qemalit në Vlorën kreshnike , m’u në atë ditë kur me 1443 në Krujë, paraardhësi i tij e pat ngritë Flamurin Kuq e Zi me shkabjen dykrenare (pa shkopij dhe pa yllin aziatik) në mes, që valviti me mburrje e krenari për nji çerek shekulli, tue mos iu përulur kërcënimeve të tërbueshme të Otomanit aziatik…”, më shkruante Emin Fazlia , ndryshe“Emil Kastrioti”, nga Gjermania Perëndimore në verën e vitit 1972.

Ai e përfundon letrën me porosinë për për rininë shqiptare në Amerikë që të mos harrojë gjuhën shqipe, duke kujtuar, “Fjalët e mëdha të Poetit tonë të madh, shqiptar Patër Gjergj Fishtës, kur ai ban fjalë për gjuhën shqipe në vjershat e tija të pavdekshme për gjuhën dhe kombin shqiptar”, duke thekësuar se nëqoftse, sipas porosisë së tij, rinia shqiptare dhe komuniteti shqiptare-amerikan në përgjithësi në Amerikë, “Nderon dhe respekton traditën e vendlindjes së vet, atëherë ajo do të respektojë dhe do të nderojë edhe vendin ku gjinden tash”, me shpresë sipas tij, “për t’u këthyer në Atdheun tonë të dashtun, të çliruem dhe të bashkuem etnikisht në terësinë e tij territoriale”, që në atë kohë ishte një shpresë e madhe por e pa realizueshme pasi u detyruam të prisnim edhe 30-vjetë të tjera shembjen e komunizmit për të parë Atdheun) duke e përmbyllur letrën me, frazën“I Jueji si vlla, me Besë Shqyptare!”

Porositë e Emin Fazlisë në letrën dërguar nga Gjermania Perendimore në vitin 1972 një djaloshi të ri në Amerikë dhe botuar në fletoren, “Rinija Shqyptare në Mërgim” të Nju Jorkut,(me pseudonimin “Emil Kastrioti”) -- për bashkim të shqiptarëve kudo qofshin, në mërgim ose në Atdhe, si dhe për ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar-- mbeten gjithnjë gur-themeli për realizimin e ëndërrës së shqiptarëve për një Atdhe të, “Çliruem dhe të bashkuem etnikisht në terësinë e tij territoriale”, ende endërra e Emin Fazlies dhe e shumë shqiptarëve që ende mendojnë e shpresojnë si ai.

Ky është mesazhi i Emin Fazlisë dhe sot kjo është arsyeja që po e ndaj kujtimin e tij me lexuesin, në këtë 5-vjetor të vdekjes së tij.  Janë këto vlera të atdhedashurisë të një brezi të shqiptarëve të pas Luftës së Dytë Botërore – të cilët nuk janë më, kur fjala midis tyre lidhej me “Besë të Shqyptarit” -- vlera që fatkeqësisht, kanë humbur dhe janë harruar nga brezi i sotëm i shqiptarëve, sidomos nga klasa politike shqiptare, por që patriotë shqiptarë si Emin Fazlija -- me kujtimin e tyre -- nuk na lenë t’i harrojmë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora