E hene, 03.08.2020, 10:42 AM (GMT+1)

Komente

Ndue Dedaj: Pandemia dhe etika e vdekjes

E merkure, 17.06.2020, 11:08 AM


PANDEMIA DHE ETIKA E VDEKJES

Nga Ndue Dedaj

Papa Françesku tërheq vëmendjen: “Pandemia ka treguar se shoqëritë tona nuk janë aq të organizuara pёr t’u krijuar një vend të moshuarve, me respektin e duhur për dinjitetin dhe brishtësinë e tyre. Aty ku nuk ka kujdes e dashuri për të moshuarit, nuk ka të ardhme për të rinjtë.” Ky reflektim social-fiozofik i Atit të Shenjtë na ktheu tre muaj më parë, te një shënim yni i datës 23 mars 2020:

“Paradoksi që të befason tej mase është ai që ka të bëjë me cinizmin ndaj jetës së të moshuarve. Në mediume të ndryshme publike i mëshohet dhjetëra herë faktit se ata që ndërruan jetë në Itali ishin të moshuar, të moshës së tretë, mbi 80 vjeç, pra njerëz që iu kishte ardhur dita, kurse ky virusi, thjeshtë u dha një të “shtyrë”.

Është një cinizëm i pashoq ndaj jetës së tjetrit, që e zhvlerëson jetën e një kategorie moshore, që gjithsesi janë prindërit tanë, edhe pse në rastin konkret, ata për të cilët bëhet fjalë janë italianë. Atëherë pse i urojmë të vjetrit të na bëhen 100 vjeç!? E më shumë. Apo coronavirusi na e ka mbledhur të gjithëve dhe ja tek është “valvula e shkarkimit”, ikja e atyre mbi 80 vjeç! Si njëfarë ngushëllimi.

Absurde ta shqiptosh, a thua se ata, më e pakta, nuk kanë veshë e dëgjojnë?… Në të vërtetë, para një sëmundje kësolloji, jemi të gjithë “pleq”, por sido që të jetë, kjo gjuhë e çartur veç etikë politike, psiko-sociale, publicistike dhe sidomos njerzillëk nuk është. Duhet ta themi, nuk kemi dëgjuar ndonjë mjek ta bëjë këtë klasifikim, në këtë kontekst, në të vjetër e të pavjetër, përpos kur kanë plotësuar skedën e të vdekurit në spital…

Pas këtyre radhëve, do të ketë nga ata që do të më “kujtojnë” moshën e atyre që ndërruan jetë nga coronavirusi në Bergamo, Milano, apo Vuhan etj. dhe se ky është realiteti, sido që të sillemi me fjalën. Kurse ne vazhdojmë të themi, nuk është kjo gjuha e njeriut të shëndoshë për njeriun…në zgrip të shëndetit dhe të fatit. Të kuptohemi, nuk është fjala për faktin si i tillë, por për komentet e tepruara rreth kësaj teme. A e dini si thoshin malësorët e Krajës në këngët e tyre të njëqind viteve më parë për njeriun që vdiste? Perëndoi. Njëlloj si dielli...

Thellë-thellë, dhe pse duket sikur po filozofojmë, nuk ka moshë të parë, të dytë e të tretë, por vetëm moshë dhe ajo është e shenjtë, pavarësisht “parcelizimit” që i bëjnë njerëzit, njëlloj si vetë botës, duke e quajtur dhe atë botë të parë, të dytë e të “tretë”, ku kjo e fundit është e margjinalizuara.

Përndryshe ka dhe jo pak hipokrizi. Është bërë e modës që fëmijët t’iu drejtohen prindërve të moshuar, me rastin e ditëlindjes, deri në bezdi: “Ti je heroi im” e superlativa të tjera krejtësisht të panevojshme. Kurse tash jemi gati që “heronjtë” tanë prindërorë të moshuar t’ia “dorëzojmë” sëmundjes, mjaft që ajo të qëndrojë larg nesh. Ndërkohë që ata mund t’i mbijetojnë dhe kësaj viroze vrasëse, si mjaft herë të tjera në jetë. E uroj me gjithë shpirt këtë!...”

P. S. E shkëputëm këtë koment të shkurtër nga një cikël tematik shkrimesh të kohës së karantinës, kur dëgjuam të thuhej për një shkrimtar të moshuar se ai është buzë varrit (!?), ngaqë nuk po prononcohej për çështje të politikës së ditës (!) A thua se shkrimtarët apo shkencëtarët e kanë për detyrë që të flasin sa herë grindën politikanët mes tyre: për Teatrin, për reformën zgjedhore, për pandeminë, për hashashin, për korrupsionin etj. Ata janë të “mirë” vetëm pasi shuhen dhe ne i mbulojmë me lajlelule, ani se kur ishin gjallë na “bezdisnin” me mosqenien e tyre në sintoni me qëndrimet tona të përditshmërisë “pro dhe kundër”, ndërkohe që ata kanë një tjetër pakt me kohën kur rrojnë. Mosha e tyre e shtyrë është një arsye më shumë për t’i dashur e vlerësuar sa janë gjallë, siç ndodhi këto ditë me akademik Luan Omarin, që, në 95-vjetorin e tij, u dekorua me Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”...

Vazhdimi i komentit në këtë rast është i tepërt. Lexuesi di mirë t’i vërë pikat mbi “i”.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora