E hene, 03.08.2020, 10:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Sinan Gashi: Dy poezi nga cikli ''Vargjet e jetës time'' të Tomorr Alikos

E merkure, 17.06.2020, 12:20 PM


DY POEZI NGA CIKLI “VARGJET E JETËS SIME” TË TOMORR ALIKOS

Nga Sinan GASHI

Autori i këtyre poezive, Tomorr Aliko (1925 - ) është nga Libohova (Shqipëri). Që 17 vjeç përqafoi idetë nacionaliste, kur edhe u bë anëtar i “Ballit Kombëtar”, udhëhequr nga Mit’hat Frashëri. Për idetë e tija denohet me burgim të përjetshëm. Lirohet më 1963, pas 17 vjet burgimi. Pastaj internohet në Mamurasë, deri më 1991. Pas këtyre katrahurave dhe përjetimeve rrëqethëse të burgjeve e inerenimeve, ai botoi librin “Fundi i udhës së gjatë” (Tiranë, 1999),  ku janë dhënë kujtimet e trishta të dhunës, shprehur me plotë emocione. Për ata që ishin dënuar me pushkatim me varje, me burg të përjetshëm etj., jepen edhe lista të atyre që bëjnë vetëvrasje në qeli ose në spitalin e burgut. Shkrimet ilustrohen me foto portrete dhe pamjeve të Burrelit, ku u dergjën intelektualë e krijues të shquar, shumica të shkolluar në universitetet perëndimore. Është domosdoshmëri të përmenden disa, si: Musine Kokalari, Xhevat Korça, Sabri Dangëllia, Zef Kadare, Terenc Toçi, Jakov Milaj, Gjergj Kokoshi, Hasan Reçi, Arif Gjyli, Pjetër Meshkalla, Mirash Ivanaj e të tjerë. Veç këtyre dokumentarëve, Aliko shkruan edhe vargje, të motivuara nga jeta e ferrit. Po i botojmë dy poezi që u kushtohen dy personaliteteve; shkrimtares e demokrates Musine Kokalari dhe atdhetarit Mirash Ivanaj, nga cikli i poezive “Vargjet e jetës time”.

Tomorr Aliko

BURRIT TË SHTETIT

(Atdhetarit Mirash Ivanaj)

Mërgove se s’pranove pushtimin

S’duroje tiranë, s’pranoje nënshtrimin

N’Azi u degdise, atje gjete strehimin

Shtatë vjet të tëra prite çlirimin

Erdhe se mendove që Shqipëria u çlirua

Që shqiptarët e shporrën robërinë

Nuk e dije që vendi prapë u zaptua

Nga klika komuniste e lidhur me Serbinë

Erdhe se në shpirt të vlonte malli

Për tokën mëmë, për Atdhetarë

Për ata që rrebeshit i bënë ballë

Për ata burra që dikur ishin ndarë

Të pruri balta, erdhe përsëri

E prisje këtë ditë me mall e dashuri

Se gjaku i kulluar të vlonte në gji

I gatshëm që jetën ta bëje fli

E kujtoj sa herë Mirash Ivananë

Atë burrë shteti që na mbante pranë

Sigurimsat për të çfarë nuk thanë

Agjent i Imperializmit anglo-amerikan

Si armik populli e dënuan

Patriotin e cilësuan armik

Në spitalin e burgut e helmuan

Agjentët e Bashkimit Sovjetik.

PISHTARES SË DEMOKRACISË

(Musine Kokalarit)

Më kujtohet ishte nëntori në të mbaruar

Të pashë Musine të përlotur, të trishtuar

Të ndoqa pas me një hov rinor në zemër

Ndalove sapo të thirra në emër

Në krahët e mi me dhimbje të pushtova

Për Muntazin e Vesimin të ngushëllova

Që terrori komunist u mori jetën

Se ishin shqiptarë, thonin të vërtetën

Një dhimbje ndjeva kur të pashë në sy

Gjithçka për ty ishte kthyer në zi

Si burrneshë dy fjalë m’i the

Vëllezërit e mi vdiqën për atdhe

Të pashë përsëri në burgun e vjetër

Muri që na ndante- i trashë një metër

Në mes të shoqeve flisje, ligjëroje

Në oborrin e burgut rrethuar me roje

Të burgosën Musine se kërkoje lirinë

Të dënuan xhelatët se doje Shqipërinë

Simbol u bëre për gruan shqiptare

Katër dekada qëndrove krenare

Me qëndresën tënde armikun tmerrove

Fjalën e lirë e the kudo që shkove

Në burgje, në kampe, në internim

Qëndrove kryelartë, u tregove trime

Jetë në vuajtje më tepër të forcoi

Optimizmi i fitores energjitë t’i shtoi

Komunizmit barbar kurrë s’ju përkule

Qysh në vajzëri derisa u rrudhën

Sot shokët e tu që për fat mbetën gjallë

Të kujtojnë Musine duke qenë krenarë

Se e mbylle jetën në emër të lirisë

Fitove titullin “Pishtare e demokracisë”

(Tiranë, Burgu i Vjetër, 1957)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora