E premte, 29.03.2024, 06:36 AM (GMT)

Kulturë

Shefqet Dibrani: Kërkim përtej së mundshmes

E merkure, 17.06.2020, 09:00 AM


KËRKIMI PËRTEJ SË MUNDSHMES

Valdet N. Berisha, “PËRTEJ SË DIELËS“, poezi, botoi „FJALA“, Prishtinë 1995, faqe 100.

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Në vend të hyrjes:

Valdet N. Berisha është ndër poetët më të kompletuar që i ka arkipelagu shqiptar në Zvicër. Ai ndjehet një tip perandori, qoftë kjo perandori në suazat e mendimit krijues apo edhe në jetën e përditshme si qytetar i rëndomtë, veti kjo që e karakterizon me një pedanteri qytetare, ku ndërthuren arritjet në fushën e letërsisë dhe njohja e thellë e gjuhës gjermane dhe zotërimi i shkëlqyeshëm i anglishtes, që i japin edhe më shumë përmasë të ndjehet “perandor”. Këtë mendim të theksuar në fillim të këtij shkrimi e krijova në çastin kur lexoja me vëmendje librin „Përtej së dielës“, i cili përforcohet në çastin kur vërehet vizioni krijues që pat nisur ky poet në librin e parë „Stina e pestë“. Pra, nga vepra në vepër, niveli artistik i poezisë shënon rritje artistike, duke ruajtur vijimësi renda kontureve stilistiko - krijuese edhe në librin e dytë. Ishin këto arsye që determinojnë supozimin se Valdet N. Berisha qysh me librin e parë do të dëshmojë bindshëm për një novatorizëm të mendimit dhe shprehjes artistike, pra për krijimin e profilit poetik.

Krijimi poetik dhe kuptimi i së mundshmes...

Valdet N. Berisha ka qëndrim kritik ndaj dukurive dhe ngjarjeve të rëndomta, të cilat i ka ngritur në parim krijues: qoftë edhe në formë lirikash. Kjo dukuri nuk mungon as në poezitë me tablo mërgimi e as në ato që kanë si qasje aktualitetin dhe zhvillimet shoqërore e sociale në atdheun e tij. Ndjenja poetike është e kultivuar, ajo rezonon revoltën qytetare si një ligjërim i artikuluar poetik. Poezia e Valdet N. Berishës, është poezi moderne e ndërthurur me format krijuese dhe me një sintagmë krahasuese që alternon më shumë kah poezia e kulluar lirike.

Libri „PËRTEJ SË DIELËS“, është një kërkim përtej të së mundshmes. Derisa në librin e parë autori kërkonte të mundshmen „në stinën e pestë“, te libri i dytë „Përtej së dielës“, del një koncept i fortë filozofik i të të menduarit artistik që kërkimin e tillë e bën „Përtej së dielës“?! Nëse i shmangemi rotacionit dhe riciklimit normal të ditëve, e diela është dita e fundit, derisa përtej s’ka më as ditë, as javë dhe as mundësi reale. Kjo metaforë ngjizet si dukuri reale, ngase në librin e parë, poeti një kërkim të ngjashëm e bënte në një stinë inekzistente, „Stina e pestë“. Po ashtu e diela është ditë pushimi dhe këtë ritëm e prishin vetëm kambanat, kur njerëzit u kthehen lutjeve që s’kanë arritur t’i bëjnë gjatë javës, ritual ky i përhershëm për të mos e lënë „përtej së dielës“, diku në një ditë apo botë të trishtuar. E diela del si çelës zgjidhjeje i shumë problemeve, qofshin këto sociale, politike apo edhe si nuancime të regjistruara me një ndjenjë të hollë lirike. Por, sidoqoftë, kërkimi poetik bëhet „përtej së dielës“, me çka mendja e lexuesit do të mbetet në kërkim të së mundshmes, në kërkim të arritjes, gjithsesi në kërkim të përhershëm, gjë që si veti dhe si kulturë e të menduarit është e mirë, është me përftime në dobi të poezisë.

Edhe emërtimi i cikleve të poezive e përplotësojnë këtë mendim. Ato janë menduar mirë e mirë dhe janë peshuar gjatë në mendjen e poetit kur janë vënë në përfaqësim të mendimit krijues që shfaqet brenda poezisë, përkatësisht cikleve në përgjithësi. Libri „PËRTEJ SË DIELËS“ është i ndarë në pesë cikle: 1. „Hyrje në ditën e humbur“, 2. „Rebelimi i barit“, 3. „Kur ti mungon“, 4. „Në ballo me gjarpërinj“, dhe 5. „Pushim në miniaturë“.

Në ciklin e parë, poeti bën një hyrje metafizike si oponencë veprimi mendor dhe letrar, derisa në ciklet vijuese shquhen mendime të kthjellëta të cilat pasqyrojnë një gjendje të rëndë dhe një rrugë pa kthim kur „Përralla e fëmijërisë“ është „mbështjellur me lëkurë qensh/ pastaj dëshirave u kositën ylberët e stinës së parë“. Në këtë det figuracionesh, poeti përplaset kryesisht me aktualitetin politik me ç’rast nuk ngurron të atakojë „vrasësit me pagë“të cilët dogjën „patat, majmunët dhe gomarët publik“ në kohën kur qytetari i rëndomtë duhej mësuar me „fjalët e ndaluara“, atëherë kur biografitë e shkruara „mbetën te censori“, ndërsa „partia e indiferencës“ shpallte persona „non grata dhe i pushkatonte“! Këto fragmente nuk janë vetëm figuracione poetike, por janë përshkrimi më artistik i realitetit tragjik që mbretëronte në Kosovën e asaj kohe.

Forma krahasimtare, përkatësisht, mënyra figurative për të krahasuar të tashmen me të kaluarën, me të vjetruarën, del në shesh te poezia „Ikja e portreteve“, në të cilën „Portretet (janë) si ornamente qilimash me pluhur“të cilët „u ndoqën nga muret me zgjebe të kohës“. Vargje të ngjashme ndeshen edhe në poezitë të tjera, të cilat realizohen „sipër datave të ftohta“,pikërisht nga njerëzit e panjohur që „dëshirojnë veten ta vizatojnë në lëkurë ujku“ etj.

Valdet N. Berisha, vërtetë i ka krijuar figurat artistike me të cilat ai e bën vargun poetik, por, ndjenja e krijimit është eveniment qenësor dhe mendimi elokuent në poezinë e këtij krijuesi janë parësore:

Me ç’kalorës atëherë botën ka marrë

Nga cili mallkim i vetëm ka dalë?

Në ç’rrugë je nisur ç’detyrë të pret

Në dhembjen e re ç’ndjenjë po të vret?

Poezia: „Pyetje për fjalën“, faqe 19.

Këtë figuracion e gjejmë në mënyrë të ngjashme edhe te poezia „Dashuri e parë“, ndonëse kjo ka elemente thellësisht lirike dhe në te ndërthuren historika, edhe tragjizmi, edhe ironia:

Cila qe dashuria jonë e parë

Zoti apo vasha që s’e njohëm

Ikëm nga vendbanimet e vjetra

E lamë fëmijërinë

...

E harruam gurapeshin për

Kambanat e të dielave

Ç’dashuruam herën e parë

Vasha apo pëllumba

Faqe 23.

Se në poezinë e Valdet N. Berishës ka abstraksion poetik s’ka dyshim, atë e gjejmë në formë nuancash në shumë poezi të këtij vëllimi: „Me lule të stinës së pestë, vizitojmë varret e përgjumura“, dhe kjo gjë bëhet “ditën e diel“, pra në ditën kur do të „Dalim nga albumet/ kryengritës të buzëqeshjeve“. Disa nga figuracionet i përkasin nocionit kohor, siç janë: dita, tejpërtejdritës, e diela, stina e pestë etj. të cilat mbërthejnë në ndjenjat e poetit atë monotoninë e së dielës, zymtësinë e saj, në të cilën përsëritet rituali i lutjeve dhe i vizitave në varreza ku ato i freskojmë me lulet e „stinës së pestë?!“. Pikërisht si kambana pikëlluese, përhapen edhe vargjet: „Shkuan tejpërtej ditës, i vrau hapi i qetësisë, udhëtarët të hënave i keni parë, papritmas ngjajnë në enigmë, që s’ua tregon kurrë e diela“, sepse, siç duket, e hëna ka një homazh të papërmbajtur, ndërsa, në raport me poezinë e këtij vëllimi, kjo ditë mbase mund të fillojë në fillimjavë, por kurrsesi pas së dielës, sepse kërkimi i së mundshmes „përtej së dielës“ abstrahon të qenit ditë e hënë menjëherë pas ditës së diele.

Motivi i mërgimit, sikurse edhe ai i mallit, zë vend të posaçëm dhe është trajtuar në mënyrë të kujdesshme. Madje, poeti vetëdijshëm iu ka shmangur këtij evenimenti, të cilin e ka mbuluar me nota lirike dhe me konotacione të realitetit socio - politik të kohës: „Plot balada të harruara/ na pikojnë çatisë së shpirtit“, „Stacioneve të botës/ me mërzi në shpinë“, „Mbi jelet e largësisë/ më josh malli“, „Si dy udhëtarë të zënë nga harrimi“. Mirëpo, motivi i mërgimit dallon, sidomos te poezitë: „Shënime nga mërgimi“, „Udhët e mia“ etj.

As Valdet N. Berisha nuk ka mundur të shkëputet nga rrethanat e tendosura që ia kishin përflakur atdheun, përkundrazi, ai është marrë në mënyrë serioze me to, duke i atakuar këto veti të shëmtuara, të cilat përditë e më thellë lëshonin rrënjë. Për të shpjeguar ironinë e skajshme, po veçojmë poezinë „Vdekja e qenit“ e cila mu duk si një konsonant artistike dhe si një cep i qëlluar i tërë asaj berihaje në këtë rrokopujë marramendëse:

VDEKJA E QENIT

Kishte vdekur papritmas qeni

Në luftën e fundit s’dihet cilin vit

U sëmurën datat e kambanat

Në paqen e fundit që s’dihet kur filloi

Nga një lehje s’dihet pse në mesditë

Kishte vdekur papritmas qeni

S’dihet nga ç’sëmundje njerëzish në ç’moshë

N’ç’pozitë n’ç’operacion misterioz race

N’ç’udhëtim fati s’dihet nga ç’ndjenjë

Kishte vdekur qeni patriot i kombit të vet

S’dihet në ç’varr me ç’simbole tash përgjon.

Faqe 61.

Poezitë e Valdet N. Berishës janë konstruktuar sikurse të ishin figura gjeometrike të cilat kanë dimensionet e caktuara, por në konceptin meditativ dhe atë filozofik mbesin opsione në kërkim të së mundshmes, kurse në planin letrar janë jo vetëm si risi por edhe si cilësi.

Në poezitë e kësaj vepre janë disa nga konturet e përcaktimeve krijuese, por angazhim i përhershëm mbetët situata në të cilën ishte atdheu. Në njërën nga poezitë me motive të tilla, ai sikur do të këlthasë përmes vargu të trishtuar: „Mbyllini dyert/ tash vijnë vrasësit e tejdukshëm/ me koka akulli“.Vrasësit me „koka akulli“ është një sintagmë trishtimi, e cila tmerrësisht përkon me të vërtetën. Në këtë rast, shqetësimet krijuese bëhen edhe më të ndjeshme, kurse refreni i ripërsëritur bëhet zë edhe më tronditës: „Mbyllini dyert/ vrasësit kanë shpirt të zhveshur/ Në vendin e quajtur Kosovë“,madje, në këtë rast, poeti do të përcaktojë edhe armën që ata mbajnë për të vrarë: „Vrasësit kanë pushkë të gjata/ dhe thika të përgjakura nën hënë“?! Ky fragment poetik shpreh shqetësimin intelektual dhe krijues për këtë shëmti, si njëra nga plagët që „na i kulloti mushkëritë... e vitet... me kollitje“ në të cilat „ndërrohen thikat, pjatat, mprehën dhëmbët nga... zemrat e qelqta“.

Poezia lirike është përmbledhur në mënyrë më të theksuar në ciklin „Kur ti mungon“. Edhe pse ky cikël është mjaft i shkurtër me vetëm tetë poezi, në të janë përfshirë dy poezi lirike ndër më të bukurat „Letër së dashurës I“ dhe „Letër së dashurës II“. Këto dy vjersha të realizuara kanë timbër të hollë lirik dhe mund të përfaqësojnë frymën lirike të poetit edhe në ndonjë antologji të kësaj natyre:

LETËR SË DASHURËS II

Kontrolloj albumin

...

Marr pak mërzi

dhe ia qes kafes së ftohur

Sikur të mos kishte ndodhur kurrë

më prezantohet vetmia

Portretin tim ia pëshpërisë enigmën

që s’ia thonë muret

Ti nuk e di

ç’këngë këndohet sonte

kufijve të largësisë sonë

Faqe 53.

Libri ka mjaft poezi të realizuara, përkatësisht në to breshërojnë mendime poetike të shkruara në çastin e frymëzuar. Për konkretizim po i theksojmë edhe disa vjersha të cilat nuk kemi arritur t’i përmendim më parë: Në ciklin e I-rë: Përralla e fëmijërisë, Statistikë, Moment janari, Epitaf për njeriun e panjohur, Pritje plakë, Dashuria e parë.ciklin e II-të: Vajtim modern, Tash vijnë vrasësit, Mal me enigma, Fjalë për miqtë. ciklin e III-të: Para se të të thërras, Kur pritja merr gjumë, Qytetet tona. ciklin e IV-të: Kostumi për festë, Mosmarrëveshja e buburrecave, Kronikë, Njerëzit që s’dua t’i kujtoj, Prandaj, Repriza, Kufomë e paidentifikuar, Reklamë për paqen, Biografia e njeriut butak, Metaforë etj. Te cikli i V-të do të veçonim poezitë: Përkushtim njeriut pa atdhe, Poezia e pashkruar, Dhoma ime, Atëherë je në shtëpi etj., nëpër të cilat derdhen ndjenjat dhe motivet e pashmangshme.

Përfundim:

Poezia e Valdet N. Berishës mbetet një kërkim specifik i vargut modern, një nivel letrar i arritjeve stilistike dhe protestë lasgushiane. Ndoshta janë këto vlera të realizuara që e bëjnë atë të ngritur në fushën e krijimit poetik, i cili prej kohësh barrikadohet prapa një heshtjeje protestuese, që ngjason me atë të Lasgush Poradecit. Por, çfarë mund të themi për Valdet N. Berishën, për heshtjen e tijgati dhjetëvjetëshe: përveç „heshtjes“si formë e protestës apo si mllef krijues përkitazi me rrjedhat letrare në përgjithësi, ndoshta mund të ketë edhe ndonjë gjë përtej mendimit poetik të shfaqur në këtë libër! Të shpresojmë!...
SHËNIME PËR AUTORIN:

Valdet N. Berisha, (25. 04. 1969). Lindi në Kliqinë të Pejës. Pas gjimnazit në Pejë, ka studiuar Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Në vitin 1994 është vendosur në Zvicër, ku pastaj ka diplomuar në ekonomi. Prej 1993 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Shkruan poezi, tregime, ese dhe merret me përkthime letrare. Një kohë të gjatë ka punuar redaktor në gazetat periodike e ditore shqipe që botoheshin në Zvicër. Poezia e V. N. Berishës është përkthyer dhe botuar në gjermanisht e rumanisht, ndërsa është prezantuar në antologjitë “I kujt je atdhe”, Rozafa, Prishtinë 2003 dhe “Un alfabet al poeziei albaneze - Një alfabet i poezisë shqipe.”, Bukuresht 2003.

Veprat letrare: „Stina e pestë“, „Rilindja“, Prishtinë 1993, dhe „Përtej së dielës“, „Fjala“, Prishtinë 1995.
Valdet N. Berisha, jeton në Zvicër.
*Marrë nga libri: Sh.
DIBRANI “LIBRA DHE MBRESA”, kritikë letrare, St. Gallen 2005, faqe 435-442.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora