E premte, 29.03.2024, 12:57 AM (GMT)

Kulturë

Eli Fara: “Të dua për vete”, albumi im më i kompletuar

E enjte, 06.11.2008, 09:35 AM


Eli Fara
Eli Fara: Kënga me të cilën titullohet albumi është këngë shumë e ëmbël. Albumi është me këngë popullore, serenata dhe balada
 
 “Të dua për vete”, albumi im më i kompletuar

 

Nga Albert Zholi
 
“Buzëqeshja pasuron ata që e marrin dhe nuk i varfëron ata që i japin”, thotë një fjalë e urtë popullore spanjolle. Me buzëqeshjen karakteristike më priti në Hotel “Mondial” këngëtarja e mirënjohur Eli Fara për një intervistë ekskluzive për “Telegraf”. Nën kërshërinë e të gjithë të pranishmëve në barin e hotelit për vetë popullaritetin e padiskutueshëm që ka emri i saj, ajo rrrëfen shumë bukur me zërin e saj të kadifenjtë. E shikon dhe nuk e beson. Ajo ruan akoma bukurinë e saj të spikatur vajzërore dhe pse i ka kaluar të dyzetat. Po kalon dekadën që jeta e saj kryhet mes Tiranës ku banon prej shumë vjetësh, SHBA (ku tashmë ka marrë pasaportën si qytetare amerikane) dhe turneve jashtë Shqipërisë. Pra një jetë mes këngës dhe udhëtimeve të shumta. Albumi i ri “Të dua për vete”, ku përveç krijimeve të reja ka futur dhe perlat e repertorit të saj serenatat dhe baladat (si risi në repertorin e saj) tregojnë jo vetëm pjekurinë, por edhe synimet e qarta që ka ajo për këngën dhe sqimën e përzgjedhjes.
Ndoshta ky album erdhi si njëa fllad i ri pranveror, ku ajo ka dhënë energji dhe ndjenjë shpirti, ku me këto këngë ajo në udhët e panumërta të skenës kudo në botë, po qetëson shpirtëra bashkëkombasish të mallëngjyer për erën e atdheut. Falënderon këdo, por pa i dhënë rëndësi të dorës së parë atyre që i thonë “Je e bukur”, pasi vlerat e saj shpirtërore dhe personaliteti, janë më të spikatura për këdo që e njeh nga afër. Kur do të korrigjojë ndonjë fjalë të tepërt, kafshon lezetshëm paksa buzën e poshtme (nga ana e majtë), si një fëmijë i pafajshëm i zënë në faj. Jeton prej vitesh me vajzën e saj, studente në Juridik, e cila tashmë i është bërë si motër. Eshtë një tip shumë tolerante, pasi vetë në radhë të parë sillet në mënyrë korrekte me veten e saj dhe pastaj me të tjerët. Ajo di të tërhiqet në momentin e duhur, pa lejuar abuzimet me tolerancën e saj. Di të jetë e zgjuar kur duhet, por po aq serioze në kohën dhe vendin e duhur.
 
Zj.Eli, mund të na flisni për fillimet tuaja me këngën?
 
Isha në klasën e katërt të shkollës 8-vjeçare. Në shkollë do të zhvillohej një koncert dhe duheshin këngëtarë për korin. Mësuesja e muzikës Dina Grabova, midis të tjerave më zgjodhi dhe mua. Siç duket më kishte dëgjuar jashtë vëmendjes time. Më vonë më përkrahu dhe më dha këshillat e duhura Pavllo Sholla. Për mua ky njeri i apasionuar i këngës ishte kompozitori që më dha udhën e duhur në drejtim të këngës.
 
Kur dole në skenat e mëdha që emri juaj u bë i njohur në gjithë Shqipërinë?


Në vitin 1983, mora pjesë në Festivalin e Gjirokastrës kur isha në vitin e tretë të shkollë së mesme për kanto. Para se të niseshim na morën 9 vajza të kantos në Pallat të Kulturës për të na provuar. Na dhanë një këngë kurbeti. Unë e këndova më bukur dhe shkova në festival. Kënga titullohej “Nënoçkë s’të vjen keq”. Në këtë Festival mora çmimin “Laurante e Festivalit”. Të them të drejtën atëherë nuk kisha kaq emocione në skenë. Sa më shumë emër të kesh aq më shumë rritet përgjegjësia skenike.
 
Pra ju studionit për kanto dhe këndonit këngë popullore?


Mësuesit e mi Josif Minga dhe Afërdita Zonja e spikatën këtë që unë të mos e ndryshoja zërin, por të ruaja zërin e këngës popullore.

Pra ju e ndjetë dhe vetë që nuk ishit për kanto?

Më pëlqente, por është e vërtetë se, ashtu si dhe mësuesit e mi fillova ta ndjej që zëri im ishte për këngë popullore. Ishte zëri që më dha qumështi i nënës që kishte të ngjizur tingujt e këngës popullore. Unë u ndava jo pa dhimbje nga kantoja.
 
Në Korçë si u përshtate me muzikantët?


Në Korçë kishte muzikantë të talentuar. Novruz Lule (Lulushi), ishte një gjeni i klarinetës. Kur ai vdiq në vitin 1989, në një shkrim për të mjeshtri i muzikës Josif Minga tha: “Pa klarinetën e Lulushit, zëri i Elit nuk do të kishte kuptim”. Kështu ndodhi dhe me mua kur u divorcova nga kantoja.
 
Sot Tirana, është bërë jo vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, por dhe kryeqyteti i këngëtarëve. Mendimi juaj?


E vërtetë. Kam shumë vite që po jetoj në Tiranë dhe po e shoh këtë. Detyrimisht do të jetë e tillë. Tirana i lidh këngëtarët jo vetëm me gjithë Shqipërinë, por edhe me gjithë botën. Është pikë referimi.
 
Tani të flasim pak për albumin tuaj të ri....?


Ishte me shumë përgjegjësi ... Ka disa muaj që ka dalë në treg pas dy vjetësh pune intensive. Albumi titullohet “Të dua për vete”, bashkëpunim me shtëpinë diskografike “Elrodi Music”.
 
Çfarë përmban albumi?


Së pari dua të them se kënga me të cilën titullohet albumi është këngë shumë e ëmbël. Albumi është me këngë popullore, serenata dhe balada. Shtatë janë krijime të reja në folk dhe dy janë këngët e mia perla që janë të risjellura “Qeraxhiu” dhe “25 gërsheta”. I solla para publikut mbas 20 vjetësh, që nga koha që i kam kënduar për herë të parë në skenë dhe që kanë mbetur këngët më të bukura popullore për mua dhe më të kërkuarat në të gjitha koncertet që unë bëj nëpër botë. I kam kënduar përsëri në mënyrë që të jenë në repertorin e albumeve të mia dhe njëkohësisht i kam sjellë dhe për brezin e ri, që të vazhdojnë të më ndjekin me këto këngë. Këto janë nga perlat e muzikës popullore shqiptare. Për një atmosferë më të ndezur në album kam kënduar dhe një këngë shkodrane. Këto këngë tashmë janë kënduar me orkestër profesionale me aparatura speciale, ku zëri del më i plotë, më i bukur, më i qartë. Kushtet e inçizimit të atëhershëm ishin ndryshe. Edhe intepretimi im është ndryshe. Zëri është më i pjekur, më i plotë, më profesionist. Disa këngë të tilla duheshin regjistruar në këtë kohë. Ky album është punuar me orkestruesit Shpëtim Saraçi dhe Edi Balili, dy profesionistë në fushën e muzikës. Por edhe më Josif Mingën dhe Sopot Sericën.
 
Po tekstet e këtij albumi?
Kanë qenë të ndryshme nga profesionistë në këtë fushë si: Jorgo Papingji, Dr. Flori dhe Timo Flloko.
 
Përse “Të dua për vete?


Kush është ai që shikon një gjë të bukur, apo krijon një gjë dhe nuk e do në radhë të parë për vete. Çdo gjë fillon tek vetja. Nuk përjashtohet edhe ajo që ka njerëz që bëjnë diçka për t’u dukur, për t’ua dhënë të tjerëve pa e shijuar për vete.
 
Pak rreshta të kësaj kënge ...


Strofa e tretë është tekst lirik. Eshtë një këngë për bukurinë, dashurinë, ku mund të shkëpus dy vargje:
Faqet e tua të bardha si bora
Ai që ti preku më ju thaftë dora
 
Ju tashmë keni marrë dhe pasaportën amerikane. Si ndjeheni si qytetare e vendit më të fuqishëm në botë?


Eshtë një çlirim brenda vetes. Kam hequr një stres që na shoqëron ne shqiptarëve kudo që shkojmë. Kudo kontrolle të imta pasaportash, shikime me dyshim, lënie mbas dore, etj.. Është një ndjesi lirie. Mund të lëvizësh pa problem në çdo vend të botës. Qytetare amerikane do të thotë qytetare e mbarë botës. Ndjehesh mjaft, mjaft komode.
 
Të veçantat e koncerteve në Amerikë?


Nga viti në vit ka ndryshime të mëdha. Në fillimet e koncerteve të mia në Amerikë kishte shumë mall, kishte shumë etje për të dëgjuar këngë dhe ansamble shqiptare. Atëherë shumë që ishin të arratisur, të tjerë nga Kosova na shihnin në dritë të syrit. Na dëgjonin me shumë ëndje, me shumë entuziazëm. Tani “Magjia” nuk është më e mëparshmja. Tani duket sikur i kanë të gjitha aty. Pra, kur i ke sikur zbehet interesi. Kështu është dhe me ne aty. Interesi nuk është ai i mëprashmi. Por megjithatë aty është një komunitet i madh dhe ka këngëtarë të mirënjohur që plotësojnë boshllëkun si: Merita Halili, Gëzim Nika, Parashqevi Simaku, Ermira Babaliu, Aurela Gaçe. Por fryma e parë nuk ekziston, përveç ditëve të festave apo Vitin e Ri. Për stilin e të jetuarit është më mirë në Amerikë, për profesionin tim Shqipëria është Amerika e vërtetë. Në Tiranë tashmë kam një bazë.
 
Koncerti juaj i fundit?


Para pak ditësh në Kretë të Greqisë. Ishte një kërkesë nga ana e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe të Valleve për të dhënë disa koncerte në këtë ishull me kërkesën e vëllezërve tanë emigrantë në këtë vend. Isha e ftuar speciale së bashku me Myfarete Lazen. Ishte dhe grupi i valleve, ku në të gjithë ishim veshur me kostumet tona popullore. Ishte një koncert ndryshe. Ishte koncert mbrëmje.
 
Ju sa herë shkoni jashtë thuhet se visheni me kostum popullor. Çfarë përcjell tek Eli kjo lloj veshjeje?


Kjo veshje është mjaft e bukur, shumë interesante. Eshtë traditë, është kulturë, është histori. Në shumë koncerte të fundit kam veshur kostumin popullor të Beratit. Ky qytet është me histori më të lashtë. Ka diçka më fine. Kjo nuk do të thotë që nuk e pëlqej kostumin e Korçës. Por atë e kam veshur shumë herë që në rininë time. Tek kostumi i Beratit ngjyra e kuqe e qëndisur me fije ari të jep një krenari dhe të duket vetja si një mbretëreshë. Kjo lloj veshje më fut diku tutje në histori. Më bën që të meditoj dhe mendoj se si janë veshur të parat tona. Eshtë shumë interesante dhe shumë magjike. Është e veçantë në mënyrën e të komunikuarit me publikun.me këtë lloj veshjeje. Jep imazhe aristokracie.
 
Profesioni juaj është interpretimi, pra kënga. Jetoni vetëm me këtë profesion?


-Po. Ka vështirësitë e veta si profesion, megjithëse unë jam futur në treg që para ardhjes së demokracisë dhe kam qenë e kërkuar në shumë koncerte. Që kur kam ardhur nga Amerika ftesat kanë qenë të pafundme. Sidomos në Greqi, ku kam kënduar në çdo pëllëmbë, ku jetojnë bashkëatdhetarët tanë, në çdo qytet e në çdo ishull.
 
 
Në muzikë tashmë ka shumë këngëtarë dhe këngëtare. Flitet se mes këngëtareve ka shumë xhelozi. A ka Eli xhelozi?


Absolutisht jo. Kur këndon kushdo një këngë të mirë unë them “Oh sa mirë”. Secili ka ngjyrën e vet të zërit. Unë jam Eli Fara. Kam zërin tim, të veçantat e mia, këngët e mia, temperamentin tim, mënyrën time të të bërit art, pra kam individualitetin tim. Në këtë këndvështrim nuk ka pse të kem xhelozi. Jam e një lloji krejt tjetër në repertor dhe në mënyrën e të kënduarit. Prandaj nuk më ka rënë rasti që të ndiej xhelozinë. Në përgjithësi në koncerte unë jam këngëtare speciale dhe më ka rënë rasti shumë rrallë që të jemi disa këngëtarë të njohur në një koncert. Në kompeticionet e mëparshme, ato në vitet para ‘90-ës ka qenë një kohë tjetër, ku shoqëria dhe miqësia ka qenë më e hapur. Atëherë kam njohur shumë këngëtarë të aftë që mbaj shoqëri dhe sot. Mund të veçoj: Bujar Qamilin, Merita Halilin e shumë të tjerë. Pastaj ne e kemi matësin tonë. Publikun. Ai me kohën na seleksionon. Duartrokitjet e tyre janë vlerësimi më real. Këtu xhelozia merr fund. Këngëtaret i vlerëson publiku ndaj nuk më takon mua të ndërhyj në vlerësimet dhe në territoret që s’më përkasin.
 
Një jetë të tërë në skenë. E respektueshme dhe tepër punëtore. Kjo rrugë nuk ju ka lodhur aspak?


Nuk e kam ndjerë lodhjen, mbasi po të ekzistonte lodhja do të kisha ndërprerë aktivitetin. Përkundrazi e ndjej veten mjaft mirë. Profesioni im nuk është për dembelët. Unë tashmë kam krijuar një emër, pra me punë. Nuk është e lehtë të krijosh një emër dhe më pas ta mbash atë, gjatë gjithë këtyre viteve. Duhet shumë punë me veten, me këngët e reja, me paraqitjen në një koncert. Ky emër të detyron të udhëtosh, të rrish netë pa gjumë, të plotësosh kërkesat e profesionit, por njëkohësisht të përballosh dhe problemet familjare e të rrisësh një fëmijë. Kjo sepse nuk ke një menaxher të merret me punët që nuk të takojnë ty të merresh. Pra duhet ti bësh të dyja punët edhe menaxhimin edhe atë të këngëtares. Pra jemi rrethuar me vështirësi që publiku nuk i di.
 
Çfarë ka marë Eli nga Korça?


Shumë gjëra, por kryesorja të qenit amvisë e mirë. Pëlqej çdo gjë të bukur që kam marrë me vete nga ky qytet që ka shumë histori, por që lidhet më shumë me këngën dhe njësohet me serenatat.

Sigurisht që të ruani këtë performancë mbani dietë?


Jo. Ha sa duhet, pa dietë të veçantë. Bile provoj çdo recetë të re, që më japin shoqet. Por nuk e kaloj masën në të ngrënë. Ruaj sensin e masës. Nuk bëj asgjë të veçantë përveçse përkujdesjeve që kryejnë të gjitha femrat e tjera. Nuk e kam mendjen të dukem se s’bën, të bie në sy për bukurinë. Bëj tualet të lehtë dhe e zgjedh veshjen në raport me kohën. Kështu plotësohem. Sipas mendimit tim pamja është më shumë gjenetike. Duke e pasur organike mendoj se është një dhuratë e mirë e Zotit, e cila të largon nga sajimet e lodhshme dhe të bezdisshme.
 
Mos vallë nuk e vlerësoni shumë bukurinë, meqenëse jeni e bukur?


Jo nuk thashë atë. Unë e pëlqej të bukurën, bukurinë. Por jo ta kem në qëllim në vetvete. Të jesh e bukur është një gjë shumë e mirë për një femër, por jam njeri që vlerësoj më shumë brendësinë, sesa pamjen e jashtme. Megjithatë paraqitja e bukur, tualeti, norma, veshja elegante është respekt për veten, por edhe për spektatorin (në rastin e këngëtarit).
 
Ju jeni një interpretuese e mirëfilltë e këngës popullore shqiptare. Pra i keni shmangur huazimet. A jeni dakort me bastardimet që i janë bërë këngës popullore?


Një gjë mund të them. Kam bredhur thuajse gjithë botën dhe e them me bindje se muzika popullore shqiptare është e mrekullueshme. Kjo periudhë tranzicioni ka bërë që shumë këngë të qepen e të shkepen dhe të sajohen në mënyrë nga më të çuditshmet. Kjo vjen ngaqë muzika është e harruar nga shteti dhe pa dyshim në emër të parasë abuzohet.
 
Problemet e sotme të shoqërisë shqiptare parë në këndvështrimin tuaj?


Shqipëria ka shumë probleme sot. Ka gjëra shumë më të rëndësishme sociale me të cilat duhet të merremi të gjithë ne shqiptarët dhe pa dyshim dhe këngëtarët e mirëfilltë. Papunësia, droga, janë ndër më kryesoret. Shihet se rinia shqiptare kalon shumë orë në kafene. Ky është një problem pikant.
 
Sa është vajza e Elit, afër profesionit të nënës?


Nuk e ka patur pasion qysh fëmijë. Qysh në vogëli jam munduar të zbuloj zërin e saj. Nuk ka patur vesh muzike. Tani do të bëhet avokate dhe mendoj se do të ruajë me devotshmëri të drejtat e autorit, të mamasë së saj. Jam krenare për vajzën dhe për rezultatet e saj të deritanishme.
 
 Fjala më e përdorur?


E tmerrshme. Pasi shumë gjëra nuk dua t’i besoj.
 
Fotografitë e këtij albumi janë shumë të bukura. Kush i ka bërë këto foto?

Fotografitë e albumit të ri i ka bërë Fadil Berisha, fotografi i mirënjohur shqiptar në Neë York. Ai ka qenë gjithnjë shumë i përzemërt dhe i respektueshëm me artistët shqiptarë.

 

Thuhet se keni një garderobë….??

(qesh). Vërtetë. E shpërdoroj shumë lekun për rroba. I preferoj dhe rrobat sportive dhe ato klasike. Kryesisht rrobat i blej në Amerikë. Aty mund të gjesh hapësirat për një përzgjedhje. Rroba e re më jep një ndjesi të pëlqyeshme femërore. Është kënaqësi që lidhet me të qënin femër dhe mbi të gjitha dhe me të qenit artiste. Veshjen e kam për ditën sportive dhe në mbrëmje, elegante. Varet gjithnjë nga ambienti. Përpiqem shumë t’i përshtatem ambientit.
 
 Në pamje shumë e qetë. Nervozohet ndonjëherë Eli?


Sigurisht. Si të gjithë njerëzit edhe Eli ka momente që shpërthen. Ndoshta askush nuk mund ta besojë, pasi në pamje të parë kam një natyrë shumë të butë. Nxehem ndonjëherë me trafikun në Tiranë. Jam shofere korrekte.
 
A ka menduar Eli të merret me politikë, apo më mirë të themi a e ka menduar Eli veten ndonjëherë deputete?


(qesh). Dëgjoj të flitet shumë për pjesëmarrjen e gruas në politikë. Flitet për një përqinje 30% në parlamentin e ardhshëm. E përkrah këtë mendim. Gruas i takon më shumë vend në vendimmarrje. Por për veten time nuk kam menduar për kërë çështje. Eshtë shpejtë ende për mua të mendoj për këtë fushë. Kam shumë për të bërë në drejtim të këngës. Ajo më ka rrëmbyer brenda vetes. Më ka marrë brenda vetes me magjinë e saj.
 
Ka shumë këngëtare që s’kanë asgjë të përbashkët me këngën, por megjithatë janë të pëlqyeshme në skena?

Sot ka vlera dhe komerç. Komercialet mbeten komerciale. Nuk di të flasë për këtë fushë. Nuk është rruga ime. Eshtë zgjedhja e atye që e kanë marrë këtë rrugë. Unë di të bëj art.
 
Koncepti juaj për këngën?

N.q.s zoti të ka dhënë zërin, ti duhet ta japësh në funksion të shpirtit të njerëzve. Njeriu kur dëgjon muzikë të bukur, qetësohet, nxjer dufin, relaksohet, kënaqet. Pra muzika dhe kënga nuk është që të japësh diçka që nuk i përket muzikalitetit dhe cilësive të mësipërme. Pra, në këtë rast kur këndohet për komerc këndohet për Shoë. Shoë dhe paraqitja kanë rëndësinë e vet, por kryesorja është profesionalizmi në këngë, vlera në këngë. Më këtë kuptim, unë nuk kam konkurrentë, pasi kam formuar një karakter. Karakter do të thotë nuancë, të veçantë, tingull. Shumë këngëtarë sot këndojnë njëlloj, pra nuk kanë karakter. Nuk kanë diçka të veçantë. Këtu nuk funksionon një mekanizëm përzgjedhjeje. Duhet një person, apo komision që të merret me zbulimin e talenteve.

 

Përveç këngëve popullore ku e ka gjetur veten Eli?

Krahas këngëve popullore kam gjetur veten edhe tek serenatat korçare. Ose më mirë të themi serenata popullore korçare. Këto nuk kanë qenë të regjistruara. Më shumë këndoheshin në takime miqsh, në dritare. Ndërsa unë me ripunime i solla të gjalla. Të kënduara në regjistrim. Pra është hera e parë që ato vijnë në këtë mënyrë. Pra nuk kanë qenë në gojën e asnjë këngëtari. Kam një album të vitit 1996. “Ora 2 e natës. Rrukullisen takat”. Por kam lëvruar dhe baladat. Këto janë mjaft të bukura. Balada “Vjeshta” në vitin 2007 kompozim nga Edi Balili.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora