E shtune, 20.04.2024, 10:57 AM (GMT+1)

Kulturë

Fritz Radovani: Kur rinia shkodrane këndonte Hymnin e Flamurit

E marte, 16.06.2020, 10:21 AM


Fritz RADOVANI:

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:

Flamurin tonë.., n’unazen e këtij kompanjeli...

E vuni At Gjergj Fishta me doren e Tij...

ME  13  QERSHOR  1913 ...

KUR RINIA SHKODRANE KËNDONTE:

HYMNIN E FLAMURIT

Teksti: At Gjergj Fishta      Muzika: Palok Kurti

Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastriotit

Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnyesë a t’ gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,

Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vehet m’ t’ lehta.

Bini, Toskë!..

Mbi njatë Flamur Perendija

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:

“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;

Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”

Bini, Toskë!..

Shka? A thue ‘i mend se atë tokë t’ bekueme,

Qi vetë Zoti na ka dhanun,

Sod me e shkelë kamba e poshtnueme

E nji t’ huej’t na kem m’ i a lanun?

Bini, Toskë!....

Ah; jo, kurr. Njiqind herë para

Kem’ me u shkri me gra, me fmi!

Kem’ me mbetë kortarë nder ara,

Se me shkelë lamë t’ huej’n n’ Shqypni.

Bini, Toskë!..

M’ kambë, Sokola të Shqypnis!

Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet

Si pol veshet t’ Perendis,

Kah na ban hije prej qiellet.

Bini, Toskë!..

Ma mirë dekë me u shue nen hije

T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,

Se me rrnue nji jetë robnije

Per nen sukuj t’ huejë t’ Balkanit.

Bini, Toskë!..

Armët e Besen na i njeh bota;

Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,

Luften né na e msoi Kastrjota:

Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqyptarët?!

Bini, Toskë!..

Urra! Djelm, eh ‘u u dhashtë e mbara!

Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!

Flamri i ynë, qé, u nis perpara:

Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!

Shenim nga At Viktor Volaj O.F.M.:

Hartimi i këtij Hymni asht ndoshta momenti ma i lumnueshem e ma guximtari për Poetin Kombtar. Malazezët mbas shtatë muejsh rrethim kishin hi në Shkoder. Me gjithse këtyne iu desht me dalë, Fuqitë nderkombtare nuk e ngritën Flamurin e Shqypnisë.

Ishte nata e kremtes së Shna’ Ndout, 12 Qershor 1913. Po mbushej gati moji që se Fuqitë nderkombtare kishin marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji). At Fishta, këshillue me disa bashkëvllazen të vet, kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqypnisë, e në ketë entuzjazem kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijvet të shkollës françeskane. Ndersa, pra, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metrash, fëmija menjiherë, si u patne porositë perpara, u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit tue këndue:

“Porsi fleta...”.

Menjiherë erdhi urdhni prej sundimtarit të qytetit, Kolonel De Philipps, qi duhet t’a ulshin Flamurin, por Françeskanët nuk iu pergjegjën kurrsesi  urdhnit të tij... Atëherë, ai i kercnoi se do ta ulin me topa... E, At Fishta ju pergjegjë: “Flamuri i Kastriotit e ka per nderë me u gjuejtë me topa!..” (Botue 1941).

Melbourne, 15 Qershor 2020.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora