Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike në Gjytetin e Marecit me rrethinë

| E marte, 16.06.2020, 01:10 PM |


Gjurmët arkeologjike në Gjytetin e Marecit me rrethinë

Nga Dr. Qazim Namani

Fortifikimet në territorin e Kosovës së sotme janë ndërtuar që në kohët e hershme të shoqërisë njerëzore, respektivisht në epokën e bronzit. Këto ndërtime u kushtëzuan për tu mbrojtur nga sulmet e fiseve të ndryshme qe vinin për të plaçkitur dhe zaptuar territore.

Kulina e Krilevës apo siç quhet ndryshe nga banoret lokal Gjyteti i Marecit njihet me këtë emër sepse pikërisht vija administrative e fshatit Krilevë, komuna e Dardanës (Kamenicës) dhe fshatit Marec, komuna e Prishtinës ndahet në rrafshnaltën e fortifikimit të Kulinës. Ky vendbanim është shtrirë në veri të Kulinës në Kodrën tjetër të njohur nga popullata lokale Gjyteti. Mendoj se vendbanimi ka një rëndësi të veçantë sepse kishte një pozitë të rëndësishme strategjike pranë rrugës Nishë-Justiniana Primë- Artanë (Novobërd)- Shkup, dhe po ashtu pranë rrugës që e lidhte Justinaiana Primen (Qytetin e Mbretit) dhe Justiniana Sekondën (Ulpianën).

Fig 1- Pozita gjeografike e Kulinës pranë rrugëve që vinin prej Justiniana Primës

Fig. 2. Ndarja administrative e fshatit Marec dhe Krilevë në Kulinë, Fig. 3. Planimetria

Bazuar në gjetjet e rastit pranë këtij fortifikimi mund të pohojmë se ky vendbanim bënë pjesë në grupin e fortifikimeve me mure guri që fillojnë të ndërtohen qysh në epokën e bronzit për të vazhduar jetën pa ndërprerje deri në pushtimin nga Perandoria Osmane në shekullin XV.

Kjo fortifikatë është ndërtuar në rrafshnaltën e një kodrine dhe muret rrethuese rrethojnë një sipërfaqe ovale prej rreth 1.0 hektarësh.

Shumica e fortifikimeve ndërtoheshin për tu mbrojtur nga rreziqet e armikut prandaj edhe zgjidheshin terrene me mbrojtje te mire natyrore dhe strategjike.

Fig. 4- Pamje e Kulinës nga ana lindore, Fig. 5- Pamje të Kulinës nga ana perëndimore

Fig.6.- Kodrina në anën veriore të Kulinës kah shtrihej vendbanimi, Fig 7.- Pamje prej Kulinës e Kalasë së Strezocit dhe Buxhenicës.

Këto fortifikime zakonisht ndërtoheshin në zona të zhvilluara ekonomike, të pasura me minerale, tokë bujqësore e blegtorale, ujë të mjaftueshëm dhe në afërsi të rrugëve të rëndësishme.

Pozita gjeografike e këtij fortifikimi me mbrojtje të mirë natyrore, mundësonte zhvillimin dhe administrimin e territorit, pasurive natyrore dhe mbrojtje nga sulmet e armikut. Fortifikimet e rangut të qyteteve rrethoheshin edhe me kështjella të vogla apo kulla të veçuara që shërbenin për të paralajmëruar sulmet nga fiset pushtuese.

Karakteristikë e këtij fortifikimi është se pjerrtësia e kodrës në anën veriore, lindore dhe jugore është mjaftë e thepisur që mundësonte mbrojtje të mirë natyrore. Në anën perëndimore pjerrtësia e kodrës është ë butë, që mundësonte qasje të lehtë brenda mureve të kështjellës dhe ndërtime për banim jashtë mureve rrethuese. Muret në anën perëndimore mungojnë, ndërsa në anën lindore vërehen fragmentet e mureve rrethuese të qytetit dhe dy kullave mbrojtëse.

Fig. 8 dhe 9 - Gërmadhat e fortifikimit në anën lindore

Në anën perëndimore të fortifikimit përveç krojeve nuk ka ndonjë përrua, ndërsa në të gjitha anët tjera fortifikimi mbyllet me rrjedhje të përroskave që bashkohen në Lumin e Lakuar (Kriva Reka), në anën jug-lindore të fortifikimit.

Kështjellat të cilat kanë mbrojtje të fuqishme natyrore kanë një sipërfaqe 0,5 deri 1,5 ha. Prej tyre më të voglat janë të destinuara për qëndrime garnizonesh ushtarake, ndërsa të mëdhatë kanë edhe funksion ekonomik.[1]

Fig. 10- Fortifikatë e rrethuar me rrjedha të ujitë.

Pozita gjeografike e Kulinës ka mundësuar shtrirjen e vendbanimit në anën verore dhe veri-lindore në drejtim të kodrës binjake të quajtur Gjyteti (Arrnica), kjo është vërtetuar edhe me gjetje arkeologjike të rastit si dhe shtrirjes së varrezave të vjetra të gjytetit. Nga këto të dhëna dhe konfiguracioni i terrenit mund të pohojmë se kështjella e Kulinës më shumë ishte rëndësi strategjike ushtarake për mbrojtjen e vendbanimit nga rreziqet që mund të vinin përmes rrjedhës së lumit në anën jug-lindore.

Shtrirja e vendbanimit të gjytetit në anën veriore e kishte një mbrojtje të mirë natyrore pasi që ishte shtrirë në mes të disa kodrinave po ashtu të mbrojtura nga një sistem i fortifikimeve në kodrat më të larta me mundësi të mëdha të vëzhgimit dhe komunikimit mes veti.

Fig. 11 – Gjurmët arkeologjike në anën veriore të Kulinës

Fig. 12– Pamje e kalasë së Artanës prej Gamylleve në fshatin Prapashticë, Fig. 13– Pamje gjytetit të Marecit prej Gamylleve

Si fortifikime që e mbronin këtë vendbanim në anën veriore dhe veri-lindore mund të përmendim: Kodra e Litecit ( Lutesh), në lagjen Canolli të fshatit Marec, Quka (Kodra e Madhe), në lagjen e Sushnicëve në fshatin Prapashticë, Gëmyllet në anën veri-lindore të Kodrës së Madhe, Konaku i Bilallit te Roga e Konaçeve në kufijtë e fshatrave Prapashticë - Dabishec, Kodra e Asojit dhe Kodra e Demës në fshatin Gllogovicë, kodrina këto që e ndanin Gjytetin e Marecit me Gjytetin e Gllogovicës dhe distanca mes këtyre dy gjyteteve është rreth 5 km.

Gjyteti i Gllogovicës ka një pozitë të mirë i shtrirë në terren të butë, në lindje të dy kodrave të cekura më lartë. Gjatë aktiviteteve bujqësore në këtë hapësirë janë zbuluar shumë artefakte, struktura muresh, qeramikë, varreza, monedha që i përkasin periudhës së antikitetit.

Mendohet se Konaku i Bilallit, ishte një fortifikim shumë i rëndësishëm sepse kishte pamje shume të mirë me fortifikimet tjera mbrojtëse sot në komunën e Medvegjës afër Justiniana Primës. Kodrina e quajtur Konaku i Bilallit shtrihej përballë qukës së Mark Kolës (Mërkojës) afër Medvegjës. Për ekzistimin e një kalaje në këtë lokalitet dëshmon edhe një lagje e sotme në fshatin Dabishec që e mbanë mbiemrin Kalaja.

Fig. 14–Harta Topografike: Gjurmët arkeologjike në rrethinën e Kulinës (Gjytetit të Marecit)

Në lindje të kështjellës në vendin e quajtur „Rapuha „ në fshatin Krilevë janë zbuluar fragmente te mureve të objekteve , qeramikë e përhimët, varreza që nga popullata njihen si varrezat ilire dhe zgjyrë metalesh. Në jug lindje po ashtu përgjatë rrjedhës së lumit ka sasi të madhe të zgjyrës së mbetur gjatë përpunimit të metaleve dhe varreza të vjetra. Në veri-lindje në distancë prej rreth 2km janë varrezat e gjytetit, ndërsa prej varrezave në drejtim të veri-lindjes në 1km gjatësi deri te Roga e Verdhë që njihet si kufi i fshatrave Marec, Prapashticë, Gllogovicë dhe Krilevë vërehen fragmente të mureve që popullata lokale i quan „Stanet e Rimit“, zgjyrë metalesh dhe galeri të minierave.

Fig. 15 dhe 16 - Bark ene,  qeramikë e përhimët e zbuluar në vitin 1996 në Rapuhë të fshatit Krilevë

Fig. 17 - Pykë dore e gurit e zbuluar në vitin 1996 në Rapuhë të fshatit Krilevë

Fig.18 – Zgjyrë e metaleve te Roga e Verdhë në Prapashticë, Fig. 19 – Zgjyrë në Rapuhë në anën lindore të Kulinës

Fig 20. – Varrezat e quajtura nga popullata të ilirëve, në Rapuhë të fshatit Krilevë

Nga Roga e Verdhë, kodra në anën jug-lindore quhet gjyteti i Gllogovicës, në anën jug-perëndimore gjyteti i Marecit, ndërsa mali ne anën veriore që shtrihet në fshatin Prapashticë quhet Straka.

Rreth tri kilometra, në anën veriore prej Kilinës, në vendin e quajtur “Lugu i Strakës”, në fshatin Prapashticë janë gërmadhat e një objekti me blloqe guri të latuar dhe teknikë të thatë të murimit.

Kjo teknikë e punimit të mureve shfaqet për here të pare në gjysmën e shekullit VI para erës së re, kur përhapja e gjerë e veglave prej hekurit mundësojë latimin e gurëve. Numri i ndërtimit të fortifikimeve me këtë teknikë shtohet sidomos prej shekullit V e deri në shekullin e III para erës sonë.[2]

Në vendin e quajtur Lugu i Strakës, rreth 100 m nga Roga e Verdhë është një Gërmadhë e një objekti të hershëm të banimit. Në këtë lokalitet sipas dëshmive të banorëve lokal gjatë punimit të rrugës janë hasur gurë të skalitur, dora e skalitur në gurë dhe enë të ndryshme të punuara prej guri. Gërmadhat e objektit janë të punuara me teknikë të thatë të murimit që na shtynë të mendojmë se kemi ta bëjmë me një vendbanim të hershëm dardan.

Fig. 21- Harta Topografike: Varrezat e Gjytetit, Stanet e Rimit, Roga e verdh dhe gërmadha në Lugun e Strakës

Në anën jug-lindore të Kulinës duke ndjekur rrjedhën e lumit Rapuhë-Strezoc gjinden edhe dy lokalitete me zgjyrë te mullinjtë, dhe te e ashtuquajtura Ara e Samakovës në qendër të fshatit Krilevë.

Në vendin ku bashkoheshin rrjedhat e lumenjve prej Gjytetit të Gllogovicës dhe Gjytetit të Marecit deri vonë ka ekzistuar një kishë e besimit katolik. Pas rrënimit të kishës me gurët e saj është ndërtuar xhamia e fshatit. Në oborrin e xhamisë dhe rreth saj deri vonë ekzistonin varreza të vjetra. Si dëshmi edhe sot tej lumit në anën jugore të xhamisë ekzistojnë dy shtylla të objekteve luksoze të vendosura në varreza, por nuk ka dyshim se janë bartur nga ndonjë vendbanim i zhvilluar i antikitetit apo mesjetar. Është me rëndësi të ceket se prona mbi këto varreza quhet Fratishta, që lë të kuptohet se dikur ishte pronë e kishës apo Fratit. Kjo parcelë edhe sot është pronë e xhamisë së fshatit në të cilën nga fshatarët ishte ndërtuar shtëpia për imamët që do të shërbenin në xhami. Kjo xhami është e vetmja në Kosovë që e ruante shtëpinë dhe pronën për familjen e klerikut fetar. Malet që shkojnë prej Fratishtës në drejtim të fshatit Marec edhe sot quhen Pyjet.

Të dhënat tjera që dëshmojnë se këto prona deri kah mesi i shekullit XIX ishin në pronësi të kishës katolike, janë ruajtur deri më sot. Në fshatin Marec mbi “Gurin e Birumë”i cili gjendet në kufijtë e fshatrave Krilevë dhe Marec, deri pas Luftës së Dytë Botërore, jetoi  familja që quheshin Fratishtët. Pas presioneve nga pushteti kjo familje vendos të shpërngulet në Turqi, ndërsa pronat e saj ia shiti familjes Vrajolli.[3]

Skënder Makolli po ashtu i lindur në fshatin Marec njofton se te fratishtët edhe sot ekzistojnë varrezat e vjetra që njihen si varreza ilire.[4] Në kujtesën e popullatës së fshatit Marec edhe sot ruhet kujtesa se disa familje serbe që sot jetojnë në fshatin Hajnoc në komunën e Dardanës janë me origjinë shqiptare që gjatë shekullit XIX u shpërngulën nga Mareci. Po ashtu nga përnjohjet e terrenit ne kuptuam se në fshatin Hajnoc, në gjysmën e parë të shekullit XIX ishte vendosur një familje e krishterë shqiptare nga fshati Siarinë, komuna e Medvegjës. Kjo familje erdhi në Hajnoc para myslimanizmit të familjeve shqiptare ne Siarinë. Pronat pranë shtëpisë së kësaj familje edhe sot quhet “Rrafshi i Kunës”, toponim që haset në vendbanimet shqiptare. Familjet shqiptare në Hajnoc u serbizuam pas reformave të tanzimatit dhe ndikimit të fuqishëm të politikës pansllaviste ruse dhe kishës ortodokse serbe të themeluar në shekullin XIX.

Fig. 22– Kolona të objekteve në varrezat e fshatit Krilevë pranë xhamisë së fshatit.

Rreth 2km në jug të këtyre varrezave, pikërisht mbi Arën e Samakovës ka gjurmë të themeleve të vjetra, ndërsa rreth 1 km në anën jugore nga këto gjurmë në kufirin e fshatit Krilevë dhe Marec është një shkëmb që popullata e quan Guri i Birumë, vend ky i njohur për pozitë strategjike dhe strehim të banorëve. Prej Gurit të Birumë kontrollohej në mënyrë të shkëlqyeshme rruga e vjetër që vinte nga Kalaja e Strezocit dhe në Uglarë të Krilevës bashkohej me rrugën që vinte prej Justiniana Primës nëpër kështjellën e Hajkobillës (Gjelbrishtës) dhe shkonte në Artanë.

Në anën jug-perëndimore të Kulinës përgjatë gjithë rrjedhës së lumit hasen shkrirje xehesh deri në lagjen e quajtur Bulaj dhe përroin e Zi në fshatin Marec, në largësi prej  rreth5 km.

Gjyteti i Marecit në anën jugore falë kodrinave të thepisura në lagjen Pacolli kishte mbrojtje të mirë natyrore dhe nga një varg fortifikimesh të vogla vrojtuese të ngritura në maje të kodrave në lagjet Pacolli, Hajdari dhe Gërbeshi.

Fig. 23- Quka e Gërbeshit, Fig.24- Selishta dhe loka;itetet tjara në anën jugore të Kulinës

Fortifikimet e vogla në këto lagje një komunikim dhe kontrollim të shkëlqyeshëm të terrenit në mes të gjytetit të Marecit dhe Kalasë së Artanës (Novobërdës). Qyteti i Artanës shtrihej në kodrinën në anën jugore përballë  fortifikimeve në lagjen Pacolli.


Fig.25 – Harta topografike Mes Gjytetit të Artanës dhe Kulinës

Gjurmët arkeologjike në Gjytetin e Gllogovicës

Gjyteti i Gllogovicës gjendet në dalje të fshatit, në anën e djathtë të rrugës dytësore Prishtinë-Keqekollë-Dardanë në Koordinatat : N 42°42'11,55"  E 21°27'18,87" dhe me lartësi mbidetare 725 m. Në anën veriore të gjytetit është Quka e fshatit ndërsa në perëndim të Qukës ne anën lindore të Kodrës së Asojit vërehen fragment të themeleve dhe galeritë e vjetra të minierave. Në anën perëndimore të gjytetit është Kodra e Demës, kisha e vjetër e fshatit dhe dy shpella të vogla. Në lindje të lokalitetit arkeologjik janë varrezat e vjetra dhe të reja të fshatit. Sipas dëshmive të banorëve vendas në vitet e 60-ta të shek XX, në kompleksin e vjetër të varrezave, urithi e kishte nxjerr në sipërfaqe një monedhë të çmuar antike. Varrezat shtrihen pranë rrjedhës së ujit dhe ngjason në kodërvarre. Bazuar në qeramikën e zbuluar si dhe një statuje të pa përpunuar mund të pohojmë se ky lokalitet arkeologjik i përket periudhës së antikitetit.

Fig. 28- Pozita e shtrirjes së Gjytetit të Gllogovicës, Fig. 29– Rrënoja te objekteve dhe tulla

Fig. 30– Harta topografike e shtrirjes së Gjytetit të Gllogovicës, Fig. 31 – Hyrje e galerisë së minierave në Asojin e Gllogovicës.

Fig. 32 – Tulla në rrënojat e themeleve në lokalitetin e shtrirjes së gjytetit, Fig 28 – Varrezat e vjetra

Gjurmët arkeologjike në Gradishtën e Marecit

Gradishta e Marecit gjendet në anën e veriore të Përroit të Zi, në Lagjen e Bullajve, në Koordinatat: N 42°41'44,01"  E 21°22'08,83" dhe me lartësi mbidetare 876 m. Në anën jugore të  Gradishhtës ngritët “Quka e Qelnasit (Guri i Bletës)”dhe lagjja e Bulajve lokalitete këto të njohura arkeologjike dhe zgjyra e mbetur gjatë përpunimit të metaleve. Në anën perëndimore të Gradishtës në distancë prej rreth 5 km ngritët Quka e Makës, ndërsa në anën veri-lindore Quka e Litecit (Luteshit). Ne anën lindore në distancë prej rreth 4 km shtrihet Gjyteti i Marecit.

Quka e Qelnasit (Guri i Bletës), është një fortifikim i mbrojtur mirë nga Gradishta dhe qukat tjera për rreth. Pasi që kjo qukë njihet edhe me emrin Guri i Bletës na shtynë të mendojmë se emri i saj rrjedhë nga ndonjë barishte e quajtur Nasë dhe lulet e kësaj barishte janë ushqim i preferuar për bletë. Bazuar nga hulumtimet tjera në rajon kuptojmë se “Guri i Bletës” është quajtur edhe vend strehimi i thesarit të plaçkitur prej tregtarëve të huaj, që kalonin bri rrugëve të rëndësishme, të cilat i lidhnin qytetet ekonomikisht të zhvilluara. Popullata shqiptare e fshatrave për rreth “Gurit të Bletës”edhe sot e ruajnë në kujtesën e tyre legjendën se një sasi e arit e bartur me disa kuaj është fshehur diku në drejtim të Përroit të Zi.

Fig 26 dhe 27- Gradishta, Kalaja dhe Qukat në anën perëndimore të Gjytetit të Marecit (Kulinës)

Në Gradishtë vërehen themelet e fortifikimit dhe objekteve të banimit. Në këtë lokalitet përveç gërmadhave të objekteve janë evidentuar tulla, dhe mure të lidhura me llaç gëlqeror. Gradishta në anën perëndimore dhe veri-perëndimore e kishte një mbrojtje dhe komunikim shumë të mirë me fortifikimet në Kodrën e Kalasë, Kodrën e Zllashit dhe Qukës së Makës e cila ndodhet në kufijtë e fshatrave Marec-Prapashticë. Këto fortifikime të vogla mundësonim komunikim të mirë me Qukën e Kopilit, Qukën e Madhe dhe Kalanë e Syleviqe në fshatin Mramuer, Kalanë e Keqekollës, kalanë e Kollçakut në fshatin Koliq, Lisicën në Prapashticë, Sukën në kufijtë e fshatrave Prapashticë-Nishec, Kalanë e Brainës dhe një numër qukash më të vogla në këto fshatra.

Fig. 33 – Tulla në Gradishtën e Marecit, Fig. 34 – Rrënoja të objekteve në Gradishtë

Në këtë vendbanim fragmentet e mureve janë të lidhura me llaç gëlqereje. Tullat dhe qeramika e zbuluar në këtë lokalitet dëshmojnë për një jetë aktive në antikitetin e vonë dhe mesjetë. Në anën veriore të Gradishtës në lagjen e Simajve janë gërmadhat e një kishe të vjetër.

Fig. 35 – Pozita gjeografike e Gjytetit dhe Gradishtës së Marecit

Fig. 36 – Harta topografike eshtrirjes gjeografike të Gjytetit dhe Gradishtës së Marecit

Gjurmët arkeologjike në Selishtë

Lokaliteti Selishta shtrihet në kufijtë e lagjes së Canajve  të fshatit Marec dhe lagjes së Shushnicve në fshatin Prapashticë. Në anën veriore të këtij vendbanimi ngrihet Quka (kodra e Madhe) në fshatin Prapashticë, ndërsa në anën veri-lindore në vendin e quajtur Gamyllet në fshatin Prapashticë ka themele të objekteve përgjatë rrugës së vjetër që nga ana veriore qonte në qytetin e Artanës dhe në Prishtinë. Në Kodrën e Madhe janë evidentuar themelet e një fortifikimi vrojtues. Në anën lindore pranë këtij fortifikimi ekzistojnë gurë të renditur që ngjasojnë në një sofër dhe varrezat e vjetra rreth 100 m në lindje. Rreth 500 m në lindje të Kodrës së Madhe pranë rrjedhës së ujit dhe krojeve të pasura më ujë, është lokaliteti i quajtur Selishta. Në këtë lokalitet vërehen grumbuj gurësh, dhe banorët lokal dëshmojnë se gjatë aktiviteteve bujqësore kane hasur në themele të objekteve dhe qeramikë të ndryshme. Në lindje të këtij lokaliteti janë themelet e Kishës së Demës

Fig. 37 - Kodra e Madhe (Quka), Gëmyllet dhe Selishta në fshatin Prapashticë

Fig. 38 dhe 39 -Gërmadha  të objekteve në Selishtë, në kufirin kadastral të fshatit Marec dhe Prapashticë

Fig. 40- Harta Topografike: Kodra e Madhe (Quka), Gëmyllet dhe Selishta në fshatin Prapashticë

Fig. 41- Themelet e Kishës  Demës në lokalitetin e quajtur Selishte, në kufijtë kadastral të fshatrave Prapashticë-Marec

Burimet historike për Prizrencin si qytet mesjetar

41708_100000545066144_2733427_qPër qytetin mesjetar të Prizrencit Jahja Drançolli pohon se në burimet e shkruara hasim se në rrethinën e Artanës kanë ekzistuar dhe dy qytete Prilepci dhe Prizrenci si qytete Castrum (kala) për të cilat shkruhet në vitin 1412. Atë botë këto qytete kishin treg (forum) të cilin e frekuentonin shpesh Raguzanët, e në vitin 1427 gjenden të rrethuara nga Osmanët. Lidhur me zbulimin e gërmadhave të këtyre gjyteteve nuk ka të dhëna të sakta. A. Urosheviq duke u bazuar në të dhënat e kronistit Osman Ashik pasha Zades dhe rezultateve të arkitektit S. Zdravkoviq mendon se Prizrenci është shtrirë në rajonin e Dardanës. M. Denicarrin në përfundim se konstatimi i A. Urosheviqit për shtrirjen e Prizrencit në Dardanë nuk mundë ti qëndroj të vërtetës shkencore.[5]

Për Prilepcin shumë studiues të kësaj periudhe mendojnë se duhet kërkuar në rrethin e Gjilanit e pikërisht në fshatin Perlepnicë.

Maliq Osi  shkruan se Prizreni, Petrizeni me këtë emër e ndeshim për herë të parë në shekullin VI në veprën De aedifificiis (mbi ndërtimet) të kronistit dhe historianit bizantin Prokopit. Prizreni në periudhën bizantine është quajtur Prisdriana që përmendet në fillim të shekullit XI. Ky emërtim gjendet në krisobulen e vitit 1019 të perandorit bizantin Vasilisë II arqipeshkvit të Ohrit. Shënime për Prizrenin gjatë shekullit XI ndeshim te kronisti bizantin Joannes Skylitzes Continuatus, nga të dhënat e këtij kronisti ,dihet se Prizranda në vitin 1072 apo 1073 u bë qender e kryengritjes që ishte drejtuar kundër pushtetit të perandorit Bizantin Mihajli i VII Duka (1071-1078). Në burimet mesjetare emërtimin Prizren e hasim me emërtim të njëjtë si edhe sot. Në burimet Osmane përmendet si Pirzerin, e në të shumtën e rasteve si Purzerin. Në bazë të hulumtimeve të Mehmed Myjezinit në mbishkrimet e varrezave të Suzi Çelebiut dhe të Nehariut në Prizren, shihet se qyteti është quajtur Zerrin.[6]

Prizreni i sotëm ka një bukuri dhe kalanë që i kanë lakminë shumë qytete në Ballkan. Shtrohet pyetja se a është Prizreni i sotëm, Petrizeni në shekullin VI të erës së re, dhe Prizrenci mesjetar?, është vështirë të besohet. Mendoj se studiuesit e cekur më lartë për ti vërtetuar se të dhënat për qytetet mesjetare të Petrizenit dhe Prizrencit kanë të bëjnë me qytetin e sotëm të Prizrenit, kanë sjellë shumë pak fakte bindëse për çka me plotë të drejtë mundë të dyshohet.

Jahja Drançolli po ashtu ka publikuar disa të dhëna të rëndësishme për tregtarët Raguzan nga Prizreni që kërkuan të emërohej një konsull në këtë qytet. Këshilli i madh me propozim të senatit të datës 18.02.1332 duhej të caktonte pesë këshilltar, që kishin për detyrë të përcillnin gjendjen tregtare të Raguzës në Prizren. Qeveria Raguzane me 30 tetor të vitit 1330 emëron konsuj tre bujarë të vet për rregullimin e çështjes së një dëmi të tregtarëve raguzan në Prizren. Nga kjo kohë çështjet juridike tregtare duhej ti zgjidhte konsulli i përgjithshëm. Me 08.02.1332 u aprovua vendimi për zgjedhjen e një konsulli në Prizren. Me kërkesë të tregtarëve raguzan në Prizren këshilli i madh aprovoi në prill të vitit 1332 dispozitën e parë mbi konsujt raguzan. Parimet e kësaj dispozite janë pranuar edhe për konsujt e tjerë në Gadishullin Ilirik. Sipas dispozitës në fjalë, qendra e konsullit raguzan ishte Prizreni. Në kohën kur Prizreni pësoi rënie, në aspektin ekonomik primatin e morën qendrat e xehetarisë në Kosovë, konsullatat kaloi në Artanë. Që këtej, këshilli i madh Raguzan solli më 17.12.1387 edhe dispozitën e re mbi konsullatat në Kosovë e më gjerë. Qeveria raguzane, sidomos pas betejës së Kosovës me 16.08.1396 (për shkak të situatës së krijuar në rrethana të reja), mori vendim për emërimin e nga një konsulli dhe gjykatësi për Artanë, Prishtinë dhe rrethet e tyre. Ky vendim i qeverisë raguzane kishte për qëllim të mbronte tregtarët e vet nga sulmet e ndryshme që bëheshin në këto anë.[7]

Dëshmitë xehetarie në rrethinën e Artanës, por dhe të dhënat e autorëve të kohës dëshmojnë për një rajon xehetar të zhvilluar në mesjetë dhe më herët. Nga vetë shkrimet e kronistëve të kohës dëshmohet për ekzistimin e një qyteti me emrin Prizrenc në rrethinën e Artanës. Nga kjo kuptohet se primatin ekonomik dhe juridik të Prizrencit në mesjetë,  nuk e ka pasur Prizreni i sotëm në periudhën e kohës antike dhe mesjetare, por vëmendja duhet të përqendrohet në hulumtimin e lokalitetit të Prizrencit mesjetar afër Artanës për këto arsye: Besohet se Prizrenci afër Artanës në shekullin XII dhe gjysmën e parë të shekullit XIII kishte një zhvillim të hovshëm në krahasim me qytetet tjera për rreth. Po ashtu  sukseset e vet Osmanlinjve në lindje,  dhe kalimi i tyre në Gadishullin Ilirik, e sidomos pas betejës së Maricës, popullata në rrethinën e Artanës zgjoi interesimin për shkaqe sigurie që të bëjë zhvendosjen dhe përqendrimin e qendrës së konsullatës raguzane nga Prizrenci Artanë. Të dhënat e terrenit shtyjnë të mendohet për qytetin e Marecit në të cilin ka gjurmë të qytetërimit antik dhe mesjetar dhe kur tani është vërtetuar se fillet e qytetërimit të Artanës burojnë nga Gradishta e këtij fshati, shumë afër gjytetit të Marecit. Pas rindërtimit të kështjellës së Artanës dhe katedrales së Artanës në shekullin XIV, kuptohet se qendra administrative dhe kishtare kalojnë në këtë qytet.

Ilaz Rexha ofron të dhëna për Petrizanën si katund në rrethinën e Artanës duke u bazuar në defterin e gjetur në arkivin e kryeministrisë së Turqisë në vitin 1986, që mendohet se defteri duhet të jetë shkruar në vitet tetëdhjeta të shekullit XV i cili përfshinte arealin e Artanës mesjetare, dhe ka vlera të mëdha për studim të mirëfilltë shkencor. Si dokument arkivor dhe si burim historik na ofron të dhëna për strukturën etnike, onomastike, fetare dhe për gjendjen e rrethinës së Artanës në mesjetë, ku vërehen qartë elemente dhe forma të gjuhës popullore shqipe të përdorura për emërtimin e toponimeve.[8]

Edhe në këtë defter në fund të shekullit XV e hasim të regjistruar Petrizanën si katund në rrethinën e Artanës. Nga kjo e dhënë mund të konstatojmë në përfundimin e cekur më lartë se Prizrenci para pushtimit definitive të kalasë së Artanës ishte shkatërruar si qytet (popullata ishte dëbuar) dhe se në fund të shekullit të XV jetonte një numër i vogël banorësh, që tash Petrizana trajtohej si katund, prandaj të gjitha shkrimet në mesjetën e hershme e deri në shekullin XV, përkatësisht për kalanë Petrizen dhe Prizrencin mesjetar nuk duhet kuptuar se kanë të bëjnë me Prizrenin e sotëm.

Bazuar në të dhënat e Ashik Pasha Zades A. Urosheviq dhe arkitekti S. Zdravkoviq janë orientuar që këto dy qytete ti kërkojnë në rrjedhën e Lumit të lakuar (Krivareka). Nëse i marrim për bazë të dhënat e kronistit turk i cili në atë kohë i ka vizituar këto vende, atëherë mendoj se edhe përkundër dëshmive arkeologjike të zbuluara kohëve të fundit në Dardanë edhe pse dëshmojnë gjurmë të periudhës antike, vëmendja duhet të përqendrohet te gjyteti i Gllogovicës dhe gjyteti i Marecit pasi që të dyja këto qytete kala janë në rrjedhën e lumit të lakuar, dhe dëshmojnë tërësinë e një qyteti të madh në lashtësi i cili shtrihej në territorin e sotëm të fshatrave: Marec, Gllogovicë, Krilevë dhe Prapashticë, në largësi prej Artanës prej vetëm rreth 10 km.

Sido që të jetë kjo çështje do studim më të hollësishëm për të arrit deri te rezultatet bindëse për vendndodhjen dhe rëndësinë e Prizrencit mesjetar afër Artanës.



[1] A-Meksi, A-Baçe, E-Riza, Gj-Kraiskaj, P-Thomo: Historia e Arkitekturës në Shqipëri, Tiranë 2016, fq. 67

[2] A-Meksi, A-Baçe, E-Riza, Gj-Kraiskaj, P-Thomo: Historia e ArkitekturësnëShqipëri, Tiranë 2016, fq. 76

[3]SadikVrajolli, i lindur në fshatin Marec

[4]Skënder Makolli i lindur në fshatin Marec

[5]Jahja Drançolli : “Raguzanët në Kosovë”, Prishtinë 1986, fq. 74

[6]Maliq Osi: Prizreni qytet i lashtë muze me thesar të pasur kulturor, Prizren 2001, fq.27,29

[7] Jahja Drançolli: Vjetar XXVII-XXVIII, Prishtinë 2002, fq.33,34,35

[8]Ilaz Rexha:  Vjetar XXVII-XXVIII , Regjistrimi i vendbanimeve dhe i popullsisë së Novobërdës sipas

defterit të vitit …Prishtinë 2002