Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmetali Rexhepi: Moikom Zeqo, një enciklopedi shqiptare

| E marte, 16.06.2020, 08:35 AM |


MOIKOM ZEQO (1949-2020) NJË ENCIKLOPEDI SHQIPTARE

Nga Mehmetali Rexhepi

Lajmi për kalimin në amshim për Moikom Zeqon për të gjithë shqiptarët e sinqertë është i dhimbshëm!... Kam dëgjuar për sëmundjen e tij prej vitesh... Moikom Zeqo me gjithë sëmundjen nuk ndalej së lexuari, së shkruari, së pikturuari, së dëshmuari dhe vlerësuari... I kam shprehur mbresa herë pas herësh, përgëzime për botime librash, tumirje pikëpamjesh... Mirëpo, sëmundja e mori, ngase Ai nuk do të ndalej në të gjitha gjinitë e artit e të mendimit modern... Padyshim Moikomi i prirjeve të gjithanshme,edhe me kaq sa shkroi, gjurmoi, studioi, pikturoi e përmbushi jetën e Tij shpirtërore, intelektuale, artistike, etike, kombëtare dhe njerëzore...Ngushëllimi i vetëm për qenien e Tij, për frymëzimet, për pasionet, për kërkimet, për përmbylljen fizike janë moria e veprave, opusi i gjerë dhe llojshmëria figurative,mendimet e holla të intelektit të Moikom Zeqos, largpamësia e ndriçimit të dukurive, atyre të padukshmeve, të cilat i nxorri nga enigmat e dijes, me intuitën e një depërtimi finok dhe,i shtjelloi me kompetencë përgjitësuese, me shije për lexuesit e niveleve të ndryshme. Formimi i këtij personaliteti është me dije enciklopedike, i përket tipologjisë Euro-Atlantike...Moikom Zeqo gjithsesi me veprat e Tija, qoftë të sferës imagjinative, qoftë të diskursit kritik, eseistik, estetik, historik e filozofik, pasuroi galerinë e personaliteteve me kontribute kombëtare, duke pleksur modele të ligjërimit bashkëkohorë europian.