E enjte, 06.08.2020, 05:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Lamtumirë Moikom Zeqo!

E hene, 15.06.2020, 04:34 PM


Sonila Meço, Gazetare:

Mjeshtri i madh, ndër të paktët mendimtarë të kulluar këtyre viseve, një monument i padiskutueshëm kulture e ka siguruar përjetësinë.

Në kujtim të tij, në vend të një ngushëllimi, drejtojuni librarive sot e merrni librat e Moikomit, mes tyre mos lini pa shtënë në duar “Laboratorin e ëndrrave”!

Shkruar e përfunduar në vitin 1970. Do të kuptoni se çfarë do të thotë të jesh laborator më vete në një sistem, që as të frymëzon e as të lejon liri krijimi, që të ndrydh në kanone të egra, duke të të ndikuar formimin, përmbushjen, realizimin.

Në fund të librit, Centauri në kapërcyell shekujsh, një ide e Moikomit 20 vjeçar mbi Moikomin 50 vjeçar do t’ju dëshmojë se përse sot vendit i mungojnë intelektualë e burra shteti të formuar, se si nis ky proces e se çfarë gabimesh fatale po bëjmë me zgjedhjet tona.

Kur e pyetën Moikomin e madh, si erdhën me radhë në profilin e tij erudit historia e arkeologjia, u përgjigj se ato qenë blindazhi kulturologjik pas ftohjes së detyruar me poezinë. Ja pra që privimi nuk e shmang dot kurrë mbrujtjen e intelektualit. Mund të të marrin, vjedhin, shkulin gjithçka, në diktaturë e liri, por kurrë interesat mendore, edukimin, formimin.

Mbushni bibliotekat tuaja me Moikomin, kësisoj i keni dhënë jetë të dytë e të tretë e në vend të ngushëllimit për shuarjen e një njeriu të madh do zërë vend mirënjohja për mendimtarin, që krijoi e mendoi mes nesh, në gjuhën shqipe, në tokën e shqipeve në shumë disiplina!

P.S Herën e fundit e takova të ndriturin Moikom në shfaqjen e Krastës, e fundit para shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Ndihej më i lehtë fizikisht, por rënduar dhimbjes për çfarë po i bëjmë trashëgimisë kulturore. Zonja e tij e bukur e mirë i qëndronte pranë dhe kur e pyeta me dëshirën e panginjur për mundësinë e ardhjes në program, buzëqeshjes së tij dashamirëse, por spërkatur me dromca pamundësie shëndetësore i shtoi fjalët: “Do të vijë patjetër!”

E unë do të të kem në studion time i shtrenjti Moikom sa të kem jetë me trashëgiminë e pashembshme të një monumenti të jashtëzakonshem kulture.

T’kemi në zemër!

Valon Kurtishi, Aktivist:

Iku edhe Moikom Zeqo, nje nga te medhenjte enciklopedike te kultures kombetare; ilirolog me dije te thella e shumedimensionale per te kaluaren tone antike; poet me shije e ndjenje te zhvilluar per te bukuren; studjues i holle i letersise shqiptare e boterore personazhet dhe veprat e se ciles i zberthente me pedanteri e thellesi akademike; intelektual i fisem qe nuk u largua nga interesi i gjalle per fatet e Kombit edhe jashte atyre kufinjve londineze; mbi te gjitha njeri ne keto kohera te coroditura;

Paqe!

Luljeta Dano, Shkrimtare:

Lamtumirë, Dijetar i Dritës e Shqiptar i Madh, prof. Moikom Zeqo! Nga mbi 100 librat e tu, do zgjidhja Kryelibrin: ANIMA MUNDI! Jo se ky libër është ndryshe nga librat e tjerë të tu, por në çdo titull që përbën këtë libër që nuk do mund të kishte titull tjetër, është sikur ke rrokur shpirtin e kësaj bote, me të gjithë arsenalin e një natyre universale që dhuroi në personalitetin tënd, Njohje dhe Frymë, për shkencat e krijimin: arkeologji, histori, fizikë, filozofi, letërsi, esseistikë, pikturë... në një ditë humbjeje të rëndë si kjo, për Familjen Tuaj të shtrenjtë e miqtë e panumërt, për bashkëkohësinë e shoqërisë shqiptare është heshtje e thellë në zemër!

Udhëtofsh me Dritën në dimensionet e saj më të arta!

Jaho Brahaj, Studiues:

I dhimbshem lajmi i ndarjes nga jeta te Moikomit.

Kam shume kujtime me kete mik, shok, por mbi te gjitha Personalitet i Kultures, Historise dhe Qyteterimin te Kombit tone.

E kam te pashlyer ftesen per kafe me 3 janar 2018, vetem 2 dite pasi kisha dale ne pension.

Ne hotel Tirana patem nje bisede sikur po fillonte periudha e fillimit te shkrimeve.

Ruaj si porosi te vyer keshillen e asaj dite: Shkruaj dhe boto, ajo qe shkruhet mbetet te tjerat ikin ...

Hashim Thaçi, President i Kosovës:

Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e shkrimtarit erudit Moikom Zeqo. Me dijet e shumta nga fusha e letërsisë, historisë dhe shkencave humane, Moikom Zeqo ka lënë gjurmë të pashlyera në kulturën shqiptare.

Moikom Zeqo ishte përkrahës i fuqishëm i çështjes së Kosovës, veçanërisht mbështetës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në ditët e para të veprimit të saj.

Bota shqiptare me vdekjen e tij humbi një kolos të mendimit dhe dijes enciklopedike. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Moikomit dhe gjithë miqve të tij.

Mehmetali Rexhepi, Shkrimtar:

MOIKOM ZEQO (1949-2020) NJË ENCIKLOPEDI SHQIPTARE

Lajmi për kalimin në amshim për Moikom Zeqon për të gjithë shqiptarët e sinqertë është i dhimbshëm!... Kam dëgjuar për sëmundjen e tij prej vitesh... Moikom Zeqo me gjithë sëmundjen nuk ndalej së lexuari, së shkruari, së pikturuari, së dëshmuari dhe vlerësuari... I kam shprehur mbresa herë pas herësh, përgëzime për botime librash, tumirje pikëpamjesh... Mirëpo, sëmundja e mori, ngase Ai nuk do të ndalej në të gjitha gjinitë e artit e të mendimit modern... Padyshim Moikomi i prirjeve të gjithanshme,edhe me kaq sa shkroi, gjurmoi, studioi, pikturoi e përmbushi jetën e Tij shpirtërore, intelektuale, artistike, etike, kombëtare dhe njerëzore...Ngushëllimi i vetëm për qenien e Tij, për frymëzimet, për pasionet, për kërkimet, për përmbylljen fizike janë moria e veprave, opusi i gjerë dhe llojshmëria figurative,mendimet e holla të intelektit të Moikom Zeqos, largpamësia e ndriçimit të dukurive, atyre të padukshmeve, të cilat i nxorri nga enigmat e dijes, me intuitën e një depërtimi finok dhe,i shtjelloi me kompetencë përgjitësuese, me shije për lexuesit e niveleve të ndryshme. Formimi i këtij personaliteti është me dije enciklopedike, i përket tipologjisë Euro-Atlantike...Moikom Zeqo gjithsesi me veprat e Tija, qoftë të sferës imagjinative, qoftë të diskursit kritik, eseistik, estetik, historik e filozofik, pasuroi galerinë e personaliteteve me kontribute kombëtare, duke pleksur modele të ligjërimit bashkëkohorë europian.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit:

U zgjuam sot me lajmin e hidhur që Moikom Zeqo nuk është më.

Shkrimtari, publicisti, studiuesi, arkeologu, dijetari, intelektuali, mendimtari, autori i dhjetra librave, lë pas një trashëgimi dhe emër të madh.

Sikush e komentonte këtë humbje në mënyrën se si jeta e ka bërë të njihet me të. Miku i mirë, studiuesi të cilit i prezantova kolanën e veprave, poeti me vargjet për mrekullinë e vdekjes…

Ne duam ta kujtojmë sot Moikom Zeqon si një nga figurat më të shquara të trashëgimisë shqiptare, qytetarin ideal që në një kohë të vështirë e të pashpresë, u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar dhe foli për homo albanicus, lirinë e tij të mendimit, elitat politike klienteliste, klasën parapolitike shqiptare dhe situatat parapolitike nëpër të cilat kalojmë si popull, bajraktarizmin, supermenët dhe zombit, disfatën e mjerueshme të establishmentit politik. Por përmbi këtë foli për “na t’birt e Teatrit”, ne qëniet që në këtë kohë kemi kuptuar, jetuar dhe ngritur lart vlerën e lirisë, demokracisë, kujtesës, dashurisë për sa kemi trashëguar e duam të çojmë përpara në historinë tonë si shqiptarë.

Përcjellim sot ngushëllimet tona të sinqerta për familjarët e zotit Zeqo, duke nisur me zonjën e tij, arkitekten Lida Miraj, bashkëpunëtoren tonë shumë te afërt e cila ka menduar, punuar e ecur bashkë me ne në qëndresën tonë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Ndajmë dhimbjen dhe jemi pranë tyre në mendime.

Kastriot Frashëri, Avokat:

IN MEMORIAM

MOIKOM ZEQO (3 Qershor 1949 – 15 Qershor 2020)

Lamtumirë o gjeniu ynë i letrave shqipe!

Ti ike sot nga kjo botë, pas një lufte të gjatë me shëndetin, pa u ndjerë, krenar dhe virtuoz, ashtu siç ke qenë përherë, duke na lënë jo vetëm në zi, por edhe me një brengë dhe një dhimbje të papërballueshme ne miqve të tu, të përhershëm...

Ti miku im, për nga dija dhe prodhimtaria intelektuale ishe dhe do të mbetesh gjithmonë një nga kalorësit më të mëdhenj të kulturës dhe letrave shqipe.

Ti linde dhe ike nga kjo botë në muajin e luleve dhe jetove në dy kohë të ndryshme, duke u përballur në epokën demokratikase me Sagën e vuajtjeve të një pushteti kleptokrat ku dija dhe vlerat nuk respektohen përpara 99-çave. Ndaj ne sot jemi në Zi për ty Miku im! Në Zi duhet të jetë sot dhe kultura Kombëtare!

Të qoftë i lehtë dheu Moikom!

Lamtumirë miku im!

Ilir Meta, President i Shqipërisë:

Thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos, mendimtarit të vyer, eruditit, zërit të fuqishëm, penës së fortë dhe poliedrike, intelektualit të angazhuar e të përkushtuar ndaj së mirës publike e interesit kombëtar, dhe njërit ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë.

Me një personalitet njerëzor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, trashëgimia tepër e vyer akademike dhe kulturore që la pas Moikomi do shërbejnë përherë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes të kombit tonë.

Ngushëllimët më të sinqerta Lidës së dashur, fëmijëve, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve të panumërt, për këtë humbje të madhe që le pas shumë dhimbje.

Kujtimi dhe veprat e Tij do të mbeten të paharruara!

Ahmet Selmani, Shkrimtar:

IN MEMORIAM

Moikom ZEQO (1949-2020)

Në këto orë të hershme, sapo më erdhi një lajmi i trishtë nga Tirana – paska ndërruar jetë shkrimtari, studiuesi, eseisti, eruditi par exellente, miku im i shtrenjtë Moikom Zeqo. Fatkeqësisht, kësaj radhe nuk arriti ta mbijetone leukeminë e llahtarshme. Nuk më shqiten nga mendja telefonatat e shumta, takimet, bisedat, emailet, kur gjithnjë më thoshte: “Ahmeti im, shëndeti im tanimë është rrënuar, vetëm një gjë më është forcuar si asnjëherë tjetër. Aftësinë e të menduarit kurrë s’e kam pasur më të fuqishme sesa tani”. Dhe vërtet, disa nga veprat e tij më të mira i krijoi pikërisht në periudhën kur sëmundja po e gërryente nga brenda. Por ai nuk u dorëzua deri në frymën e fundit. Mbeti hero i letrave.

Ndihem shumë krenar që e pata mik të mirë. Dhe, aq më tepër, që bëra edhe një libër modest për krijimtarinë e tij, për të cilin mbeti mirënjohës deri në fund.

Prehu në përjetësi, Moikom i ndritur!

Lulzim Basha, Kryetar i PD-së

Moikom Zeqo, eruditi i letrave shqipe u nda sot nga jeta pas një sëmundje të rëndë, duke lënë pas një vepër të lexuar dhe të vlerësuar nga shqiptarët anekënd botës.

Me seriozitetin, pasionin për shkencën dhe kulturën, autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, mbi historinë e artit, si dhe skenarëve për filma, do të mbahet mend ndër breza si një nga personalitetet e spikatura të kulturës sonë kombëtare.

Angazhimi i tij në politikë si deputet i PS ishte dhe mbetet modeli i politikanit aktiv dhe serioz për përfaqësimin e qytetarëve.

Ngushëllimet e mia shkojnë sot për familjarët e Moikom Zeqo, miqtë dhe shokët e tij që do ta kujtojnë gjithmonë me mall dhe respekt mjeshtrin e letrave dhe historisë shqiptare. U prehtë në paqe!

Jahja Drançolli, Studiues:

Shuhet studiuesi dhe shkrimtari Moikom Zeqo (1949-2020), një “Burr Ndiçues” (“Vir illustris”) i ditëve të sotme. Si arkeolog, poet, albanolog, eseist, është një nga të paktët puna e të cilit ka mbushur më shumë jetë.

Faleminderit kolegut tonë për gjithçka ka bërë për kulturën dhe shkencën tonë. Pusho në Paqen e Pasosur Moikom!

Enver Bytyçi, Profesor, Analist:

Nese nuk do e kisha njohur nga afer dhe nuk do te kisha lexuar asgje nga Moikom Zeqo, ndoshta do kisha shkruar ndonje klishe per te. Do ta paragjykoja p.sh ngaqe ishte mik me Rexhep Qosjen!

Por jo! Sot u nda nga ne nje personalitet, nje akademik, nje idealist, nje atdhetar, nje studiues si AI, Moikom Zeqo!

Askush prej nesh nuk i shpeton qendrimeve subjektiviste, sepse jemi subjekt dhe objekt ne kete bote! Por Moikom Zeqa do te zërë vend te nderuar ne shkencen dhe panteonin e studimeve historike, si dhe ne studimet e krijimtarine letrare te shqiptareve.

Dritë la nder ne e drit iu bëftë shpirti ne botën e përtejme! Zoti e bekofte me parajsen e merituar!

Lamtumire njeriu i mirë i kesaj bote te qelbët!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora