Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike në fshatin Peshter dhe Brus

| E hene, 15.06.2020, 12:04 PM |


Gjurmët arkeologjike në fshatin Peshter dhe Brus

Nga Dr. Qazim Namani, Arkeologji/Trashëgimi Kulturore

Gjurmët e punimeve minerare në rajonin e Ulpianës

Gjurmët e para të veprimtarisë së shfrytëzimit të mineraleve në rajonin e Ulpianës, Prishtinës dhe të Janjevës na çojnë në mileniumin e tretë para erës sonë në brigjet e lumit të Graçanicës me rrethinë. Formacionet e shkëmbinjve silicor (të quajtur gurgacë) që kanë veti të copëtohen për ti përdorur si vegla të punës dhe për gjueti ishin mjaftë të kërkuara në periudha të hershme historike. Kur këto formacione të shkëmbinjve njeriu i epokës së gurit nuk i gjente në sipërfaqe filloi ti kërkoi nën tokë. Pikërisht këto depërtime në thellësi të tokës përfaqësojnë zanafillën e punimeve minerare. Shfrytëzimet e para të xeheve të Gurëgacës, Bakërit dhe Hekurit janë të epokës parahistorike (Dushi, 1999).

Pranë këtyre kodrinave me shkëmbinj të serpentinit dhe tokës pjellore bazuar në gjetjet arkeologjike mund të pohojmë se jeta filloi që në shekullin V para erës së re në periudhën e epokës së re të gurit ku u gjetën gjurmë të vendbanimeve.  Në gërmadhat e themeleve të shtëpive të vjetra në Badoc dhe rrjedhën e lumit të Graçanicës janë gjetur sëpata dhe vegla tjera prej Serpentinit të lëmuar dhe prej Ahatit (Çershkov, 1964).

Po ashtu në këtë vendbanim janë gjetur edhe copa amorfe të galenitit të cilat dëshmojnë gjurmë të zanafillës së eksploatimit të mineraleve dhe xeheve në këtë rajon. Edhe pse këto janë dëshmitë e para primitive të eksploatimit të xehetarisë, fillet e para të eksploatimit të hovshëm të kësaj veprimtarie duhet kërkuar në lokalitetet e para të vendbanimeve në shëkullin e V para erës së re në rrjedhën e lumit të Graçanicës dhe në rrethinën e Janjevës (Çershkov, 1964).

Koha e zhvillimit intensiv të jetës në kështjella dardane në këto anë dhe ndërtimeve të hershme të fortifikimeve sigurisht se duhet kërkuar kah fundi i shekullit të V dhe shekullit të IV para erës sonë, pra në kohën e lulëzimit të mbretërisë Dardane. Në këtë periudhë metalet fisnike si ari dhe argjendi përdoreshin për përpunimin e stolive të ndryshme. Këto stoli shërbenin edhe si mjet shkëmbimi me qytetet e zhvilluara në Greqi dhe qytetet tjera të Gadishullit Ilirik.

Nga të dhënat që dihen deri më tani për dardanët mund të pohojmë se edhe dardanët i kanë farkuar monedhat e veta. Madje duket se në Dardani janë farkuar lloje më të hershme të monedhave të emetuara e të ashtuquajtura monedha “barbare” (Shukriu, 2004).

Gërmimet arkeologjike mundësuan që të njihemi me veglat e punës si: dalta, kazma, qyskia, enë, kopça, varëse, stoli etj., si dhe me varreza që u zbuluan në lokalitete dhe vendbanime xehetarie që dëshmojnë rolin e xehetarisë në zhvillimin ekonomikë të këtyre vendbanimeve. Nga shekulli IV para erës së re qyteti Damastion farkoi monedhat e veta që zgjati deri më 320 para erës së re, që dëshmojnë për përdorimin e hershëm të monedhave si shkëmbim në këto troje (Shukriu, 2004).

Në Dardani shfrytëzimi dhe përpunimi i metaleve ka pasur një zhvillim të madh në kohën e lulëzimit ekonomik dhe kulturor të Ilirëve. Për këtë dëshmojnë monedhat e shumta të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike të qytetit xehetar Damastion, për të cilin thuhet se ka pasur si simbolikë të mineraleve dhe qytetit xehetar Çekiçin dhe Qyskinë (Dushi, 1999).

Damastioni ishte njëri ndër qytetet e hershme i cili u ngritë në shekullin V para erës së re afër minierave të argjendit, por ende nuk është e sigurt vendndodhja e tij në Kosovë. Në rrethinën e Janjevës dhe Prishtinës janë gjetur monedha të qytetit xehetar Damastionit (Çershkov, 1964).

Zbulimi i këtyre monedhave në pellgun xehetar të Kishnicës, Badovcit, Shashkocit, Janjevës dhe në rrethinën e Prishtinës mund të na shtyjnë të mendojmë se qytetin ilir Damastion duhet kërkuar në këtë rajon.

Me gjithë mendimet e kundërta rreth vendndodhjes të këtij qyteti, Zef Mirëdita mendon se Damastionin duhet ta kërkojmë në trevën qendrore të Dardanisë, respektivisht në trevën e sotme të Kosovës. Në vitin 1961 në jugperëndim të Janjevës në vendin e quajtur “toka e bardhë” janë zbuluar mbeturinat e një vendbanimi antik. Kjo trevë bashkë me Artanën dhe minierat e Kishnicës janë të njohura si vende xehetarie, dhe duhet theksuar se në këtë trevë janë gjetur më së shumti monedha të Demastionit, pastaj edhe Straboni si edhe Palimpsesti i Vatikanit i përmendin xeheroret e argjendit të cilat gjendeshin në afërsi të Damastionit. Pikërisht këto të dhëna na bëjnë ta kërkojmë Damastionin në afërsi të Kishnicës respektivisht Janjevës apo të Prishtinës (Mirëdita, 1979)

Gjatë periudhës romake vendbanimi i Ulpianës u zhvillua rrëzë kodrinave të pasura me minerale të Malësisë së Gallapit dhe tokës pjellore të fushës së Kosovës. Kodrina xehetarie pranë Ulpianës u formuan si rezultat i erupsioneve vullkanike në kohë shumë të hershme. Si rezultat i ftohjes së masës së vullkaneve në këtë rajon u formuan muret masive të shkëmbinjve të llojit të Serpentinës dhe Andezitit. Sasia e madhe e xeheve është masë e derdhur e llavës së Vullkanëve. Muret masive nëntokësore të shkëmbinjve në këtë rajon janë të llojit Serpentin dhe Andezit. Janjeva shtrihet në afërsi të këtyre mureve vullkanike. Masa vullkanike vazhdon shtrirjen në veri ku në disa vende janë hasur xehe të Andezitit dhe Serpentinës ( Colak & Mazuran, 2000).

Gjurmët e zgjyrës së metaleve janë të shumta në luginën e lumit të Kishnicës, në liqenin e Badovcit, Suteskë, në përroin e Butocit, Busi, Slivovë, Llabian etj.

Mbi Janjevë te Guri i Bardhë, Dheu i Bardhë, në fshatin Bukovicë, Shesharkë, Hanroc, Brus, ka gjurmë të galerive. Në rajonin e Brusit, në lumin e Androcit, në vendin e quajtur “Uji i Kuq” ka shumë zgjyrë të metaleve. Në vendin e quajtur “Përroi i Dreqit” në Badoc, dhe në kodrën e quajtur Gvozdenik të fshatit Shashkoc ( Colak & Mazuran, 2000).

Në Gvozdenik zgjyra është e zezë në të gjelbër dhe e përzier me mbetje të argjendit. Në Veletin hasen mbetje të vjetra të zgjyrës në ngjyrë të gjelbër. Në Gvozdenik për nga përbërja më së shumti ka xehe Siderit, Piroluzit, Sfalerit dhe Galenit të argjendit. Në vendin e quajtur Shkrijim dhe Vapnenc te lokaliteti i quajtur Ceove janë katër vende me zgjyrë të tubuar deri në madhësi prej 2,5m. Zgjyra e këtij lokaliteti përmban galenit dhe grimca të arit dhe argjendit ( Colak & Mazuran, 2000).

Nga burimet e shkruara për ndërtimet ne antikitetin e vonë janë të njohura disa kështjella pranë rrugëve kryesore dhe qyteteve më të zhvilluara të kohës. Dyndja e popujve barbarë drejt trevave ilire në shekujt IV-VI, dhe nevoja për t’u mbrojtur, e shtoi aktivitetin e ndërtimit të fortifikatave. Ky sistem mbrojtës i fortifikimeve u shtua sidomos në shekullin VI në kohën e sundimit të perandorit me origjinë ilire-Justinianit I (527-565).

Gjurmët arkeologjike në fshatin Peshter

Kulina fshatin Peshter, komuna e Lipjanit është e ngritur mbi një kodrinë shkëmbore në hyrje të fshatit Slivovë në anën e djathtë të lumit. Kulina si lokalitet arkeologjik mesjetar është e regjistruar me numrin rendor 3688 në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme në Republikën e Kosovës. Kulina hynë në mesin e shumë kështjellave tjera të vogla që bënin pjesë në sistemin e fortifikatave të qytetit të Ulpianës. Kjo fortifikate e ndërtuar në një kryqëzim strategjikë rrugësh Ulpianë - Artanë dhe Artanë - Janjevë luajti rol të rëndësishëm edhe gjatë periudhës së mesjetës. Deri në shekullin XV zhvillim të dukshëm pati arkitektura ushtarake. Në periudhën e parë të pushtimit Osman, disa fortesa u përdorën për vendosjen e garnizoneve ushtarake, kurse shumë prej tyre u rrënuan për të mos u kthyer më pas, në qendra rezistuese të popullsisë kryengritëse. Kalatë e qyteteve u kthyen në qendra administrative ushtarake, së bashku me disa kështjella që kishin rëndësi të veçantë strategjike. Këto të dhëna në këtë rajon dëshmojnë për zhvillimin e xehetarisë në këto anë si dhe rëndësinë që e kishte kjo fushë në zhvillimin ekonomik të qytetit dardano-romak të Ulpianës, andaj duhet pasur parasysh që në këtë rajon të mos lejohen gurëthyes dhe aktivitete tjera ndërtimore pa vëzhgimin e terrenit dhe praninë e arkeologëve.

Foto 22. Fshati Peshter

Foto 23. Harta topografike e fshatit Peshter

Kulina është ndërtuar në Malësinë e Gallapit rreth 10 km në lindje të qytetit antik të Ulpianës. Shiquar në aspektin gjeologjikë Malësia e Gallapit dallohet me kodrina në formë konike dhe rrafshnalta të vogla të formuara që nga kohët e lashta vullkanike. Përbërja gjeologjike karakterizohet me shkëmbinj   magmatikë, të pasur me minerale si: ari, argjendi, plumbi, zinku, etj. Shfrytëzimi i xeheve në këtë anë është i njohur qysh nga fazat më të hershme të shfrytëzimit të mineraleve, periudhës së Mbretërisë Dardane, Perandorisë Romake, Bizantine, gjatë mesjetës dhe në kohën e re.

Pranë qendrës së fshatit Slivovë, sa të kaloni lumin që ndanë fshatin Slivovë me fshatin Peshter ndodhen varrezat ortodokse (Foto 1 dhe 2). Në anën e sipërme të varrezave kalon rruga që qon në Kulinë. Mbi varreza ortodokse dhe themelet e një kishe të vogël janë dy grumbuj gurësh nga gërmadhat e ndonjë objekti të vjetër. Përballë varrezave mbi rrugë vërehet një hendek (Kanal) që shkon në drejtim të majës së Kulinës.

Foto 1. Varrezat ortodokse rrëzë Kulinës.     Foto 2. Hendeku mbi varreza që qon në drejtim të Kulinës

Në anën e majtë pranë këtij hendeku, përballë varrezave vërehen konturat e një objekti që na shtynë të mendojmë se kemi të bëjmë me një objekt kulti të më hershëm se sa kisha e ndërtuar brenda kompleksit të varrezave të sotme ortodokse (Foto 3 dhe 4).

Foto 3. Themelet e kishës në varrezat ortodokse.        Foto 4. Grumbuj gurësh mbi varreza

Mbi faqet e pjerrëta të kodrës që qon në të djathtë të Kulinës vërehen konturat e mureve rrethuese të një kulle me një sipërfaqe rreth 0,10 ha (Foto 5 dhe 6).

Foto 5 dhe 6. Rrënojat e Kullës në anën ë majtë të Kulinës

Brenda mureve të kullës ndodhet një pus për furnizim me ujë. Vërehet se brenda mureve kishte pasur gërmime klandestine (Foto 7 dhe 8). Duke u bazuar në gërmadhat e kësaj kulle konsiderohet se muret e ngritura janë të stilit arkitektonik poligonal, teknikë kjo e cila është përdorur në periudhën e lashtë.

Foto 7. Gërmime klandestine     Foto 8. Pusi brenda mureve  të kullës

Në anën jug-perëndimore të Kulinës vërehen strukturat e murit të kullës që vazhdojnë të zbresin në formë shkallës. Themelet e kullës janë të murosura me gurë dhe lidhje të gurëve me llaç gëlqeror, si dhe të punuara me një teknikë të lartë (Foto 9 dhe 10).

Foto 9 dhe 10. Gjurmët e themeleve të kullës në anën jug-perëndimore

Në anën veri-perëndimore të kullës vërehen gërmadha të vendbanimit që vazhdojnë në drejtim të lumit në fshatin Slivovë. Në pjesën lindore mbi sipërfaqe të tokës kanë mbetur shumë pak gjurmë të ndërtimeve, por bazuar në disa fragmente të gurëve (Foto 11), në sipërfaqe dhe një gropë të hapur nga gërmuesit klandestinë (Foto 12), mund të pohojmë se ndërtimet janë shtrirë edhe në këtë drejtim deri te teleferiku i cili gjatë fundit të shekullit të XX-të e barte xehen prej Minierës së Artanës në Kishnicë (Foto 13).

Foto 11. Fragmente të themeleve       Foto 12. Gërmime klandestine

Foto 13. - Gurthyesi në fshatin Slivovë, fotografuar prej anës lindore të Kulinës (rrugës së teleferikut për bartje të xehes Artanë-Kishnicë.

Është me rëndësi të ceket se prej Kulinës në drejtim të lindjes ka ekzistuar një rrugë e vjetër që qonte në fshatin Peshter dhe Qukën e fshatit Brusit. Gjatë vëzhgimit të terrenit prej anës lindore të kulinës e deri në fshatin Peshter nuk janë vërejtur gjurmë të ndonjë vendbanimi. Banorët e fshatit Peshter gjatë aktiviteteve bujqësore në arat e tyre deri me tani nuk kanë hasur në ndonjë gërmadhë të objekteve ndërtimore.

Rreth 2 km në lindje të Kulinës janë “Gurët e Bojës”(Foto 14), të njohur nga popullata vendore me këtë emër për shkak se me ngjyrat e këtyre gurëve ishin pikturuar freska, piktura murale dhe ngjyrosja e leshit për veshmbathje (Foto 15 dhe 16). Mbi Gurët e Bojës në anën Jugore në një lartësi mbidetare më të madhe se kodrat tjera është Kodra e Gjemajl Agës, prej nga komunikohej me të gjitha fortifikimet rreth fshatit Peshter.

Foto 14. - Gurët e Bojës, fotografuar prej Kodrës së Jusufit

Foto 15 dhe 16 - Gurët e Bojës

Në lindje të Gurëve të Bojës shtrihet Kodra e Jusufit (Foto 18), ku gjatë vëzhgimit në sipërfaqe nuk është vërejtur ndonjë gjurmë e vendbanimit por edhe banorët lokal nuk kanë njohuri për ndonjë gjetje arkeologjike .

Foto 17- Kulina fotografuar prej fshatit Peshter i Epërm  Foto 18- Kodra e Jusufit

Gjurmët arkeologjike në fshatin Brus

Jo shumë larg në lindje të Kodrës së Jusufit, përball saj është Quka e fshatit Brus (Kodra e Shaban Agës), që njihet si lokalitet arkeologjikë (Foto 19).

Foto 19 -. Quka e fshatit Brus, Fotografuar prej Kodrës së Xhemajl Agës

Në lindje rrëzë Qukës së Brusit pranë “Rrugës së Maxhupit” janë të njohura varrezat e vjetra që njihen në literaturë si varreza të hebrenjve, por pozita e këtyre varrezave në hyrje të fshatit Brus, gurët e varrezave dhe rruga e vjetër në anën lindore të Qukës na shtyjnë të mendojmë se kemi të bëjmë me varreza të hershme dardane (Foto 20 dhe 21).

Foto 20 dhe 21 - Varrezat e vjetra në anën lindore të Qukës në fshatin Brus

Po ashtu ne veri-lindje të Qukës së Brusit, përkatësisht mbi Gropat e Qereçit nga banorët lokal thuhet se në livadhet e Qeskut dhe të Gonisë (Foto22), pranë rrugës së vjetër Brus-Slivovë janë gjetur disa gurë të themeleve të objekteve.

Foto 22 - Gllama në fshatin LLajshec

Foto 23. Fshati Brus

Foto 24. Harta Topografike e fshatit Brus

Në anën veriore përballë Qukës së Brusit shtrihet Gllama (Foto 22), e fshatit Llajshec, ndërsa përballë Kulinës shtrihet kodrina e quajtur “Bajraku” në fshatin Mukatë (Foto 26). Pozita gjeografike e këtyre dy kodrinave na shtynë të mendojmë se ishin fortifikata vrojtuese që vëzhgonin rrugën nga ana tjetër e lumit dhe komunikonin me Kulinën, Qukën e Brusit dhe fortifikimet tjera vrojtuese. Përballë Kulinës në fshatin Slivovë, përgjatë rrugës që qon në fshatin Kukaj dhe pranë një gurëthyesi në sipërfaqe nuk janë vërejtur gjurmë të vjetra të vendbanimit, por këtë e dëshmojnë edhe pohimet e banorëve lokal të cilët thonë se gjatë aktiviteteve të tyre bujqësore dhe ndërtimeve nuk kanë hasur në gjurmë të vjetra të civilizimit.

Foto 25 – Kulina, fotografuar prej fshatit Slivovë  Foto 26 – “Kodra e Bajrakut” në Mukatë

Nga burime e literaturës janë të njohura themelet e vjetra të një objekti në fshatin Llabjan, për të cilin mendohet se ishte objekt doganor në rrugën që vinte nga Artana e që kalonte nëpër fshatin Brusë për në Janjevë. Po ashtu në afërsi të Kulinës ka mbetje të përpunimit të metaleve (zgjyrë) që nga antikiteti dhe mesjeta. Zgjyrë të metaleve janë evidentuar  përgjatë tërë lumit në fshatin Slivovë, Llabjan, Honroc dhe fshatra tjera për rreth Kulinës, gjë që dëshmojnë për aktivitete më hershme në fushën e xehetarisë.

Duhet theksuar se xeheroret e Kosovës janë shfrytëzuar që nga periudhat e para të shfrytëzimit të metaleve, meqë ishte degë mbisunduese e ekonomisë, ato ndikuan edhe në zhvillimin e qyteteve dhe ndërtimin e fortifikimeve në këto anë gjatë fazave të ndryshme historike. Nga këto të dhëna mund të supozojmë se në galeritë e xeheroreve ilire do të kenë vazhduar veprimtarinë e tyre xehetarie edhe romakët, ku galeritë e eksploatimit të xeheve që nga kjo periudhë janë ruajtur deri në ditën e sotme

Foto 22. Fshatratë: Peshter, Brus, Mukatë, Slivovë, Llajshec

Foto 23. Harta topografike e fshatrave: Peshter, Brus, Mukatë, Slivovë, Llajshec

Literatura:

[1] Dushi, M., 1999 “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Skara 1, Prishtinë

[2] Çershkov, E., 1964 Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë

[3] Mirdita, Z., 1979 “Studime Dardane” Prishtinë

[4] Shukriu, E., 1979 “Dardania Paraurbane”, Studime arkeologjike të Kosovës e Dukagjinit, Pejë

[5] Shukriu, E., 204  “Kosova Antike”, Prishtinë.