E enjte, 18.04.2024, 02:33 PM (GMT+1)

Editorial

Prend Buzhala: Njeriu i mirë dhe rrethi i egër shoqëror

E hene, 15.06.2020, 11:04 AM


NJERIU I MIRË DHE RRETHI I EGËR SHOQËROR

(Kundrime)

Nga Prend BUZHALA

A thua, përballë politikës makiaveliste, a është e kotë të jesh njeri i mirë?

Mos qenka e kotë, që, në atë rreth makiavelistësh, të përpiqesh për të krijuar ndryshime pozitive?

Pyetja shtrohet: NË NJË BOTË të egër, të stërkequr, a mund të ekzistojë njeriu i mirë?

A mos kërkohet, në këso rastesh, që ti përshtatesh që të ekzistosh? Po u ndale dhe po u tërhoqe nga e mira, që ke brenda vetes, çfarë ndodh?

1.

Njerëzit e mirë janë të mëdhenj, pse dinë ta dëgjojnë tjetrin.

Mirëpo, njerëzit e mirë, me frymëzim lartësues, dinë të kryejnë edhe punë të mëdha. Madje, punë me vlerë të jashtëzakonshme, ata i bëjnë nga punët krejtësisht të vogla, të parëndësishme, në dukje të parë. Kur merret, për krahasim, bie fjala bari i fushë, apo bari i një fushe sportive. Por te ai bar a nuk kryhen veprimtari të mëdha sportive dhe a nuk krijojnë famën e tyre sportistët e shquar? "Bota do të zgjidhet nga miliona gjëra të vogla" thotë Pete Seeger. Është i njohur reflektimi i Nënës Tereze: ""Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe."

Njeriu është qenie e potencialeve të tij, të cilat i zhvillon në marrëdhënie me shoqërizimin e tij (socializimin, ang socialization- shoqërizimin si proces i përhershëm, në të cilin një person në bashkëveprim me të tjerët, zë vendin e tij në botën shoqërore e kulturore ku jeton e punon, ku formohet si personalitet me identitetin e tij); është qenie që përpiqet t’i afirmojë vlerat e veta, “afirmimin e Unit të vërtetë njerëzor” (Frommm); dhe meqë ai varet nga forca e një autoriteti në shoqëri, nga njëra anë, dhe nga ligjet e natyrës, nga ana tjetër.

A është e pjekur një shoqëri që ta vendosë në ballë të tij një autoritet të pranueshëm, Njeriun e Mirë, i cili di t’i përballojë edhe telashet më të mëdha?

A e kemi, të tillin, aty, ku në vorbullën e shqetësimeve të mëdha shoqërore e nacionale, di të mbledhë forcën e tij, të ngrihet në këmbë guximshëm, pikërisht pse ka edhe forcë reflektimi?

Fatkeqësisht, ndodh që në një shoqëri, ku jetohet mirë, njerëzit e mirë mungojnë me të madhe.

Ky njeri modern, i tjetërsuar pas biznesit të tij, pas punës në zyre apo në hulumtime e angazhime tjera, nuk gjen kohë për familjen e tij. Dhe, duke u dehumanizuar nga qenia e tij, nga vetvetja, ai humb edhe kriterin për të mirën e të keqen, për të dobishmen dhe të rëndësishmen.

2.

Njeriun e mirë dhe të mirën shkrimtarët e bëjnë temë të përhershme në letërsi. Do të na kujtohet Dritëro Agolli me librin e tregimeve “Njeriu i mirë” (i botuar edhe në Kosovë), ku ky njeri shpërfaq vlerat e etikës së tij, të njeriut të thjeshtë të punës, të familjes e të shoqërisë, pa hyrë në përplasjet politike apo ideologjike, por ato të etikës.

Edhe në jetën e përditshme takojmë përplot njerëz të mirë. Një predikues i tillë, i mirësisë, është Naim Frashëri ynë. Fillimisht, ai me mirësinë identifikon Perëndinë:

Shto e beko dhe bagëtinë,

Se ti je Zot' i gjithësisë,

Në dorëz' e ke mirësinë

Njerëzis' epi jetë të gjatë,

Mundimet fare nga jeta ngreji,

Djepinë shkret' e lugënë thatë

Mos e shih kurrë, po mbushur leri.

Fal

Dhe ep

Gjithë ç'ke

Nga të mirat,

E të pështirat

Hidhi këtje,

A vari më ndonjë grep,

A mbuloji më ndonjë mal,

E lërë vetëm mirësitë,

Fal edhe dritë e jet' e ditë

Le të prehet gjithë njerëzija

E të mos ketë kurrë të këqija...

(Poezia “Dëshirë)

Kurse te poezia “Perëndija”, naim Frashëri këtë mirësi e zbret edhe te njeriu:

Ajy që ka mirësinë,

Ka perëndin' e të mirat,

Edhe kush ka djallëzinë,

Ka djallë e ligësirat.

Ndërkaq, At Gjergj Fushta, te “Lahuta e Malcis”, sado i veshur me petkun e klerikut, ai të mirë e shtrin te E Mira e Atdheut:

Kú t' a lypë e mira e Atdheut

E t' a hjekë lirija e vendit,

Kush â nipash t' Skanderbeut,

I ç' do fés e i ç' do kuvendit,

Per t' a msý aj ká anmikun,

Si petriti zogjt trumcakë,

E kûdo t' vringllojn çelikun

Nuk lên token pa e pergjakë. »

Ndërkaq, vetëflijimi i të riut për Atdheun, i Micanit te “Lahuta...”, epitetizohet me më të mirin:

Ke po i vret hiri e pa hiri,

Gjithkû t’jetë djali mâ i miri!»

Edhè â shkimë si shkimet qiri.

Gjithnjë ai që dallohet në vetëflijim, për të mkrën e përgjithshme, në poull njihet me shprehjen “Ma i miri, më i miri.”

3.

Është krejt e natyrshme që edhe Njeriu i Mirë gabon, sepse nuk është qenie përfundimisht e përsosur. Fishta do të thoshte:

Shpnesa nierit prej ka’ i kthillet,

Nisë uraten me prunjí:

O ti i Lumi Perendí,

Kí mishrir, deh! Per kta t’ mjerë,

Qi tý fye t’ kann mâ se ‘i herë:

Pse n’ ket jetë, hiri e pa hiri,

Shtatë herë n’ ditë fyen edhè i miri;

Por qi kurr shpinen s’ t’ a suellen,

As jashtë

vathit t’ anf nuk duelen.

Mirëpo, gabimi tij, sado i pasherr, i paqëllimtë, i padëmshëm të jetë; për makiavelistët ai është gabim që sjell katastrofa, sepse nuk e durojnë të mirën e qenies së këtij njeriu të mirë, shkëlqimin e tij si personalitet. Vendosmërinë e tij për të mirën e përgjithshme, do ta kuptojnë si gabim, përçarje, shkelje, si diçka që i lëkund pozitat e bakeqëve. Për keqbërësit, përparimi i qëndrueshëm, e mira dhe madhështia e punës dhe e karakterit, nuk vlejnë, sepse e keqja që e bëjnë nuk e duron dritën e diellit, as të vërtetën, as frymëzimin lartësues për jetën e shoqërinë.

A ka të drejtë të ndryshojë sjelljet e veprimet e tij njeriu?

Dhe po qe se vëren që braktis atë mënyrë të të folurit, të veprimit të dëmshëm nacional a publik, atëherë kjo është shenjke e mirë: po, ka të drejtë të ndryshojë.

4.

Kur hulumtohen biografitë e njerëzve të mëdhenj, jo pak biografë do të zbulojnë tek të tillët butësinë, mu ashtu, me atë butësi, ai do ta ndihmonte edhe një fëmijë. Njeriu i tillë, i fortë dhe i mirë, sado lart të jetë në pozitën e tij, ai nuk i lëndon të tjerët, nuk iu shkakton dhimbje të tjerëve, nuk e përdor forcën e tij për t’i shtypur të tjerët për t’iu shkaktuar vuajtje sociale apo njerëzore; për të zhvatur nga xhepi i tyre apo për t’i varfëruar ata. Jo. Ai do të përpiqet që, si qenie e lartë etike, t’i ndihmojë ata, të bashkëndiejë me ta.

Njeriu i Mirë është i kujdesshëm edhe në shfaqjen e temperamentit të tij. “Burrat janë si çeliku. Kur humbasin temperamentin e tyre, ata humbasin vlerën e tyre." (Chuck Norris).

Duke marrë përsipër barrën e të tjerëve, telashet dhe problemet e të tjerëve, ai e ndien së thelli atë detyrë të vështirë, atë ngarkesë që do të përpiqet plr ty kryer me përgjegjësi të madhe, tejet të rëndë. Duke e pasur të selitur brenda personalitetit të tij të mirën, ai pranon të ballafaqohet me atë barrë, aq sa ka kaçik, qoftë edhe përtej mundësive të tij, qoftë edhe duke përballuar kokëçarje e mundime.

Nga historia jonë dhe nga historia e kombeve tjera, njohim përlot njerëz të tillë.

Pa e absolutizuar kategorinë etike të të mirës e të Njeriut të Mirë, nuk është e rastit përse në antikë virtyti konsiderohej si sinonim i mirësisë, e që e luan rolin kryesor si themel etik. Mendonin kësisoj, se mirësia dhe virtyti kanë rëndësi të dorës së parë, për arsye se nëpërmes tyre arrihet lumturia dhe mirëqenia jo vetëm personale, po edhe familjare e shoqërore (eudaimonia - jetës së dëshirueshme, të mirë, të vlefshme ose e saktë dhe daimon - fryma e brendshme).

Që nga antika dallohen edhe e mira intelektuale, e mendjes, apo virtytet dianetike (intelektuale) – “lumturia e një qenie mendore”, aty ku MENDIMI I LIRË konsiderohet si e mira apo lumturia më e madhe. Ndërkaq, virtytin politik Aristoteli e merrte si personifikim të drejtësisë.

Njeriu është edhe qenie etike,

Të shprehesh me ndershmëri.

Të shprehesh me bindje, pa inatin që e gërryen brendinë tënde. Dhe kur Një personalitet flet para një publiku disa milionësh, si njeri i rëndësishëm që paraqitet, po qe se i mungon kjo mirësi, ai gjithsesi do ta manifestojë egërsinë e tij, ku këto vlera zhduken, shuhen, humbin.

Dhe publiku e dallon lehtë këtë gjë.

Njeriu i mirë përhap bekim, kurse i djallëzuari përhap helmimin e atmosferës.

Njeriu i mirë përhap të vërtetën, kurse njeriu i djallëzuar përhap gënjeshtrën dhe shpifjen, sepse ato i ka masë të mbrojtjes së të keqes që ka bërë, të pasurimit të paskrupullt kriminal vetjak.

Njeriu i mirë nuk e përdor as shpifjen, as gënjeshtrën e as mashtrimin, ndonëse e di qela to i sjellin të mira: kurse njeriu djallëzor, i pabesë, mashtrues i ngatërron me qëllim të tjerët, realitetet, ngjarjet a faktet; ndjek rrugët jo të ndershme pse ka qëllime të këqija, pse ka plane të rrezikshme, deri në rrezikim jete dhe pse këto plane e shpijnë në verime të errëta politike apo sociale, ekonomike apo nacionale, duke mos i sjell asnjë të mirë vendit e të tjerëve.

Njeriu i mirë arrin që me shumë përpjekje ta tejkalojë të keqen, kurse i djallëzuari e thellon.

Do të mund ta shihni njeriun e mirës e si zemërohet ndonjëherë, zemërohet në mikun, në tjetrin apo me botën përreth; por ai siguron që tek njerëzit e tillë nuk do ta nxisë pakënaqësinë ndaj së mirës. As nuk do ta përdhosë atë.

Kësisoj, në secilën kohë ekzistojnë edhe njerëzit idealistë, njerëzit e mirë. “"Për të realizuar gjëra të mëdha, jo vetëm që duhet të veprojmë, por edhe të ëndërrojmë, dhe jo vetëm të planifikojmë, por edhe të besojmë" (Anatole France).

Njeriu i mirë, sado që mund të jetojë me shumë mungesa materiale, është i kënaqur me ato që ka dhe e krijon një mjedis të sigurt, të pranueshëm që e bën të bukur jetën. Njeriu djallëzor e mashtrues, edhe kur ka miliona, edhe kur rrethohet me aq para e të mira materiale sa një qytet i tërë; nuk mund të ndjehet mirë, pikërisht për shkak të kësaj stërngopje, pikërisht pse, për t’u pasuruar vetë, duhet të vuajnë mijëra të tjerë.

5.

Por jeta moderne e ka pasuruar karakterologjinë e tipave negativë edhe me një karakteristikë, me demagogët që dinë të manipulojnë edhe me të mirën.

Në radhë të parë, janë mediat ato që manipulojnë me publikun, duke pretenduar se përfaqësojnë etikën, të mirën, të dobishmen, në emër të informacionit të ofruar. Mediat ndikojnë te informacioni i përhapur te publiku. Nëse fjalët publicus (e përgjithshme), publicist (nga njerëzit për njerëzit) dhe res publica (të mirat e përgjithshme), do të shënjojnë interesin e përgjithshëm për të mirën personale e nacionale, publike. Dhe nëse opinioni i shfaqur publik kemi përmasat pozitive-negative-neutrale, apo pro-kundër-neutral, apo për-kundër dhe i varur, atëherë edhe kërkimi a shtegu i tillë bëhet më i mundimshëm: si të gjendet harmonizimi e përshtatja përmes një procesi dinamik të të shprehurit para këtij publiku. Porse ne vërejmë që manipulimi me informacionin, të vërtetën dhe problematikën e shtruar, ka caqet e qasjet , interpretimet, komentimet, mjetet e qëllimet e veta psiko-soaciale, për ta formuar këtë publik, për ta kontrolluar përmes përmbajtjeve të caktuara manipuluese, siç është pra marketingu politik, me stereotipat e mashtrimit, përvetësimit apo arsyetimit të së keqes. Pikërisht pse vetë është i zhytur në ujëra të tilla, edhe kur demaskohet, atëherë dëshiron dje përpiqet që, nëpërmes mediave të tilla, ta bindë një publik se edhe Tjetri, njeriu i mirë, është i keq si ai, madje “më i keq”!!! domethënë, ai përhap dëshpërimin, gjendjen e pashpresë dhe aspak optimizmin. Edhe fjalët për zhvillim, mirëqenie, prosperitet etj, i ka fals, aty ku mashtrimin përpiqet ta paraqesë si gënjeshtër dhe gënjeshtrën si të vërtetë; aty ku shtrembërimin e të vërtetës e përdor si mjet falsifikimi për të përvetësuar favore privilegjesh, favore politike apo ekonomike. Nuk është e habitshme përse në shoqërinë tonë falsifikimi (i pasurive, i të dhënave familjare, i vendeve të uzurpuara të punës, i veprimeve antishoqërore, falsifikohen me të madhe. E falsifikon të kaluarën kriminale, duke e paraqitur si veprime të mira, kurse veprimin e mirë të njerëzve të mir dje, e paraqet si “të rrezikshëm” (Kujto njerëzit që sakrifikuan për Republikën e Kosovës, kurse nëpër gjyqe e fotele politike e drejtësie, ulen persekutohet e djeshëm). Nuk ishte e habitshme përse burgoseshin njerëzit e mirë, kurse keqbërësit shpërbleheshin. Nuk është e kursyer as koha jonë me fenomene të tilla, ku njerëzit e mirë e të pafajshëm shpesh përbalten, fyhen, denigrohen, madje edhe penalizohen, kurse shpifësit, survejuesit, meritorët e një politike keqbërëse, shpërblehen me privilegje e të mira të tjera ë pamerituara.

Ndodh diçka e keqe aty ku e keqja kutërbon me krimin: aty ku si mjet ku përdoret shantazhi kundër vartësve, për t’i bërë argat të së keqes, korrupsionit, krimit, vrasjes, sulmit ndaj tjetrit si “kundërshtar” e “armik” (personal, politik, partiak, fetar etj etj); po aty njeriu ndjehet i ndrydhur, detyrohet të marrë ato tipare karakteri posi vartësit e tij, të bëhet bahskëpunëtor në krim; aty nuk mund të flitet për vlera, por për survejime (mbikëqyrje) të njerëzve, spiunllëqe, metoda të degradimit njerëzor, familjar, social, politik apo nacional. Mbikëqyrja, në këso rastesh, nuk bëhet as për ta mbrojtur vetveten nga krimi, as për ta mbrojtur shoqërinë, familjare apo atdheun; por bëhet për t’i siguruar rrugët e shtigjet e së keqes, mu si në ata filmat kriminalistikë.

Aty ku vepron njeriu i mirë, aty krijohet atmosferë e pastër, e çiltër, kurse njerëzit e ndiejnë veten të çliruar për të punuar, menduar e folur lirshëm: për ta realizuar (eudaimonia-n e vet, lumturinë dhe mirëqenien jo vetëm materiale, personale, po edhe familjare e shoqërore, shpirtërore e etike a - jetës së dëshirueshme...

(Prend N. Buzhala, 4 qershor 2020)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora