E premte, 19.04.2024, 04:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Prend Buzhala

E hene, 15.06.2020, 09:34 AM


Prend Buzhala

ËNDRRA E VOGËLUSHIT

PËR TA GJETUR KËNGËN E LUFTËS

Vogëlushi shtatëvjeçar,

kur ishte i strehuar nëpër male gjatë luftës

luante dhe këndonte për gjyshërit,

për babanë luftëtar,

për librin e leximit në bibliotekën e shtëpisë

dhe për kopshtin me lule.

Kur përfundoi lufta,

shkoi me nënën e tij në kopshtin me lule,

mbasi shtëpia ishte djegur,

mbasi biblioteka dhe libri i leximit

ishin bërë shkrumb e hi,

mbasi gjyshërit dhe i ati

kishin rënë në luftë.

U ul në kopsht dhe mbylli sytë.

Nëna e pyeti: Përse po i mbyll sytë?

Vogëlushi i tha: po bisedoj me babanë,

po luaj me gjyshërit,

po e lexoj librin e leximit,

po ëndërroj sikur po fle në shtëpi-

mbasi tash nuk po mund të këndoj.

Këndo, biri i nënës.

Jo, nënë,

tash më duhet ta gjej ëndrrën e humbur

se si këndoja nëpër male,

kur në luftë i kisha të gjitha.

E në liri këto po më mungojnë.

(Prend N. Buzhala, 14 qershor 2020)

RECITAL PËR VARRIN MË TË PËRSOSUR

(Baladë për dëshpërimin, vetminë dhe varrosjen e shpresave)

Në rrugë, i veçuar nga njerëzit, diku nisesh,

ashtu si i vetëm u linde në këtë botë

dhe tani, i vetmuar jetën pas e shikon,

e kur lumturinë e të tjerëve e kundron,

përse mendon që jetën e pate të kotë

e tash vetëm arratisesh, e gremisesh

e sysh terratisesh, i sfilitur ngrihesh?

Ky qenka risku yt kur hedh shikimin thellë

thellësitë si shpagë të dhurojnë dëshpërim,

deri te ai terri i mendjes: s'ka arsye për të jetuar.

Stepesh i mbyllur në një kasolle-shpellë,

s'ka gjë, mendimi do pak tronditje, pak trishtim,

e, cila rrugë vetëm me shpresë qenka ndërtuar?

Eh, rruga e shpresës së humbur

qenka shenjë zjarri

është mosdurimi më i dhimbshëm ndaj tiranisë

këtu nisu për dore me mikun mizor zhgënjimin,

këtu nisu sikur të merr për dore varri

e të thotë: vetëm në thellësitë e mia

i gjen virtytet e drejtësisë, të mirësisë e butësisë,

është varri më i përsosur

varri më i humbur, më i lumtur

ku shpresat e gjejnë qetësimin.

(Prend N. Buzhala, 11 qershor 2010)

PËR RINGJALLJET NUK KISHTE ARMË

(Çast lirik: në tërheqjen e trupave serbe nga Kosova më 10 qershor 1999)

Na thanë se nuk do të jeni më.

E varret i mbollëm në Untergruppenbach

në Bruksel, në Londër, në Paris, në Vashington.

Emrat e të rënëve

u ngjitën nëpër yje

u varën nëpër rreze dielli.

Pritën çastin të vinë në Dardani.

Shkelësit u ndalën:

si t'i zhdukim yjet e rrezet?

Mësynë, si dikur, me pushkatime masive,

me shfarosje, masakra e gjenocide,

të burgosurit na i prenë në besë,

të plagosurit na i mbytën

nëpër puse e lumenj.

Eshtrat u bënë kolona gjerdanësh.

Kolona të nëndheshme ringjalljesh.

Si të shfaroset ringjallja?

Për ringjalljet nuk kishte armë zhdukjeje.

Të ringjallurit ilirik, arbëror, ashtëror

erdhën nga burimi i pashtershëm i emrave,

nga burimi i epokave

dhe i lirisë së të gjitha lirive.

(Prend N. Buzhala, 10 qershor 2020)

DITA QË NUK MBARON

Është një rreze që buron

e rrjedh si një gurrë,

Sado re të zeza ta mbulojnë qiellin

a diellin

është një ditë që edhe natën vazhdon

e nuk ndalon,

është një ditë që s'ka të ndalur kurrë,

është një ditë që nuk mbaron kurrë.

NJERIU MË I PAFUQISHËM NË BOTË

S'ka gjë

kur asgjë në dorë nuk ke

dhe kur je

Njeriu Më i Pafuqishëm në botë.

E vetmja fuqi te ti qenka

Shpirti i Pastër

me vazhdën e ndritur në jetë.

Edhe zërin e ke të padëgjueshëm,

bie në vesh të shurdhër,

s'ka gjë:

mbasi arrin ta thuash

Fjalën e Plotë Njerëzore,

Fjalën e Zemrës.

Shih si hidhen njerëzit

në vrap pas të fuqishmit,

të harruan ty

që ndieje dhimbjen me ta,

me të vuajturit e të lënduarit

në orët e pikëllimit,

në orët e mjerimit,

s'ka gjë:

i ke mësuar

si të ndeshen me pafuqinë e vet.

Nga i Tejetlarti

Njerëzit e pafuqishëm

do ta kenë dhurim

veprën e duarve të veta.

E ke dhuratë

Mësimin e Madh

Të veprës së duarve tua.

(Prend N. Buzhala, 6 qershor 2020)

PAFUNDËSIA E BUZËQESHJES

Shihe vetveten te një fëmijë

te buzëqeshja e tij

e thellë dhe e pafund sa një oqean,

humbe e u shkrive në vetmi,

e diku mërguan

pikëllimi e dhembja

e shembja e trembja.

Aq befasisht

Fëmijërisht

u hepove

aq i gëzuar

dhe u shndërrove

në një ëndërrimtar

si një shpirt luftëtar.

(Prend N. Buzhala, 3 qershor 2020)

RRËFIMET ME MREKULLI

E përse aq shumë dëshiron

e parashikon

të hysh në rrëfimet me mrekulli,

dhe e përqafon Perëndeshën e drejtësisë

kur sytë i mbyll

dhe e nis një vijë të lakuar me fatkeqësi.

Ti do të mbahesh mend për atë që kërkon

kur ujët mbi njerëzit si zjarr vlon

harruan se agimi ka shpatën diellore

si një këngë me fitore

e ta shpëtosh ditën me diell

asnjëherë nuk është vonë.

(Prend N. Buzhala, 1 qershor 2020)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora