E shtune, 20.04.2024, 11:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Kurbneshi

E enjte, 06.11.2008, 03:19 PM


Suzana Kuqi
Suzana Kuqi

 

Kurbneshi

 

I kisha mbushur pesë vjeç e motra ime ishte disa muajshe, kur u transferuam në Kurbnesh. Babai kish mbaruar studimet jashtë shtetit, e jo vetëm , edhe ishte martuar atje me një të huaj.Kur u kthye , kufijtë u mbyllën. Për nënën time kish dy rrugë, të më merrte a të më linte mua, pak rëndësi kish, ajo që kish rëndësi ishte të ikte ose të qëndronte këtu pa pasur mundësi të shihte prindërit e saj.Zgjodhi të dytën. Për njëzet vjet rresht ndoqi babain tim atje ku e thërriti atdheu. Thirrja e par% në Bulqizë, kujtimet pothuaj më mungojnë fare sado që përpiqem se mos kujtoj diçka, pastaj Prrenjasi, këtu fare pak kujtime, dhe e treta, në rradhë ishte Kurbneshi. Këtu fillojnë edhe kujtimet e mia...

 

Një qytet i vogël, shumë i vogël , rrethuar nga një kurorë malesh të mbuluara me pisha, kështu më dukej mua , me në krye një më të lartë , që unë mbaj mend që e quanin kepi Gjon.Ajo që më kujtohet nga ajo kohë ishte se këtu ditët ishin më të shkurtëra se në Durrës, e Durrësi ishte shumë i shtrenjtë për mua... atje ishte gjyshja ime, me të cilën nuk jam ngopur kurrë, e shihja vetëm dy herë në vit, tre javë në verë dhe më pak se një javë për vit të ri, edhe se do të doja me gjithë shpirt t'a kisha gjithnjë pranë.Isha fëmijë e shumë gjëra nuk i kuptoja, nuk kuptoja sepse në fillim fëmijët më rrinin pak si larg, ose më mirë më largoheshin kur dukeshin në horizont prindërit e tyre, e pse çdo fjalë që thoja m'a analizonin, e më pyesnin se ç'kisha ngrënë në drekë a në darkë, ashtu si pa dashur ndonjë nënë shoqeje...siç nuk kuptoja se pse kur nëna ime që punonte infermiere në spitalin e qytetit e bënte shërbimin njëzetekatër orësh e babai ishte në punë në minierë, shpesh vinin kontroll nga këshilli e fronti.Zakonisht ishin më shumë se pesë burra e gra që kontrollonin cep më cep shtëpinë, nëse ishte e pastër apo jo, të paktën mua kështu më thonin. Mbaj mend se si rrinin e shikonin foton në mur ku kishte dalë nëna ime me babanë kur ishin martuar e gjithnjë të njëjtat fjalë " shikoni dashnorët e Venedikut". Unë atë kohëmoshe nuk e dija se ç'ishin dashnorët e Venedikut, dija vetëm se fjala dashnor nuk kish kuptim të mirë, ndaj asnjëherë nuk ua thashë prindërve, kisha frikë se do të mërziteshin. Mjaft mërziteshin kur u thoja se vinin për kontroll, ndaj edhe këtë fillova të mos ua thoja. Derisa një ditë i gjeti aty komshija jonë Liza, ajo grua mirditore e mirë dhe u bërtiti. I ndoqi pas edhe nëpër shkallë , por unë nuk mora vesh shumë se ç'u tha. Di vetëm se nuk erdhën më, por si shpagim për këtë e thirrën nëneë time në këshill e i thanë se ose do të pastronte mirë shtëpinë, ose do t'i bënin fletërrufe si grua që mban pis shtëpinë. Pise... nëna ime...!!!Vërtet , shtëpia mund të ishte ca rrëmujë , ishim vetëm dy fëmijë në shtëpi , unë pa mbushur të shtatë vjetët e motra ime dy vjeçe , për të cilën më binte shorti të kujdesesha. .. Nuk dua të kujtoj këto... aq më bënte atëhere e aq më bën tani, unë isha fëmijë i lumtur në atë Kurbneshin e largët, kam qenë fëmijë i lumtur në të gjithë fëmijërinë time, po të lëmë mënjanë të bërtiturat apo ndonjë shuplakë të mamasë sime që nuk m'i kursente. "Dajaku ka dalë nga xheneti"- justifikohej ajo para babait tim kur e qortonte për këtë. E unë nuk e dija se ç'ishte xheneti, por meqë dajaku nuk më pëlqente, nuk kish se si të më pëlqente dhe ai.Ndërsa babai... nuk ishte thjesht baba, ishte shok, ishte udhëheqësi im shpirtëror. E pastaj kisha mjaft gjëra që më pëlqenin, ishin lojërat jashtë me fëmijët e moshës sime kur mamaja ndodhej në shtëpi e kujdesej për motrën time, ishte kinemaja në të cilën vinin e ndërroheshin filmat dy herë në javë e më lejonin të shkoja edhe vetëm me ndonjë shoqe edhe pse isha e vogël. Ka patur një gjë të mirë ajo kohë, fëmijët mund të liheshin të lirshëm pa patur frikë se i prekte kush.Ishte shkolla, ku shkoja me dëshirë, mësimet nuk më rëndonin e pastaj ishin...librat. Kur mbusha tetë vjeç një shok i babait më dhuroi për ditëlindje përrallat e Andersenit. E unë... në netët e gjata isha sireneta,isha princesha,isha hirushja ,isha heroina e filmit të mbrëmjes...isha, isha gjithnjë heroina pozitive e filmave dhe e përrallës. Cudi se si fëmijët zgjedhin në mënyrë të natyrëshme anën e së mirësA mund te kish vend tjetër më të bukur e më të përshtatshëm në botë se Kurbneshi për të hyrë në botën e magjishme të përrallave ? Mendoj se jo. Bukuria e tij natyrore, ai qytet i vogël që unë e mbaj mend me shtëpi të bardha ,të cilin e bridhja përditë pëllëmbë për pëllëmbë, deri tek ura, më tej e kisha të ndaluar...Poshtë rreshtit të pallatit tim ishte një kullë, një kullë me frëngjij, kishte dhe një burim uji, kishte edhe lumë, ishin dyqanet, kish edhe një klub, ishte shkolla e mbaj mend edhe postën.E fëmijë ... shumë . E unë, dreqi e mori isha gjithnjë e pakujdesëshme, ose humbisja motrën e cila shkonte vrap në shtëpi e më spiunonte se nuk e ruaja, ose rrëzohesha duke luajtur e gjunjët i kisha gjithnjë të gjakosura, e nganjëherë harroja mallin që blija në dyqan mbi banak e krisja e ikja duke luajtur . Njëherë tek burimi, e nuk e di se ç'bëja atje pasi kishim ujë në shtëpi, lashë lekët mbi një gur e kur u ktheva ,punë disa minutash nuk i gjeta.Për fat njerëzit që kisha lënë i gjeta aty, e i pyeta se mos i kishin parë lekët e mia. Filluan të qeshnin se mos po bëja shaka por kur unë këmbëngula, një grua që fliste me dialekt e të cilin kisha filluar t'a kuptoja mirë, ju drejtua një burri e i tha se e kishte parë të fuste diçka në xhep. Ai kundërshtoi një hop , pastaj me një buzëqeshje të sforcuar i nxorri lekët e mia e m'i zgjati duke më porositur se nuk duhej t'i lija më lekët ashtu.Tani i shkruaj këto dhe mendoj se njerëz të mirë e të mrekullueshëm ka e ka patur në të gjithë kohërat e vendet, e nuk kanë munguar kurrë ashtu siç nuk mund të mungojnë as njerëzit e këqinj. Fëmijëri e bekuar, problemet janë të të rriturve, e unë ua di për nder prindërve të mij që më kanë mbajtur larg problemeve të tyre e të kohës.Nuk i kam parë kurrë të zihen, e nëse ziheshin e për këtë nuk kam dyshim , nuk e bënin në prani të fëmijëve, duke më futur në shpirt mirësinë , ndjesinë se isha e rrethuar me dashuri. Jashtë shtëpisë ishte tjetër botë po kaq e gëzuar për mua, paçka se ndonjëherë zihesha me vajza e djem, nuk mësova kurrë të gjuaj me llastiqe ama me gurë...kisha nishan derisa i çava kokën shokut tim Zefit që banonte në kullën me frëngjij, atëhere hoqa dorë.Gjaku që i rridhte bëri më shumë punë se qortimet, nuk doja më t'i bëja keq askujt.

 

Pastaj ndodhi diçka që e tronditi botën time prej fëmije ku nuk kishte dallim mes djalit dhe vajzës, babai më kishte shok, pra më trajtonte si djalë ,edhe pse vishja fustane,edhe vajzat e tjera të moshës sime ishin më të prapa e më të shkathëta se djemtë...Por ajo mbledhje apo gjyq që u bë në sallën e kinemasë, e ne e pamë në vend të filmit, megjithëse nuk i kuptuam shumë nga sa u thanë. Po prishej një fejesë, një nga ato fejesa që quheshin fejesa në djep. Mësuam se vajzat i shisnin sapo lindnin tek burri. Babai i vajzës i kish marrë paratë pak kohë pasi ajo kish lindur , e ajo ishte e detyruar të martohej me një burrë shumë të madh, ishte edhe më i madh se gjyshi im i shkretë që kish pak vjet që kish vdekur.Ndërsa vajza ishte në klasë të tetë, ishte pesëmbëdhjetë vjeç. Ajo vajzë e bukur dhe e guximshme, ajo që thyente kanunin, ajo ju shtua heroinave të mia e të shoqeve të mia.E përfytyronim veten të fejuara që në djep, tek thyenim kanunin e bashkë me të edhe kokat e atyre njerëzve të liq që guxonin të shisnin vajza të vogla si ne...Jo , ne , unë isha nëntë vjeçe ,e shoqet e mia ishim të revoltuara, nuk e kishim idenë ende se ç' ishte burri e martesa, ishte diçka që duhej të ndodhte dikur larg, larg lojërave tona,por ne revoltoheshim sepse nuk donim të ishim të shitura si bagëti. Bagëtia shitet, është bagëti, vajzat... ne që të thyejmë kokën me gurë, le ta provojnë...

 

Ishte viti i fundit që kaluam në Kurbnesh. E të mendosh se babait i kishin premtuar se do të punonte aty vetëm një vit e do t'a trasferonin afër shtëpisë së tij. Pesë vjet, unë u bëra dhjetë vjeçe e familja ime u shtua edhe me një pjesëtar tjetër, siç tha mamia, nuk kam parë fëmijë kaq të bukur, e për më tepër ishte djalë...E atëhere erdhi dhe trasferimi. Ditën që u larguam nga Kurbneshi,e kam të skalitur në kujtesë . Minatorët që ishin mbledhur tek autobusi e ndaheshin me babanë tim, shokët e tij inxhinierë me gratë e tyre, nëna ime me vëllain e vogël në krahë, motra ime e dashur e bukuroshe që nuk i ndahej babait, dhe unë që isha hutuar duke bërë edhe një lojë të fundit me fëmijët e moshës sime.Mezi u shkëputa pasi më thirrën disa herë.Nuk u ndava me shokët, nuk e konceptoja se ç'ishte ndarja, shumë shumë ndahesha me gjyshen time , por edhe atë pas ca kohësh e takoja prapë, por me këto këtu ... nuk e mendoja se nuk do t'i shihja më.E në fakt nuk i pashe më , megjithëse i mbajta në zemër për një kohë të gjatë.U drejtova nga autobusi, përpara meje ecte një çift, një burrë i madh, kështu i quaja të moshuarit, dhe një grua e re që i shkonte prapa duke i shkundur zbokthin nga supet e duke i sheshuar palat e xhaketës.Mbajta këmbët, ishte heroina ime me atë burrin që e kish blerë...Kisha një vit që nuk e kisha parë, ajo kish mbaruar shkollën. Edhe trupin nuk e mbante drejt. Vrapova, i parakalova e qëndrova përpara tyre duke kërkuar shikimin e saj por sytë e saj i shmangeshin të gjithëve.Burri kaloi duke më shtyrë lehtë, mua biçimin e kalamanit që i kisha zënë rrugën . Dikush më kapi për krahu e më ngjiti në autobus. Dëgjova nënën time : "jezhish Maria" një gjashtëmbëdhjetëvjeçare me një gjashtëdhjetë.Babai i bëri me shenjë të heshtëte , ajo JeZu Maria edhe se shqiptuar në gjuhë të huaj mund të tërhiqte vëmendjen e dikujt. Autobusi u nis, unë pashë çiftin tek mbetej prapa e u ktheva nga babai, i kërkoja gjithnjë spjegime. Kuptova se ajo vajzë nuk kishte bërë mirë por siç dukej nuk kishte patur rrugë tjetër, u ishte dorëzuar të këqijve,ndryshe nuk do të kishte aq dhimbje e trishtim në sytë e tij...

 

Nuk diskutohet , se u gëzova shumë më vonë,kur me emancipimin e gruas këto fejesa u prishën përfundimisht e heroinat e mia u ringjallën. Por tashmë Kurbneshi më kish plagosur në një krah tjetër, e kjo plagë nuk u shërua më . Babai im kish marrë silikozën , ajo minierë ku me bakrin nxirrej dhe ari , mori shumë jetë minatorësh, djem të rinj e të fortë të Mirditës deri ditën e fundit... e krahas kësaj nuk ka gjë që mund të më tërbojë më shumë se absurditeti i asaj kohe fallce... kur babanë tim nuk e mjekonin për sëmundjen që kish sepse nuk mund të pranonin që në një vend e sistem socialist si i yni, ku kapitali më i çmuar është njeriu...një inxhinier ishte sëmurur me silikozë duke punuar në minierë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora