E merkure, 30.09.2020, 11:06 AM (GMT+1)

Komente

Edison Ypi: Vajta n'Elbason

E shtune, 13.06.2020, 08:31 AM


Vajta n'Elbason

Nga Edison Ypi

Pse këngën e famshme disa e këndojnë "Vajta n'Elbason për me ble fuston" dhe disa të tjerë "Vajta n'Elbason për me ble boston" ?

Sapo mrrita n'Elbason kët pytje ja bëra Buçe Qenit që m'zu rrugën te çeliku kurvit. Pasi e la në tokë kockën që po lëpinte për me liru gojën për me fol, Buçja tha se ata që vijnë n'Elbason për me ble fuston, janë demokrata të ndritur, ndërsa ata që n'Elbason zbresin për me ble boston janë komunista të qelbët. Kaq tha Buçe Qeni, e kapi përsëri me dhëmbë kockën me dy gunga anash, dhe iku duke e lëpirë me llapë.

Afër Urës aë Zaranikës më doli para Koqe Kandari. Koqa ishte i mendimit se ata që shkojn n'Elbason për me ble fuston jan xhentelmena të nerum dhe të respektum që merren me droga dhe trafiqe, ndërsa ata që n'Elbason shkojn me ble boston jon longaraqa, parazita që rrin kot, që flejn gjum.

Krejt ndryshe e mendonte fuston-bostonin Surrat Balta që e takova te Hotel Turizmi. Surrati që mahet për liberal progresist tha; Fustoni përfaqëson mirqënien shpirtërore. Bostoni rehatinë materiale. Këngën e famshme e këndojnë "me fuston" materialistat mashtruesa, ndërsa "me boston" e këndojn idealistat hipokrita. Besoj se isha i qartë. Mos më vono mo me fustona dhe bostona. Ika se kam takim me një demokrat për pun të një dallaveri, tha Zoti Balta, dhe u zhduk.

Hile Skilja u shpreh kështu; Nga qëndrimi i gjatë në opozitë demokratat jan bo me fol me vete. Në shtëpi, në rrugë, në kafene, demokratat po flasin me vete. Sidomos nëpër televizora demokratat nuk përballen me komunistat por preferojnë të flasin me njonitjetrin, domethën me vete, llomotisin, revoltohen, shajn mallkojn. Si përfundim, budallejt që flasin me tjetrin këngën e këndojnë "me fuston". Demokratat që flasin me vete, këngën historike e këndojn "me boston". S'di tjetër.

Zagar Çorba ishte më i errët se Hile Skilja i t'folmes me vete. Zagari ishte i mendimit se shqiptarët janë të vetmit në botë që mediat i bëjnë vetëm me pare të vjedhme, me pare buxhetore, me pare trafiqesh, me pare droge, kurrë me paret e veta. Ndërsa sa i përket fuston-bostonit, Zagari tha se janë e njëjta gjë, me ata të dy boj ça të dush, kap ça të kapësh.

Elaborimi i mjegullt që Zagar Çorba i bëri fustonit dhe bostonit, më zhyti në mendime. Erdha në vete vetëm kur në një kafene afër Teatrit Skampa, pra afër asaj hales propagandistike me furrnalta, spiuna, sabotatora që do Zoti pas pak ta shembin, mu atje takova Mi Skuthin. Ju luta Miut me ma zbërthy dilemën me fustona dhe bostona. Atë këngë, ja nisi Mi Skuthi, e këndojnë "me fuston" ata që janë të bindur se zgjedhjet në Shqipëri i bëjnë pronarët e mediave, dhe "me boston" ata që kujtojnë se zgjedhjet tona komandohen nga ambasadorët perëndimorë. Po deshe me dit mo tepër se kaq, përfundoi Miu, ja ku po vje Pis Pisi. Pyte Pisin. Ta kallxo Pisi fustonin, bostonin, po deshe ene kungullin me trongullin.

Mos më çaj kaptinën me fustona dhe bostona, ja krisi Pis Pisi. Jom bo me vra veten. Me më ther pik gjaku s'më del. Në Dumre, në Darsi', në Shpat, Parti Demokratike nuk ka, Partia Demokratike nuk ekziston, Partia Demokratike është bërë kashtë e koqe e tëra, dhe ti më ça dërrasa me fustona dhe bostona, ma mylli gojën Pisi.

Ik e ik afër stadiumit nga trotuari tjetër më përshëndeti Çok Çakmaku. Ja thash Çokut si e kisha hallin me këngën, fustonat, bostonat. Çoku ja futi si ketri arushës. Si është e mundur, tha Çok Çakmaku, që Edi Rama edhe të gjitha televizionet i ka ble, edhe të gjitha televizionet e shajn e kusur s'i lejn. Me ma përplas kokën pas muri këtë sarrij ta kuptoj, përfundoi Çok Çakmaku, dhe iku.

Pak më tutje stadiumit afër Kodër Krastës sikur doli nga dheu Llum Garuzhdja. Llumi foli seriozisht. Për Llum Garuzhden atë këngë "me fuston" e këndojnë buxhetorët që bëjnë propagandë kundër qeverisë, çka është e ndaluar rreptësisht me Ligj. "Me boston" e këndojnë budallenjtë e pushtetit të cilet këtë hile, meqënse nuk e kuptojnë, e tolerojnë.

Te një restorant i vogël ku nuk vajta me ble fuston e as boston por me ngrën një pjat grosh, takova Vorr Pilafin tu hongër mish. Vorri foli qartë dhe prerë. Sipas Vorrit, këngën e famshme e këndojnë "me fuston" ata që kanë bindjen se konservatorët e brezit të vjetër ishin më kafshë se konservatorët e sotëm, ndërsa "me boston" e këndojnë ata sipas të cilëve konservatorët e sotëm janë ca barkderra një mijë herë më budallenj se konservatorët e vjetër që prisnin kotmëkot anglo-amerikan, dhe aq shtazarakë e aq qesharakë sa mburren se luftojnë komunistat me 30 lajka në Fejsbuk dhe nëpër kafenera ku korrin fitore donkishoteske duke ngritur tallaze luftrash nëpër gota uji.

Hu Gardhi, Katran Zifti, Mortje Ngordhja, Iriq Bolja, Pleh Pocaqia, Hije Ligu, Era Dheu, Qurre Spiçka, Fyll Brima, Zgjyrë Këllira, thanë pakashumë të njëjtat gjëra.

Këmbët më çuan te unaza e Elbasonit atje ku hekurudha kryqëzohet me rrugën e vorrezave. Ate vend, në kujtim të një numuri viktimash të pafajshme të funeraleve që në përpjekje mbinjerëzore për të kaluar hekurudhën me në sup xhenozen në qivur janë shqyer nga rrotat e trenave, me plot të drejtë Ismail Bej Çala, alias Ismail Bej Sulova, e ka pagëzuar me emrin mbresëlënës Anna Karenina. Mu te Anna Karenina ja behu Tas Plonci. Me një qetësi dhe gjakftohtësi mahnitëse, Tas Plonci që duket si gru me barrë, tha se këngën monumentale "me fuston" e knojn komunistat katunarë që n'Elbason vijnë me ble noi femër. "Me boston" e knojn demokratat që n'Elbason zbresin me ble noi dylber.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora