E enjte, 28.03.2024, 03:45 PM (GMT)

Kulturë

Atdhe Geci: Arti i të qënit poet

E premte, 12.06.2020, 08:14 AM


ARTI I TË QËNIT POET

Nga Atdhe Geci

Adem Zaplluzha, autori i 130 veprave letrare, dhe i mija vargjeve, është bir i kopshtit të lashtë të Prizrenit, antiku dhe i tashmi i poezisë sonë. Në botën e pafund të krijimit, loti i zemrës është i përvuajturi, një i afërm hero i dramave njerëzore. Liria e njeriut nis me punën. Ndërsa drama e njeriut nis me dashurinë, dhimbjen dhe trishtimin. Bërja e një libri, dhe botimi i tij, është hapësirë e lirisë, dhe art i të qenit. Realitetet e këqija, kaosi dhe anarkia, janë muzat ku merr të korrat shkrimtari. Kam një dhimbje poetike lotësh më thotë Adem Zaplluzha, autor i 130 veprave letrare, i një peizazhi të pafund figurash dhe ngjyrash.

Midis kuajve të paçjerrë

Nuk e njoh gjuhën e mëgojëzave

As të dizgjinëve me lëkurë bualli

Ndoshta jam pak i çuditshëm

Po kurrë se mësova gjuhën e tyre

Unë shkruaj poezi dhe tregime, aq sa më jep muza, dhe digjem mbi letrën e bardhë, derisa të mos shuhem. Në shpirtin tim shprehet shkrimtari Zaplluzha, askush s´mund të hyjë pa trokitur, ose pa një ftesë të firmosur nga unë. Peizazhi i krijimtarisë dhe i poezisë së Adem Zaplluzhës, është i gjerë, dhe i thellë. Poezia për mua, e thotë poeti, është arti ai që ma fisnikron shpirtin, dhe më bën të dashurojë me shpirt. Atdheu im i zvogëluar është drama ime, drama që më dhemb, dhe zjarri që mi jep flakë vargjeve.

Marshojnë miqtë e mi ushtarë

Dhe ecin nëpër natë

Për të arritur qëllimin

I pret një rrugë e gjatë!..

E kaluara që ka ikë, e tashmja që ekziston, dhe e ardhmja që s´ka ardhë, është studio ku krijon Adem Zaplluzha. Ky mision i tij poetik për lirinë dhe letërsinë, Adem Zaplluzhën e bën poet kombëtar, bir të saj të artit dhe të letërsisë. Adem Zaplluzha u lind në Prizren në vitin 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Poeti kryengritës i së bukurës në art, një kohë të mjaftueshme punoi, për njohjen e realitetit të kohës. Ai punoi si mësues nëpër fshatrat : Studenqan të Therandës (ish Suharekës) dhe në fshatin Hoça afër Prizrenit. Aty shkrimtari Zaplluzha, përballet me realitetin e keq të kohës, me shtypësit dhe përgjakësit e egër të lirisë, dhe me bukurinë hyjnore të ambientit të Kosovës.

Nëpër mbrëmje të vona

Duart e mia të plagosura

Sërish tjetërsoheshin

Në një gjendje asnjanëse…

Plagët e dhimbjes poetin Zaplluzha, e degdisën në Prishtinë, në kryeqytetin e elitës intelektuale dhe krijuese të kohës. Në Prishtinë, Adem Zaplluzha shquhet për rebelim të theksuar. Nuk më pëlqejnë këto motive të vogla dhe të censuruara ashpër nga redaksitë e gazetave dhe revistave. Por, unë do bëj punën time, i thoshte vetes në heshtje, Zaplluzha. Në ndërkohë, Adem Zaplluzha punësohet përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Aty Ademi njihet me shokë krijues, dhe pa u vonuar formojnë grupin letrar, “Lulëkuqet e Kosovës”. Në Kuadër të këtij grupi letrar, djemtë e shekullit të ri, nxorën librin e poetëve punëtorë, “Ngjyrat e kohës”, në të cilën u botua një numër i poezive të Zaplluzhës.

Nuk di apo s´po e kuptoj

Cili jemi ma kokëfortë

Unë, apo ai përballë meje…

Viti 1957 për Adem Zaplluzhën ishte i veçantë, sepse atë vit Ademi boton poezinë e tij të parë në revistën për fëmijë, „Pionieri“. Përveç publikimeve të tij nëpër revista për fëmijë ai boton edhe nëpër gazetat të kohës që botoheshin në Prishtinë, dhe Shkup. Adem Zaplluzha është shkrimtar i pranuar në Kosovë, është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Poezia e Adem Zaplluzhës është e vlerësuar me shumë çmime. Por, çmimi më i lartë për Ademin është vlerësimi i lexuesit. Unë jetoj me ndjenjën historike të kohës, shprehet poeti 72 vjeçar, Adem Zaplluzha. Unë s´kam pse ta zmadhoj ose ta zvogëloj dhimbjen e kohës. Por realiteti ku jetoj është këtu. Në këtë nënqiell ku po jetojmë, edhe poeti ka përgjegjësinë e vet.

Ndoshta njerëzit s´e kuptojnë

Por në fundin e një fundi

Fillon një fund krejt i pafund

Pa emër dhe mbiemër

Ku mund të humbim

Si zogjë të mbetur pa këngë…

Liria në Kosovë ishte aq e shkelur, aq e rrëzuar, dhe aq e dërmuar, saqë na duhet një shekull punë e krijimtari për të marr shëndet liria e jonë. Shkrimtarët i gëzohen shumë krijimit të një poezie, tregimi apo romani. Shkrimtari i gëzohet krijimit si për një fëmijë të lindur. Deshëm apo s´deshëm ta vlerësojmë, Shkrimtari mbeten garda e shquar e gjuhës, dhe ndërgjegjes së kombit. Sukses, shkrimtarit Zaplluzha!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora