E premte, 29.03.2024, 05:30 AM (GMT)

Kulturë

Lutfi Alia: Adem Zaplluzha - Fluturat prej letre

E premte, 12.06.2020, 02:12 PM


MEDITIME RRETH VELLIMIT POETIK: “FLUTURAT PREJ LETRE”

Nga Prof. Lutfi ALIA

Dy muaj të shkuara, miku im, poeti i talentuar, mjeshtri i vargjeve të pa shterura, atdhetari Adem Zaplluzha, më dërgoi vëllimin e ri me poezi “Fluturat prej letre”.

I lexova poezitë pa u ndalur, u zhyta dhe udhëtova së bashku me autorin në lumin e strofave dhe varg pas vargu, arrita të kaloj në bregun tjetër, i kënaqur me bukurinë, forcën dhe thellësinë e poezive, por nuk u nginja, andaj iu riktheheva dhe i rilexova, pikërisht i rilexova, sepse janë poezi të shpirtit dhe të kulturës kosovare, që Ademi i shpreh me të gjitha ngjyrat, format dhe ndjesitë.

U mrekullova nga vargjet e këtij poeti modern e postmodern, me krijimtari sasiore dhe shume cilësore dhe duke e analizuar kompleksin e veprës së tij poetike, them se Adem Zaplluzha zë një vend nderi në majat e letrave shqipe të ditëve tona, andaj pa rezerva e rendis përkrah Isamil Kadaresë, Dritëro Agollit, Xhevahir Spahiut, Moikom Zeqos, Fatos Arapit, Azem Shkrelit, Ali Podrimes, Beqir Musliut, Frederik Rreshpes dhe të shumë poetëve të tjerë të shquar të kombit tonë. Kam lexuar shumë vëllime poetike të tij dhe kënaqësia ime ishte, se dhe në vëllimin e 139° - “Fluturat prej letre”, përsëri e gjeta Ademin ashtu si është, i vërtetë, plot ndjenja delikate, i thellë, atdhetar, i mbushur me copëzat e jetës së tij, të pandara nga të Kosovës martire, ku secila poezi përbën histori më vete, me shembuj vlerash, virtyti, shqetësimi dhe optimizmi.

Ademi i thur poezitë në mënyrë origjinale, të papërsëritshme dhe i përjeton me tension personal, si një kërkim i brendshëm, nga njëherë dhe me ngjyra metafizike.

Adem Zaplluzha është qytetari – poet, sa i thjeshtë aq edhe akademik, sa i shkujdesur aq edhe i vëmendshëm, sa rrëfimtar aq edhe filozof, sa kritik aq dhe jokonformist, sa i rrepte dhe i papajtueshëm, po aq njerëzor dhe fisnik.

Ademi ka krijuar universin e tij poetik, ku jeton dhe thur mjeshtërisht poezi plot art.

Poezitë e Ademit janë lidhje jetike me vendlindjen, me Kosovën martire, me kujtimet e fëmijërisë dhe ngjarjet aktuale, me dinamizmin shoqëror, me jetën intensive, me natyrën, me atdheun dhe këtë mjedis të gjerë përjetimi, e ka shndërruar në poezi, në një univers-metaforë.

Me poezitë e shumta, Ademikëndoi në një vend ku liria, dikur konsiderohej “utopi”, andaj denjësisht hyri ne radhët e poetëve të rebeluar, ata të racës zemërake, që shpërthen vrullshëm duke trazuar jetën dhe qetësinë e tij për të thënë me poezi të vërtetat, duke i shprehur mendimet në mijëra e mijëra vargje, që i gdhendi me guxim në librat e shumtë.

Ademi i përket një plejade poetesh patriotë, që luftuan me kurajo në rilindjen e Kosovës, në fitimin e lirisë, në krijimin e shtetit të pavarur e sovran në trojet e lashta Dardane. Ky terren i zjarrtë, e frymëzoi të shkruaj shumë poezi moderne e postmoderne, ekzistencialiste dhe sociale, surrealiste dhe simbolike, madje dhe haiku, pra shumë poezi, ku ndërthuren miti i prejardhjes, kulti i vendlindjes, hyjnizimi i lashtësisë, atdhedashuria, krenaria për historinë tonë, për njeriun, për shqiptarët.

Krijimtaria poetike e Adem Zaplluzhës është e mbushur me poezi të shpirtit të lirë me poezi të shpirtit të patriotit, prandaj dhe lirika e tij kapërcen tej poetit.

Udhëtimi i gjatë poetik i tij, është udha e njeriut që vuan mundimin e shekullit, sfilitjen e fatit historik kombëtar, qysh prej kohërave pagane e deri në ditët e sotme; janë poezitë e njeriut që lumturohet prej mirësisë dhe që vetëflijimin për botën e madhe, e sheh pothuajse si asgjësim kronologjik të jetës.

Ademi është poeti i një formati të madh dhe zëri përfaqësues, i plotë dhe i fuqishëm i disa brezave poetësh shqiptarë i shtrirë në dy shekujt, ku ai lartësohet si një prej më të mirëve.

Ademi nuk shkruan poezi shkolle, poezi libri, as poezi për poezi, por shkruan poezi shpirti dhe në krijimtarinë e gjerë poetike, ruan individualitetin e tij, nuk ngjan me poetët e tjerë, është origjinal, është vetë Adem Zaplluzha. Poezitë i ka të mbushura me figura të shumta letrare, i ka thurur me shprehje metaforike dhe me simbolikë të rafinuar, shpesh me gjuhë Ezopike, i ka plot ndjenja, me përplasje idesh, të qëndisura me frymë lirike dhe me zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella shprehëse.

Vëllimin e ri me poezi “Fluturat prej letre”,me këtë titull metaforë elegante, që të nxit kureshtjen të zbulosh çka na tregon kësaj radhe me librin e ri, por jo të fundit.

“Fluturat prej letre” Ademi e ka konceptuar në tre cikle, një triptik elegant me aromë ngrohtësie dhe me shpirtin e ndjeshëm e të zjarrtë kosovar, që i ka shprehur në vargje të lidhura me art, që të frymëzojnë, të ushqejnë, të gëzojnë e të bëjnë të bashkëjetohet me poezitë e tij e njëkohësisht të ngjallin entuziazëm shpirtëror.

Poezitë e vëllimit të 139°, dhe pse të ndara në tre cikle, në fakt përbëjnë të njëjtin korpus poetik Zaplluzha, i shprehur me stilin e tij origjinal, me poezi të renditura bukur estetikisht, të mbushura me figura letrare, me metafora të shumta elegante, me epitete dhe simbolikë artistike, që shprehin si kulturën e tij letrare, por dhe botën e pasur shpirtërore dhe artistike të autorit.

Në këtë libër të ri, Adem Zaplluzha shpalos një krijimtari poetike me pasuri Kadareane, me dendësi dhe analogji Agolliane, me hermetiken e Xh. Spahiut dhe simboliken tipike te lirikës kosovare. Ademi i qëndron besnik stilit të tij të poezive, kështu herë shprehet me fantazi, herë bën abstraksion, herë rrëfehet me fjalë të thjeshta, herë të tjera me poezi të mbushura me figura të shumta letrare, por të gjitha të thurura me art e të mbushura me shpirtin e tij të ndjeshëm dhe me talentin e tij poetik.

Një veçori e krijimtarisë poetike të Ademit është se ai nuk e respekton traditën për të zgjedhur tituj të thjeshtë për poezitë e tij, përkundrazi është mjeshtri i titujve metaforikë, që në fakt janë vargje të vetë poezisë, janë lajtmotivi i vetë poezisë. Kështu dhe në këtë aspekt, Ademi e konfirmon veten si mjeshtër i vargjeve dhe metaforave të kompozuara përmes një fantazie të veçantë filozofike

Në ciklin e parë “Deri në dhimbjen e tokës”, poeti nuk largohet, nuk e braktis epopenë e jetës së përditshme dhe duke e përjetuar nën tension dhe me preokupim qytetar, lëviz ndërmjet pengesave dhe vështirësive, që i shpreh me një simbolikë admiruese.

Në poezinë e parë me titullin metaforik: “Kurse nën pemët e ngrira”, vargjet janë të mbushura me simbole të transfigurimit të udhëtimit të tij shpirtëror, që e mbush me dimensione materiale, andaj duke jetuar realitetin, kërkon me emocione, që natyra të mos i dhuroi thjeshtë indiferencën e ftohte dhe izoluese, por forcën që t’i shembi pengesat, si shprehet ne vargjet:

“Nuk di se sa shumë i ngjante ajo hije

Vdekjes sime

Ose vetëm unë i përngjaja pasqyrës

Por gjithsesi

Ishte një hije e murrme

Mes meje dhe murit të rrënuar”.

Në poezitë: “Kishte ngjarë një ikje e madhe” dhe “Ose mëjanë zbehurkujtimet”, autori shpreh dëshira, që nuk përkojnë me përkatësinë e poetit, janë nostalgji pa emër, energji që lëvizin në vuajtjen e qenies njerëzore dhe në jetën e poetit:

Asgjë më nuk ju pyeta

Më duket se kishin vdekur fjalët

Një gur i murrmë rrokullisej tërmal

Era e dërmuar dëneste si kalama.

Aktualisht Ademi është poet i moshës mature dhe me eksperiencë në jetën shoqërore dhe letrare, andaj nuk i shmanget poezisë sociale. Gjatë festimit të Ditës Botërore të Poezisë, më 21 mars 1999 në Paris, në proklamën e UNESCO-s, u theksua: “Është detyrë e rëndësishme, rikuperimi i vlerave sociale të poezisë, si mjet rezultativ për rizgjimin e ndërgjegjes”.

Ky sugjerim është i drejtë, pasi në ditët e sotme, poezia sociale konsiderohet e konsumuar, aq sa dhe institucionet nuk impenjohen ta promovojnë. Ndryshe nga kjo prirje e përgjithshme, poezia sociale shqiptare vazhdon traditën e saj dhe mbetet vitale. Poeti hermetik Ungareti në poezinë “Allegria” shkruan:

Jam një poet

një kushtrim i përgjithshëm

jam një grumbull ëndrrash

jam një fryt

me kontraste të shumta shartesash

i pjekur në sera.

Si shihet nga këto vargje, kufiri ndërmjet poezisë lirike, si shprehje puro e Uni (Io) dhe poezisë sociale, janë shumë të hollë, sa të dyja shkrihen në njëra-tjetrën, por në të njëjtin mënyrë, si e denoncon preokupimin personal, Ungareti tregon qartësisht kohën e tij, kohë në të cilën ai jetoi dhe njëkohësisht filloi të kërkoi rrugëdaljet dhe shtysat për ndryshim, kësisoj poezia e tij, u bë instrument i afirmimit të identitetit të shoqërisë moderne, e shprehur si ndërgjegje sociale.

Në vitet e shkuara, poezia sociale censurohej, shkruan miku im, kritiku dinjitoz Jorgo Bulo, por pushtetet politike kurrë nuk arritën ta ndalojnë, përkundrazi kjo poezi mori vrull të fuqishëm.

Adem Zaplluzha është poeti shqiptar, që nuk reshti të shkruaj poezi sociale, madje ato i mbushin të gjithë vëllimet poetike të botuara, andaj dhe në këtë libër të ri nuk mund të mungonin si në poezinë: “Deri në dhimbjen e tokës”, që i ka dhënë titullin ciklit të parë:

Vargan kolonadash prej mishi

Bredhin prej një kontejneri te tjetri

Kalamenden si zogjtë e braktisur

Tani shoh tek njerëzit e uritur

Se sytë qenkan më të thella se honet.

Në ciklin e dytë të poezive: “A thua vallë ajo ishte grua”, Ademi i thur strofat me vargje të lidhura mes tyre në mënyrë harmonike dhe kur i lexojmë, na japin kënaqësi. Vargjet janë të besueshme dhe të veshura në mënyrë elegante me figura të shumta letrare, sidomos me metafora, që na drejtojnë në labirinte të panjohura, plot me të papritura poetike, ashtu si është dhe jeta e autorit intensive, me tallaze dhe mundime.

Kur lexon poezitë e këtij cikli, kupton se Ademi luan me nocionin abstrakt të fjalës, tregon rëndësinë dhe etikën e saj në jetën e përditshme, ne realitetin e botës që e rrethon, ku ai është pjesëmarrës aktiv si shprehet në poezinë: “Rrugët ishin të gjataderi këtu”, ku shkruan:

Çfarë të ju tregoj sonte

Për plagët e një kohe të vrarë….

Botën e brendshme Ademi e shpreh me intimitet, me forcë, me dinjitet dhe personalitet dhe nga çdo poezi lexuesi merr një mesazh, përjeton emocione, të mbushura me ndjesi të bukura, por dhe me drithërima, që prekin shpirtrat e ndjeshëm njerëzor.

Në këtë cikël mbizotërojnë poezitë ekzistenciale dhe është e kuptueshëm, pasi si ka thënë Jean Paul Sartre, ekzistencializmi është humanizëm, andaj dhe shpirti i dëlirë dhe i ndjeshëm i Ademit, shkruan poezi ekzistenciale, ku shpreh ndjenjat delikate humane, sentimentet, mendimet e lira dhe të pa censuruara, pasi Ai krijon në një periudhë kur censura nuk ekziston. Krijimtaria ekzistenciale insiston në vlerat specifike të ekzistencës individuale të njeriut, pra për rrjedhoje bie ndesh me idealizmin dhe racionalizmin e natyrisht me realizmin socialist.

Në poezinë: “A thua vallë ajo ishte grua”, Ademi shkruan:

Njëherë moti në një tjetër kohë

Takova një grua të pemët

Ndoshta ajo më takoi mua

Por gjithsesi ne u pamë atë ditë.,

Kështu i qëndron besnik stilit të tij të të shkruarit, ku herë ngre krye fantazia, herë abstraksioni, herë jeta dhe fjala e thjeshtë e kuptueshme, të gjitha të ndërlidhura në art, ku ndihet shpirti i tij i ndjeshëm dhe talenti poetik.

Në ciklin e tretë “Fluturat prej letre”Ademi rrugëton çdo ditë me poezinë, por jo si një udhëtar i rastësishëm, ai rend në shtigje poetike, të mbushura me metafora elegante dhe e drejton poezinë në labirintet e imagjinatës, ashtu si përshkruan ngjarje jetësore, ku lexuesi ndalet dhe gjen të gjitha gjendjet: trishtimin, gëzimin, lotin, dashurinë, mallin, thjeshtësinë, dashurinë për Atdheun, për njerëzit, për tokën, për çdo gjë. Ai dhe kur shkruan trishtueshëm, vargjet i vesh me nota poetike, qe të përfshijnë në përjetime dhe me te njëjtat ndjesi ashtu siç i ndjen vetë autori. Poezia e tij është një shtrat modernizmi, një stil tipik origjinal ku dhe nëse nuk lexon emrin Zaplluzha dallon menjëherë poezinë origjinale të tij. Në këtë cikël poezish, vargjet shprehin transformimin e brendshëm shpirtëror, që e pasuron shpirtërisht lexuesin me fjalë dhe ndjenja të bukura, përballë situatave të ethshme psikosociale.Brengat ekzistenciale, disfatat në jetë, vetmia moderne, frika dhe ankthi, janë tema të shpeshta në krijimtarinë poetike te Ademit, si shprehet ne poezinë metafore “Fluturat prejletre”, ku me vargje ekspresive shkruan:

Kur i shtron fjalitë mbi tryezë

Të duket disi se bisedon

Me tonet pasiononte të erës

Fluturat prej letre

Fluturojnë nëpër ledhet e së kaluarës .../

Me pasion i shpalosim gazeta e vjetra

Lexojmë disa kronika e zeza

Asgjë në këtë dhomë nuk është në rregull.

Poezitë e ciklit te trete të entuziazmojnë me forcën shprehëse, të përfshijnë në botën poetike të Ademit nga ku s’del dot më, pa e shijuar dhe pa e përpirë të plotë. Duhen ditë, t’i komentosh të gjitha poezitë e këtij vëllimi te ri, ende më shumë po të ndalesha në vargjet dhe në figurat e veçanta, të admirosh shumësinë e tyre në çdo poezi, në çdo varg, në çdo shprehje, në çdo fjalë. Kur përfundon leximin e këtij vëllimi, me kënaqësi konstaton se fjalët dhe vargjet të renditura shkalle-shkalle, secila në vendin e vet dhe në fronin që i takon, herë duke ndërtuar një kështjellë lumturie, që të grish ta pushtosh, madje të bën dhe të fantazosh, herë të përshkruara me trishtimin e vetmisë, që të nxit ta mohosh, herë tjetër të vendosura me kujdes si një mozaik, ku ke dëshirë të ndalesh e të kundrosh ngjyrat e shumta dhe përmbajtjen, herë si lule aromëmirë, herë me poezi të mbushura me meditime të thella dhe filozofike, që të bëjnë të reflektosh jetën tënde. Poeti i madh Oscar Wild, përsëriste shpesh: “Dua të jem një libër!” Shumë nga miqtë e tij e dëgjonin me skepticizëm, por të tjerët e kuptuan se ai kërkonte pak nga jeta e tij dhe në fakt koha vërtetoi dhe i dha të drejtë mjeshtrit të madh të poezisë, i cili kishte folur jo vetëm për veten e tij, por për të gjithë poetet e vërtetë. Shumë poetë lakmojnë të bëhen “një libër”,por jo të gjithë e gëzojnë këtë privilegj, ndërsa poeti Adem Zaplluzha, me lirikën e tij të pa shtershme, është bërë “libër”, libër i madh poetik.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora