E marte, 16.04.2024, 04:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Frrok Kristaj: Manifestimet letrare me fizionomi të njëjtë

E enjte, 06.11.2008, 02:33 PM


Legjenda: Monumenti i Atë Shtjefën Gjeçovit në Zym të Hasit
Në shnjestër

 

Manifestimet letrare me fizionomi të njëjtë

 

"Mitingu i poezisë" dhe "Takimet e Gjeçovit" pa dyshim se janë manifestimet më të vjetra letrare në Kosovë. Në Kosovë mbahen dhjetëra manifestime letrare që kanë fizionomi të njëjtë (të gjitha kanë tribunë, orë letrare dhe japin shpërblime), por mungojnë manifestimet shëtitëse, ato bienale dhe manifestimet jubilare e përkujtimore

 

Nga Frrok KRISTAJ

 

Në qendra të ndryshme të Kosovës tash e disa decenie me radhë mbahen shumë manifestime letrare. Ato janë edhe të nevojshme, sepse në radhë të parë krijojnë kontakte të drejtpërdrejta me krijues, por edhe nxisin dhe frymëzojnë brezet e reja për krijimtari, pastaj afirmojnë letërsinë, zgjojnë dashurinë për lexim, recitim e aktrim, si dhe gjatë atyre manifestimeve përkujtohen figura të shquara të krijuesve letrar e të lëmive të tjera.

 

Prijnë "Takimet e Gjeçovit"

 

Tash për tash në Kosovë mbahen afro 15 manifestime letrare, si "Takimet e Gjeçovit" në Zym të Hasit, "Mitingu i poezisë" në Gjakovë, "Gjurmë të Gjeçovit" në Janjevë, "Takimet e don Mikel Tarabulluzit" në Stubëll, "Takimet e poeteve" në Vushtrri, Sofra poetike "Ymer Elshani" në Gllogovc, Takimet "Hivzi Sylejmani" në Prishtinë, "Azem Shkreli" në Pejë, "Kepi i Shpresës së Mirë - Fahredin Gunga" në Mitrovicë, Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë nëpër Kosovë, "Flaka e Janarit" në Gjilan, "Ditët e Lidhjes" në Prizren, "Kadri Kadriu" në Besianë, Ora e Madhe Letrare në Kastriot, e kështu me radhë.

 

Padyshim se manifestimi më i vjetër letrar, që mbahet në Kosovë, janë "Takimet e Gjeçovit", të cilat me emërtimin "Në kujtim të Gjeçovit" (kur mori pjesë edhe ministri i arsimit dhe kulturës së Shqipërisë Ernest Koliqi) filloi të mbahet që nga viti 1941 (e u mbajten edhe në vitin 1942 e 1943), kur u ndërprenë për t'ia rifilluar përsëri, por tash me emërtim "Takimet e Gjeçovit" në vitin 1971, e që pandërprerë mbahen deri në ditët e sotme. Në anën tjetër, manifestimi i dytë më i vjetër është edhe "Mitingu i poezisë", i cili mbahet tash e 40 vjet (por ka pasur edhe ndërprerje për shkaqe të ndryshme), pasojnë "Muzgjet e Prizrenit", që pas Luftës Çlirimtare të Kosovës u riemërtuan në "Ditët e Lidhjes" e kështu me radhë.

 

Manifestimet letrare me fizionomi të përsëritura

 

Nëse i analizojmë fizionomitë e këtyre manifestimeve letrare atëherë del se që të gjitha kanë pothuajse fizionomi të njejtë. Themi kështu pasi që të gjitha fillojnë me tribuna letrare, pastaj që të gjitha kanë orë letrare, si dhe në të gjitha jepen shpërblime. Bie fjala, në "Takimet e Gjeçovit" ka tribunë letraro-shkencore, mbahet "Ora e Anton Pashkut" dhe jepet shpërblimi "Atë Shtjefën Gjeçovi" për një të arritur kulturore në nivelin kombëtar, në "Mitingun e poezisë" mbahet tribuna letrare, pastaj disa orë letrare në terren, ora e madhe letrare, jepet shpërbilimi (nga Klubi letrar "Gjon Nikollë Kazazi") për veprën më të suksesshme të botuar në mes dy manifestimeve, si dhe kumtohen emrat e anëtarëve të rinj të sapopranuar në LSHK, në "Takimet e Hivzi Sylejmanit" mbahet tribuna, ora letrare, jepet shpërblimi (pa dallim zhanri) për vepër jetësore "Pjetër Bogdani", si dhe shpërblimi "Hivzi Sulejmani" për vepër më të suksesshme në prozë të botuar në mes dy manifestimeve, pastaj në manifestimin "Sofra poetike - Ymer Elshani" mbahet tribuna, ora  letrare, jepet shpërblimi "Sofra", në "Karvanin e shkrimtarëve për fëmijë" mbahen orë letrare dhe në fund tribuna ku edhe jepet çmimi për veprën më të suksesshme të botuar në mes dy manifestimeve, në "Takimet e poeteve" mbahet tribuna, ora letrare dhe jepen shpërblimet për poezitë më të suksesshme të lexuara, në "Takimet e don Mikel Tarabulluzit" mbahet tribuna letrare dhe ajo historiko-gjeografike rajonale, pastaj ora letrare dhe jepet shpërbilimi për poezitë më të suksesshme të lexuara, në "Flakën e Janarit" mbahet tribuna, ora letrare dhe shpërblehen poezitë e lexuara në orë letrare e kështu me radhë, që do të thotë se kjo është përafërsisht edhe fizionomia e manifestimeve të tjera letrare që mbahen në Kosovë. Nga kjo del se manifestimet letrare që mbahen në Kosovë përafërsisht kanë fizionomi të njejtë, por që kanë përmbajtje dhe emërtim të ndryshëm. Po ashtu, këto manifestime kryesisht organizohen nga klubet letrare, seksionet e LSHK-së, nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, por ka edhe manifestime, siç është ai "Kepi i shpresës së mirë - Fahredin Gunga", që duke i shfrytëzuar njohtësitë organizohet nga njerëzit që punojnë në Ministrinë e Kulturës, përkatësisht manifestimi "Gjurmë të Gjeçovit", që mbahet në Janjevë organizohet nga punonjësit e Drejtoratit të Kulturës së komunës së Lipjanit. Në anën tjetër, manifestimet letrare në Kosovë financohen pothuajse vetëm nga Ministria e Kulturës,  përveç "Takimeve të Gjeçovit", që mbahen në Zym, të cilat kryesisht financohen nga zymjanët, por edhe nga Ministria e Kulturës, përkatësisht "Gjurmë të Gjeçovit" që ndihmohen nga Drejtorati komunal i Kulturës së Lipjanit. Në fakt, këtu edhe qëndron mosseriozoiteti i drejtorateve apo edhe i vet Ministrisë së Kulturës, përkatësisht i LSHK-së, të cilat asnjëherë deri më tash nuk e panë të arsyeshme të mbajnë me organizatorët dhe bartësitë e manifestimeve letrare një debat, ku do të përcaktoheshin në radhë të parë emërtimet e manifestimeve, pastaj edhe fizionomitë dhe përmbajtjet e tyre, në mënyrë që të mos derdhën mjete për gjëra të njejta, por që përmbajtjet dhe fizionomitë e manifestimeve letrare të avancohen dhe të begatohen, e njëherësh edhe të përcaktohen kriteret e financimit (bie fjala nuk është në rregull që manifestimet të financohen vetëm nga Ministria e Kulturës, por shumicën e mjeteve manifestimet duhet t'i sigurojnë nga banorët e vendeve ku mbahen ato, sikurse edhe nga Drejtoratet komunale të kulturës apo edhe nga donatorët tjerë). Po ashtu, manifestimet nuk duhet të organizohen nga institucionet tona të kulturës, por ato duhet të organizohen nga krijuesit letrar, dashamirët e kulturës në vendet ku mbahen manifestimet, kurse duhet të përkrahen dhe mbështeten materialisht nga institucionet e kulturës (qofshin ato komunale apo të Ministrisë së kulturës), por në radhë të parë duhet të mbështeten materialisht nga vendet ku mbahen manifestimet, në mënyrë që të ndihet nevoja e mbajtjes së manifestimeve në vendet ku mbahen ato.

 

Shpërblimet – çmimet të jenë në funksion të afirmimit

 

Është e natyrshme që në manifestimet letrare të jepen edhe çmime e shpërblime në mënyrë që të stimulohet, nxitet por edhe të njihet kontributi i krijueseve letrar. Tash për tash nëpër manifestime jepen shpërblime e çmime letrare për vepra më të suksesshme të botuara në mes dy manifestimeve përkatëse, apo për vepra jetësore, por edhe për poezi të lexuara në manifestime, përveç që në "Takimet e Gjeçovit" jepet çmimi për një të arritur në kulturë në nivelin kombëtar, si dhe për interpretim jepet "Unaza e Katit" (lexo: Katarina Josipit). Megjithatë, është e udhës që nëpërmjet shpërblimeve apo çmimeve të ngrisim ura të afirmimit letrar me kombet tjera të Evropës apo të botës. Në fakt, është koha kur në këto mamofestime letrare të inaugurohet shpërblimi apo çmimi i veprës më të suksesshme letrare të botuar në mes dy manifestimeve përkatëse, e cila do të shpërblehej me përkthimin e saj në gjuhë të botës, sepse vetëm kështu do të arrinim afirmimin e veprave më të suksesshme të krijuesve tanë, por edhe të krijimtarisë tonë letrare.

 

Manifestimet të mos mbahen vetëm sa për t'u mbajtur

 

Nëse vizitohen manifestimet letrare që mbahen në Kosovë fitohet përshtypja se shumica sosh mbahen vetëm sa për t'u mbajtur. Themi kështu sepse në to, bie fjala, nuk ka kriter se sa lexime të poezive duhet të bëhen, apo duhet të lexojnë të gjithë krijuesit që marrin pjesë (në "Kepi..." lexuan mbi 40 krijues e bile edhe u ftuan edhe krijues që nuk merrnin pjesë). Në "Mitingun e poezisë" në Gjakovë apo edhe në "Takimet e Don Mikelit" në Stubëll ftohen të lexojnë përherë më shumë se 40 sish. Ndërkaq, në "Takimet e Gjeçovit" në Zym pothuaj se asnjëherë nuk kanë lexuar më shumë se 15 poetë. Dhe, si për çudi asnjëri organizator i manifestimeve letrare që mbahen në Kosovë nuk publikon konkurs për t'u paraqitur ata që dëshirojnë të lexojnë e prej tyre të zgjedhen diku 10-15 veta, sepse më shumë lexime kalon në monotoni dhe bie interesimi i pjesëmarrësve për t'i përcjellë krijuesit.

 

"Takimet e Gjeçovit" më të organizuarat

 

Hiç "Takimet e Gjeçovit", që përcjellen nga më shumë se tre- katër mijë dashamirë të fjalës artistike (e ndonjë herë edhe më shumë), në manifestimet tjera letrare, që mbahen nëpër Kosovë, gati se përherë më shumë ka krijues se dashamirë të fjalës artistike, përkatësisht pothuaj se askund nuk bëhen më shumë se 30-40 dashamirë të këtyre manifestimeve.

 

Në fakt, "Takimet e Gjeçovit" dallojnë edhe për shumëçka tjetër. Bie fjala, në ato "Takime...",  që mbahen në Zym, që të mos bëhen monotone, përherër kërkohen forma të reja për mbajtjen e manifestimit. Tribuna në Zym tash e sa vjet mbahet në formë të mjuzikëllit artistik, që po zgjon shumë interesim te pjesëmarrësit e manifestimit, pastaj atje përherë manifestimi përcjellet edhe me aktivitete të tjera kulturore (koncerte të muzikës moderne, klasike, balet, rite popullore, valle, folklor, ekspozita të librit, ekspozita figurative apo të kostumografisë vendore, ngritje të amfiteatrit (me afro 1000 vende), ngritje të monumentit të Atë Shtjefën Gjeçovit (afro gjashtë metra i lartë), vizitë varrezave të krijuesëve (Sh. Gjeçovit, L. Palajt, A. Pashkut, K. Josipit, Nënës Tereze (përmendorja në Zym) H. Lekajt e kështu me radhë), por sivjet në Zym në kuadër të "Takimeve..." u hap edhe Muzeu i Zymit, që paraqet aktrakcion për manifestimin dhe interes për kulturën shqiptare në Kosovë e më gjerë. Me format e reja që atje vazhdimisht hulumtohen edhe manifestimi begatohet, për pjesëmarrësit manifestimi po është më interesant, ndaj edhe për çdo vjet në Zym shtohet numri i dashamirëve që e përcjellin këtë manifestim. Në fakt, Zymi duhet t'u shërbej si shembull se si organizohen manifestimet letrare dhe jo vetëm ato.

 

Të mbahen edhe manifestime të reja

 

Në shtetet me kulturë të avancuar, që kanë përvojë më të begatshme në organizimin e manifestimeve kulturore, kanë edhe manifestime letrare, por edhe të tjera, shëtitëse, manifestime jubilare, manifestime bienale e manifestime përkujtimore. Mu për këtë është koha e fundit që edhe institucionet dhe asociacionet tona të kulturës të shtrojnë këtë çështje në rend dite, në mënyrë që aty-këtu ndonjërin nga manifestimet tona letrare ta mbajnë një vjet në një qytet e në vjetin tjetër në qytetin tjetër, përkatësisht që ndonjërin nga manifestimet ekzistuese apo të rejat, që nesër shtrohet nevoja për t'u organizuar, të mos mbahen për çdo vjet, por ato të mbahen në çdo dy vjet, përkatësisht në çdo pesë vjet e kështu me radhë.

 

Po ashtu, është më se e domosdoshme që manifestimet letrare të përcjellen edhe me koncerte të muzikës klasike, me ekspozita të krijimtarisë figurative, të kostumografisë, të etnografisë, të fotografisë e të tjera, në mënyrë që manifestimet letrare të lidhen edhe me fusha të tjera të kulturës. Sidoqoftë, është koha që të mendohet edhe për këto probleme, përkatësisht për ndërtimin e mirëfilltë të fizionomive të manifestimeve letrare, të përmbajtjeve të tyre dhe të begatimit të përmbajtjeve të manifestimeve letrare që mbahen në Kosovë, në trojet etnike shqiptare apo edhe në diasporën shqiptare në botë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora