E enjte, 28.03.2024, 10:46 PM (GMT)

Editorial

Agron Tufa: Gjaku i tim biri

E premte, 12.06.2020, 02:17 PM


GJAKU I TIM BIRI

(sipas rrëfimi të regjistruar të një nëne)

Nga Agron Tufa

- Të kërkon kryetarja e Komitetit të Partisë së Beratit, shoqja Jemine Guri, - më tha polici. Me tim bir në krahë, Arturin e vogël që sa qe ngritur në këmbë, ai na shoqëroi nga fshati i internimit deri në hollin e Komitetit.

- Djalin lërja sportelistes, - tha polici. – Nuk mund të hysh në zyrën e shoqes Jeminé me djalin përdore... pesë minuta... mbaron punë dhe e merr.

Sportelistja, një grua e re me përparëse të kaltër, i buzëqeshi ëmbël Arturit të vogël me kaçurrela të arta, por ai u ngjesh pas meje. Për të kapërdirë parandjenjën e errët që më kaploi, nxora një kallamsheqeri dhe ia dhashë. I bënë përshtypje vijat e kuqe, bardhë e blu

dhe u gënjye. Polici me futi në një derë të katit të parë dhe vetë u largua. Brenda më prisnin dy gra dhe një mesoburrë me kostum gri.

- Ti ke një djalë, apo jo? – filloi burri.

- Po, - i thashë, - është i mitur. Përse më pyesni?

- Ne, Partia, nuk do të lejojmë, që djali yt të rritet nga një reaksionare si ti... – tha, dhe pauzën që pasoi e mbushi me të trokitura thoi mbi siprinën e tavolinës. - Nuk do ta lëmë gjakun e shokut tonë

partizan, besnikut të Partisë, të bastardohet nga një nënë reaksionare, bijë bejlerësh gjakpirës! Dëgjon?

Ndaj ne...

Mësyva derën fishek e dola jashtë.

As djalin, as gruan me përparëse të kaltër s’i pashë kund.

- Ku ma çuat djalin? Djalin! – piskata fort.Burri me dy gratë kishin dalë në holl. Renda në oborr. Askund, asnjë shenjë e djalit tim.

- Kot e kërkon, - foli burri me kostum gri. – Ai ndodhet larg tashmë... nuk e arrin.

Pas kësaj rashë në koma. Pas 5 muajsh u përmenda, por nuk mund të lëvizja. Paraliza më mbërtheu gjatë në shtrat. Vetëm nënën pata te kryet. Herë-

herë vinte dhe im shoq. I shkatërruar. Vetëm një fjali ia përsërisja vazhdimisht: “Shko, gjeje djalin tonë!”.

Ai vetëm qante. Kaloi paraliza dhe më dërguan fill në internim. Pastaj burg prapë, e prapë internim. Me radhë. Vinin oficerët e sigurimit papandehur. Bastisnin kasollen dhe ulërinin: “Ku i ke fshehur poezitë!”Derisa ra diktatura. Nisa kërkimin e Arturit tim. "A do të më njohë?” Deri kur, një ditë të mjegullt vjeshte të vitit 1991, një grua e panjohur trokiti në portën e kasolles sime.

- Barie, - më foli. – Ti nuk më njeh. Unë jam Afërdita nga Përmeti, një kushërirë e dytë e dajove të tu. Kam ardhur të të them diçka, e cila duhet të groposet midis nesh. Përndryshe, po ma nxore emrin, unë bashkë me burrin e fëmijët e mi jemi të vdekur brenda ditës. Kam ardhur të të them mos e kërko më djalin tënd, Arturin. Bëhu e fortë dhe mos ushqe iluzione. Djali yt ka vdekur. Që kur është rrëmbyer, është mbajtur në një shtëpi të fshehtë në Tiranë, bashkë me disa fëmijë të tjerë të mitur. Aty i ushqenin mirë dhe një herë në javë, u merrnin gjak. U merrnin gjak për Udhëheqësin. Në një nga këto raste, fill pasi i morën gjakun, Arturi... nuk u përmend më. E kam parë me sytë e mi. Vdiq, si shumë vogëlushë të tjerë, që zëvendësoheshin me të tjerë...

I gjori im bir!

- Mos e kërko më... Bëhu e fortë, - tha gruaja dhe vrapoi në mjegull, duke më lënë të shituar në prag.

- As varrin mos ia kërko! – erdhi zëri i saj, tashmë nga mjegulla. – Janë sekrete që nuk hapen kurrë, - shtoi për herë të fundit gruaja, që kishte kohë e tretur në mjegull. Nuk e pashë më në jetë atë grua. Ua kishte thënë edhe dajave të mi. Po atë natë qe larguar

familjarisht në Greqi.

Në verën e vitit 1997 im shoq më thirri të shkoj për të pastruar tek shtëpia e prindërve të tij, në Vlorë. Në dhomën e vjehrrit që më pati urryer, gjeta dy blloqe të trashë. Në njërin ai kishte shkruar kujtimet e jetës së tij, ndërsa blloku tjetër ishte ditar. Nisa ta shfletoj e të

lexoj pavullnetshëm, derisa u ndala, duke kërkuar, në shënimin “29 mars 198...”:

“Gjithçka është ujdisur me kujdes... Plani që bëmë me shokët Vjollca Meçe, Zamir Shtylla dhe Ahmet Toporaku, s’ka pse të mos funksionojë. Djali i B... Artur S..., do të rrëmbehet në Komitetin e Partisë së Beratit... Do ta shlyejmë dhe këtë njollë biofrafie... më në fund....”

Më shungullonin veshët. Si kështu!? Vjollca Meçe ishte kushërira e vjehrrit tim! Perëndi, gjëmën ma paskan kurdisur të mitë, mendova dhe ndjeva se po më binte zali. A e ka ditur vallë gjyshi enverist se ku po e çonte gjakun e nipit të tij të mitur? Si ta pyes, tani që ka vdekur?

Do të shkoj t’i ulem mbi varr, t’i piskas... deri sa të ngrihet... të më japë përgjigje!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora