E enjte, 25.04.2024, 12:53 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Kolec Traboini: Shkërmoqja e “mureve të Berlinit” ballkanik

E enjte, 06.11.2008, 06:58 PM


Shkërmoqja e “mureve të Berlinit” ballkanik

 

Shqiptarët etnikë, kanë çfarë t’u tregojnë popujve të tjerë për kulturen kombëtare

 

Nga Kolec Traboini

 

Kjo vjeshtë ishte vërtetë simotërz e një pranvere. Stinët sikur i marrin njëra tjetrës klimën e ngjyrat. Koha e ngrohtë e gënjeu gjelbërimin e gjethet e pemëve thuajse harruan të marrin ngjyrën e kuqërremtë në të verdhë, kur klorofila shkon drejt asfiksisë e shuarjes së saj. Pikërisht, jo vjeshtë poetike na nxiti për të marrë një udhëtim në shtetin fqinj Maqedoni. Secili prej nesh kishte marrë librat e veta për ti bërë dhuratë në takimet në Shkup e Tetovë e kishim droje se mos na i ndalonin. Shihnim njeri tjetrin në sy ndërsa zgjasnim pasaportat në sportelin ku ndodhej oficeri me uniformën e policisë maqedonase të kufirit. Në kufijtë e shteteve gjithkush duhet të jetë fjalëkursyer e me vemëndje të përqendruar. Veçmas ne shqiptarët që kemi përvoja të hidhura jo vetëm me Europën e Shegenit, por edhe me “muret e Berlinit“ ballkanik. Por sikur na erdhi gjaku në vend kur pamë në fytyrën e oficerit të kufirit fqinjë një buzëqeshje e mirësi tek na pyeste në gjuhën shqipe “Përse vini në Maqedoni?”.

 

Oficeri, pasi na vulosi pasaportat, na i ktheu duke na uruar suksese. E ndjemë veten me krahë sepse nuk do të shkonim në takimet letrare duarbosh. E falenderuam me gjithe zemër oficerin shqiptaro-maqedon. Secili prej nesh ka udhëtuar në këto vite nëpër vende të ndryshme të Botës. Ajo çfarë më impresionoj në kufirin shqiptaro-maqedon ishte se kurrë, në asnjë rast nuk e kisha kaluar aq lehtë kufijtë e shteteve. Morem çantat e rënda me libra në krahë duke bërë edhe ndonjë shaka për kalvaret e shkrimtarëve të cilët i vuajnë çastet kur perjetojnë ankthet e krijimit, por stërmundohen akoma më shumë kur i mbajnë në krahë librat. Ka ardhur një kohë kur të gjithë krijuesit i sheh me çantë në krahë tek shperndajneë krijimet e veta. Nuk gjen asnjë institucion a organizëm që të bëjë shpërndarjen e librave në Shqipëri, madje edhe kur kalojmë kufijtë shfaqemi si muhaxhirë me çantat e librave në krahë. Kur u ndodhën në brëndësi të kufirit të Maqedonisë, na u afrua një shofer taksie e na afroi sherbimin e vet plot mirësjellje. Ishte shqiptar dhe banonte në një fshat në mes të kufirit dhe Strugës. I thamë se jemi në udhëtim për Shkup dhe ai u tregua i gatshëm. Udhëtimi po na ecte mbarë. Shqiptarë në kufi, shqiptarë në taksi, madje siç do shihnim më vonë gjatë gjithë vizitës nuk u takuam me asnjë maqedonas sllavfolës, veç një punonjëse të Hotel “Alba” në Shkup, që edhe ajo kish mësuar ca fjalë shqipe. Shoferi me te cilin udhëtonim ishte i ri në moshë dha na çuditi kur tha se kishte gjashtë fëmije. Të gjitha vajza, çfarë nuk ishte çudi të gjendej një ditë edhe me të shtatin sepse shqiptari tradicional gjithnjë e dëshëron një djale si shtyllë të shtëpisë. Kur i thamë këtë ai qeshi me përzemërsi. Gjatë gjithë rrugës na mbajti gjallë me histori e ngjarje nga jeta e shqiptarëve të Maqedonisë, ndërkohë që sfondi zanor ishte me muzikë shqiptare nga Tetova, Struga e valle Gostivari. E me që më të shumtit prej nesh nuk kishin udhëtuar më parë në këto troje, shoferi nuk mungoi të merrte përsipër rolin e ciceronit, duke na ndaluar herë pas here nëpër qëndrat e banuara, më së shumti me shqiptarë. I ndryshëm për ne ishte vetëm peisazhi, të gjitha të tjerat thuajse na shfaqeshin të njëjta, gjuha, muzika, kalimtarët që na përshendesnin e po të mos ishin shënjat rrugore e reklamat e shkruara maqedonisht, do të na dukej vetja sikur ishim ende në Shqipëri. Zhvillimet e fundit pas luftës së shqiptarëve nën inicialet e UÇK, implementimi i Marrveshjes së Ohrit, pjesmarrja e partive politike në qeverisjen e vendit, ambicjet e shtetit maqedon për të hyrë në NATO dhe inkuadruar në bashkësinë europiane, kanë krijuar një klimë tjetër në mardhëniet e etnive në këtë shtet, si dhe mardhënie e fqinjësi më të mirë me Shqipërinë. Gjatë udhëtimit ndaluam në Strugë. Një qytet i bukur, veçmas në pjesën e vjetër të qytetit me pazarin e tij karakteristik ku njerëzit ishin të panumurtë. Ndaluam e pimë kafe me vëllain e shkrimtarit Agim Vinça, të cilin jo më pak se një jave më parë e kishim takuar në Elbasan ku kishte shkuar për të botuar një liber të vetin, pra si të thuash e kishte bërë të pranishem në Elbasan letërsia,  siç ne na sillte letërsia në qytetin e tij Strugë. Në tryezen ku pinim kafenë strugare erdhi e ul edhe vëllai tjetër Vinça, një ish shofer që dikur në kohë të diktaturës bënte rrugën për në Shqipëri me një maune. Kohët kanë ndryshuar tha shoferi i vjetër, i vetmi ndër vellezrit  Vinça që nuk kishte kurrfare interesi për letërsinë, tashmë kufijtë janë hapur e shqiptarët ndjehen mirë me njëri tjetrin. Në mes nesh ishte dhe një zonjë, e cila tek dëgjonte këto fjalë buzëqeshi. Ishte elbasanase dhe pas demokracise ishte martuar e jetonte në Strugë. Shkërmoqjen e kufijve,  atyre mureve te gurte shqiptaro-shqiptare, me te llahtarshem se Muri i Berlinit e ndjemë edhe në atë kafenenë në pazarin e vjetër e të rinovuar të qytetit të Strugës.

 

Si e gjetëm kaltërsinë e Valbonës në Shkup

 

Shoferi strugar nuk ngutej të ndahej prej nesh, anipse kishin gjysëm ore që kishim arritur në qytetin sa të lashtë e të ri të Shkupit. Nuk ikte pa na dorëzuar tek mikëpritësit tanë, anipse kish kaluar mesdita e atij i duhet të kthehej sërisht në Strugë, ku e priste e shoqja dhe gjashtë vajzat si pëllumbesha shqiptare. I ra celularit në numurin qeë i dhamë dhe pas pak, aty tek monumenti i Skenderbeut na u shfaq mikpritsja jonë, Valbona Zunçe e shoqatës së krijuesve shqiptarë “Pushkin”.  U tërhoqa paksa e i lashë rend pjestarëve të tjerë të grupit të takoheshin me shqiptaren e bukur të Shkupit me trupin si selvi. Ndërkohë po mendoja ca koiçidenca të çuditëshme me të cilat përballet njeriu. Ajo e kish emrin e një lumi në skajin më verilindor të Shqipërisë, lumë të cilin e njihja aq shumë ngase diku pranë tij kisha jetuar dy vjet të rinisë sime me uniformë ushtarake. Kur më erdh radha ta përshendes nuk u përmajta pa i thënë: - Çfarë intuite të magjishme paskan patur prindët e tu që t’a kanë vënë këtë emër. Ju jo veç emrin, por edhe sytë i keni të kaltër si Valbona!

 

Por kaltërsinë e lumit të Valbonës që kalon te këmbët e shkëmbit të Dragobisë, ne nuk e gjetëm vetëm tek sytë e shqiptarës shkupiane, por edhe tek zemrat e shqiptarëve të Shkupit që patëm rastin fatlum t’i takojmë e ti bëjmë miq për zemër.  E këtu mund të përmend shumë emra, si poetja shkupiane Puntorie Ziba, poeti i pasionuar pas figurës së Pushkinit  Bujar Ganija-Plloshtani, regjisori televizionit të Maqedonisë në gjuhën shqipe Faton Musliu, kryeredaktori i Radio Shkupit në gjuhën shqipe Reshat Kamberi e tjerë. Ishte kënaqesi të bisedoje me kryetarin e Komunës së Çairit Izet Mexhidi, i cili na rezervoi një takim të ngrohtë në zyren e tij, ku na shpalosi programin e zhvillimit të komunës që drejton. Shkupi në pikpamje administrative ndahet në dhjetë komuna, nga të cilat, për nga përbërja etnike,  në tre prej tyre dominon popullsia shqiptare. Çairi me afro 65 mijë banorë, është ndoshta rajoni më i pazhvilluar e qytetit Shkupit, është Shkupi i vjetër, Çarshija, që ka dallime të mëdha nga ato pjesë të qytetit të ringrituar me një urbanistikë e infrastukturë moderne e megjithatë drejtuesit e kësaj komune kishin besim se në të ardhmen shumçka do të ndryshojë për mirë edhe në këtë pjesë të qytetit të Shkupit. Të nesërmen paradite Valbona Zunçe kish bërë kujdes të na programonte dy biseda për letërsinë dhe kulturën gjithëshqiptare në radio Shkupi dhe Televizionin Maqedonia, kanali 2 për kombësitë, ku vendin kryesor e zënë transmetimet në gjuhën shqipe. Natyrisht nuk është vendi në këtë shkrim të shpalosim tërë idetë e mendimet që u shprehen në këto dy biseda që u zhvilluan, por gjithësesi një gjë mund të thuhet, që shqiptarët e kanë kohën e një lufte të re pas aq e aq luftrave me armë, ështe fjala për luftën në fushën e dijes e të kulturës. Popujt e Ballkanit e të Europës e dinë tashmë se shqiptarët në histori janë shquar për shpirtin luftarak, kjo për shkak të imponimeve e të sfidave që u kanë afruar e imponuar shekujt, por në kohrat e reja kur mbarë Europa shkon drejtë integrimit, është koha të shfaqemi me potenciale të reja në fushën e krijimit e të dijeve, të perqafimit të shkencës për përparimin e mirëqënien e njerëzve. Shqiptarët e Ballkanit kanë çfarë t’u tregojnë popujve të tjerë edhe në këtë fushë.

 

Tetova e trimërisë, e këngëve dhe diturisë

 

Në fillimet e veta, shteti maqedon që u shkëput nga ish Jugosllavia, jetonte ende në ethet e krijimit të një shteti nën shëmbëllesen e Serbisë, ku sllavët te kishin pushtet dhe kombësitë e tjera të ishin qytetarë të klasit të dytë, çfarë po e çonte vendin drejt vetshkatrrimit. Shqiptarëve ju imponua lufta si i vetmi mjet për të fituar të drejtat e veta. U desh ndërhyrja e europianeve që të shpëtohej Maqedonia e të shmangej përgjakja e metejshme e shpërbërja. Marreveshja e Ohrit më shumë se shqiptarëve etnike në trojet e veta, ju erdhi në ndihmë maqedonasve të cilet nuk po e kuptonin se po e shkatrronin shtetin e ri. Në të vertetë në biseda me shqiptarët e Shkupit, Tetovës e Strugës ndjehej pakënaqësia se Marreveshja e Ohrit ishte ende larg realizimit të aspiratave të tyre dhe kishte tendenca për t’ju shmangur plotësimit të kerkesave të saj çfarë ka vënë në shqetësin dhe ndëerkombetarët. Mbase kjo pakënaqesi nuk është e hapur, ende jo publike por ajo ekziston dhe parlamenti e qeveritarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm për krjimin e një klime e mardhënie harmonike ku të gjithë qytetarët ta ndjejnë veten të barabartë, e ta zëmë të mos ndjehen aq të thella diferencat e trajtimit ekononmik, sepse shqiptarët e Shkupit, të Tetovës, të Gostovarit, Strugës e më gjërë janë të renduar së tepermi nga gjëndja e papunësisë që në statistika është shumë e shumë më e lartë se sa ajo e popullsisë sllavo-maqedonase. Teksa i afrohemi Tetovës veshtrimi na kap kurorat e qafat e maleve ku është zhvilluar teatri i luftimeve pak vite më parë. Ish komandantët tashmë janë politikanë e kanë edhe ndonjë kolltuk në qeverisje e parlament, por problemet e ushtarëve të thjeshtë ende nuk janë zgjidhur. Ata dorëzuan armët e ju kthyen jetës paqësore, por ju desh të përballonin një luftë tjetër, atë me varfërinë, ku ish komandantët mungojnë të shfaqen sepse më të shumtit janë kthyer në hijë të së djeshmes...  Ndoshta kjo luftë me varfërinë problematike ndër shqiptarë, bën që të ndjehet ende ndonjë acarim sado i vogël ndëretnik, që nuk është pa rrezik për të gjitha etnitë që përbëjnë shtetin e ri e të brishte e ende pa emër të njohur ndërkombtarisht, Maqedonisë... Me t’u futur në lagjet e para të Tetovës në imagjinatë më vjen imazhi i një grupi muzikor e jehona e këngëve që në vitin 1994-95 më shoqëronte në jeten si emigrant. Ish grupi muzikor “Elita 5” që mund ta dëgjoje në çdo shtëpi emigranti shqiptar në Athinë e anë e mbanë Greqisë. E çuditëshme por edhe një këngë në gjuhën tënde ndodh që të mban ndezur atdhedashurinë në kushtet e një izolimi të plotë e përndjekjeve prej fqinjëve shoveniste që nuk dëshëronin të kishte gjuhë shqipe e as komb shqiptar.

 

Hymë tek tempulli i dijes dhe atdhedashurisë, Universitetin Shtetror të Tetovës, i cili u krijua përmes sakrificave të mëdha deri në përleshje me forcat qeveritare të armatosura deri në dhëmbë. Krijimi i universitetit konsiderohej si punë armiqësore. Mediokrriteti i pushtetmbajtësve ishte i llahtarshëm. Antishqiptarizmi i tyre ishte i dukshëm dhe tregonte se sa poshtë kishin rënë, si të ishin inkuizitatorët e mesjetës. Rektori Dr.Fadil Sulejmani dhe studentët e parë të Universitetit të Tetovës shiheshin si heronj nga shqiptarët e mbarë Botës. Kuptohet me çfarë emocioni u gjenda kur bashkë me miqtë e mi u takuam me zonjën Luljeta Isaku, dekane e Universitetit të Tetovës (tashmë i zyrtarizuar si universitet shtetror),  e cila kishte pergatitur një takim të ngrohtë me studentët pasionantë të letërsisë.

 

Pas bisedës, shkrepje aparatesh fotografikë, autografët në librat e dhuruar për studentët por edhe për bibliotekën e Universitetit. Të shoqëruar nga përgjegjsi e bibliotekës së Universitetit Shtetëror, Rami Kamberi, shkuam në universitetin tjetër me emrin Universiteti i Europes Juglindore( UEJL) sepse  Tetova tani ka dy universitete. Shefi i informimit të UEJL, Demush Bajrami na shpalosi programin e këtij universiteti modern, me paisje e laboratore mësimore të fjalës së fundit të teknikës dhe ku studiojnë jo vetëm djem e vajza shqiptare, por edhe maqedonas e nga shtetet e tjera të Europës.

 

Oher
Si pakuptuar ka rënë mbrëmja në Tetovë. Valbona dhe poeti Plloshtani ju duhet të kthehen në Shkup. Ky i fundit nuk harron të na dhurojë me autograf librin e tij më të fundit me poezi “Nga regjia e shpirtit”. Nga buzët e Valbonës nuk mungon shprehja “ Na eni prap!” dhe shton “ se edhe unë vij shpesh në Tiranë”. Rami Kamberi bashkë me disa tetovas të tjerë, në mes të cilëve dhe një poet satirik na shoqërojnë në shetitjet e natës nëpër rrugët e Tetoveës. Aty pranë xhamisë së vjetër me muret e jashtme të pikturuara, Ramiu na tregon copëza nga historia e mundimeve të shqiptarëve nën Jugosllavinë e pasluftës së Dytë Botërore, kur nga komunistët jugosllave edhe në Tetovë u bënë krime të panumurta, veçse duke qënë diku në periferi e jashtë vemendjes publike të mediave të kohes,  krimet e bëra këtu shpesh jane lënë në heshtje. Shumë nga nacionalistet u pushkatuan pa gjyq apo u kalben burgjeve nga të cilat nuk dolën kurrë. Vetë Ramiu me prindërit, prej përndjekjeve e burgosjeve, që i detyruar të iki e të jetoje në Kroaci. Po tani shumçka ka ndryshuar, ani pse ka ende shumë vend për ndryshime e përparime ekonomike e kulturore në jetën e shqiptarëve të Maqedonisë. Veçse kurrgjë nga historia nuk duhet harruar. E djeshmja është një mësim për të sotmen e krenari për të nesermën, të cilën duhet ta presim me dinjitet. Vuajtja e qendresa është pjesë e historisë, ndaj duhet qëmtuar me kujdes që kurrkush të mos mendojë se liria e prosperiteti kanë ardhur si tortë në pjatat demagogjike të politikës. Sa më shumë të dimë çfarë kemi hequr, aq më e shtrejtë na bëhet liria, na thotë plot mençuri shqiptari deri në kockë, Rami Kamberi. Yjtë e shumtë e plot shkelqim në qiellin blu të thellë të Tetovës, puhiza e erës që rrëzohet prej kurorës së maleve të fshehura në errësirë, tej e përtej horizontit,  të bëjnë të meditosh për të shkuarën,  por edhe të kesh guxim për të ëndërruar të ardhmen...

 

Perla Ohri të bën të meditosh për Pogradecin dhe Shkodrën

 

Duke parë deshirën tonë për të parë sa më shumë vende në rrugën e kthimit, sofreí devijoi nga linja që të çonte në Qafë Thanë e mori rrugën e Ohrit. Kisha dëgjuar për këtë qytet,  por m’u shfaq shumë më mbreslënës nga çfarë e prisja. Dinim që duke qënë një qytet turistik e joshës për të pasurit, kishte fare pak shqiptarë. Por megjithatë, si nëpër rrugë por edhe në disa dyqane ku ndaluam, dëgjuam të flitej shqip. Madje u kërkuam ndihmën e dy vajzave shqiptare në një byrektore për të gjetur pikën ku shiteshin gazetat. Valbona Zunçe sapo na kishte lajmëruar me telefon se gazetat shqiptare të Shkupit i kishin bërë jehonë vizitës së grupit tonë. E gjetëm pikën e shitjes së gazetave në pazarin e bukur të Ohrit. Në sheshin në qender të qytetit të Ohrit lartohej monumenti madhështor i një shënjtori orthodokos. Lulishta në bregun e liqenit kishte plot trëndafila shumëngjyrësh, ndersa në mes të lulishteve kishte buste bronzi të shkrimtarëve e poetëve maqedonas. Ohri ishte jo vetëm i bukur por edhe i pastër. Çdo gjë shkelqente. Nuk shihje asnjë letër apo shishe nëpër rrugë, por as në bregun e liqenit. Të vënë gjoba të rënda nëse hedh ndonjë mbeturinë sado të vogël në rrugë apo në liqen, na tha shoqëruesi ynë, shoferi i Teqese së Tetovës. Qyteti kishte reliev, diku diku shtëpitë sikur lartoheshin mbi çati të njëra tjetrës. Si Berati ynë, e kjo e bënte pamjen fort të pelqyeshme. Ajr i fresket që të mbush mushkritë dhe e ndjen veten të lehtë. Qytet ku të duket se paqja vjen prej qiellit, pa asnjë zhurmë a e folur me zë të lartë, asnjë buri makine, ku vinë turistë nga gjithë bota për të gjetur nje qetësi thuajse ëngjëllore. Të rrëmbyer nga pamjet piktoreske të Ohrit, u vumë në garë kush të merrte pamjen më të bukur me aparatet tona fotografike digjitale. Por sado fotografist i varfër të ishe, çdo pamje e fiksuar të shpaloste bukuritë e këtij qyteti perlë punuar me aq dashuri nga dora e njeriut ndërtues e krijues. Ndërsa pinin kafenë aty përballë liqenit, mendimi më shkoi tek Pogradeci dhe Shkodra që janë qytete buzë liqeneve, por të lëna pas dore e për të dëshëruar e ku, gjithësecili hedh beton për hesap të vet, e, o Zot çfarë demagogjia, në media thuhet së përditë rriten e zbukurohen, pa e vrarë mendjen se qytetet tona, nën shëmbullin e mbrapsht të Tiranës po rriten si përbindesha betoni, shpatull në shpatull, pa parkinge, me fare pak hapsirë të gjelbër. Dhe vertetë sapo lamë pas pikën kufitare të Tushemishtit, kaluam Drilonin e na u shfaqen shtëpitë e para të qytetit të Pogradecit, u përballem me një rrugë të shkatrruar e me pluhura shekullor. Kurrkush nuk të thotë kurrgjë po të shohë të hedhësh nga dritarja e furgonit ndonjë kanaçe e shishe bosh pasi të jesh dëndur me lëngje. Është mbase më mirë Pogradeci, por pjesa buzeliqenore e qytetit të Shkodrës, ku shkova menjëherë pas kthimit nga Ohri, m’u shfaq me një mjerim të pashoq. E kështu frymëzimi që përftuam prej vjeshtës poetike tetovare, strugare dhe ohriane, na u davarit e zbeh sapo zbritëm në terrenin shtet-shqiptar ku mbizotëron politika, pluhuri dhe betoni.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora