Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Pastruse

| E enjte, 11.06.2020, 12:11 AM |


Pastruse

Nga Edison Ypi

Të jetosh vetëm. Të shkruash pa u paguar. Të ikësh si i hazdisur me naftën tënde nëpër katunde të largëta për të parë ngjyra marramendëse, nuhatur aromat dehëse, dëgjuar shushurimat e përrenjve, dhe shtëpinë ta mbash të rregullt, e pamundur pa një pastruse.

Nja tre a katër gra të lagjes të cilave u qava hallin, kujtuan se ua lypa. U thashë se fjala nuk ishte për lypje por për një pastruse. Nuk u tundën.

Njëra tha: “Merr një pastruse, përdore dhe si grua".

Tjetra ja priti: “Merr grua, përdore dhe si pastruse".

Ca bythmëdhaja të tjera që pyeta, secila i bëri reklamë aftësive të spikatura për pastruse kandidateve të veta; kunata, mbesa, goca tezesh, hallash, dajallarësh, xhaxhallarësh, kushërira të para e të dyta e të treta, shoqe dhe shoqe të shoqeve, komshie dhe gjithfar’ stërlëngjesh, për të cilat thanë; Ka mbaruar dy të mesme, është nga Dibra, nga Mati, nga Skrapari, ka një baba pensionist, nëna qorre, një vëlla shofer, tjetri vëlla i pa punë, çun xhaje berber, dy motra të martuara, njëra burrin kollovar, tjetra burrin në burg, etj. Nuk ndalnin që nuk ndalnin llapaqenet edhepse u thashë kaq herë se në kapitalizëm nepotizmi nuk funksionon etj. etj.

Telefonova një gazetë. Dy zonja që ofronin pastrim ishin të zëna. E treta tha; Unë jam një vajzë e re që mund t’ju pastroj, nëse preferoni, edhe t'ju shtrydh. Besoj se më kuptoni çfarë dua të them.

Po, i thashë, të kuptoj, por po kërkoj pastruse, nuk po kërkoj kurvë.

Hoqa dorë nga gazetat.

J'a qava hallin një zonje. U zhyt në mendime zonja. Ta kam gjet, tha.

Pas dy ditësh erdhi me pastrusen.

Nuk jam dosido un’, tha pastrusja. Kam eksperiencë. Punoj në disa vende. Pastroj pllaka, vetrata, plasma. Kam kalamaj të rritur. Vetëm një çupë më ka mbetur pa martuar. Kam ndërtuar shtëpi të re. Kemi mbjellë rrush rreth shtëpisë. Zjejmë raki.

E vuri re padurimin tim. Mori frymë thellë; “Kam qënë Shefe Plani ! ”, tha krejt e zbehtë në fytyrë duke pritur efektet shkatërruese mbi mua të bombës që sapo ma plasi te këmbët.

O hajvane, më erdhi t’i ulërij, por bëra si bëra heshta.

Ramë dakord për pazarin. U ndamë me premtimin se do vinte të nesërmen në orën nëntë.

Nuk erdhi në nëntë. As në dhjetë. Erdhi në njëmbëdhjetë. Tha se do ta mbaronte pastrimin në orën 2. Epo mirë, i thashë, ti e di. Shtrëngova nofullat. Ika. Erdha në 2. Tha se kishte pastruar një dhomë. Se i ishte dashur të zbriste për të blerë disa lëngje dhe pluhura. Më erdhi t’i ulërija, por prap durova. Iku me ngut duke më kujtuar se do vinte të nesërmen për ta mbaruar pastrimin e tërë shtëpisë. Mbeta i tmerruar nga gjithato llafe. Megjithatë jetë është kjo, thash me vete, sot do ketë pasur ndonjë hall, të presim si do vejë nesër e tutje, dhe i hodha një sy dhomës. Poshtë tavolinave, nën krevat dhe nëpër qoshe, pluhur dynjaja. U tërbova. Të nesërmen e prita në oborr. O mashtruese, i thashë, o hileqare, o llapaqene, na kto pare dhe hiqmu sysh. Nuk i lëvizi qerpiku. Mos bërtit, tha, dhe iku.

Prej atëhere, shtëpinë e mbaj të pastër si Partia e kurvit Shqipërinë e diktaturës, me forcat e mia.