E enjte, 06.08.2020, 06:06 PM (GMT+1)

Komente

Nexhmedin Saqipi: Shoqëria shqiptare duhet të lirohet nga mentalitetet e mbrapshta ballkanike

E merkure, 10.06.2020, 11:33 AM


Intervistë me shkas

Nexhmedin Saqipi, koordinator i Shoqërisë Civile për Luginë të Preshevës

Shoqëria shqiptare duhet të lirohet nga mentalitetet e mbrapshta ballkanike

- Spektri politik shqiptar, duke u bashkuar në një front të përbashkët politik, tregon forcën elektorale dhe liron shpirtat e frustruar dhe përçarjet e dëmshme në favor të një klime të mirë shoqërore dhe politike. Në këtë mënyrë Lugina e Preshevës, do të bëhej një shembull i mirë edhe për shoqërinë shqiptare në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni, ngase të gjithë po pretendojmë të integrohemi në Evropë, e cila kështu siç jemi të ndarë, të përçarë e me mentalitete të mbrapshta, nuk na do në familjen e saj evropiane, tha në një intervistë me shkas për Jetapress, Nexhmedin Saqipi, koordinator i Shoqërisë Civile për Luginë të Preshevës.

1. Zotëri Saqipi, si e vlerësoni rolin dhe misionin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi, e në veçanti në Luginën e Preshevës?

SAQIPI: Ju e dini mirë se shoqëria shqiptare, gjatë periudhës së luftës është prekur dhunshëm, duke u lënduar po thuajse nga të gjitha poret e jetës: identiteti  kombëtar e fetar, intelektual, profesional dhe institucional. Janë rrënuar dhe shembur vlerat e saj, e një gjendje e tillë la pasoja edhe pas luftës. Grupe njerëzish dhe individësh, sikur i harruan ato sakrifica, të cilët të dhënë pas luksit e pushtetit, për përfitimi personale, familjare e partiake, shkelën mbi ato vlera, duke e zhveshur shoqërinë tona nga vlerat demokratike. Prandaj, ne si drejtues të shoqërisë civile, jemi menduar të bëjmë diçka në favor të zhvillimit, afirmimit dhe promovimit të vlerave shoqërore. Kjo na detyroi të mobilizohemi, duke parë se si po katandiset shoqëria jonë, se si po përçahet e dezintegrohet, qytetarët e hutuar pas garave të subjekteve politike për pushtet, po e ndajnë shoqërinë tonë në pozitë e opozitë, shteti nga këto ndasi e parregullsi, nuk po funksionon si duhet, drejtësia është kapur nga lartë dhe liria e shfrenuar është kthyer në një degjenerim total.

2. Si e shihni shpëtimin e shoqërisë shqiptare të prekur nga këto dukuri shkatërrimtare?

SAQIPI: Për të zënë trenin e ndryshimit (e që sot liderët politikë e kanë plot gojën reforma e ndryshime), duhet së pari ta ndryshojnë vetveten, të lirohen nga barra e lakmive dhe hasmërive, ta pranojnë njëri-tjetrin, si rival e jo si armiq politik, me një fjalë biznes-politikan, që kanë lindur si kërpudhat pas shiut, e që po e rrezikojnë qenien dhe substancën kombëtare  e njerëzore, duhet të heqin dorë nga këto vese dhe dukuri negative. Ata kur është në pyetje interesi ynë madhor kombëtar, duhet të unifikohen, për t'i lanë anash intereset personale, mgase vetëm ashtu të bashkuar mund të ecin përpara drejt proceseve integruese me perspektive evropiane. Spektri politik shqiptar, duke u bashkuar në një front të përbashkët politik, tregon forcën elektorale dhe liron shpirtat e frustruar dhe përçarjet e dëmshme në favor të një klime të mirë shoqërore dhe politike. Në këtë mënyrë Lugina e Preshevës, do të bëhej një shembull i mirë edhe për shoqërinë shqiptare në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni, ngase të gjithë po pretendojmë të integrohemi në Evropë, e cila kështu siç jemi të ndarë, të përçarë e me mentalitete të mbrapshta, nuk na do në familjen e saj evropiane. Nuk na do se mentalitete ballkanike me luftëra e konflikte nuk po krijojnë sisteme të mirëfillta demokratike, por në emër të pluralizmit politik kanë prodhua biznes - politikanë, biznes - fetarë, biznes- profesionalistë, biznes –kombëtarë , biznes - patriotë,  biznes -mjekë, biznes - kulturologë etj. Shpresa  e vetme është që të pranojmë njëri - tjetrin dhe kjo punë të pleqërohet me mend, me fakte, me tolerancë, me profesionalizëm, por edhe me mëshirë, që për fat të mirë sot kemi ekspertë të të gjitha fushave, për t'i menaxhuar punët tona.

3. Cili është qëllimi i unifikimit të subjekteve politike?

SAQIPI: Qëllimi i iniciativës  të shoqërisë civile për unifikim të subjekteve politike në zgjedhjet e 21 qershorit për pushtet lokal në Bujanocit, ka qenë që ajo të bëhet para zgjedhjeve, e jo pas saj sepse këtu qëndron forca e unifikimit. Kjo nismë është nisur nga disa parime së pari për t'i bërë bashkë subjektet politike dhe së dyti për t'i motivuar qytetarët të dalin në zgjedhje, nga se çdo ndarje dhe përçarje mund ta rrezikoj forcën elektorale dhe rënien e ulëseve në parlamentin lokal. Qytetarët janë lodhur dhe rraskapitur nga këto ndarje dhe përçarje, të cilat po ndikojnë dukshëm në demoralizim dhe largimin e rinisë nga vendi, me rrezik të kthimit të kësaj komune në shtëpi të pleqve. Askujt, me nder me thënë, nuk i ha palla për ndryshime, profesionalizëm e përparime, por duke vrapuar për pushtet nuk kursejnë mënyra e metoda për të ardhur te vota e cila jepet me  bindje politike, por besim, jo për interes  familjar, interes  miqësor, biznes  dhe interesa të ndryshme. Nga këto defekte të skenës politike shqiptare familjet shqiptare janë përçarë, politika e interesit i ka rrënuar vlerat e dikurshme kulturore e kombëtare, janë ndarë vëllezërit me vëllezër edhe martesat po bëhen në baza partiake edhe shkurorëzimet po bëhen për inatet  dhe intrigat e politikanëve. Këto dukuri i kam thënë edhe më herët, që nga viti 2000 dhe po i përsëris edhe tani, por, mjerisht, këto vërejtje nuk janë marrë parasysh, prandaj jemi aty ku jemi.

4. Si do të funksionoj modeli i unifikimit të subjekteve politike?

SAQIPI: Nëse e kuptojmë qartë modelin e unifikimit të subjekteve politike, s'ka se si të mos funksionoj ajo. Mirëpo, mes disa grupeve të interesit, ka individë që nuk u shkon për shtati ky unitet, prandaj ata veprojnë të fusin spica e të shpifin e degradojnë iniciativat për të mirën e shoqërisë sonë, sepse janë mësuar të jetojnë ashtu në mënyrë jo të ndershme dhe jo shoqërore. Këtë model duhet ta marrë edhe Shqipëria, Kosova. Serbia, Maqedonia, Bosnja etj, të cilat kanë pothuajse të njëjtat mentalitete, nga të cilat po pësojnë qytetarët dhe shoqëria në përgjithësi. Nuk ka familje shqiptare    nuk ka pësuat  gjatë ndryshimeve të sistemeve dhe transfereve nga një sistem në tjetrin pa organizim   dhe edukim. Nga sistemi i jetës bizant në atë të rimit, nga  ai bizant në  Osmanli, nga osmanlitë në komunizëm, nga komunizmi në demokraci, mandej nga paganizmi në  fe  krishtero - ortodokse, islame,  ateiste etj, të gjitha këtu vijnë nga ndasitë kulturore dhe dallimet e saj. Mua më ka ra hise të merrem me evitimin e këtyre dallimeve dhe ndasive kulturore, nëpër periudha të ndryshme, mirëpo beteja kundër këtyre nuk ka qenë e lehtë. Nuk ka qenë e lehtë sepse zëri i shoqërive civile nuk është dëgjuar si duhet dhe politika  nuk ka mundësi për këto ndryshime, ngase i mungon bashkëpunimi me të në mënyrë të sinqertë dhe korrekt. Për njëzet vjet rresht është vjedhur, manipuluar e blerë vota e qytetarit dhe nuk janë zgjidhur problemet e tij, madje ato më elementare. Shembull  kemi shkollën e Tërnocit e cila nga 1200 nxënës kanë mbetur vetëm 400 e disa shkolla të tjera të zonave malore janë të rrezikuar të mbyllen fare, sepse familjet shqiptare po ikin e bashkë me ta po ikën e dhe rinia. Ka ardhur koha të investohet në kulturë në arsim dhe në shëndetësi e jo vetëm në beton e infrastrukturë. Ky popull pa kulturë,  pa arsim dhe pa shëndet nuk ka jetë dhe as prosperitet. Këta njerëz po ikin nga vendlindja për një jetë më të mirë dhe Lugina po zbrazet në heshtje.  Atë çka nuk e bëri regjimi i Millosheviqit me gjak e hekur, po e bënë politika jonë e ndarjeve dhe përçarjeve. Është lodhur shoqëria jonë me shpifje, denigrime dhe shantazhe, duke u etiketuar në patriotë e tradhtar, në demokrat e hajdut e kështu me radhë. Prandaj, këtu është dallimi i iniciativës tonë nga iniciativat e tjera, të cilat nuk mund të mbjellin unitet në një artë të mbushur me shumë baroja të këqija, e që prej saj nuk pritet rendimet i lartë. Qytetarët duhet të dalin në zgjedhje për të reflektuar maturi politike e subjektet politike të bëjnë fushatë fer e me dinjitet. Uniteti është i domosdoshëm, në mënyrë që ne t'i gëzojmë fitoret bashkë, sepse vetëm ashtu ecim përpara drejt e mbarë, apo jo?

(Intervistën e realizoi redaksia e Agjencisë së lajmeve Jetapress nga Lugina e Preshevës)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora