E enjte, 28.03.2024, 11:27 AM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Nuse e mbretit

E merkure, 10.06.2020, 04:04 PM


MBRETËRIMI I PIRROS SË EPIRIT

(Fragmente)

Roman nga Resmi Osmani

Nuset e mbretit

Mbretëresha e dashur Antigona po bënte muaj e ikur nga kjo botë.

Këshilltari Kinea. I kërkoi mbretit që të  bisedonin për një çështje të rëndësishme shtetërore.Ata qëndruan në cabinet para kupave të verës.Këshilltari, me pamje enigmatike, natyrë të përmbajtur e fjalëpakë, priste që mbreti ta pyeste për arsyen e atij takimi.Por mesa dukej, mbreti e kishte mëndjen gjetkë.

-Desha të ngrija për të një mbretëri që të përfshinte gjithë Maqedoninë, Greqinë dhe Ilirinë, pse jo edhe nisitë e Jonit, por Antigona nuk e lakmonte këtë dhe nuk priti.Leka e ka thënë bukur:”Kur vjen fundi, nje varr del e tepron edhe për atë që e gjithë bota nuk i dukej e mjaftueshme”

-Kur mbreti arsyeton si filozof, atëhere filozofi dujet të gjykojë si mbret.Kinea heshti pak, gjerbi një gllënjkë verë dhe vijoi për të dalë atje ku donte.

-Madhëri, një mbret, qoftë edhe I moshuar, nuk duhet të mbetet vejan, pale kur është në lule të jetës.

-Kinea, je epikurian i pandreqshëm.Përpara se të sillje ndërmënd e të më përmendje të tilla fjalë, të prisje sa të ftohej shtrati i të ndjerës mbretëreshë!

-Mbretërit martohëen jo që t’u ngrohet shtrati, por për arsye shtetërore, për arsye politike, për të bërë aleatë dhe pse jo edhe për të shtuar pasurinë e znadhuar shtetin.Kuptohet edhe për të lindur trashëgimtarët, që do të jenë bij e nipër mbretërish të shquar e do të vazhdojnë dinastinë.Kur nuset e reja sjellin si pajë edhe bukurinë dhe hirin mbretëror, atëhere mbreti është vërtet me fat dhe ka një arsye më shumë për të qënë i lumtur!

Pirrua e ndiqte fillin e bisedës pa interes, por Kinea filloi ta zgjerojë hapësirën e bisedës.Ai foli për Filipin II të Maqedonisë, që për aleanca para çdo lufte bënte një martesë të re.Për mbretërit e qëmoçëm, Priamin apo Darin që i kishin pallatet të mbushura me gra e që u kishin lindur djem fatosa. Mbretëria epirote që sapo kishte nisur të madhohej kishte nevojë për miq dhe mbretër aleatë.Aleatë të natyrshëm të një gjuhe e të nje gjaku, ishin mbretërit Ilirë në very, që edhe po nuk mund ta ndihmonin, nuk do ta sulmonin.Shpina e Epirit do të jetë e siguruar. Maqedonia dhe Greqia ishin të dobësuara dhe do të ishin teatër i veprimeve luftarake.Aleancat me mbretërit e tjerë, përveç Ptolemeut, do të ishin të përkohshme e do të synonin ndarjen e plaçkës.Epiri duhet të kishte miq dhe aleatë edhe përtej detit, në brigjet italike.A nuk i kishte lakmuar ato toka Aleksandër Molosi?!

-Mesdheu, sado i madh të duket, është det i vogël! Mbreti im ,kjo është politika. Në ndihmë të saj duhet të vihet diplomacia.

Epo, Kinea, sipas diplomacisë tënde, sa gra të reja duhet të vinë në pallatin mbretëror?

-Të paktën tri, madhëri.Të trija bija mbretërish dhe me pajë të madhe. Jepni pëlqimin dhe Kinea do shtrëngojë rripat e sandaleve dhe si lypsar me një shkop në dorë dhe trastë në sup, do të marrë rrugët e mbretërive për të lypur nuset për mbretin e tij. Si shpërblim dua kur të kthehem , një palë sandale të reja.

* * *

Lanasa

Kaluan muaj dhe Kinea e përfundoi punën e mblesit mbretëror dhe nuset filluan të vijnë.

E para erdhi Lanasa, bijë e mbretit Agathokli, italiote nga Siçilia.Për pajë ajo sillte ujdhesën e Korkyrës me qytetin e saj. Princeshën e solli anija e të atit në Korkyra. Pirrua, u nis ta merrte në dorzim ishullin dhe të sillte në shtëpi nusen e re, princeshën Lanasa.

Nga pallati veror i Gitanit në breg të detit, ujdhesa dukej mirë, por ai s’kishte qenë ndonjëherë aty.Me dy anije e njëqind ushtarë, mbërriti në gjidetin e vogël në pjesën lindore të ujdhesës dhe, i shoqëruar nga oficerët e rojës u drejtua për në vilën mbretërore që ishte pranë anëdetit.

Rojat e shoqëruan për në buduarin e princeshës.Ajo e priste tok me këshilltarin e mbretit Agathokli, e rrethuar nga skllavet dhe shërbestaret që e kishin shoqëruar e do të qëndronin me të.Kur hyri Pirrua, ato u perulën dhe e përshëndetën në heshtje.Lanasa ngriti kokën dhe kundroj me kujdes pamjen e këtij mbreti, fama e të cilit kishte mbërritur para tij e që do të ishte burri i saj. Të njëjtën bëri edhe Pirrua.Ajo e zotronte veten.në fytyrën e Lanasës nuk lëvizi asnjë muskul dhe ai nuk arriti të kuptonte përshtypjen që i bëri.

Shoqërueset e saj dhe të Pirros u larguan dhe i lanë vetëm.

-Mirëseerdhe në tokën e Epirit, Princeshë Lanasa!

-Mirësetëgjeta, madhëri. Ende jam në tokën time, ndaj po të pres si mysafir! Me vullnetin e Atit tim, mbretit Agathokli dhe pëlqimin tim, kam ardhur që të kurorëzohem mbretëreshë e Epirit.-I tha ajo qetë por me vendosmëri.

-Bashkë me mua, ju do të merrni për pajë edhe këtë ujdhesë.

-Princeshë, jam i detyruar të të them se do të jesh njera nga gratë e mbretit. Ati juaj duhet t’ua ketë thënë. Së shpejti do të mbërrijnë edhe dy princeshat e tjera.

Megjithëse këtë gjë e dinte, asaj nuk i erdhi mirë për atë që dëgjoi, u pre dhe u zverdh. Mbreti do të ndahej më tresh, por ajo e donte të tërin për vete!

U shërbyen drekën nën hijen e pjergullës.Ishin të pranishëm pak oficerë dhe shoqërues oborrtarë. Ajo shihte nga bregu kundruall thesprotinë dhe heshtëte.Ky vend ishte ndryshe nga Siçilia e bukur.Pirrua u interesua për punët e atit të saj, mbretit Agathokli dhe luftën e tij me karthagasit, por biseda nuk po ecte.Ndërkohë Pirrua pati rastin ta kundronte me nge: ajo ishte shtatderdhur, . trup ngjeshur,zeshkane me flokë të zez që i derdheshin mbi supe, kapur me një diademë me gur të kuq.Hunda e drejtë, balli i lartë, mjekër energjike, sytë e zez me vështrim krenar, goja e vogël dhe buzë të plota mishtore, si qershi, gjoksi i hedhur, këmbë muskulore. Ngjante me një amazonë luftëtare, e bukur dhe krenare, mesa dukej, edhe tekanjoze.

Pas buke pinë shurup mjalti. Ajo lëpiu buzët me gjuhë si një kotele e vockël, e pa në sy dhe i buzëqeshi si çapkëne. Ishte një ftesë për intimitet.

Shëtitën në kopshtin ku harlisej bimësia e makjes subtropikale dhe lulevilet që vareshin nga degët e drurëve.Dielli mbrëmësor, në të perënduar e sipër hidhte rrezet e kuqërremta dhe deti i përflakur këndonte këngën e perjetshme të dallgëve.Princesha Lanasa si zonjë shtëpie, i hoqi udhën dhe hynë në dhomën e gjumit, në mes të së cilës ishte shtrati I mbuluar me kurtina të kaltra, që zbrisnin nga tavani.

Pasi hezitoi pak, Pirrua me gishtat që i dridheshin, i zbërtheu karficat e arta në supat e tunikës dhe pa sesi u zbulua trupi i saj i bukur.Ajo, si e zënë në faj, u mbulua me duar. Pirrua hapi kurtinën, dhe ngadalë e me delikatesë, e mori nusen para duarve dhe e uli mbi mbulesën e butë të shtratit……

Në Korkyrë qëndruan një javë.Ishin të rinj dhe I gëzoheshin jetës.Bënin dashuri, hipur mbi kuaj i ranë rreth e qark ujdhesës së vogël plot me ullinj e vreshta.Qëndruan në fshatrat e peshkatarëve dhe shijuan peshkun e pjekur në prush, pine verën që ishte me nam dhe vapuan nën hijen e dendur të ullinjve.Ai donte ta njihte mirë këtë tokë të re që i shtohej  mbretërisë së tij.

Banorët e ujdhesës e shihnin me pasajdi këtë shpurë mbretërore.Kishin parë e ndërruar shumë mbretër. Ata iknin e vinin po asnjë herë nuk harronin ti ripnin e grabisnin me taksa të rënda.

Pasi vuri rregull në garnizonin e vogël dhe pik-rojet e ujdhesës, Pirrua dhe Lanasa u kthyen në pallatin e Gitanës, që tashmë do të ishte selia verore e grave të mbretit.

Zaimina

Nga mesi i vjeshtës së tretë, pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, karvani i zhurmshëm i krushqve peonë dhe epirotë, me zurna, fyej e daulle, që sillte Zaiminën ,nusen e dytë nga Peonia e largët e Ilirisë very-lindore, mbërriti në Pasarone. Kinea, filozof,diplomat e I mençur, dinte t’I vinte në jetë mirë porositë e mbretit të tij: mbretëria Ilire e Peonëve, tashmë aleate e Pirros, i rrinte Maqedonisë si shpatë e ngritur mbi krye!Aleatë të tyre ishin edhe Dardanët e fuqishëm..Kjo krushqi, lidhte në aleancë ilirët e jugut me ata të veriut.

Zajmina, bijë e mbretit Audoleon, ishte rritur në brigjet e Vardarit, në fushën e begatë të Pelagonisë, të mbushur me vreshta, kopshtie me mollë dhe gjat verës me lejlekë që ngrinin foletë në pemët e fushës dhe krokëritnin sqepat.Prej tyre kishte marrë emrin fusha e begatë.

Në darkën e martesës, Zajmina nuk mundi të qëndronte, ishte e lodhur dhe e dërrmuar nga udha e gjatë që shpesh kalonte në shtigje malesh, të përpjeta e tatëpjeta.Kërkoj leje që të largohej. Zonjat e shoqërimit dhe mëndesha që kishte sjellë me vete, u kujdesën për të. Pirrua u takua me nusen e re të nesërmen. Hëngrën sillën në sallën e madhe të bukës bashkë me miqtë. E mori nusen e re pranë vetes dhe nisi ta kundrojë me ëndje: e brishtë, e hajthme, si një lule pranvere, flokëverdhë, sykaltër, e ndrojtur dhe e turpshme. Një çupëlinë që s’i kishte kapërcyere të gjashtëmbëdhjetat. Kur buzëqeshte në faqe i bëheshin dy gropëza që i jepnin aq hijeshi.

Në mbrëmje ,ai e përqafoi natyrshëm si t’ a kishte motër. Ajo mbështeti kokën e saj të bukur në gjoksin e tij të gjerë dhe u tulat si një zogth pa mbrojtje.

Për ‘të ajo do të ishte shoqe e netëve të gjata, kur ai do të donte prehje, një fjalë të mirë që dilte nga zemra dhe shumë dashuri. Fliste vetëm ilirisht, por kuptonte edhe pak greqisht.

Brikena

Nusja e tretë, Brikena, bijë e mbretit të Ilirisë, Bardhylit të Ri, erdhi nga deti, e shoqëruar nga oborrtarët e të atit dhe zbriti në gjidetin e Berenikes. Pirrua u uroj mirseardhjen fisnikëve të nderuar dhe i zgjati dorën brikenës që të zbriste nga ura e anijes liburne. Ajo e mori me mend se ai ishte mbreti i saj.Me droje dhe një barrë turp, ajo zbriti shkallët pas tij e shoqëruar nga njerëzit që e përcillnin.

Lanasa kishte shkuar në Pasarone dhe nuk qëndroi ta priste shemrën. I kishin ardhur në majë të hundës këto martesa dhe nuset barbare.

Për mysafirët e nderuar, shokët e mbretit dhe aristokracinë e lartë ishte shtruar një darkë e pasur dhe muzikantët luanin meloditë e tyre të bukura me fyej e lira.

Nusja e shoqëruar nga zonjat e aristokracisë, demiurgëve dhe prostatit, hyri në sallë me çap të ngadaltë. Në krye ajo kishte vendosur një diademë të artë, në veshë i vareshin vathët e mëdhenj prej argjendi zbukuruar me xhevahirë që i zbrisnin gjer afër mjekrës, në gushë nj gjerdan i hollë ari dhe një varg me rruaza qelibari të shndritshëm dhe të tjera prej qelqi të kaltër. Nën supa, në të dy anët e gjokseve vareshin tufa zinxhirësh argjendi që përfundonin me rruzuj të vegjël. Fustani  vinte i ngushtë e pas trupit në mes, teksa posht derdhej deri te këmbët si një lule zambaku. Fundi ishte i qëndisur me gajtanë. Ishte veshja e vendit të saj që i thoshin xhubletë. Belin ja shtrëngonte kollani bojë alle qëndisur me pafka të arta. Në qafat e duarve ndrynin byzylykët e bukur që përfundonin me spërdredhjen e një koke zogu. Mbi supe kishte hedhur pelerinën pa mëngë, ngjyrë purpur që ishte e kapur me karfica të bukura, e mbi të, një shall të hollë që i mbulonte shpatullat.

Dasmorëve iu mbetën sytë te nusja e bukur.

-Bashkë me nusen,- tha Agatokli me shaka-mbreti Bardhyl na ka dërguar edhe një minierë ari dhe argjendi! Nusen e vunë të ngjyente gishtin me mjaltë, të lyente pragun e derës, pastaj i dhanë të ngjëronte pak bukë e kripë, i vunë në krah një vogëlush i cili mbante në dorë një pëllumb të bardhë. Ajo u afrua në dritare dhe djali e lëshoi pëllumbin në liri. Nusja e daroviti djalin me nje qese monedha floriri.

Brikena, bashkë me zonjat e shoqërimit, siç e donte zakoni, doli në krye të vendit që të nusëronte. Vinte shtatmesatare, e plotë, hundën me majuckë, buzën e sipërme pakëz të shkurtër, dhënbët të rregullt, borë të bardhë, qafa e gjatë si e mjellmës e stolisur me ar. Pamja e saj prej çapkëneje, përcillte mirësi dhe një ndjenjë të hollë shpotie.

Pirrua nuk e la të nusëronte më këmbë, e uli pranë vetes. Në të dy anët ishin edhe Zajmina me Lanasën që e shihnin me kërshëri shemrën e tyre të re. U ngritën dolli e shëndete dhe siç e donte rasti, vera u derdh lumë. Pastaj valltarët treguan talentin e tyre dhe këngëtarët kënduan balada dhe këngë trimërishte. Dasma vijoi gjer vonë.

Të nesërmen krushqit i përcollën duke u dhënë edhe dhurata të pasura për mbretin Bardhyl dhe gratë e oborrit të tij.

Që ditët e para që qëndruan bashkë , Pirrua vuri re se Brikena kishte në të folur çiltërsi, thjeshtësi dhe gëzim, ishte pak ngacmuese, por e mençur, e hareshme dhe e sinqertë. Dukej se e merrte jetën si t’i vinte. Pirrua e ndjeu se ajo, do të mbante në qënien e tij zjarrin e dritës e të gëzimit, që këto kohë, pas vdekjes së Antigonës së dashur,kaq shumë i mungonte.

Të tri princeshat, në pamje të parë, ishin vajza të reja, të bukura, tërheqëse dhe të veçanta. Ato do ta hijeshonin oborrin mbretëror me hirin e tyre të fisëm dhe pot ë donin hyjtë, edhe me fëmijë të shumtë që janë gëzimi i jetës.

Por ndryshe nga kjo përshtypje e parë, ai shpejt do t’a kuptonte se nuk do të  ishte e lehtë, të bashkjetoje me tri gra që ishin princesha e bija mbretërish.

Mbreti Pirro mund ta quante veten me fat. Kinea, për këto zgjedhje që bëri dhe aleancat që lidhi, u shpërblye me më shumë se sa kishte kërkuar.

Vijon



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora