E enjte, 28.03.2024, 06:16 PM (GMT)

Kulturë

Azem Gjidija: Një vepër që meriton të lexohet

E enjte, 06.11.2008, 10:07 AM


Një vepër që meriton të lexohet

(Fakte dhe dokumente në jetëshkrimin real: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një Jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe”, të studiuesit e publicistit shqiptaro - amerikan Tomë Mrijaj)

 Nga Azem Gjidija, New York

 Para disa ditëve më ra në dorë libri voluminozme 400 faqe, me fakte, dokumente dhe fotografi  origjinale mbi jetëshkrimin real me titull kuptimplotë: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një Jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe” (New York), të studiuesit e publicistit të palodhur shqiptaro - amerikan Tomë Mrijaj.

Kjo dhuratë e mirëseardhur e hulumtuesit z. Tomë Mrijaj, më nderoi dhe befasoi. Është fjala për veprën e tij voluminoze: “Një Jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe”, të cilin, autori në fjalë ia kushton të ndjerit Monsinjor Dr. Zef Oroshit, themeluesit të Kishës së Parë Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”( Krishtlindje, 24 Dhjetor 1969 dhe më 19 Gusht 1973 me Dekret mori të drejtat e kishës), Lidhjes Katholike Shqiptaro – Amerikane (Qendra “Zoja e Shkodrës”, 1962) në Amerikë, dhe në të njëjtën kohë themeluesit dhe drejtuesit të revistës fetaro – kulturore “Jeta Katholike Shqiptare – Amerikane” (Bronx, New York, 1966).

Befasitë më të mëdha për mua, gjatë leximit të veprës voluminoze të zotit Mrijaj ishin dy:

E para, dedikimi me mish e shpirt, i njohjes në detale të jetës dhe veprës së të ndjerit klerik Monsinjor Dr. Zef Oroshit dhe shumë meshtarëve dhe poetëve me renome (famë) kombëtare, siç ishin: At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Imzot Fan S. Noli e shumë e shumë të tjerë, të cilët, i përshkruan mjaft mirë studiuesi i kujdesshëm Tomë Mrijaj, i cili, është i ri për nga mosha, i lindur, rritur dhe shkolluar në Kosovë e Amerikë.

Duhet venë në dukje, se një punim i tillë serioz, me të gjithë elementët e rëndësishëm të një vepre jetëshkrimore voluminoze, siç është ky libër në fjalë, është një rast i rrallë, i cili, kërkon një punë e vullnet maksimal në emigracion.

Befasia ime e dytë, është fakti, që prisnja, se një ditë heret ose vonë dikush nga intelektualët mërgimtar me prirje e talent, për të shkruar do të fillojnë të shkruajnë për mërgimtarët shqiptarë, të cilët, pa vullnetin e tyre, por të shtyrë nga rrethanat jetësore, u detyruan të marrin në sy rrugët e botës, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, duke mos u pajtuar me rregjimin sllavo – komunist e ateist të diktatorit Enver Hoxha, i cili krijoi sistemin më brutal në bllokun lindor të Europës…

Intelektualët shqiptarë të asaj kohe apo edhe më vonë, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, nuk patën mirësinë e guximin që të ulën pranë tryezës dhe të shkruajnë dy fjalë për këta mërgimtarë, të cilët, i lanë me dhimbje lamtumirën e fundit kombit e atdheut, familjes e farefisit, për të mos u kthyer më ndoshta shumë prej tyre për së gjalli.

Është fakt i pamohueshëm, se me qindra familje të këtyre mërgimtarëve përfunduan në kampet e përqëndrimeve e internimeve, nëpër Shqipëri e ish Jugosllavi pa dallim krahine e përkatësie fetare. Meqense ekzistonte një aleancë e ngushtë bashkëpunimi në mes të Sigurimit të shtetit shqiptar dhe UDB – së jugosllave, e cila mërgimtarët e emigruar në Kosovë i dënonte dhe transferonte nëpër Serbi e sidomos në Banatë (Kroaci e një pjesë në Serbi), të cilët, i strehonte nëpër ferma derrash, ku gjenin vdekje në kushte shumë të vështira jetësore në fillimin e vitëve 50 – ta të shekullit të kaluar, kurse pjesa tjetër e tyre përfundoi nëpër burgjet Sremska – Mitrovicës, Nishit, Gerovës dhe Prishtinës. I njëjti fat i ndoqi edhe ata, të cilët emigruan në Maqedoni e Mal të Zi.

Akoma edhe sot e kësaj dite kemi mërgimtarë të atillë, që iu përballuan këtyre vuajtjeve këtu në komunitetin tonë të ShBA – së.  Ky brez i hershëm mërgimtarësh shqiptar, u flijua për Fe – Komb – Atdhe, të cilët, i luteshin Zotit të madh, që një ditë heret ose vonë t’a shohin të çliruar atdheun dhe popullin shqiptar, siç bëri edhe vetë Monsinjor Dr. Zef Oroshi, i cili, ishte lider i nderuar i komunitetit shqiptar në mërgim.

Duhet thënë me dhimbje, se rikthimin e këtyre mërgimtarëve e priste familja plot mall të zhuritur farefisi i tyre, kombi e atdheu…, por përfundimi dihet në shumicën e rasteve…

Edhe pse kanë kaluar 18 vjet, asnjëherë liderëve të pruralizmit politik në Shqipqëri, nuk iu ra nder mend që së pakut për respekt e kortezi t’iu kërkonte falje, familjarëve dhe viktimave të shumta, që prisnin takimin e tyre me të afërmit para dyerve të shtëpive e kampeve të përqendrimit në fillim të vitëve 90 – ta…

E të mos flasim për ftesën publike e cila ishte mëse e nevojshme, që duhej t’u bëhej këtyre mërgimtarëve kudo që gjindeshin nëpër botë, që të ktheheshin një ditë për të vizituar atdheun e të parëve të vet. Por ajo ditë dhe ftesë për fat të keq nuk mbërriti. Kjo ditë e shumëpritur e cila ishte bisedë e përditëshme e mërgimtarëve pa përkatësi fetare nga Veriu i Shqipërisë, të cilët, kishin lënë atje përveç të afërmëve e fare fisit edhe nuset e reja, me të cilat kishin jetuar një kohë shumë të shkurtër nga se fati i jetës bëri, që ata të mbesin duke e pritur njeri – tjetrin… Por meqë ata i lidhte besa, nderi e tradita, kombëtare, qëndruan besnik ndaj njeri - tjetrit deri në vdekje.

E jo sikurse sot në ditët tona, kur një pjesë e mirë e rinisë sonë ka marrë rrugët e ahengjeve e pijes, duke ua shpërblyer me të keqe, mundimin e prindërve, të cilët, i kanë rritë qofshin djem apo vajza, të cilët, posa të martohen, mbas një kohe të shkurtër ndahen, duke u arsyetuar se ai ose ajo nuk është tip, i cili, më pëlqen mua.

Qëndresa e më sipërme njerëzore me vuajtje e sakrifica e mbajti të gjallë popullin dhe mërgatën shqiptare nëpër botë, për të cilën shtypi dhe mjetet e informimit publik shqiptar brenda dhe jashtë atdheut s’pushuan, duke i përshkruar ata me gjuhën dhe epitetet më të përulëta që mund të mendohet, fakt të cilin e pohon edhe shkrimtari ynë me renome botërore Ismail Kadare, i cili, i pyetur nga autori i këtij shkrimi, me rastin e vizitës së tij të parë në ShBA në fillim të vitëve 90 – ta, se: Pse nuk u folë apo shkrua një fjalë e arsyeshme për mërgimtarët shqiptarë gjatë gjithë këtyre vitëve të kaluara!?

Ai u përgjegj: “Është bërë një mëkat i madh ndaj jush!” Se sa do t’i qetësoi zemrat e atij ose asaj që e përjetoi mërgimin shumëvjeçar ngushëllimi i mësipërm mvaret nga ndjenjat e individit…

Dihet mirëfilli mënyra e veprimit të pseudo – intelektualëve shqiptar të kalibrave të ndryshëm, të cilët, gjenin kohë dhe mjete financiare, për të botuar vëllime të tëra, siç ishte rasti me librin fyes e denigrues “Mërgata e qyqeve”, të autorit Nasho Jorgaqit në një periudh kohe, kur populli shqiptar vuante për kafshatën e bukës.

Se sa të “lumtur” kishte qenë populli shqiptar në “Parajsën moniste” enveriane e vërtetoi koha, me rastin e eksodit dhe strehimit politik të qindra e mijëra shqiptarëve nëpër ambasadat e huaja në Tiranë (Korrik, 1990), ngjarje e cila nuk ka nevoj për koment…

 Ikja e ardhja e një engjëlli

 “Kjo ka kenë vullnesa e Zotit, por e ndjej thellë në zemrën time, se Zoti do të gëzojë së shpejti me një djalë!”

 Mons. Dr. Zef Oroshi (1912 – 1989)

Me këtë rast, nuk mund të lë pa përmendur edhe këtë titull të kujtimeve shkruar në veprës voluminoze të zotit Tomë Mrijaj: “Ikja e ardhja e një engjëlli”, përmbajtja e të cilit më përket mua personalisht, me rastin e ndarjes në mënyrë tragjike nga jeta të djalit tonë, i cili, pësoi një aksident komunikacioni kah fundi i shtatorit të vitit 1981. Ishte një dhimbje e madhe për ne, dhembje të cilën e ndau me neve mbarë komuniteti shqiptar i New York – ut me rrethina. Autori e përshkruan këtë rast tragjik me nota të dhimbshme dhe me frymë realiste.

Me rastin e vizitave në Shtëpinë Mortore (Funeral Home), në mesin e të cilëve ishin edhe Imam Isa Hoxha dhe Monsinjor Dr. Zef Oroshi, i cili, në mesin e të pranishëmve, në mes të tjerave tha: “Kjo ka kenë vullnesa e Zotit, por e ndjej thellë në zemrën time, se  Zoti do të gëzojë së shpejti me një djalë!”

Parandjenjën e Monsinjor Zef Oroshit, Zoti e bëri realitet dhe me datën 30 janar 1982 lindi djali ynë i dytë (Fatmiri), sot në moshën 26 – vjeçare i diplomuar në Pace University në Manhattan NY.

Me përulje dhe respekt nderoj pjesëmarrjen e bashkëvendasve tanë pa dallim feje e krahine në Shtëpinë Mortore, të cilët ndanë dhembjen e madhe me neve. E sa i përket emrave të dy klerikëve të lartëpërmendur njeri mysliman e tjetri katolik, Zoti t’ua ketë siguruar vendin e merituar në amshim në bazë të punës me nderë e dinjitet që bënë ndaj Tij.

Vepra e mirëseardhur e zotit Tomë Mrijaj “Një Jetë e Shkrirë për Fe e Atdhe”, nuk e ka vendin për të zbukuruar vitrinat e librave në shtëpi, por ajo duhet lexuar nga dashamirët e fjalës së shkruar pa dallim feje e krahine.

Mbetëm me shpresë se ndoshta edhe dikush tjetër do t’a vazhdoi punën, të cilën fatmirësisht e ka filluar studiuesi Tomë Mrijaj, apo edhe ai vetë me një vepër tjetër, në të cilën do të përfshiheshin përveç personaliteteve shqiptare me përgatitje akademike shkollore edhe ata të cilëve fati i jetës, nuk ua bëri të mundur që të dëgjohet zëri i tyre, pa të cilën historia e hidhur e mërgatës shqiptare është një kapitull i pashkruar dhe kësisoj historia jonë gjithëkombëtare mbetet e mangët.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora