E enjte, 06.08.2020, 06:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Një libër që zgjeron horizontin njohës

E hene, 08.06.2020, 06:12 PM


NJË LIBËR QË ZGJERON HORIZONTIN NJOHËS

Për librin “Njësia Administrative Farkë” të Skënder Farkës

Nga Qazim Shehu

Skënder Farka është një eksplorues i zoti i bukurive natyrore të fshatrave të Tiranës. Këtë, ai e ka dëshmuar në mjaft libra të tij, të cilat japin  në detaje terrenin gjeografik të fshatrave e zonave, historinë, arkeologjinë, të kaluarën dhe të tashmen, tradita, zakone, kontakte me njerëz, biografi personale dhe histori suksesi. Këto libra ai i boton në kuadër të shoqatës “Tirana”duke dhënë një shembull se çfarë mund të bëhet, nëse ekziston vullneti , dëshira dhe kujdesi për të realizuar diçka. Tirana është një vend i begatë, por ajo, si qytet, nuk mund të kuptohet pa rrethinat, pa Farkën, Ndroqin, Zall- Herrin, Shëngjergjin, Bastarin etj. Si një kësulë e bukur gjelbërimi e herë bore, sipas stinëve i rri mbi krye Dajti;po kështu, gjymtyrët e saj shtrihen jo vetëm në natyrën e bukur, por edhe në zemërgjerësinë e tiransëve të vjetër autoktonë.

Edhe në librin e ri, Skënderi e ka dëshmuar këtë. Duke lexuar tekstet e pasura të këtij libri, autori sikur të tërheq vetiu drejt qëllimit të tij, për të lexuar mbi bukuritë turistike të këtyre zonave, por jo vetëm kaq, edhe për të parë sesi njerëzit punëtorë, sidomos  tani në demokraci, kanë ndërtuar objekte të bukura, vila, restorante, parqe apo shëtitore e rrugë atraktive. Turizmi mbetet një potencial i fuqishëm i Tiranës, që dëshmohet nga zgjimi i një ndërgjegjësimi eventual, duke e parë atë si degë të rëndësishme të ekonomisë, por edhe si një fushë nxitëse në promovimin e vlerave të reja. Kjo , mendoj, se përbën kuintesencën e këtij libri, ku autori, me mjaft kujdes, dhe duke përcaktuar kritere shtjelluese na çon në ambiente të caktuara, të cilat natyrisht që mbushen me njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme , duke dëshmuar se proza e tij sa shkencore, e ka lejuar edhe qasjen divulgative, duke iu afruar here- herë gjuhës së përditshmërisë.

Historia e një vendi është gjithnjë historia e njerëzve të tij. Vendi, një herë është krijuar, dhe nuk mund ta ndryshosh, por mund të punosh në të, për ta ndryshuar e zbukuruar, duke vrarë mendjen për këtë. Autori e koncepton këtë në udhëtimin e takimit me njerëz të profesioneve të ndryshme, fshatarë të thjeshtë, intelektualë, punëtorë e njerëz duarartë në zanate të llollojta, duke u ndalur tek ata njerëz që në një farë mënyre kanë një histori sukeesi dhe duke spikatur veçoritë e secilit.

Në këtë libër ndeshim me mjaft të dhëna të biografive personale që përbëjnë  një biografi jetësore të njeriut të punës, i cili me përkushtim ka arritur t`ia ndryshojë pamjen vendit. Dhe , në kë spikatje, bien në sy ndërtimet e reja, të cilat me stilin e tyre të ndërtimit në një performancë moderne, duket e kanë rrafshuar të vjetrën duke i hapur rrugë një zhvillimi të hovshëm me vila dhe restorante apo ndërtesa të tjera, të cilat flasin për këtë. Këtu lind pyetja nëse moderniteti e rrafshon turizmin?Në një farë mënyre po, po gjurmëve të së vjetrës, në mjaft ndërtime të reja, u merret një pamje, krijohet një farë stilizimi, ndërsa shikon vila apo ndërtime që imitojnë bedenat e kështjellave, apo duke ruajtur fragmente, mure të shtëpive të vjetra, në mënyrë që në to të shihet një ndërthurje apo prerje kohore  e caktuar, që nis para e pas viteve nëntëdhjetë. Një shembull tipik për këtë mund të shihet fotoja e restorant “Natyra e qetë” në Lundër, ku ndërthuren e harmonizohen element të së vjetrës me të renë një ndërtesë madhështore e  ku vihen re format e harqet e ndryshme që të sjellin tipin e kështjellës së moçme, por edhe hijerëndësinë e modernitetit. (fq126). Në gji të kodrave gjelbëroshe të Farkës, mund të gjesh edhe shkolla moderne, ashtu si, pas një vile të bukur  me fasada xhami, mund të ndeshish në fragmente muresh të prishura të ndërtesave të vjetra. Ky kontrast është parë mirë nga autori dhe është fokusuar po ashtu në dhjetëra foto ilustruese , të gjitha me ngjyra. Pranë këtyre vilave mund të shohësh gjithashtu lëndina idilike me dele, po kështu edhe bimë të ndryshme me një dekoracion modern, por jo rrallë mund të shohësh  vreshta rrushi dhe njerëz duke punuar në to.

Farka, kjo zonë e valëzuar me kodra, me liqenin e saj të famshëm dhe me një sipërfaqe prej 26. 4 km2, që ka një drejtim bujqësi-blegtori –pemtari e turizëm e që përbëhet nga disa fshatra(Farkë e Madhe, Farkë e Vogël, Lundër, Mjull-Bathore, Sauk, Selitë) është një zonë atraktive dhe mjaft çlodhëse, e cila, edhe pse ndjen vërshimin modern të ndërtimeve, ende po e ruan pamjen e saj natyrore dhe peizazhin idilik të natyrës, por, në librin e  Skënderit bëhet një prerje horizontale e historisë së saj, e lashtësisë dhe e së sotmes. Autori ka preferuar që ta vjelë të dhënën historike përmes bisedës edhe pse , aty –këtu, citon  ndonjë të dhënë që merret nga literatura. Krahas fiseve autoktone para shekullit 19, erdhën në këtë vend edhe fise nga Elbasani, Kavaja, Dibra, Mati etj , dhe u shkrinë me popullsinë vendase , ashtu si, pas viteve 90 , në këtë vend, si në gjithë zonat e tjera të Tiranës, erdhën njerëz nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. E gjithë historia e Farkës është historia e njerëzve punëtorë që ditën ta shohin punën në lidhje me dobitë që krijonte natyra, historia e njerëzve që ditën ta ruajnë tokën për drithëra bujqësore e që sot fatkeqësisht këtë tokë të pakët ta betonizojnë pa kriter.

Skënderi zotëron një informacion të pasur për historinë e fiseve, për figurat e shquara  të kësaj zone, për pronat e tyre, duke dëshmuar seriozitet në dhënien e këtij infromacioni, të detajuar dhe të mbështetur mirë në të dhëna autentike gojore. Duke përshkruar bukuritë natyrore të Farkës ai e vendos këtë zonë në kontekstin e një zhvillimi të fuqishëm urban, po ku ende ajo që quhet fshat nuk është tërhequr. Pra kemi të bëjmë në formimin e një zone mikse. Kjo duhet parë mirë, -sikur apelon autori, -duke u studiuar mirë nga autoritetet dhe duke stimuluar prodhimin vendas e duke bërë kujdes me ndërtimet, që ato të mos e kërcënojnë në mënyrën e tyre të katrahurshme natyrën.

S. Farka krijon një marrëdhënie të natyrshme me lexuesin, duke krijuar në ligjërimin e tij sytha të pafundme episodesh dhe informacioni të freskët. Ai ka krijuar një përvojë të gjatë në këtë konceptim të prozës së tij, sepse ky libër është botimi i tij i pestë në nismën e vet personale për kolanën e 135 fshatrave të Tiranës. Librat e tij, si ky i fundit, janë një derdhje e bollshme dhe e lirë e informacionit , gërshetuar kjo me aftësinë e tij përshkruese në portretizimin e mjaft njerëzve. Kjo lëndë e pasur jetësore e ka ndihmuar atë jo vetëm të futet në histori njerëzore, por edhe të krijojë përmes tyre prototipin e njeriut gjithëkohor, i cili , çfarë ka të sotme, e ndërlidh me të shkuarën. Portretizimi i njerëzve vjen me veçorinë e secilit, dhe kjo na sjell hetueshëm, punën dhe vëmendjen e autorit Skënder Farka  krijon një gazetari investigative dhe njëkohësisht këtë e mbështet edhe në njohuritë e veta të gjera shkencore. Përshkrimi i detajuar i natyrës(mikrotoponimia dhe relievi), shoqëruar edhe me harta e fotografi , i jep kësaj vepre karakter rigoroz shkencor, por nga ana tjetër narrativa e jetës njerëzore e afron atë me letërsinë artistike, dhe këtu kemi disa ndërthurje të llojeve të ligjërimit. Ligjërimi artistik krijon lehtësinë  me komunikimin tekstor për një lexues të nivelit të ndryshëm, por sjell freski dhe konceptim poetik në komunikimin midis lexuesit dhe tekstit. Libri i Farkës është edhe një guidë turistike, por jo vetëm kaq; se, krahas guiditimit aty mund të futemi në një botë të pastër dhe të ngrohtë të tiranasve të mirë, të njerëzve punëtorë e liridashës, që kurrë nuk e ndrydhën zemrën, dhe këtu ngrihet lart dhe pranohet nga të gjithë fisnikëria emblematike e tiranasit zemërgjerë e bujar me shpirt human e qelibar. Puna pasionante e Skënder Farkës rezulton në një korpus veprash të rëndësishme dhe siç duket nuk do të ndalet deri këtu. Ai është një eksplorues i natyrës, fshatit, historisë, traditave , arkeologjisë  dhe , mbi të gjitha, i botës njerëzore, i njeriut  dhe fshatarit e qytetarit tiranas , i lidhur pazgjidhshmërisht me tokën e tij, duke e zbukuruar atë çdo ditë e duke e lartësuar imazhin e jetës në kushtet moderne.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora