E shtune, 05.12.2020, 12:26 PM (GMT)

Komente

Eshref Ymeri: Nuk e kanë fajin diplomatët e huaj

E diele, 07.06.2020, 09:59 AM


Nuk e kanë fajin diplomatët e huaj

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Diplomatët e huaj nuk mund të qortohen se pse punët nuk shkojnë mirë në stanin e politikës shqiptare. Sepse ata e shikojnë dhe janë të bindur që ky stan është një shesh ideal për të bërë një përshesh ideal. Dhe, siç ka rezultuar gjatë këtyre tridhjetë vjetëve, diplomatët e huaj përsheshin e kanë bërë të përkryer. E në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur. Sepse në Shqipëri sistemi kriminal komunist gjysmëshekullor nuk u përmbys në dhjetorin e vitit 1990. Ai sistem thjesht u zëvendësua me një sistem neokomunist, në përputhje me platformën e kryekomunistit veteran Ramiz Alia, i cili, që në nëntor të vitit 1989, pati deklaruar se “e ardhmja e fëmijëve dhe e nipërve tanë do të jetë e sigurt”, duke lënë të nënkuptohej se këta duhet të jenë përjetësisht në pushtet. Prandaj lëvizja studentore e dhjetorit të vitit 1990 ishte një komedi e hollë, e mirorganizuar dhe me efekte mbresëlënëse, për t’i krijuar bindjen mbarë opinionit publik se sistemi komunist po “shembej” në Shqipëri dhe në vend të tij po “vendosej” një sistem i ri demokratik, i cili do të ishte “themeli” për ngritjen e mirëqenies së njerëzve. Kryeustai veteran i komunizmit Ramiz Alia dhe shegertët rreth tij, për t’i mbushur mendjen “miletit” se sistemi i vjetër komunist u “përmbys”, ishin të bindur se atij sistemi i duheshin bërë ca arnime, me ca shtojca dhe ca zbukurojca impresionuese, si ekonomia e tregut, iniciativa e lirë, zgjedhje “të lira”, e drejta e grumbullimeve dhe e protestave, fjala e lirë, në bazë të së cilës individi nuk do të ndëshkohej më për mendimet e tij kundër pushtetit. Por ama këto shtojca e zbukurojca bëheshin me kusht që, siç e përmenda më lart, bijtë dhe nipat e veteranokomunistëve të mos luanin kurrë nga kolltuku i pushtetit. Siç edhe ka ndodhur realisht gjatë këtyre tridhjetë vjetëve.

Perëndimi evropian e ka ditur me kohë se cila është psikologjia e politikanëve shqiptarë, e ka njohur mirë natyrën e tyre servile dhe mercenare, për shkak të së cilës ata nuk ushqejnë kurrfarë respekti për popullin e vet, por ama janë gati orë e çast që të shndërrohen në rrogozë shembullorë dhe në lepitka të zellshme të të huajve. Populli shqiptar, po ashtu, i njeh mirë politikanët e vet se nga gjiri i tij kanë dalë. Por e keqja është se vetë populli shqiptar, tradicionalisht, të huajin e ka respektuar dhe vazhdon ta respektojë më shumë se vetveten. Prandaj, gjatë shekujve, jo më kot, është krijuar në gjuhën shqipe ajo e famshmja fjalë e urtë:

“Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e shtegtarit”.

Pra, shqiptari mikun, të huajin e ka bërë zot shtëpie për shkak të mikpritjes së tij jashtë normave të etikës së komunikimit me të. Një qytetar i nderuar kosovar, me banim në Zvicër, shkruan:

“… a na solli neve ndonjë të mirë bujaria dhe zemërgjerësia me të huajt? Asnjëherë, kurrë! (Sokol Braha. “Vjen i kodrës, nxjerr të votrës”. Shtypshkronja “Grafobeni”. Prishtinë, 2011, f. 56).

Duke e ngritur kaq lart kultin e të huajit dhe duke shpërfillur kultin e vetvetes, populli shqiptar ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë nga gjiri i vet politikanë pa kurrfarë dinjiteti kombëtar. Nënkuptohet që politikanët tanë, pa kurrfarë dinjiteti para të huajve, nuk mund të fitonin dot respektin e Perëndimit evropian. Për rrjedhojë, në heshtje, nuk mund ta gëzonin, nuk mund ta gëzojnë dhe nuk kanë për ta gëzuar kurrë respektin e diplomatëve të huaj. Sepse servilin, mercenarin të huajt e përbuzin në heshtje, por e shfrytëzojnë vetëm për interesat e tyre dhe vetëm kaq.

Politikanët shqiptarë, të etur deri në marrëzi për të dalë në fotografi me udhëheqës perëndimorë, sidomos me presidentë amerikanë, duke shpenzuar shuma të mëdha parash, fotografi këto për t’ua tundur paskëtaj para hundëve qytetarëve të vet gjatë fushatave zgjedhore, janë shndërruar në karagjozë të vërtetë, sepse me sjellje të tilla ata nxjerrin në pah kompleksin e inferioritetit të tyre, i cili është tepër karakteristik për njerëzit e etur për pushtet, si edhe ulin mjaft poshtë vlerat e mbarë kombit shqiptar

Gjeste të tilla të politikanëve shqiptarë në qëndrimin plot servilizëm dhe mercenarizëm ndaj të huajve, janë nën vëzhgimin e përhershëm të diplomatëve perëndimorë. Dhe diplomatët e huaj, kur shikojnë që politikanët shqiptarë, për një fotografi me presidentët amerikanë harxhojnë aq shumë para, pse të mos bëhen ziliqarë edhe ata që të nxjerrin prej tyre ndonjë përfitim personal nga përkrahja që do t’u japin në sytë e opinionit publik. Kjo është arsyeja që diplomatët e huaj braktisin selitë a tyre dhe bredhin poshtë e përpjetë nëpër Tiranë, sa nga njëra zyrë pushtetarësh të lartë në tjetrën. Gjithmonë ka rënë në sy përkrahja që diplomatët e huaj i japin qeverisë, partisë që është në pushtet. Se ajo i administron financat shqiptare, jo opozita.Dhe kjo duket sheshit: diplomatët e huaj vijnë në Tiranë me këmishën të mbërthyer dhe kravatën të shtrënguar deri në fyt. Por, gjatë ushtrimit të mandatit, fillojnë dhe e zbërthejnë pullën e sipërme të këmishës dhe kravatën e lirojnë fare, se qafa vjen e u bëhet si e demit. Kanë të drejtë! Shqipëria e politikanëve në pushtet për ta është lope mjelëse, ndaj atajanë shndërruar në kadilerë. Dhe “kadiu kur shikon paranë, ters e vërtit sherihanë”.

Një gazetar i njohur i njërit prej kanaleve televizive, i cili para do kohësh deklaroi se janë të panumërta kërkesat që i drejtohen Brukselit dhe Vjenës për t’u emëruar si diplomatë në Shqipëri. Kishte shumë të drejtë ai gazetar me brumosje nacionaliste: Shqipëria është “toka e premtuar” për diplomatët perëndimorë.

Përkrahja e padrejtë që i jepet qeverisë është vënë re edhe në radhët e europarlamentarëve.

Ish-europarlamentarja Doris Pak (Pack), ka reaguar ashpër kundër Knut Fleckenstein-it për qëndrimin e tij skandaloz ndaj qeverisjes socialiste, gjatë vizitës së tij me 6 europarlamentarë në Tiranë më 27 dhe 28 shkurt 2019, ku sulmoi opozitën për djegien e mandateve të deputetëve.Ajo shkruante:

“Knut Fleckenstein, gjykimi i opozitës në Shqipëri për sjellje jodemokratike është hipokrizi, është një thirrje për ndihmë nga BE-ja. Asnjëherë në vitet e fundit nuk keni kritikuar miqtë socialistë për krimin dhe qeverisjen e korruptuar. Shqiptarët humbën shpresën, po vuajnë dhe lënë vendin. Kam turp nga ti” (Citohet sipas: “Deklaratat kundër opozitës, Doris Pack “fshikullon” Knut Fleckenstein: Kam turp nga ti”. Faqja e internetit “Fox Web”. 04 mars 2019).

Nga sa deklaronte zonja Doris Pak, rezulton se Knut Fleckenstein ishte një europarlamentar i korruptuar në Shqipëri dhe, për pasojë, ishte një njeri i pamoralshëm. Le të flasim me gjuhën e fakteve.

Gazetari i talentuar Elio Laze ka deklaruar publikisht si më poshtë:

“… Kjo është historia e turpshme me ndërkombëtarët, të cilët vijnë, mbushin ca valiçe, shijojnë benefitet që u ofrohen hoteleve të Tiranës dhe ikin dhe mbushin ca raporte të pavërteta, të paqena… Le të marrim zotin Knut, për shembull, jo këtë herë që ishte në Shqipëri para ca ditësh, por herën e kaluar zoti Knut ka kaluar dy netë në hotel Rogner me një vajzë të strukturave të forumit rinor eurosocialist shqiptar… dhe unë nuk besoj që duhen marrë seriozisht raportet që bën Knuti, pasi ka kaluar gjithë natën pa gjumë…”(Citohet sipas: “Sa para u ofroi mazhoranca kandidatëve të listës plotësuese të opozitës? Gazetari Elio Laze”. Transmetuar në youtube nga “Syri.net”. Intervistues gazetari Alen Xhelili. 05 mars 2019).

Përkrahja e diplomatëve të huaj për qeverinë dhe për partinë socialiste ka arritur here-herë deri në atë shkallë, saqë ndokush prej tyre ëshë etiketuar edhe si anëtar i asamblesë së partisë socialiste. Ndonjë diplomat tjetër, përkrahjen e vet ndaj kryeministrit Rama e ka manifestuar deri edhe në përmasa skandaloze.Rasti i mëposhtëm dëshmon më së miri se njëri nga këta diplomatë është thjesht një rrugaç që duhej përzënë menjëherë me teneqe nga vendi ynë. Por s’kishte kush ta përzinte, se vendi ynë nuk ka zot.

“Mbrëmë ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Borchard, u ka ngritur gishtin e mesit protestuesve shqiptarë që ndodheshin para Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ngaqë protestonin kundër arrestimeve të banorëve të “Unazës së Re” nga policia. Kjo është e turpshme. Një akt i pastër rrugaçërie nga një përfaqësues me imunitet diplomatik! Zhgënjim i madh që diplomacia gjermane të përfaqësohet me një person të tillë! Gjesti i turpshëm i një ambasadori është i dënueshëm dhe duhet ta ndëshkojë Konventa e Vjenës. Ai gisht i mesit nga ambasadori i OSBE-së kundër shqiptarëve, në fakt, shpreh krizën spektakolare që ka drejtimi i OSBE-së, drejtim, i cili do t’i besohet qeverisë më antidemokratike të vendeve anëtare të OSBE-së, qeverisë së Ramës që dhunon egërsisht qytetarët e saj dhe liritë kushtetuese” (Citohet sipas: “Turp. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë u ngre gishtin e mesit protestursve shqiptarë”. Faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 14 tetor 2019).

Diplomati Borchard nuk mund të mbante qëndrim tjetër ndaj protestuesve të “Unazës së Re”, prandaj ai gishti i tij i mesit,i ngritur paturpësisht para tyre, dëshmonte më së miri se ai ishte radhitur fuqimisht në përkrahje të kryeministrit Rama. Kur ata protestues të gjorë i poshtëronte kryeministri i vendit, siç edhe i poshtroi publikisht, duke i flakur si lecka nga shtëpitë e tyre, si mund të mos i poshtëronte ai diplomat i huaj!

Por, çuditërisht, këtë sjellje rrugaçërore të këtij diplomati të lartë evropian, Brukseli e mori në mbrojtje. Kjo dëshmon fare shkoqurse çfarë qëndrimi “dashamirës” mban Perëndimi evropian ndaj popullit shqiptar.

Nëse diplomatët e huaj, kryesisht perëndimorë, do të kishin sadopak respekt për popullin shqiptar, atyre nuk mund të mos u bënte përshtypje shpopullimi i Shqipërisë me përmasa të frikshme këto shtatë vjetët e fundit. Dhe, si zëdhënës të qeverive të tyre, do të kërkonin ndryshimin e stanit politik në Tiranë, në mënyrë që njerëzit të mos braktisin vendin. Sipas disa të dhënave shifrore, të botuara para do kohësh në gazetën “Telegraf”, rezulton se gjatë pesë vjetëve (2012-2017) në vendet perëndimore kanë marrë azil 290 mijë shqiptarë, përfshirë edhe kosovarët, pa llogaritur ata që kanë braktisur vendin, të cilët, në tërësi, kapin shifrën mbi gjysmë milioni për të dyja vendet. Siç vihet re, Rama dhe Thaçi janë në garë se kush do të arrijë ta shpopullojë më shpejt vendin përkatës. Që të dy, duke qëndruar kaq gjatë në pushtet (Rama - 22 vjet, Thaçi - 21 vjet), domosdo që janë duke lenë gjurmë në histori me kontributin e tyre të dukshëm për shpërbërjen e kombit shqiptar. Me sa duket, janë në garë me Putinin, i cili, sipas disa mediave ruse, mendon të largohet nga pushteti në vitin 2036.Dihet: një politikan mund të qëndrojë gjithë jetën në pushtet vetëm në dy raste: ose kur vendi është mbretëri, ose kur aty është vendosur një sistem komunist apo neokomunist, si në rastin e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Shtetet perëndimore, të cilat janë anëtare tëNATO-s, nuk duhej të lejonin që Athina të vazhdojë ta mbajë në fuqi ligjin paradoksal të luftës me Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që kjo po bëhej gati të panohej si anëtare e saj që në pranverën e vitit 2008 (u pranua në pranverën e vitit 2009). Mirë që Perëndimi evropian nuk e çan fort kokën për vendin tonë, por Vashingtoni nuk duhej t’ia lejonte Athinës kurrsesi një gjë të tillë.

Nisur nga sa u parashtrua më lart, mund të thuhet pa mëdyshje se të pretendosh që diplomatët perëndimorë duhet të mbajnë një tjetër qëndrim në vendin tonë, pra, një qëndrim kundër qeverisjes së keqe të vendit, është jashtë realitetit. Kur i zoti i shtëpisë vendos kallëpet e dinamitit në themelet e saj, i huaji s’e ka për gjë të ndezë fitilat. Praktika e deritanishme tridhjetëvjeçare ka vërtetuar me fakte se diplomatët perëndimorë kanë shikuar dhe vazhdojnë të shikojnë vetëm interesin personal, në mënyrë që kur të përfundojnë mandatin, të largohen me valiçe “të majme” nga vendi ynë, domosdo, me kontributin e drejtpërdrejtë të qeverisë. Prandaj asnjëri prej tyre nuk e ngriti kurrë zërin kundër shndërrimit të Shqipërisë në një Kolumbi të Evropës, me kontributin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama. Se derisa qeveria nuk e çan kokën fare për popullin e vet, si mund të mendohet që ta çajnë kokën për të diplomatët e huaj perëndimorë?!

Indianapolis, Indiana

07 qershor 2020



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora