E premte, 29.03.2024, 09:58 AM (GMT)

Mendime

Ndue Dedaj: Një laps simbolik me flamurin e Kosovës

E shtune, 06.06.2020, 11:17 AM


NJË LAPS SIMBOLIK ME FLAMURIN E KOSOVËS…

(Profili i një humanisti)

Nga Ndue Dedaj

Gjon Krasniqi është një shqiptar nga Lugu i Beranit, që punon e jeton familjarisht në Zvicër prej shumë vitesh. Thotë se për herë të parë ka hyrë në Shqipëri në vitin 1993 nga Pogradeci dhe, më të zbritur, kishte puthur “tokën e ndaluar” që ishte i njëjti dhé me atë të Kosovës, ku ai kishte lindur. Polici i doganës i kishte thënë se kishte një parregullsi në lejen e hyrjes, ndaj do të gjobitej. “Nuk ka problem, - ia kishte kthyer Gjoni, - tash e pranoj me kënaqësi gjobën”.

Por sa e sa Gjonë të tjerë, qysh nga Lidhja e Prizrenit e këndej kanë bërë të njëjtën gjë si Gjoni i Krasniqes, që ndokush në të afërmit e tij e quan “lulja e Fisit”, ngaqë ai është njeri human dhe dëshiron të dhurojë për të tjerët. Shumë vite më parë pati mbledhur dy maune me ndihma mjeksore në Zvicër për t’i çuar në Kosovë, por kur pa se atje nuk po e lejonin t’i fuste, i solli në Shqipëri. Mbase këtu zë fill dhe titulli “Nderi i Qarkut të Lezhës”, që ai mori në kohën kur ky institucion drejtohej nga Dr. Pashk Gjoni.

Gjoni tashmë ka shumë miq në Lezhë e Mirditë. Nga mesi i janarit të këtij viti ai erdhi në Rrëshën me disa veprimtarë nga Lugu i Drinit, si Pal Canaj, Dodë Ndrecaj, Vilson Culaj, Lekë Mrijaj, si dhe famullitarin e Gllozhanit, Dom Pal Tunaj dhe solli qindra pako me lapsa të dizenjuar/stilizuar nga i biri, Zefi me flamurin e Republikës së Kosovës, ndërthurur me flamurin kombëtar, që Gjoni ua ka bërë dhuratë mijëra nxënësve në Kosovë dhe Shqipëri.

Ti e merr në dorë atë laps dhe nis e shkruan apo vizaton me të dhe të duket se ai është lapsi me të cilin Ibrahim Rugova ka nënshkruar jo vetëm studimet e tij letrare, monografinë e çmuar për Pjetër Bogdanin, por dhe shtetin e ardhshëm të Kosovës. Është ai laps me të cilin udhëheqësit e rinj të Kosovës më pas nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në vitin 2008. Por ai laps është dhe shumë më i “vjetër” se kaq, pasi aty është dhe dora e Ismail Qemalit e Isa Boletinit. Ja, kështu do të niste eseja që nxënësit do të shkruanin me të...

Ka qenë kënaqësi për mua, që me Gjonin na ka njohur fillimisht libri “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit” (2010), që, siç thotë ai, i ka lënë mbresa të veçanta. Pas kësaj më ka thirrur në telefon, ka ardhur dhe vetë në Mirditë, e tash shihemi herë pas here në një shoqëri miqsh të përbashkët, nga Zvicra, Klina, Milano, Mirdita, Lezha dhe Tirana.

Bota sot, falë teknologjisë së komunikimit dhe qarkullimit të shpejtë, është tepër e “vogël” për të qenë madhe.

Në fund të janarit 2020, Gjoni na mblodhi 25 burra në Gjakovë në një darkë “mbretërore” miqsh, ku ishin At Ndue Kajtazi, Don Fran Kola, studiues, publicistë, veprimtarë, pjesëtarë të një familje lezhiane që kishte strehuar njerëzit e tij gjatë luftës së Kosovës më 1999.

Këtë maj, Gjon Krasniqi u bë 59 vjeç dhe gëzimin e tij e ndau me mirditorët, ku përmes Karitasit Dioqezan Rrëshen shërbeu 59 pako me ndihma për familje nevojëtare, duke pasur dhe falenderimin e Ipeshkvit të Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta. Gjoni e ka për zemër Mirditën, çka e dëshmon me gjeste bujarie në vazhdimësi - ai ka dhënë ndihmesë dhe për disa restaurime në Pallatin e Kulturës Rrëshen.

Këto janë vetëm pak radhë për profilin e një shqiptari të mirënjohur, që nuk është thjeshtë “lulja e fisit” të tij të Krasniqe… radhë të “nënshkruara” dhe nga plot mirditas të tjerë, si Dr. Pashku, Gjoni, Bardhoku, Gjergji, Aleksandri, Prenga (Milano), Gëzimi, Valentini, Viktori etj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora