E premte, 29.03.2024, 01:57 AM (GMT)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Numëruesi i votave

E shtune, 06.06.2020, 10:21 AM


Numuruesi i votave

(tregim humoristik)

Nga Shyqyri Fejzo

Ditën e pare që erdha në fshat, pyeta për ish bariun e dhive, Tanushin si është. “Në shtëpi rri. Ka hyë në pleqeri të thellë, po mendjen e ka halë akoma” më thanë ata që pyeta. Mendjen e shtegëtova tutje, kur Tanushi ishte bariu i dhive. Muaji gusht ishte, kur blegtorët bëjnë e mbledhin gjethin për ushqim në dimër për dhitë. Tanushi kishte ngarkuar gomarin me gjeth dushku e kishte marrë rrugën për në fshat. Pa pritur dëgjoi biseda njerzish me zë të lartë e të qeshura. Përballë vinin katër pesë burra. Sekretarin e parë të rrethit e shoqëronin “ paria “ e fshatit. Po bënin me gisht nga Tanushi dhe i këputin një të qeshur gurgulluese, sa oshëtinte pylli për rreth. Tanushi krojti kokën, kapi për kapistalli gomarin dhe iu drejtua njerëzve.

-Ush, ush o i flamosur. O shoku sekretar, aman hiqi ato syze se më trembet gomari dhe kam frikë se më kthen samarin…” Shoqëruesit e partiakut mbetën të shtangur. Sekretari i patë “fryu pendët” dhe i u turr.

-Hë! Bari gangster! Kujt i flet kështu ti? Paske lënë dhe një pëllëmbë mustaqe, pa le!- I foli sekretari pa u përshëndetur fare me të.

-Unë këto mustaqe kam. Se mos kam kostume si ti! Dhe këtyre ju bëre sevda?.-gërrici ku nuk mbante bariu i dhive.

Këto po kujtoja nga mjergulla e kohës së hershme, ku më shfaqej dhe Tanushi. Pas dy orësh që ndejta dhe u shlodha me njerzit e mi, mora rrugën për te shtëpia e Tanushit. Më priti e bija që kishte ardhur ato ditë dhe nusja e djalit. E gjeta mbështetur. Kishte hapur televizorin. Pranë në një tavolinë të vogël qëndronte bucela, që shpesh i thërresin kçnaçe dhe  gota e ujit, një shportë me fruta dhe çibuku me take-tuken e duhanit. U përqafuam me mall.

-Si je? Si e ke kaluar o kockë e fortë?- I them duke i shtërngaur duart e përqafuar. “Aha! Isha dru thane, po tani jam bërë dru prej shtogu. Po shkel në fusha të minuara dhe minat nuk dihet kur pëlcasin të flamosurat- u përgjigj duke qeshur.

-Po nuk more leje në Bashki nuk mund të shkosh as gjëkundi. Biletat për në parajsë tani i shpërndan vetëm Bashkia- i a ktheva..-pastaj soji juaj rronte mbi 100 vite- i them më tepër për ti bërë qejfin.  U krekos,uli pak zërin e televizorit, dhe sytë nuk i ndante nga ekrani. Ishte e Enjte dhe podiumin e Kuvendit e  kishin zaptuar sherrxhinjë e parlamentit.

-E dëgjove çfarë thanë sot?- e pyeta.

-Thumbin dhe njëqind herë ta rrahësh, majë nxjerr. Ashtu është dhe puna e tyre. Më vjen inat se Kuvendi nga të dy palët ka dhe njerëz të zot. Po heshtja e të mençurit në këto vende, i thonë një fjale, bën më shumë dëm se shpifjet..“ Fjala solli fjalën e ne të dy mbasi trokitëm gotat me raki thane, tani po gjerbnim kafenë. Pa pritur, vura re se qeshi nën mustaqe, mori  frymë thellë, më vuri dorën në gju dhe e zbrazi me të dy tytat.- Ai i flamosur parlamenti është bërë si ajo që tregojnë. Po kënduan shumë qyqe i del lezeti beharit…

-Si të duken problemet e sotme, me që i ndjek lajmet dhe nuk i u ndake televizorit?- lëshova pyetjen tjetër. U detyrova ta përsërit pyetjen se i kisha folur me zë të ulët. Krojti pak kokën u mbush me fryme.Rrufiti filxhanin e kafesë, puliti sytë dhe tha.

…-Të  dyja janë njëlloj në rrezik. Si dhënia budallait sopatën dhe të pandershmit pushtetin.. Se, more xhan syri beson më tepër se veshi. Ç’ po na shikojnë loçkat e syve, pak mbetet për llapat e veshëve… Muhabeti ynë shkonte qoshe më qoshe e majë më majë. “Po më thuaj, andej nga qyteti a u përçitën shalqinjtë?” E dija prej kohësh se Tanush i vinte jastek fjalës sa herë që fliste. Me mendjen halë ai  përgjigjej  ezber, si atëhere kur ishte i ri. Si me kujdes e pyeta për djemtë e vajzat, nipat e mbesat. U kënaqa përsa dëgjova.

-Ata kanë zënë për brirësh punën, more lako. Puna nuk poshtron njeri. Fatkeqësisht ka njerëz të tillë që sot e poshtrojnë…  Ja. Tani plasi ajo hanko korona.Fshatarët e mi, që një pjesë ikën deri në bregdet, këto muaj u kthyen.Po ndërrojnë çatitë e shtëpive që të  mos pikojnë, po meremetojnë dhe i bëjnë të banueshme.E keqja është se për ne fshatarët leku sot është bërë i madh sa një gur mulliri. Fshatari nuk e kap dot gjëkundi. Dëgjoja aty njëditzaj kur diskutohej për atë reformën e drejtësisë. Thuhej se një gjykatës do marrë aq para në muaj sa unë nuk i marr me pensionin për 10 vjet…”Këmbyem mendime për të gjitha këto zhvillime. Kur i kerkova se çfarë mendonte për refrmën  zgjedhore e vetingun, perëndoi sytë, krojti kokën dhe tha. “Unë e mendoj se kush është prej kashte, larg nga zjarri. Po hajde e gjeje sot kush është prej kashte”. Fjala solli fjalën dhe ne të dy atje në fshatin e thellë malor, në shtëpinë në cep të fshatit, afër pyllit, me Tanushin po flisnim për politikën e madhe.

Me që më erdhe dhe ardhësh e të ardhshim në gëzime, kam një mendim për ty. Me që je ca i lëçitur dhe ke të bësh me ato gazetat, qeveritarët e televizionet, do ta them një fjalë. Kam dëgjuar për atë zgjedhoren që ata të parët e partive po hahen shumë dhe nuk po e gjejnë shtegun. Kanë dyshime tek numurimi i votave. Unë mendoj se lepuri fshihet te pjesëmarrja e njerëzve në votime, jo te numërimi. Ne sa herë kemi votuar nuk e njohim njeriun për të cilin hedhim votën. E pse të shkojmë në votime.Ata atje i kanë fletët a si u thonë, atje kanë dhe kutitë.Mos na lodhin ne. “Derr në thes” nuk shkon më. Ja, ky numërimi i votave.Për këtë hahen e grihen, po ky do jetë vetëm sebep. Ju thuaj ore më qafsh të shikojnë ndonjë bari që nuk di shkrim e këndim e ta vënë të numurojë votat. Të jenë të sigurtë se nuk ka miqësi me asnjë parti. Ti e di. Ashtu kam qënë une. I numuroja kokët e bagëtive pa lajthitur sikur një.Pastaj i bëja shkallët me thikë në një shkop  të bukur thane. Në një anë të shkopit shënoja krerët e ndërzyera, në anën tjetër shterpat, në një anë të tretë enjat (dhitë që u kishin ngordhur kedhat e mileshin).Pastaj cjepët e karçinat. Këtë shkop që ne barinjtë i thoshim rabush, dhe thikën e bërë tek kovaçi i fshatit me mëruth bushi, e mbaja gjithnjë me vete. “Shkop bio”, si u thonë sot. Ore lako, të numurosh nuk është gjë e lehtë. Ata me shkollë shumë lajthitin në numurim.E di unë nga koha e barillëkut. Kur më kontrollonin për lindjet e kedhave, veç “rabushit”, unë u thosha “një polli, një shtiu, një mbet shterpë vetvetiu”. E besonin. E shkruanin çfarë u thosha, po jo në “rabush”, në disa fletë të bardha.Ndaj ju thuaj, të marrin në numurim një bari që nuk di shkrim e këndim. Ai ua nxjerr të paqmë të vërtetën. Kam dëgjuar se ministri i brendëshëm i atij Stalinit, barinjtë i vlerësonte shumë si zbuluesa. Ai i baravitëte barinjtë me gjahtarët dhe shoferat dhe u besonte shumë. Kështu u thuaj. Mos angarisen kot. Tani ka barinj pa shkollë se shumë shkolla mbetën me 2-3 nxënës dhe ato i mbyllën fare. Mësues nuk ka. Kështu që çunat krisën në Greqi 0se me bagëti. Nobare, si barinj të mirë, ti marrin për numërim të votave.Ata të nxjerrin në selamet për disa orë, jo me ditë të tëra, si ka ndodhur më parë.

Kjo puna e numërimit të votave e paska ilacin. Po flitet për një top që valla e paska hedhur ajo zonja e madhe e Amerikës në një krah dhe topi paska mbetur atje.Do të ketë qënë top prej lecke ai, si ata topat që luajnë fëmijët. A,a,a! Për atë top nuk të jap dot mendim. S’ka bari të merret me atë. Se ja unë them mund të ketë qënë top pe lecke. Po të jetë top pe hekuri apo pe plumbi? E kishim këtu ne një bari që ngrinte gomarin me gjitë dru në hava. Ai po. Por iku nga fshati firauni e banon në Itali tani.Atë top tani  se luan dot njeri se larg qoftë, mbetet pa hallate fare pastaj. Ndaj ai top mbeti në atë anë.” Duke më përcjellë Banushi vazhdonte të fliste.Kush e di se sa sa do kishte zgjatur biseda jonë më këmbë, por atëhere e thirri e bija se i kishte vajtur e kaluar ora e pirjes së ilaçeve. U ndamë me të mallshëm duke u kënaqur për shëndetin e mendjen halë që gëzonte.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora