Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhevahir Cirongu: Beteja në Qafën e Gjarprit, dëshmi e gjallë e qëndresës historike

| E premte, 05.06.2020, 07:59 PM |


Në kujtim të 76 vjetorit

Esse

Beteja në Qafën e Gjarprit e Guri e Prerë,  dëshmi e gjallë e qëndresës historike

Nga Xhevahir Cirongu

Është qërshori 2020! Sa herë që vështroj këtë foto, kujtoj me lot në sy djemtë e vajzat që luftuan me guxim e trimëri kundër nazifashizmit. Vështroj me kujdes pas kaq vitesh çdo gur e plis dheu. Dhe …aty gjen ende gjurmë gjaku të tharë! Në lapidar janë të shkruar emrat e dëshmorëve që ranë për lirinë e atdheut tonë Shqipëri. Ishte 6 qershori i vitit 1944, ku atëherë në këto dy qafa malesh tomorriane u zhvillua beteja e ashpër midis forcave gjermane të ardhur nga Korça, Lozhani e Vidhkuqi. Në këto gryka malesh ishin pozicionuar shqiponjat partizane të Brigadës Parë e të Pestë Sulmuese. Beteja qe shumë e ashpër midis forcave partizane dhe gjermane, deri në përleshje trup me trup. Tym e flakë u ndez dheu, drurët e gurët. Kënga e zogjve s’dëgjohej më. Lulet s’kishin aromën e tyre, sepse baruti ua prishi buzëqeshjen dhe shkëlqimin, sa dhe dielli vajtonte atë ditë qërshori të vitit 1944-ës. 6 qërshor 2020! Përsëri kujtojmë me lotdhimbje e krenari si 76 vite më parë këtë betejë të përgjakshme. Në lapidar janë skalitur emrat e 32 dëshmorëve. Lexojmë emrat e tyre me radhë :Xheladin Beqiri (Karadaku) , Naum Panxhi, Vajza e Labërisë Rrahimeja nga Tragjasi i Vlorës….. Zëri tyre dëgjohet  edhe sot në këtë 76 vjetor  e na bëjnë thirrje që ta duam atdheun, nënë Shqipëri !

Për  dëshmorët e atdheut është shkruar e do shkruhet gjithmonë. Në çdo varg të shkruar, aty gjen të freskëta pika gjaku  nga ku lulja e lirisë qëndron ngaherë e pa vyshkur, me rrënjë  ngulur në tokën tonë të ujitur nga gjaku i 28 mijë dëshmorëve të LANÇ. Kanë kaluar 76 vite kur djemtë e vajzat shqiptare rrëmbyenë armët e dolën maleve për lirinë e atdheut. Shqipëria ishte pushtuar nga nazifashizmi  gjerman.  Thirrjes së atdheut  për të luftuar ndaj okupatorit, iu përgjigj edhe Xheladin Beqiri (Karadaku). Qysh në fillim djali i Gjilanit që jetonte në Nivicë të Kurveleshit,rroku armën e doli malit për larinë e shqipërisë. ‘’Nuk mund të rri në shtëpi, - u tha Nivicarëve djali i Kosovës. Shtëpia ime janë malet ku kanë folenë shqiponjat!’’. Xheladin Beqiri (Karadaku) hyn në formacionin e parë të çetës partizane të Kurveleshit në vitin 1942. Më von kalon komandant i çetës ‘’Harjedin Tremishti’’ me komisar  Hasim Zeneli.Po në këtë vit pranohet Antar i Partisë Komuniste Shqiptare. Me trimëri e zgjuarsi  ka marrë pjesë në shumë beteja kundër pushtuesve gjermanë në krahina të ndryshme të shqipërisë së jugut. Gjurmë që mbetën në histori është  ajo e betejës së Mezhgoranit në Përmet. Me krijimin e Brigadës Parë Sulmuese  emërohet zv.komandant i Batalionit Parë. Duke parë aftësitë e tija si organizator e luftëtar i zoti, si një strateg i lindur, Xheladin Beqiri (Karadaku) emërohet komandant i batalionit të pestë të Brigadës Parë Sulmuese. Në betejën e  Qafës së Gjarpërit e Guri i Prerë,në luftime të ashpra që u zhviluan aty  trup me trup midis forcave gjermane e ato parizane më 6 qërshor të vitit 1944, dhanë jetën  32 parizanë e parizane  në lulen e rinisë për lirinë e  shqipërisë. Midis tyre edhe biri i Kosovës, komandant Xheladin Beqiri(Karadaku),Hero i Popullit. Gjatë luftës për çlirimin e shqipërisë nga okupatori nazifashis, ai mbajti pseudonimin ‘’Karadaku’’ emrin e malit Karadak  të vendlindjes. Në qafën e Gjarpërit janë  dy lapidarë, njëri është ngritur pikërisht atje ku u vra Xheladini 70 vite më parë. Edhe në  Nivicë në qendër të fshatit qëndron kryelart busti i Heroit të Popullit Xheladin Beqiri(Karadaku)., atje në zemër të Labërisë trime. Dëshmorët e kombit kanë vetëm  ditëlindje. Lira që gëzojmë sot i  ka rrënjët te gjaku i dëshmorëve të atdheut. Ata do nderohen brez pas brezi në shekuj.  Populli i Skraparit u këndon edhe këngën dëshmorëve  që ranë në betejën e Qafës së Gjarpëri e Guri i Prerë.

’Qaf e Gjarpërit e Guri Prerë

U ndez lufta me furi,

Dejmtë tanë po luftojnë

‘’Karadaku’’me Myslimë

Dhe Jonuzi djalë i ri.

Edhe shumë djem, vajza të tjerë

Derdhin gjakun për liri’’.

Ata jenë yje që ndriçojnë në altarin e lirisë! Lulet rriten me gjakun e dëshmorëve e u thonë çdo ditë ‘’mirmëngjes’’ dëshmorëve të lirisë, ashtu si në gjithë shqipërinë , edhe në Qafën e Gjarprit e Gurin e Prerë.Populli i zonës Tomorricë, Skrapar, Vërç e Sulovë, Gramsh, Gorë e Opar, Korçë, u kanë thurur e këndojnë shumë këngë dëshmorëve që ranë në fushën e betejës së përgjakshme më 6 qërshor 1944 në Qafën e Gjarprit e Gurin e Prerë.I kujtoimë dëshmorët e atdheut,sepse ata kanë vetëm ditëlindje të përhershme e cila ka emrin LIRI ! Beteja e zhvilluar 76 vite më parë në Qafën e Gjarprit e Gurin e Prerë kundër forcave pushtuese gjermane, është një dëshmi e gjallë e cila dëshmon qëndersën heroike të popullit tonë për liri e pavarsi.

Qershor, 2020