E enjte, 28.03.2024, 09:06 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Ribotohet në Bukuresht romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”

E enjte, 04.06.2020, 06:04 PM


Ribotohet në Bukuresht romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”

Nga Entela Binjaku

Kur nuk kishin kaluar ende 3 muaj nga dalja në rumanisht e  "Kalorësit me skifter"  shtëpia botuese “Humanitas” solli një tjetër vepër të shkrimtarit të shquar Ismail Kadare. Si të gjitha veprat e tjera edhe ky roman është sjellë në gjuhën rumune nga përkthyesi i njohur Marius Dobresku.

Lajmin për këtë prurje jubilare e dha vetë Drejtorja e shtëpisë botuese “Humanitas” Denisa Komënesku e cila u shpreh: "Ismail Kadare është nga të rrallët shkrimtarët evropianë që meriton prej kohësh të nderohet me çmimin "Nobel". Është i kandiduar prej vitesh të tëra edhe në listat e basteve letrare, ndaj shpresojmë që ai të marrë këtë çmim, ndoshta vitin që vjen në 85-vjetorin e tij".

Ky është edicioni i tretë i botimit të këtij romani, i kryer në kuadër të serisë me titull “Rafti i Denisës”.

Dy botimet e tjera kanë dalë në vitin 2002 ku sërish ishte shtëpia  “Humanitas”  ndërsa 10 vjet më parë ishte shtëpia botuese “Polirom” (2010) që e kishte botuar.

Në kopertinën e “Gjeneralit” të 2020-ës shtëpia botuese ka veçuar një cilësim që gazeta amerikane “Nju Jork Taims” i ka bërë shkrimtarit tonë: “Ismail Kadare, një romancier i madh i botës”. Ndërkohë edhe në njoftimin për daljen e romanit, shtëpia botuese sërish ka veçuar dy qëndrime që kritika britanike dhe ajo franceze kanë bërë për shkrimtarin e madh shqiptar:

“Independent on Sunday” shkruan:  “Kadare është krahasuar me Gogolin, Kafkën dhe Oruellin duke pasur në të njëjtën kohë një zë unik, universal por dhe thellësisht të ligjëruar nga origjina e tij”

Ndërsa nga “Le Monde” citon: “Ajo që bën përshtypje që në fillim është ironia e hollë e autorit: gjenerali i tij italian nuk është karikaturë. Ka virtyte, kryesori ishte  që nuk beson përveçse përgjysëm në misionin e tij. Dhe ka më shumë të meta: sidomos atë që tregon një indiferencë të papritur për çdo gjë”.

Por ardhja e një libri në duart e lexuesve është një ngjarje emocionale edhe për atë që e ka mundësuar sjelljen në gjuhën e rumunëve, përkthyesin vetë.

Marius Dobrescu (Marius Dobresku) është i vetmi specialist i gjuhës shqipe që gëzon besimin dhe miratimin nga shkrimtari Ismail Kadare për të përkthyer veprën e tij. Duke ja vlerësuar punën, shkrimtari i shquar është shprehur se ai është: “përkthyesi më i mirë dhe më besnik i tij”.

Vitin e kaluar në një intervistë dhënë për mediat, Dobresku shprehej: “Në vitin 2020 shtëpia botuese “Humanitas” me të cilën punoj prej mbi 10 vjetësh do të botojë me radhë një vëllim nga novelat e Kadaresë, e më pas dy ribotime: “Aksidenti” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe në fund të vitit do të dalë sërish këtu “Mëngjeset në kafe Rostand”. Kam miq që më pyesin çfarë do të bëj kur të mbaroj së përkthyeri Kadarenë. “Nuk e di ju përgjigjem, atëherë kam për ta parë”.

“Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, romani i rinisë së shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare është ndoshta edhe romani më i njohur ndërkombëtarisht jo vetëm i tij, por edhe i letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Historia është e thjeshtë: një gjeneral dhe një prift italian vijnë në Shqipëri në mesin e viteve ’60 për të rikthyer eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Në një peizash të zymtë, duke udhëtuar nën një shi të ftohtë dhe  aspak miqësor ata të dy vihen në kërkim të të rënëve. Ajo që nisi si një rrëfenjë shndërrohet në një dramë të vërtetë emocionale.

Duke folur me Alain Bosquet mbi kohën  e daljes së romanit Kadareja thotë: “Botimi i tij prodhoi një tërmet në letërsinë shqiptare. Vala e entuziazmit në radhët e publikut ishte e madhe por një kritikë zyrtare e sulmoi në mënyrë të tmerrshme. I viheshin në dukje dy gjëra: në radhë të parë atmosfera e errët që binte  në kontradiktë me klimën festive të letërsisë së realizmit socialist dhe në radhë të dytë edhe më e ashpër, ishte  mungesa e urrejtes ndaj armikut”. Në terminologjinë komuniste e njëjta akuzë mund të formulohet edhe si dobësim i luftës së klasave.

Përkthimi i parë i “Gjeneralit” i detyrohet Foqion Miçaços (Foqion Miciacio) në vitin 1973. Në vitin 1983 regjizori italian Luciano Tovoli realizoi filmin me të njëjtin emër mbështetur në romanin e Kadaresë, ku në rolet kryesore luanin Marcello Mastroiani, Anouk Aimee dhe Michel Picooli.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora