E premte, 29.03.2024, 02:17 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Kastajana Pilurjote

E merkure, 03.06.2020, 03:16 PM


KASTAJANA PILURJOTE

Elegji monofonike nga Polo Çipa

Nga Timo Mërkuri

Elegjia monofonike që ka hedhur këto ditë  në yutube  Polo Çipa ka tërhequr vëmëndjen e gjithë bregdetasve dhe natyrisht edhe timen, qoftë për melodinë monofinike qoftë dhe për historinë që mbart në vetvete teksti i saj.

1-Teksti i kësaj kënge ka një datlindje në pasvitet 1650, vit kur Piluri, (që atëherë quhej Katund dhe ishte më në lindje të vendndodhjes së tanishme) u masakrua masivisht nga  ushtarët turq të garnizonit të Delvinës që u thirën në ndihmë nga një fshat tjetër fqinjë për të marë hakun e një vrasjeje të kryer nga një pilurjot. Realisht vrasja ishte bërë për një çështje të justifikueshme nga doket zakonore por të tejkaluar në mënyrën e kryerjes së saj. Ishte periudha kur kishte filluar myslimanizimi i Labërisë dhe gati në çdo fshat ishin gjetur ithtarë të ndërimit të fesë. Pilurjotët, në respect të vendimit të vilajetit të Himarës i ishin përgjegjur me refuzim kategorik ofertës turke, madje kishin çuar lajm edhe në fshatrat e Labërisë te miqtë e tyre të lidhur në vëllamëri që, në rast se ata do ndëronin besimin, këta do shkonin dhe sipas zakonit do ju digjnin shtëpitë[1] ose do t’i vrisnin në pragun e shtëpive.. Turqit u informuan për  ultimatumin e pilurjotëve  dërguar miqve të tyre të shumtë dhe kërkonin sebep për ta ndëshkuar në mënyrë që ta bënin “shëmbull” për refuzuesit e tjerë. Rasti u erdhi në formën e një kërkese për ndihmës  nga fshati fqinjë, i cili në këmbim u ofroi turqve ndryshimin e fesë. Kjo ishte vërtet e papritur pasi ai fshat ishte dalluar në luftërat antiturke si asnjë tjetër, madje këtë qëndrim antiturk e mbajti gjatë gjithë historisë, por premtimi i dhënë në  zemërim momental bëri që myslimanizimi të  hidhte  rrënjë pikërisht te ky fshat shkëmb antiturk

Masakra turke mbi pilurjotët ishte e tmershmë. Me një sulm të befasishëm në mesnatë u dogjën  pesëqint shtëpi, u vranë më shumë se gjysma e banorëve gra, fëmijë, pleq dhe burat të zënë në befasi. Rezistenca ishte  e pakët përpara mizorisë turke, të cilët nuk mbanin fare robër. Rruga e vetme ishte ikja nëpër natë. Një pjesë e banorëve ikën me magje që i përdornin si varka (iknë me magje në Pujë- thotë një këngë) për në Pujë, në ishujt e vetmuar grekë përballë Himarës pjesa tjetër u vendos në fushën e Qeparoit. Pas tre-katër vitesh fshati Qeparo u kërkoi të largoheshin pasi toka e tyre e bukës ishte e pakët dhe nuk u mjaftonte për vete dhe jo të mbante dhe pilurjotët. Pilurjotët me synim për tu afruar në vendin e tyre u vendosën në Kastane, një pyll me gështenja (gështënja-kastanja , greqisht) e cila ishte në administrim të Himarës. Por edhe himariotët pas dy vitesh u kërkuan të lironin tokën e tyre (Kastanenë). Dilemën se ku mund të vendoseshin jua zgjidhën vetë himariotët të cilët u premtuan pilurjotëve ndihmë për të ndërtuar shtëpitë në vendin ku janë sot, në rast se ata do mirnin përsipër edhe mbrojtjen e Himarës nga sulmet turke që mund ti vinin nga zona e Labërisë. Një pjesë e vogël e pilurjotëve nuk e pranuan versionin e Himarës dhe u larguan drejt Strakënasë në mënyrë të pa organizuar. Ky është momenti që ka lindur ky teksti I kësaj kënge, por në formë vajtimi.

2- “Kastajana” është emri i një vajze pilurjote, pagëzuar para masakrës dhe që  iku në Strakëna pas largimit nga Kastanaja. Përqasja e emrit të vajzës me emrin e vendit ku u vendosën dhe nga u larguan më pas pilurjotët është një rastësi. Në  tekst ftohet kjo vajzë që të vijë në fshat dhe të vajtojë mbi varret e të vrarëve sepse sipas zakonit, të vdekurit që nuk vajtoheshin nuk gjenin rehat në botën tjetër.

KASTAJANA.

Ç'pan o xhan që të përzunë[2]

Kastajana Pilurjote

Nuk u ngopnë me Katundë

Në krah  s'të doli një shoqe[3]

Mirë qeni i pabesë[4]

  na la djepetë thatë,

Po ç’panë këta lanetë[5]

Ç’panë a gjeçin belanë

Darkë herë kukuvajka

Ja thoshte derë më derë,

Korba po sillte mandata

Ç’u tha deti u bë sterë

Të lanë korbë  jetime

Ç’u hodhe nga Strakanaja,

Një jetë me hidhërime

Ç’e kaloi Kastajana

Dhe në ardhç eja mbi vare

Mos i haro trojet tona,

Eja me kujë e me vaje

Kastajanë dhe vajtona.

3-Ky tekst  kënge është i pasviteve 1650 dhe më konkretisht pas largimit të pilurjotëve nga Kastanaja, moment që e evidenton dhe kënga. Në fillim ka qënë një vajtim i njerëzve të  vajzës,  e cila në rrethana të paditura u gjend e u rrit në ishullin e Strakënasë pas ikjes nga Kastanaja ndërkohë që babai dhe vëllezërit ishin vrarë natën e masakrës.

Qysh  nga koha e krijimit të saj e gjer në ditët tona kjo këngë ka jetuar si logatje grash, të cilën e logasnin gati të gjitha gratë e fshatit në momente trishtimi. Pikërisht kjo mënyrë egzistence si logatje grash ka bërë që  të jetojë kaqë gjatë e pashkruar[6] pasi gratë e fshatit e logatnin instiktivisht në mënyrë gati të përditëshme. Pra kjo këngë ka ardhur nga vajtimi në formën e logatjes (dhe akoma interprethet nga gratë). Fakti që neve na paraqitet në formën e një elegjie monofonike tregon se kjo këngë e kaloi fazën e logatjes dhe hyri në terenin e këngës dhe si rregull fillimisht hyri si këngë monofonike. Dikush do të thotë se si këngë monofonike u çfaq vetëm tani, pas interpretimit të këngëtarit Polo Çipa. Kjo është e vërtetë, kënga ka jetuar gjatë si logatje dhe vetëm tani erdhi moment dhe njeriu i përshtatshëm që ta shndronin logatjen në këngë, madje në këngë elegjike.

Kemi sqaruar se elegjia  (vjen nga greqishtja “elegeia” që do të thotë “këngë” zije) është  një formë të kënduari dhe vargjet e saj quhen vargje elegjiake që  shprehin zakonisht dhimbje të madhe, vdekje apo humbje të dashurisë.

Kujtojmë se edhe logatja është  “hapi i parë” i vajit në procesin e shndrimit të tij në këngë isopolifonike dhe mbart me vete gjithë ngarkesën emocionale të vajtimit. Në versionin që na paraqitet, logatja është shndruar në këngë monofonike por që mbart në  masë të madhe melodinë e logatjes për vetë subjektin e saj.

Kjo këngë është distancuar nga logatja dhe në këtë distancim ka ndikuar  fakti që këngëtari është burrë dhe këndon me natyrë dhe zë burri. Vërtet të kënduarit nga një burrë e ka zbehur dhe “plasaritur” ëmbëlsinë e fjalës dhe të tingullit por kjo më së shumti është karakteristikë personale e këngëtarit se sa ligjësi e shndrimit të vajtimit në këngë.

Pra nga logatja e gruas, (që ishte në fillim) këtë këngë ee largon fakti që e këndon ( e theksojmë  faktin që “e këndon”) një burë me timbër melodik të dallueshëm, ndryshe nga logatja e origjinës. Shtoi kësaj dhe faktin që kënga shoqërohet me fyell nga istrumentisti virtuoz Nardi Kongjini, sshënojmë faktorin e dytë që ndikon  në distancimin nga logatja.

Këtë distancë ndoshta e bën më të ngushtë pak fakti se melodia e fyellit është melodi e trishtueshme, por gjithsesi ajo është melodi kënge dhe jo melodi logatjeje.

Është interesante pasuria që mbart kjo këngë elegjike monofonike. Është një këngë shumë e vjetër, kur simotrat e saj janë haruar me kohë. Si të gjitha këngët isopolifonike e ka origjinën nga vajtimi, por ndryshe nga ato është një këngë “në mes të rrugës” drejt shumë zërëshit gojor popullor sepse  është në fazën e porsashkëputjes nga logatja dhe interpretohet vetëm me një zë muzikor. Në konteksin e saj melodia e fyellit luan më shumë rolin e një isoje në një sfond muzikor se sa rolin e një “udhërrëfyesi” melodie.

Po qe se do binim dajkort që të shpreheshim në një formë letrare për “ardhjen“ e kësaj kënge do të thoshnim se i ngjan gjetjes së një kurore antike të artë dafinash në një vend ku ka qënë fonderia e derdhjes së tyre, vend i cili është plot me mineral ari gati për tu shkrirë e derdhur në forma kurorash.

4-Piluri është një “fonderi” plot me depozita ari të gatëshme për tu derdhur në kurora të arta dafinash. Në Pilur laboratori krijues i artit gojor popullor funksionon si bë gjenezën e këngës. Edhe sot mund të  asistosh në një mort të ndonjë djali të ri, ku nëna e tij shkul flokët me ulërima, çjerr faqet me thonjë dhe godit me kokë muret e shtëpisë ndërkohë që në odën e burrave babai i të ndjerit vajton me ligje djalin dhe  godet me grushte gjoksin, skena këto skena përsëriten me tonalitete  të larta në momentin e varimit të të ndjerit. Pas një a dy ditësh në shtëpinë e mortit rrethi i grave vajtore zbaton ritin e vajtimit me ligje ku vajtorja kryesore ligjëron një tekst vajtimi, një vajtore e pranishme ja “kthen” vajin, vajtorja tjetër e “hedh”  një oktavë të lartë që ta dëgjojë edhe zoti gjëmën që ka “lejuar” dhe vajtoret e tjera e shoqërojnë me rënkime. Kush e njeh këngën popullore e kupton se ky është edhe formati i grupit isopolifonik.

Në një kohë tjetër, jo shumë të largët një grua e shtëpisë së mortit që përmëndëm, duke ecur rrugës e ngarkuar me bucjelë më ujë apo një tufë drush logat me vete  tekstin vajtimor që ligjëruan (vajtuan) gratë ditën e mortit, duke u përpjeklur që ti bëjë të gjitha zërat që ishin të pranishme në mort. Dhe ja në një kohë tjetër, një burrë nga të kësaj shtëpie ndërsa rri në kullotë e sheh bagëtinë, befas ja nis një kënge me po atë tekst të asaj dite të zezë për të vajtur më pas te një ditë kur dikush, këtë tekst e këndon si tekst kënge në një dasëm a në një gëzim. Kaqë ishte procesi, vajtimi u shndrua në këngë dhe nuk rikthehet më në vajtim.

Të gjitha këto moment mund ti gjesh në Pilur edhe në kohën e sotme. Nuk është nevoja të pyesësh se nuk t’i shpjegon njeri. Vuri veshin e dëgjo ecurinë e vajtimit dhe të siguroj unë që do dalësh te kënga ashtu si përroi del në det. Këtë ligjësi ka ndjekur edhe  vajtimi i Kastajanës që na erdhi sot në formën e një kënge elegjike monofonike. Jo çdo fshat e zhvillon këtë process. Duhet së pari të jetë një fshat i vjetër shumë me banorë autoktonë dhe të lidhur me njëri tjetrin deri në pazgjidhshmëri. Në Pilur po preke nje banor të tij ke prekur gjithë fshatin, por bëre mik një pilurjot je miku i gjithë fshatit. S’besoj se dikush dëshiron të bëhet hasm me ne prandaj po e lë këtu mendimin.

5-Që të shndrosh vajtimin në këngë është si të shndrosh ujin në verë, duhet të keshë disa cilësi.Duhet të jesh vajtor dhe këngëtar njëherësh ashtu siç është dhe Polo Çipa.

Polo Çipa ka lindur më maj 1959 në Pilur dhe qysh fëmijë i vogël bashkë me Kristo Çipën janë marë me këngë e valle. Leftër Çipa duke parë shkathtësinë e tyre I aktivizonte më shumë se të tjerët. Kështu shpjegohet që në moshën 15 vjeçare bëhen pjestarë të grupit të Pilurit duke kënduar bashkë me Katina Mërkurin (Muço) dhe Erimioni Mërkurin (Muço) për të aritur në moshën 17 vjeçare si këngëtar I grupit të Pilurit te kënga “Në të marça manushaqe” për të dalur në skenën e Festivalit Gjirokastër në moshën 19 vjeçare bashkë me këngëtaren Vasillo Koka(Lapa) me këngën... “O bobo ç'qënka sevdaja”.

Nuk ka përfunduar ndonjë shkollë arti sepse pas përfundimit të shkollës së mesme në Himarë fiton konkursin në Vlorë e Tiranë për  në Institutin e Lartë të Arteve. Mirpo mqse babait të tij i paskësh hyrë një “gjëmb biografie” në këmbë i duhej Polos të çalonte gjithë jetën.  Aktualisht është emigrant në Greqi që 25 vjet, ku si drejtues i asamblit folklorik në Patra, asambël i pilurjotëve emigrant në Greqi bën përpjekje për ruajtjen e folklorit të bregdetit në përgjithësi dhe atë pilurjot në veçanti. Ndjek dhe qëmton veçoritë e artit gojor popullor pilurjot për të “krijuar” variacione melodike. Ja si më shkruan për këtë elegji monofonike: M’u kujtuan disa burra të hershëm pilurjotë që qanin me zë por dhe që mërmërisnin me vet vete sidomos im atë Sofo Çipa apo Spiro Bala, Milo Kolagji, Labo Çakalli e shumë të tjerë. Rasti nxitës ishte kur shkova para 5 muajsh në vorezat e fshatit ku gjeta Milto Çakallin me Marë Kongjinen që vajtonin të birin.  Mara qante me ligje me zë të fortë ndërsa xha Miltua e shoqëronte me vajtim më të ulët ndërsa unë mezi mbaja lotët. Ky rast  qe një pikë nxitjeje  për këtë elegji...



[1] Kur një kallaratas ndëroi fenë,  një pilurjote mik i tij lidhur në vëllamëri me pirje gjaku shkoi dhe i dogji shtëpinë në mes të ditës dhe vetëm pas kësaj vëllamëria qëndroi pa u prishur, ndryshe për mos ti djegur shtëpinë duhej ta vriste vëllamin në pragun e saj.

[2] Është fjala për momentin e përzënies së pilurjotëve nga Kastanaja.

[3] Pilurjotët në luftën me garnizonin turk ishin të vetëm. Por aludon edhe për mosndihmën e fshatrave të tjera pas vendosjes në fushën e Qeparoit apo edhe Kastana.

[4] Është fjala për ushtrinë turke

[5] Zemërimi është me hiamariotët që u kërkuan largimin nga Kasanaja

[6] Kënga himariote e betejes së Torviollit ku luftëtarët këndonin në valle …Demave të Shqipërisë/S’u shpëton lop e Turqisë/Ali Pasha lopa plakë/Po ta mbajti eja prapë… e ka sjellur Barleti dhe përshatur në shqipen e sotme Noli.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora