E enjte, 16.07.2020, 07:28 PM (GMT+1)

Komente

Edison Ypi: Miqt e vjetër

E merkure, 03.06.2020, 05:43 PM


Miqt e vjetër

Nga Edison Ypi

Nja pesë a gjashtë nga miqtë e vjetër u ndali zemra nga Dashuria. Nja shtatë a tetëve u ra damllaja nga Bukuria. Dy a tre i gërryu kanceri. Njërin e shkeli makina. Tjetrin e zuri një shkëmb që u përmbys. Ca ikën të pinë raki në botën tjetër se nuk u mjaftoi e këtushmja. Ca i lagu shiu. Ca i mori era. Ca i përpiu dheu. Kusurin e mbuloi errësira.

Ka nga miqt e vjetër që nuk dalin nga shtëpia. Të vdekurit e pakallur rrinë strukur, vegjetojnë fshehur. Në ballkon duke pirë kafe, pranë sobës për tu ngrohur, mbi mangall për tu djegur.

Nja katër a pesë miq të vjetër ikën më 90-ën e s'u panë më. Dihet ku janë. Por s'pipëtijnë. Kanë ra squk. Do kenë qënë spiuna që u frikësuan nga ndonjë hakmarrje. Nuk ka spjegim tjetër.

Nuk përjashtohet mundësia, dhe ka shenja, që të tjerë miq të vjetër që nuk ikën, janë këtu, të kenë qënë edhe ata spiuna. Por, sa kohë ata që nxjerrin dosje dhe pseudonime në mënyrë selektive për interesat e veta, kjo nuk mund të vërtetohet, mbetet pezull.

Njëri nga miqt e vjetër iku diku në Europë. Ca vite e ruajtëm miqësinë, bënim muhabet, vejevinim. Kur një ditë, gjatë një bisede në telefon, ndodhi hataja. Nisi të më qahej se disa zezakë i kishin djegur makinën para shtëpisë në rrugicën ku banonte. U tmerrova. Me lotë në sy i shpreha keqardhjen që banonte në një rrugicë ku zezakët ta djegin makinën. Ma mori për ters. Ju duk siku e talla, e përçmova, e përbuza, që jetonte në një bidonville. Nuk e talla. Përkundrazi, më dhembi në shpirt. Nga ai moment miku i vjetër s'u ndje. E bëra lanet përgjithmonë. I hoqa kryq në kujtesë. Nuk do t'i flas më kurrë mendjecektit që e konsideroja mik të vjetër.

Një tufë nga miqt e vjetër më bëjnë të njëjtën pyetje; Pse Doktori nuk i vrau komunistat të shpëtonim prej tyre një herë e mirë ?! Shejtanbudallejve që deliret shtazarake presin tua realizojnë të tjerët ndërkohë që vetë ata nuk e lëvizin menderen për asgjë, u them; Pse nuk i vrave komunistat ti mor mut muti ?! Hiqmu sysh komunist i ndyrë. Miqësia me ty ka qënë një keqkuptim. Nuk të kam as nuk të kam pasur kurrë mik, zhduku nga faqja e dheut.

Nja tre a katër skile që mbahen për demokrata por janë kokë e këmbë të lidhur me interesa nga më të ndyrat me dreqin dhe shejtanin, më thonë; Pse nuk e shan Edi Ramën nëpë shkrime ? O kërrma, o zorraxhinj, u them këtyre ndyrësirave, mos më ngatërroni me veten tuaj. S'kemi asgjë të përbashkët. Nuk jam harbut dhe halabak si ju që ikni nga fryn era, që gërryheni e zhgërryheni për interesa nga më të fëlliqtat. Jemi tepër të ndryshëm o ndyrësira. Unë jam Fisnik, ju jeni hyzmeqarë. Unë jam Jam Aristokrat, ju jeni zhabulanë. Mishin të ma presësh me gërshërë nuk e shaj Kryeministrin e vendit tim. As këtë dhe asnjë tjetër. Kurrën e kurrës. Sskilet në fjalë i kam bërë sikter. Nuk do tu flas kurrë me gojë mutërve anonimë që vërtiten si zagarë nëpër oborret e partive në pritje të ndonjë kocke dhe guxojnë të më japin ment kë të shaj e kë të lëvdoj unë që s'kam trokitur kurrën e kurrës në derën e ndonjë partie.

Një numur nga miqt e vjetër, ca të lezeçëm që janë rregulluar jashtë Shqipërie me pare të vjedhura, më thonë; "Nuk kthehem derisa Shqipëria të ndreqet". S'e kam ditur që paske qënë kaq i ndyrë mor burr i dheut, i them unë. Ta ndreqim Shqipërinë ne që ndejtëm këtu dhe të vish ta gjesh gati ti që ike pasi vodhe. Zot na ruaj ç'plehra ka dynjaja.

Jo pak nga miqt e vjetër s'më perceptojnë dot ndryshe veçse si njëherëenjëkohë, gojëkyçur dhe të tërhequr. Jam lodhur t'i bind se gojëkyçjen, mënjanimin, i kisha nga përbuzja dhe nga frika. Të mos kuptohesha. Të mos njihesha. Të mos më dallonin. Të mos më deshifronin. Funksionoi. Ja arrita. Disa nga miqt e vjetër nuk besojnë. Kurrë mos besofshin. Kurrë mos ua pafsha surratin.

Mes miqve të vjetër që u larguan, njëri që iku në Amerikë mbahej, dhe në fakt ishte, antikonformist, antikurvist. Në Amerikë, me të nisur punëm i ra bytha në ujë. Me ti rënë bytha në ujë, komunizmin, konservatorizmin, djathtizmin, kurvizmin, i bëri lëmsh të tëra. Tani nuk di nga tja mbajë. Tani nuk di çfarë është.

Një takëm tjetër miqsh të vjetër, ca të lodhur e të javashëm, vazhdimisht tregojnë meselera të vjetra të përsëritura. Po ato mburrje, po ato hile, po ato intriga me vite e vite. Këta i urrej. Dhe natyrisht i mbaj larg.

Kur me miqt e vjetër mblidheshim nëpër shtëpira dhe shikonim filma dhe bërtisnim kundër Diktaturës, njëra nga pyetjet që gjithë kohës vinte rrotull si dron mbi një miting djajsh të çartun në një stadium të mbyllur, ishte; Nëse një ditë do mund të flasim e bërtasim sa të duam, do udhëtojmë nëpër botë, do vishemi e do mbathemi si na do qefi, do kemi makina, do kemi autostrada, supermarkata, grataçiela, a do jemi të lumtur ? Përgjigja e miqve të vjetër ishte unanime; Sigurisht. Por halli se kur të vijë ajo ditë, nuk do mund të flasim se do na ketë ikur zëri, nuk do këndojmë se do na jetë sëmurur fyti, nuk do kemi grataçiela dhe autostrada se se do jetë mbaruar çimentua, nuk do kemi makina se do ketë mbaruar nafta.

Por zëri nuk na iku dhe po flasim. Fyti nuk na u sëmur dhe po këndojmë. Çimentoja nuk u mbarua dhe autostrada kemi. Nafta nuk u mbarua dhe makina po ngasim. Para kësaj tabloje miqt e vjetër e kanë dredhur. I duan makinat si të Amerikës. Rrogat sa të Zvicrës. Modë si të Italisë. Celulara si të Japonisë. Me këta më ka gjetur belaja. Dua ti largoj, por zemra s'më lejon. Dua ti braktis por shpirti më pengon.

Në vendin ku e ardhmja nuk afrohet kurrë, e tashmja vjen nga Mesjeta, e kaluara shpërthen nga hiçi, belaja e re me miq të vjetër të rrejshëm nga koha kur mikun nuk mund ta zgjidhje, ka mbetur nostalgji që po kthehet në statistikë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora