E marte, 14.07.2020, 12:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Mbretëresha Olimpia (IV)

E marte, 02.06.2020, 08:46 PM


Resmi Osmani

Roman

MBRETËRESHA OLIMPIA

(Fragment)

Fundi i udhës së mundimeve.

Ishte dita e fundit e javës së parë të prillit.

Kasandri u dha fund mëdyshjeve. Bëri fli në altarin e Zeusit dhe shortarët shqyrtuan dhe shtjelluan shenjat.Ishin të mbara.Edhe orakulli i Apolonit të Delfit, bënte fjalë për një zjarr që shuhej dhe një dritë që fikej. Shpatullat e flive rrëfenin një kafaz dhe një pellg gjaku. Zotat e kishin përcaktuar fundin: mbretëresha duhet të vdiste.Thirri dyqind ushtarë të rinj e besnikë. Porosia ishte e prerë:

-Mbretëreshës Olimpia i ka ardhur fundi.Edhe vdekja është pak për të këqiat që ka bërë. Maqedonia duhet të shpëtojë nga intrigat dhe hakmarrjet e saj të përgjakshme. Erdhi ora e shpagimit.I pari që do të sjellë lajmin do të ketë shpërblesë. Bëni detyrën!

Ushtarët e armatosur me shtiza të shkurtra dhe kama majëmprehta, u drejtuan për në pallat. Ecnin me hap të rëndë, të zymtë, të menduar e të tronditur, si në një procesion të përzishëm, që mbante mbi supe një tabut.

Oficeri trokiti disa herë në portë, por mga brenda askush nuk u përgjigj dhe nuk e hapën.

-Shkallmojeni portën,-urdhëroi ai.

Pas disa goditjeve me dash dhe sëpata të rënda porta u copëtua dhe u hap kanat më kanat.

U bë një përleshje e shkurtër me rojet e brendshme, që u çarmatosën ose u vranë. Kalimi ishte i lirë.Ushtarët u vunë në radhë dhe me hap të shpejtë hynë në sallën e madhe me ushtat gati për të goditur, por u shtangën: kundruall tyre, të ulur në poltronën e lartë, kishin mbretëreshën. Grua e hijshme dhe e hirshme, krenare, me sy shqiponje e vështrim të guximshëm. Kurora e artë mbi ballin e lartë dhe manteli i purport arqëndisur, hedhur mbi supe e që i mbulonte pëqinjtë, i jepte pamjen e një perëndeshe, para së cilës duhej rënë në gjunjë dhe jo të ngrije armën për ta goditur. Kjo ishte  gruaja e mbretit Filip, e ëma e Aleksandrit te Madh. Për të kishin dëgjuar, por ishte hera e parë që e shihnin dhe pamja e saj i goditi në shpirt. E gjitha dukej si e qarkuar me një brerore drite, rrezatonte hir dhe madhështi. Prapa saj ishin rreshtuar zonjat e shoqërimit, Thesalonika dhe Roksana, të gjitha të veshur me të bardha, në një qëndrim të ngrirë. Ajri ermironte temjan, atmosfera e heshtur dhe flaka e pishtarëve, ngjallnin në shpirt një ndjenjë mistike, si në një tempull në pritje të një ceremonie të shënjtë.

Pas asaj stepjeje të vetvetishme, oficeri që printe e mblodhi veten;

-Madhëri, bëhuni gati të largoheni nga kjo jetë dhe shpirtin t’ua drëzoni zotave. Kemi ardhur të zbatojmë vendimin!

Ajo u ngrit më këmbë dhe i kundroi vëmendshëm e me keqardhje ushtarët.

-Jeni kaq të rinj e kaq të hijshëm. Në moshën tuaj ishte edhe Leka, kur u nis për luftën në Azi,- u tha ushtarëve me zë të qetë e të pikëlluar.

-Po u bën dora, goditmëni. Është si të vrisni nënat tuaja. Po a e vret biri nënën?Ja ku më keni. Bëni detyrën për të cilën ju kanë dërguar. Bindja është vyrtyt i ushtarit.

Nga pamja dhe fjalët e saj, ushtarët u pushtuan nga një trazim shpirtëror. Jo. Ata nuk mund t’a vrisnin nënën e Aleksandrit. Ajo vdekje do t’I ndiqte si mallkim tërë jetën. Ulën shtizat, bënë prapaktheu dhe dolën të heshtur nga pallati.

*  *  *

Çeta e ushtarëve u paraqit kryeulur para gjeneralit. Detyra nuk ishte kryer. Kasandrit i hipi një tërbim i egër, aq sa vuri dorën në shpatë dhe ata pandehën se do të bënie ndonjë hata, por ai e derdhi furinë e zemërimit me të shara të ndyra dhe fyerje që ata s’i kishin dëgjuar më parë prej tij: i quajti bajga, burracakë, frikacakë zemërlepuj,zuzarë, doçër, që kishin mbushur brekët para një gruaje, që tashmë ishte askushi, veç hije e vetvetes.

Dërgoi kalorës lajmëtarë që të sillnin në Pidna të afërmit, etërit dhe vëllezërit e të vrarëve nga Olimpia-Stratonika. Ata do të dinin përse ta vrisnin dhe si ta vrisnin: me gurë, që shpirti t’i delte me dhimbje e mundim.

* * *

Koha nuk priste. Ata, të afërmit e të vrarëve nga hakmarrja e saj, që i kishte thirrur Kasandri, kërkonin shpagë. Të ngarkuar me gurë dhe të vberbuar nga urrejtja, duke sokëllitur si lukuni e qenve të tërbuar, ishin sulur dhe ngarendnin drejt pallatit. Ndjehej zallahia dhe trokëllima e shurdhër e gjurmëve të tyre në kalldrëm. Nga gurmazet e ngjirura delte me gulç thirrja:”Me vdekje, me vdekje!”.Vraponin të shfrynin urrejtjen dhe të shuanin etjen e tyre për gjak.

Ajo e dinte: turma ishte e egër si lukunia e ulqërve të uritur.

Thirri Kadmenë.

-Kadme fisnike, bija ime, që më ke shërbyer kaq vite, merre këtë unazë që të më kujtosh.

Hoqi nga gishti unazën e rëndë, të artë, në mesin e së cilës ishte ngallmuar një gur rubini I kuq si gjaku, në formë vezake me vulën e saj.

-Ma jep gishtin,- i tha dhe pastaj i vuri unazën.

-Bëji edhe shërbimin e fundit mbretëreshës tënde.Ndihmomë të vdes!

Mori nga tryeza një thikë, dorezëargjendtë, të stolisur me gurë të ndritur, tehu i mprehtë i së cilës lëshone reflakse të kaltra- mavi. Ishte një dhuratë që Leka ia kishte dërguar nga Fenikia.

-Mbaje fort me të dy duart, në mes të gjoksit tënd.

Pastaj ajo iu lut zotave:”Goditja qoftë e saktë, maja e thikës shkoftë drejt e në zemër, që pa vuajtje e përpëlitje, në pellgun e gjakut tim te shuhem, të shuhem e të mbyll unë sytë e qetë!….”

Kadmeja, me pavetëdije, mëndje çakërdisur, bëri siç e urdhëruan, por duart i dridheshin dhe maja e thikës vibronte si gjuhë gjarpri. Mbretëresha u afrua përballë qetësisht dhe e p[ërqafoi Kadmenë. Majën e ftohtë të thikës e ndjeu në gjoks pranë zemrës. Mbylli sytë dhe gjithë forcë, me vrull të befasishëm e shtrëngoi Kadmenë në shpatulla, drejt vetes. Ishte përqafimi i vdekjes. Maja e thikës kishte depërtuar në zemër. Pa asnjë rënkim, jetëfikur, trupi rrëshqiti ngadalë teposhtë.

Kadmeja e lemerisur ja hoqi thikën nga gjoksi. Gjaku shpërtheu me gulçe. Mbretëresha kishte vdekur. Kadmeja, leshraprishur, mendjeçartur vuri kujen. Shkuli flokët, rrahu gjoksin, çorri faqet dhe ia nisi vajit me dënesa. Në çast ia behën Thesalonika, Roksana, zonjat e shoqërimit dhe skllavet e shtëpisë. Plasi vaji.

Fill pas tyre, nga dyert e hapura e të shqyera, turma e harbuar dhe çakërdisur, gojëshqyer e pamje handakosur, hyri në tremen e pallatit dhe pastaj kërkoi nëpër salla e dhoma deri sa arritën në sallën e armëve. Gulçonin. Në duar mbanin gurë të rëndë. Ishin gati ta vrisnin mbretëreshën me gurë, që të mbaronte me vdekje të mundimshme. Kjo do të ishte shpaga e tyre. Sytë u feksnin nga ligësia. Ishin si në jerm. Ngadalësuan hapat dhe u stepën kur e panë fronin bosh. Nuk vonoi dhe e panë trupin e shtrirë e të pajetë të mbretëreshës të zhyer në gjak.

Për Thesalonikën ishte si të kishte ardhur fundi i botës. Pas Leonatit, dashurisë së saj të pafat, që luftoi e vdiq si trim, vdekja e mbretëreshës e la vërtet jetime, të pambrojtur, në dorën e fatit mizor. E mbytur nga lotët e dhimbjes, e mbuloi me pelerinë dhe I mbylli sytë e pajetë. Fytyrën ia la zbuluar. Dukej sikur flinte. Kishte rënë në gjumin e përjetshëm.

Pjesëtarët e turmës së ndërkryer, u bënë gati t’I vërvitnin papërdhokët, por i pari i tyre i ndali.

-Jo, - u tha ai, - mos ndillni mbi vete mërinë e perëndive. Erinitë zemërohen pot ë goditet me gurë e të përdhoset një i vdekur. Ajo u tregua më e shpejtë se ne.

Ata e shfrynë dufin duke goditur fronin sa e shkatërruan, të tjerët i ulënj gurët përdhe, kapicë mbi mozaikun e dyshemesë dhe u larguan të lehtësuar. Me vetvrasjen ajo i kishte shpëtuat nganjë krim.

*  *  *

Kështu vdiq pas një jete të stuhishme, mbretëresha Olimpia në një ditë pranvere të vitit 316 para erës së re, në kështjellën e qytetit të Pidnës në moshën pesëdhjetenëntë vjeçare.

E lindur në Pasarone, Molosi, të mbretërisë Epirote, bijë e mbretit Neoptolem, motër e mbretit Aleksandër Molosi, grua e mbretit Filip II të Maqedonisë dhe nënë e Aleksandrit të madh. Në Tesproti e quanin “Zonja e Madhe”, në Pasarone “Lulja e bukur “ e Epirit, në Maqedoni “Princesha Epirote Olimpia”.Me këtë emër, ajo hyri dhe mbeti në histori. Qe mbretëresha e katër emrave: ne fëmijëri, emrin e lindjes ia vunë Polikseni, nëvajzëri zgjodhi të quhej Mirdala, nuseroi e mbretëroi si Olimpia dhe vdiq si Stratonka.

U përpoq dhe arriti në jetë, atë që nuk e kishte arritur asnjë grua para saj.

Për hakmarrje, Kasandri I moho varrimin me nderime mbretërore.

Fund

Tiranë,

Tetor 2010-mars 2011.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora