E enjte, 28.03.2024, 09:14 AM (GMT)

Mendime

Enver Bytyçi: Akademiku autokrat i LDK-së, Isa Mustafa!

E marte, 02.06.2020, 05:36 PM


Akademiku autokrat i LDK-së, Isa Mustafa!

Nga Enver Bytyçi

PNUD dhe USAID-i amerikan kanë publikuar rezultatet e një sondazhi për performancën e politikanëve të Kosovës në ditët e sotme. Anketimi ishte adresuar mbi 1300 qytetarëve dhe në përfundim del se mbi 72 për qind prej tyre e pëlqejnë punën e krye-parlamentares, Vjosa Osmani, ndërkohë që 64 për qind shprehen pozitivisht për punën dhe performancën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe vetëm 18 për qind në favor të presidentit Hashim Thaçi. Duke vlerësuar këto rezultate ambasadori i RF të Gjermanisë bëri thirrje që në politikën kosovare të vlerësohet si duhet ky fakt, duke i dhënë përkrahje të fuqishme zonjës Osmani.

Por e i pazakontë ishte reagimi i kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai në vend që të ndjehej krenar për vlerësimin e publikut ndaj nënkryetares së LDK-së, kritikoi qëndrimin e ambasadorit gjerman dhe hodhi dyshime për rezultatet e këtij anketimi. Ishte i pazakontë ky reagim në të dyja kuptimet, sepse vuri në dyshim një sondazh të dy institucioneve më të specializuara ndërkombëtare në këtë fushë dhe refuzoi me mendjelehtësi faktin se zëvëndësja e Isës, pra Vjosa, të ketë kuota më të larta se kreu i LDK-së ose se kreu i shtetit!

Për këtë arsye gjesti mohues iu kthye Isa Mustafës në bumerang. Nuk besoj se pati njeri me mend në kokë që u pajtua me deklaratën e tij. Aq më pak me reagimin ndaj ambasadorit gjerman. Ai korri atë që mbolli. Në vend që të vinte vetullat, nxori sytë e tij. Nëse ishte disa km larg vlerave evropiane, në këtë rast ai dëshmoi se fluturoi qindra km larg këtyre vlerave. Nëse dikush në Kosovë ende shpresonte te roli dhe “akademikllëku” i Isa Mustafës, pas kësaj deklarate zhgënjimi është i tejskajshëm. Çfarë kërkon t’i thotë kreu i Lidhjes Demokratike anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve të kësaj partie? Se ai është më i besueshëm se Vjosa osmani?! Se Vjosa nuk mund ta konkurrojë atë?! Se në LDK nuk ka asnjë arsye të provohet për ndryshime politike demokratike?! Se politika e Isa Mustafës dhe marrëdhëniet e tij me Hashim Thaçin e përmes tij me Vuçiq dhe Daçiç janë ku e ku më dobiprurëse për Kosovën, sesa filozofia politike e Vjosa Osmanit?! Se armiqësia e shpallur herë pas here ndaj Berlinit është gjëja e duhur për Kosovën?! Se marrëdhënia dhe harmonia e kreut të LDK-së me presidentin e vendit për pazare politike është më e mirë se zbatimi i parimeve për qeverisjen e Kosovës?!

Cili ishte mesazhi në deklarimet e zotit Mustafa? Për mua është shumë e qartë: Ai është tashmë hapur pro politikave anti-Kosovë të Grenell dhe të tjerëve politikanë euro-amerikanë të stanit të lobit serb dhe rus. Dhe ajo që më bën përshtypje ka të bëjë me arsyen pse ai mban këtë qëndrim, madje me koston e përballjes me miqtë dhe politikanët euro-amerikanë që ia duan të mirën Kosovës?! Nuk mund ta kuptoj pse ky zemërim i tij ndaj Vjosa osmanit, ndonëse mund të ishte i kuptueshëm një reagim ndaj kundërshtarit të tij politik, Albin Kurti, i cili gjithashtu kishte një vlerësim në kuotat e mbi 60 për qind. Por 72 për qindëshi i kuotave të Vjosa Osmanit ishte vërtet një goditje e rëndë për akademikun autokrat në krye të LDK-së.

Autokracia e tij lidhet me rregullat e imponuara për konkurrencën zgjedhore brenda partisë si dhe me intrigat e tij taktike. Intrigat taktike lidhen me talljen që Isa Mustafa i bën partisë që ai drejton. Deri ditën e parafundit thotë se “nuk do të kandidojë për kryetar”. Një ditë para kuvendit zgjedhor mbledh kryesinë për të caktuar pasardhësin. Kur kryesia mblidhet “i lutet” atij që të mos heqë dorë nga kandidimi. Dhe kështu ai del fitimtar intrigash, pasi ka luajtur rolin e njeriut “modest” që “po sakrifikon” në emër të LDK-se e për LDK-në. Jo vetëm kaq. Pasi bën pakt me djallin, thotë se Lidhja Demokratike dhe Isa Mustafa “po sakrifikojnë” për Kosovën! Ndërkohë ai po sakrifikon Kosovën për pushtetin e tij të pakuptimtë!



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora