E marte, 16.04.2024, 11:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Gjarpri

E marte, 02.06.2020, 07:18 PM


GJARPRI

Nga Agron Tufa

- Do të ta shkapërdhej nënën mor pizeveng! - ulërin kapter Zalo në argjinaturën e Kënetës.

Vazhdoj punën me forcat e fundit. Nuk e ngre kokën. Nuk dua të ndesh atë vështrimin e tij...

- Pse nuk flet, o shkërdhatë? Deshe të më vrasësh me atë kaurin e derrit? Mutin më hëngrët! Atë e çova në të s’ëmës, ty do të të çoj në të sat ëme.

E lë të lehë. Le të lehë... Vetëm të mos më torturojë.

Kalon fare pranë, por nuk e ngre kokën të ndesh sytë e tij ngjyrë gëlbaze. Thashë se iku, se e theu qafën tutje, por s’qenkësh thënë: ndjej një goditje të thatë pas koke, që kërset si kompesatë. Bie në batak, por e mbledh veten shpejt. Kam parë se si i varrosin në llucë në kësi rastesh, aty ku shemben. Nuk dua të më varrosin dhe mua ashtu. Ngrihem, ndonëse këmbët më merren si i dehur. Pastaj bëhet një pështjellim e panik i madh: të gjithë vrapojnë, largohen nga këneta. Kthej kokën mënjanë dhe shtang! Një gjarpër tre metra i gjatë ka ndalur bri meje. Dikush vjen me kujdes nga prapa dhe përpiqet të më ndihmojë, por Zaloja e ndjek pas dhe e qëllon me lopatë.

- Ikë, - i them. – Ikë, se mua s’më hanë gjarpërinjtë e kënetave, por gjarpërinjtë e haleve! Kemi mbetur vetëmpërvetëm në llucë: unë dhe gjarpri. Të tjerët po na bëjnë sehir nga toka e thatë. Andej më vijnë dhe fjalët e kapter Zalos:

- Dëgjo ti, Limi i Telos! Nëse e vret gjarprin, nuk të trazoj më! Përndryshe, do ta vazhdojmë aty ku e kemi lënë.

- Pa dëgjo o Zalo Këmbëthekri! – ia kthej, pa ia shqitur sytë gjarprit. – Ky gjarpër mund ta mbajë fjalën e dhënë, se ka më shumë besë... Unë do ta mposht

gjarprin, por kërkoj të mos më biesh më në qafë.

Gjarpri duket se e ndjek i qetë e gjakftohtë kuven?dimin tonë, pa lëvizur nga vendi. Mandej bën një rreth diku përballë meje dhe rrëshqet përbri krahut tim të majtë. Këmbët më janë ngjitur në batak si me tutkall: nuk jam në gjendje as ta ndjek, as t’i iki. Marr lopatën dhe i matem sikur ta kem heshtë. Ia vërvis me tërsëllëmë. E godas. Ai ngre njëherë barkun mbi ujë dhe pastaj përdridhet në forma të larmishme, duke rrahur ujin fort. Lopata e ka plagosur në bisht. Shkolas me zor këmbët nga lluca dhe i hidhem përsipër. E di që gjarpri i ujit nuk të helmon. Më kafshon në llërën e majtë dhe më varet në krah, pa dashur të më lëshojë. Krahu më dhemb sikur ta ma presin me brisk.

E kap me dorën e djathtë, por më rrëshqet, pasi nuk kam fuqi. I dëshpëruar, pa ndonjë rrugëdalje tjetër, ia ngul fort dhëmbët në qafë dhe e kafshoj në kulmin e tërbimit e marrëzisë, me sa kam fuqi. Shoh se si hap

gojën, si ma lëshon krahun, por unë s’e lëshoj, derisa e këpus me dhëmbë më dysh. Vetëm atëherë ia flak dy gjysmat e këputura në ujërat e kënetës. Por dhe atje, ai akoma gjallë, llapushitet në ujë. E di që gjarprit nuk i del shpirti, edhe pa kokë po të jetë, derisa të perëndojë

dielli. I them dikujt ta nxjerrë nga uji, derisa ta shohim krejt të ngordhur në perëndim të diellit, por ndërhyn Zalo me britma për të na rikthyer në punë. Kur vjen afër meje, më thotë:

- Bravo! Ti s’do të punosh më për sot. Dil aty mënjanë dhe çlodhu. Lidhe krahun.

Vetëm këtë rast ndjej, se edhe tek ky egërsirë ka mbetur diç njerëzore, sado e vogël. Nuk kam pritur kurrë prej tij edhe një fije humanizmi..

Referca: Agim Baceli, novela memuaristike "Lugati i kënetës"

"Kur këndonin gjelat e tretë", Onufri 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora